Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë të ashpër kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas një sulmi izraelit në Siri dhe lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Netanyahut nga autoritetet turke. “Erdogan tani kërkon ta shtrijë agresionin e tij kundër Izraelit edhe në Siri. Izraeli nuk do ta tolerojë këtë”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Zyra e kryeministrit përsëriti gjithashtu akuzat e mëparshme ndaj Erdogan, duke e cilësuar atë një “diktator antisemit” dhe duke e akuzuar për vrasjen e kurdëve, strehimin e militantëve të Hamasit, pushtimin e gjysmës së Qipros dhe burgosjen e një numri të madh gazetarësh e politikanësh që e kundërshtojnë.

Deklarata izraelite erdhi vetëm pak orë pasi Turqia lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për Benjamin Netanyahun, në kuadër të një hetimi lidhur me ndërhyrjen e Izraelit ndaj një flotiljeje aktivistësh që po udhëtonte drejt Gazës. “Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar drejtuesit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të çojë askund”, thuhet më tej në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Në një deklaratë të veçantë në hebraisht, zyra e kryeministrit theksoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë me forcë kundër përpjekjeve të Turqisë për të destabilizuar rajonin dhe kundër çdo kërcënimi ndaj sigurisë së tij.

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë, dikur relativisht të afërta, janë përkeqësuar ndjeshëm që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftës pasuese në Gaza.