Arrestimi i Ergys Agasit

Tetë muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet e dyshuara me tenderët e AKSHI-t, Ergys Agasi është arrestuar pasditen e sotme në Durrës.

Agasi u pikas nga policia që në Elbasan teksa lëvizte me një automjet tip “Audi” luksoz. Operacioni u zhvillua nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me strukturat e SPAK-ut.

Sipas të dhënave paraprake, ndjekja ka vijuar për rreth 40 kilometra. Mjeti ka përshkuar aksin Elbasan-Peqin-Rrogozhinë dhe më pas ka vijuar drejt Durrësit. Ndërhyrja e forcave të policisë është bërë në zonën e Plepave, ku automjeti është rrethuar dhe Agasi është arrestuar.

Pamjet tregojnë momentin kur efektivët ndërhyjnë ndaj Agasit. Në momentin e arrestimit, ai ishte i veshur në mënyrë sportive, me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra të zeza, orë të bardhë luksoze dhe shapka.

Në makinë ishte edhe ish-zyrtari i Policisë së Elbasanit

Në automjet bashkë me Ergys Agasin ndodhej edhe Ulian Shpataraku, i cili ishte në drejtimin e mjetit.

Shpataraku, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit, ishte gjithashtu person i shpallur në kërkim. Ai është arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet se ka shoqëruar dhe ndihmuar Agasin gjatë kohës që biznesmeni ishte në arrati.

Ndaj Shpatarakut është ngritur akuza për “përkrahje të autorit të krimit”. Ai ishte shpallur në kërkim edhe për një tjetër episod, pasi dyshohet se kishte kërcënuar me jetë punonjësit e një hoteli në jug të vendit.

Në kuadër të operacionit, agjentët e BKH-së kanë ushtruar edhe kontrolle në banesën e Shpatarakut, në zonën e Liqenit të Thatë.

Agasi dërgohet në Tiranë, 48 orë në Bllokun e Sigurisë

Pas arrestimit në Durrës, Ergys Agasi është transportuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kanë mbërritur edhe agjentët e BKH-së për ekzekutimin e masës së arrestit.

Gjykata e Posaçme kishte caktuar më herët ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.

Pas përfundimit të procedurave, rreth tre orë më vonë, Agasi është dërguar në Bllokun e Sigurisë. Aty do të qëndrojë për 48 orë, deri në momentin kur do të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e masës së sigurisë.

Çfarë dyshon SPAK për rolin e Agasit në tenderët e AKSHI-t?

Ergys Agasi është një prej personave të hetuar në dosjen e SPAK-ut për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Sipas hetimeve të SPAK-ut, Agasi dyshohet se qëndronte në krye të një grupi kriminal që përdorte konkurrencën e pandershme, presionet dhe ndikimin për të paracaktuar fituesit e tenderëve të AKSHI-t.

Në fokus të hetimit janë edhe transaksionet financiare të kompanisë “EA Solution”, e lidhur me Agasin.

Një prej elementëve të përmendur në hetime janë edhe pagesat për verëra të shtrenjta, me një vlerë që, sipas dosjes, arrin në afro 1 milion euro.

SPAK dyshon se Agasi kishte krijuar lidhje të ngushta me drejtues të AKSHI-t dhe se këto marrëdhënie i shërbenin për të ndikuar në proceset e prokurimit.

Në kuadër të kësaj dosjeje është hetuar edhe ish-drejtorja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila është marrë e pandehur dhe më pas ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i institucionit. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Akuzat ndaj biznesmenit

Ergys Agasi akuzohet për disa vepra penale. Në dosjen e hetimit janë përfshirë ndër të tjera akuzat për:

  • “Grup i strukturuar kriminal”;
  • “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”;
  • “Heqje e paligjshme e lirisë”;
  • “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”;
  • korrupsion.

Fillimisht ndaj tij ishin ngritur disa akuza, ndërsa më vonë në kuadër të zgjerimit të hetimeve iu shtua edhe akuza e korrupsionit.

29 prona të sekuestruara

Në kuadër të hetimit financiar, autoritetet kanë sekuestruar në total 29 pasuri që lidhen me Ergys Agasin.

Mes pasurive të sekuestruara janë apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në zona të ndryshme të Tiranës dhe Durrësit. Në listën e aseteve të vendosura nën sekuestro përfshihen gjithashtu llogari bankare dhe kompania “EA Solution”.

Në mesin e pasurive të sekuestruara është edhe një pjesë e “Equos Resort”.

Sekuestrimi i pasurive është kryer në kuadër të hetimit financiar, ndërsa SPAK ka ngritur dyshime se këto asete lidhen me aktivitetin e paligjshëm që po hetohet në dosjen e AKSHI-t.