Protesta kundër qeverisë vijon edhe sot në Tiranë, në ditën e 95-të pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara mbrëmjen e së martës para Kryeministrisë.
Pas 94 ditësh protestë, qytetarët e kanë nisur muajin shtator me atë që e cilësojnë si mosbindje civile. Dita e djeshme shënoi një tjetër përshkallëzim të protestës, pasi turma u zhvendos nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke ndryshuar skenarin e protestave të zhvilluara më herët.
Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe simbolet e të ashtuquajturit “Revolucion Flamingo”, protestuesit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Teksa turma iu afrua godinës së Kryeministrisë, protesta mori një tjetër drejtim. Protestuesit mësuan se kryeministri ndodhej në zyrë dhe vendosën të qëndrojnë pranë godinës, duke bllokuar hyrjet dhe daljet.
Për rreth dy orë, situata mbeti e tensionuar, ndërsa protestuesit refuzuan të largoheshin dhe u përballën me kordonin e policisë. Forcat e rendit shtuan praninë në terren, ndërsa në zonën përpara Kryeministrisë u vendosën edhe efektivë të FNSH-së dhe një autobot uji.
Pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë nisën edhe shoqërimet. Sipas raportimeve, 14 protestues janë të shoqëruar në disa komisariate të kryeqytetit.
Protesta pritet të vijojë edhe sot, në ditën e 95-të, ndërsa qytetarët kanë deklaruar se do ta intensifikojnë aksionin dhe do të vijojnë me mosbindjen civile.









