Një 26-vjeçar nga Kruja është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi dyshohet se po transportonte një pistoletë drejt Tiranës me qëllim shitjen e saj.
Operacioni policor, i koduar “Price”, u zhvillua pas informacionit të siguruar në rrugë operative për lëvizjen e të riut të armatosur në drejtim të kryeqytetit.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, ndërhynë në zonën e Kthesës së Kamzës, ku ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, tip pistoletë, e cila dyshohet se ishte siguruar për t’u shitur në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sigurimin apo shitjen e armës.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme ligjore.









