Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), mund të jetë vetëm pak javë larg një momenti historik të marrjes për herë të parë të drejtimit të një landi gjerman. Dhe në Berlin tashmë po diskutohet se çfarë duhet bërë nëse kjo ndodh.
Sipas një analize të POLITICO-s, Ulrich Siegmund, kandidati i AfD-së në Saksoni-Anhalt, shihet si favorit për zgjedhjet e 6 shtatorit. Nëse partia arrin shumicën absolute, ai pritet të bëhet kryeministër i landit, duke rrëzuar për herë të parë “murin mbrojtës” politik që partitë tradicionale gjermane kanë ngritur ndaj AfD-së që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Një fitore e tillë do të krijonte një situatë të paprecedentë për sistemin politik gjerman. Deri tani CDU, SPD, të Gjelbrit dhe partitë e tjera kryesore kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD-në. Por nëse ajo kontrollon një qeveri rajonale, sistemi federal gjerman do t’i detyrojë institucionet e tjera të bashkëpunojnë me të të paktën në disa fusha.
POLITICO raporton se shqetësimi kryesor në Berlin lidhet me sigurinë dhe, në veçanti, me aksesin që një qeveri e AfD-së mund të kishte në informacionet sekrete. Zyrtarë të intervistuar për artikullin shprehin shqetësim për marrëdhëniet e partisë me Rusinë dhe mundësinë që të dhëna të ndjeshme të përfundojnë në duart e Moskës.
Sipas POLITICO-s, po diskutohen të paktën katër skenarë.
Një prej tyre do të ishte krijimi i takimeve paralele mes ministrave të landeve. Mbledhjet zyrtare do të vazhdonin, por për çështje veçanërisht sensitive mund të organizohen takime të tjera, ku përfaqësuesi i një qeverie të AfD-së nuk do të merrte pjesë. Disa ministra rajonalë i kanë konfirmuar POLITICO-s se një skenar i tillë po merret në konsideratë.
Një mundësi edhe më konkrete është kufizimi i aksesit në informacionet e inteligjencës. Ministri i Brendshëm i landit të Turingisë, Georg Maier, tha se mund të krijohen barriera brenda sistemeve të përbashkëta të informacionit, veçanërisht për të dhënat që lidhen me ekstremizmin e djathtë dhe spiunazhin. Sipas tij, një masë e tillë mund të ishte edhe ligjërisht e mundur.
Shqetësimi lidhet edhe me partnerët e huaj. Një deputet i të Gjelbërve paralajmëroi se Britania, SHBA-ja, Polonia apo Ukraina mund të kufizonin shkëmbimin e informacionit me Gjermaninë nëse do të besonin se të dhënat sekrete mund të arrinin në Moskë. POLITICO sjell si precedent Austrinë, ku partnerët perëndimorë kufizuan ndarjen e informacionit pasi e djathta radikale FPÖ mori kontrollin e Ministrisë së Brendshme.
Një skenar tjetër lidhet me financat. Saksoni-Anhalt është një nga landet që përfiton ndjeshëm nga sistemi gjerman i barazimit financiar dhe vetëm në vitin 2025 mori rreth 2.8 miliardë euro, afërsisht një të pestën e buxhetit të tij. Kufizimi i këtyre fondeve përmendet si një mënyrë teorike për t’i ushtruar presion një qeverie të AfD-së, megjithëse pengesat kushtetuese do të ishin të mëdha.
Në fund ekziston edhe ajo që POLITICO e quan “opsioni bërthamor”: Bundeszwang, ose detyrimi federal.
Neni 37 i Kushtetutës gjermane i lejon qeverisë federale, me miratimin e Bundesratit, të marrë masa për ta detyruar një land të respektojë detyrimet e tij ligjore. Ky mekanizëm nuk është përdorur kurrë në historinë e Republikës Federale.
Por çdo përpjekje për të izoluar një qeveri të zgjedhur të AfD-së mbart edhe një rrezik politik. Masat e jashtëzakonshme mund të ushqejnë argumentin e vetë AfD-së se partitë tradicionale nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve kur fitues është një forcë jashtë establishmentit.
Edhe opinioni publik gjerman është më pak i bashkuar se më parë për strategjinë e izolimit. Një sondazh i korrikut tregonte se vetëm 42% e gjermanëve e konsideronin ende të drejtë refuzimin e bashkëpunimit me AfD-në nga CDU dhe socialdemokratët, ndërsa një tjetër matje tregonte rënie të mbështetjes për “murin mbrojtës” ndaj partisë.
Ironikisht, POLITICO ngre edhe një mundësi tjetër: që partitë tradicionale të mos bëjnë asgjë të jashtëzakonshme.
AfD ka fituar mbështetje për vite me radhë duke qenë në opozitë dhe duke sulmuar gabimet e kundërshtarëve. Por nuk ka qeverisur kurrë. Marrja e pushtetit mund ta përballë atë me probleme të administrimit, konfliktet e brendshme dhe përgjegjësinë konkrete për vendimet, duke u kthyer potencialisht në një kufizim më efektiv sesa çdo strategji izolimi e Berlinit.
Pra, pyetja që po shqetëson tashmë politikën gjermane nuk është më vetëm nëse AfD duhet të mbahet larg pushtetit. Është se çfarë ndodh nëse votuesit e çojnë atë vetë në pushtet. /POLITICO









