Ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i është hequr leja e armës, ndërsa autoritetet i kanë sekuestruar edhe armët që mbante në banesë.
Shpataraku, i cili u arrestua pasi u kap duke drejtuar automjetin e Ergys Agasit dhe akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit disa javë më parë. Pas largimit nga detyra, ndaj tij nisën edhe procedurat për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit.
Gjatë këtyre procedurave, autoritetet zbuluan se ish-zyrtari policor, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt me ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zotëronte me leje edhe disa armë të tjera në banesën e tij.
Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do ta përfshijë Shpatarakun në një hetim më të gjerë për lidhjet e mundshme me grupin kriminal të Ergys Agasit, i cili u arrestua gjatë një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, ndaj Shpatarakut janë ngritur dyshime se mund të ketë pasur një precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar. Kjo rrethanë pritet të verifikohet dhe të hetohet më tej nga autoritetet.
Këtë të shtunë Shpataraku që akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”, do të njihet me masën e sigurisë në GJKKO.








