Ka shkuar në 12 numri i personave të arrestuar për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Mendes në “Principotes” në Ksamil. Hetimet për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Mendes në Ksamil po zgjerohen te personat që ndodheshin në “Principotes” dhe te veprimet e kryera menjëherë pas krimit. Numri i të arrestuarve ka arritur në 12. Mes tyre Sokrat Vata, 29 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes, si dhe persona të tjerë që po hetohen për rolin e tyre në ngjarje dhe pas saj.

Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër. Matushaj mban detyrën e Ndihmës Specialistit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.

Por krahas detyrës në polici, nga hetimet rezulton se Matushaj punonte edhe si truprojë për kompaninë “Elite Security” në “Principotes”. Në të njëjtin shërbim sigurie punonte edhe Sokrat Vata. Hetuesit dyshojnë se Matushaj e ndihmoi 29-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes pasi Miguel Mendes u vra.

Vata arriti të largohej nga Ksamili pas krimit. Policia e lokalizoi dhe e arrestoi disa orë më vonë në Fier. Ai u kap në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti. Hetimi po përqendrohet për këtë arsye jo vetëm te momenti kur u vra turisti, por edhe te mënyra se si autori i dyshuar arriti të largohej nga kompleksi dhe te personat që mund ta kenë ndihmuar.

Po ashtu në pranga ka rënë Luçiano Seferi, punonjës në Burgun e Fierit. Një tjetër zhvillim është shpallja në kërkim e Bekim Bulicës.

Bulica rezulton pronari në hije i “Principotes”, ndërsa në dokumente pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe. Autoritetet duhet të përcaktojnë rolin konkret të Bulicës dhe arsyen ligjore të shpalljes së tij në kërkim. Emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe më parë në materiale të lidhura me hetime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.