Irani kërcënon me sulme në Evropë, “Financial Times”: Bullgaria dhe Qipro në listën e objektivave

Irani kërcënon me sulme në Evropë, “Financial Times”: Bullgaria dhe Qipro në listën e objektivave

Irani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin.

Sipas një raportimi të Financial Times, që citon persona pranë regjimit iranian, forcat e Teheranit kanë vlerësuar skenarë për goditjen e aseteve amerikane në Evropën Juglindore.

Mes objektivave të mundshëm përmendet Bullgaria, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë.

Në listën e objektivave të mundshme përmendet edhe Qiproja. Në mars, një bazë ajrore britanike në ishull u godit nga një dron, ndërsa tashmë ajo shihet si një prej pikave që mund të përfshihen në një përgjigje iraniane në rast të një ofensive të re amerikane.

Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë me dije gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit, nëse konflikti do të përshkallëzohej.

Sipas gazetës, këto kërcënime pasqyrojnë klimën në Teheran, ku një pjesë e regjimit e konsideron gjithnjë e më të mundshëm rikthimin e konfliktit.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Teherani mund të zgjerojë objektivat përtej goditjeve ndaj forcave amerikane, infrastrukturës energjetike dhe bazave në Lindjen e Mesme.

Garda Revolucionare ka paralajmëruar edhe Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, duke deklaruar se çdo bazë që përdoret për nisjen e sulmeve ndaj territorit iranian do të konsiderohet objektiv legjitim.

Ish-ministri ukrainas Fedorov bën thirrje për zgjedhje në Ukrainë, rritet presioni ndaj Zelenskyt

Ish-ministri ukrainas Fedorov bën thirrje për zgjedhje në Ukrainë, rritet presioni ndaj Zelenskyt

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i shkarkuar vetëm një muaj më parë nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, i është drejtuar qytetarëve ukrainas përmes një video-mesazhi, duke bërë thirrje për gjetjen e një mekanizmi që do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve edhe gjatë luftës.

Fedorov, shkarkimi i të cilit shkaktoi protesta nga mbështetësit e tij, kritikoi korrupsionin gjatë kohës së luftës dhe paralajmëroi për një krizë sistemike të qeverisjes në vend.

“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia. Ne po luftojmë pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë evropian”, deklaroi Fedorov.

Ai kërkoi krijimin e një mekanizmi ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësonte Ukrainës të rikthente procesin demokratik edhe në kushtet e një lufte të zgjatur.

Sipas tij, duhet të garantohet e drejta e votës për ushtarakët, për miliona ukrainas që ndodhen jashtë vendit dhe për qytetarët që jetojnë në zonat pranë vijës së frontit. Fedorov theksoi gjithashtu nevojën për sigurinë e procesit zgjedhor, pavarësinë e institucioneve dhe besueshmërinë e rezultatit.

Komentet e ish-ministrit mund të shtojnë presionin ndaj Zelenskyt, i cili është përballur me skandale korrupsioni dhe kritika lidhur me disa vendime të fundit për emërime dhe shkarkime.

Zelenskyy u zgjodh president në vitin 2019 për një mandat pesëvjeçar. Megjithatë, zgjedhjet nuk janë zhvilluar që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, pasi në Ukrainë vijon të jetë në fuqi ligji ushtarak.

I maskuar si personazhi horror Chucky terrorizon Filadelfian, policia në kërkim të tij

I maskuar si personazhi horror Chucky terrorizon Filadelfian, policia në kërkim të tij

Një burrë i maskuar me fytyrën e personazhit horror Chucky dyshohet se ka frikësuar dhe ndjekur në mënyrë të rastësishme të paktën gjashtë persona në Filadelfia.

Policia ka publikuar fotografi dhe pamje të të dyshuarit, duke u bërë apel qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij.

Në një prej videove të publikuara nga autoritetet, burri shihet duke ndjekur një grua që vrapon në rrugë, në orët e para të mëngjesit. Ngjarja është regjistruar pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar.

Sipas policisë, 40-vjeçarja është ndjekur nga i dyshuari, i cili iu afrua duke i drejtuar celularin dhe e pyeti: “Je gati të vdesësh?”

Kur gruaja nuk reagoi, ai ia përsëriti pyetjen. E frikësuar, ajo u largua me vrap, por gjatë arratisjes pësoi një dëmtim në këmbë.

Autoritetet po hetojnë rastin dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse i njëjti person qëndron pas të gjitha incidenteve.