Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, është përballur këtë të shtunë me Gjykatën e Posaçme për caktimin e masës së sigurimit.

Pas seancës, gjykata ka vendosur ndaj Shpatarakut masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.

Shpataraku u arrestua nga autoritetet teksa drejtonte automjetin me të cilin udhëtonte Ergys Agasi, person i shpallur në kërkim nga drejtësia. Sipas hetimeve, ish-zyrtari i Policisë dyshohet se ka ndihmuar Agasin, duke e transportuar me automjet, çka ka çuar në ngritjen e akuzës për përkrahje të autorit të krimit.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë vjen në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me personat e përfshirë në çështjen e Ergys Agasit.