Gjashtë persona që punojnë në aeroportin e Frankfurtit janë prekur nga malaria, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë. Autoritetet gjermane po hetojnë burimin e infeksionit, pasi bëhet fjalë për një mënyrë transmetimi tepër të rrallë në vend.
Rastet u bënë publike fillimisht në korrik, kur u konfirmua se katër punonjës ishin infektuar. Së fundmi, numri i rasteve ka shkuar në gjashtë, ndërsa pesë të prekurit e tjerë po marrin trajtim në spital ose nën kujdes mjekësor.
Dyshimi kryesor i autoriteteve lidhet me mushkonja të infektuara që mund të kenë hyrë në Gjermani përmes avionëve. Sipas hipotezës së hetuesve, insektet mund të kenë ardhur nga vende ku malaria është endemike dhe të kenë mbërritur në aeroport nëpërmjet hapësirave të avionëve, veçanërisht zonave të ngarkesave.
Fenomeni njihet si “airport malaria” dhe është jashtëzakonisht i pazakontë në Gjermani. Në këtë skenar, mushkonjat e infektuara mund të pickojnë njerëzit dhe të transmetojnë parazitin që shkakton malarien.
Për të përcaktuar nëse ky është shkaku i rasteve, në aeroport janë vendosur kurthe speciale për mushkonjat. Disa insekte janë kapur tashmë dhe pritet t’u nënshtrohen analizave laboratorike për të parë nëse janë bartëse të parazitit.
Autoritetet kanë bërë të qartë se nuk ka prova për përhapje të malaries nga një person te tjetri. Sëmundja transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara të gjinisë Anopheles.
Punonjësve të aeroportit u është kërkuar të tregojnë kujdes ndaj simptomave të mundshme. Fraport i ka këshilluar ata që, nëse nuk ndihen mirë dhe shfaqin shenja që mund të lidhen me malarien, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe të informojnë mjekun se janë të punësuar në aeroport.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të veçantë pikërisht për shkak të rrallësisë së saj. Në Gjermani, pjesa më e madhe e rasteve të malaries diagnostikohen te persona që janë infektuar gjatë udhëtimeve në rajone tropikale. Një studim europian ka evidentuar 145 raste të lidhura me aeroporte ose bagazhe në Europë nga viti 1969 deri në 2024, ndërsa vetëm nëntë prej tyre janë raportuar në Gjermani.
Malaria mund të përparojë në forma të rënda dhe të bëhet kërcënuese për jetën. Në raste të komplikuara, sëmundja mund të shkaktojë dëmtime serioze të organizmit, koma dhe vdekje.









