Arti në zi/ Ndahet nga jeta Rezana Çeliku, një nga figurat e spikatura në botën e filmit dhe ekranit shqiptar

Arti në zi/ Ndahet nga jeta Rezana Çeliku, një nga figurat e spikatura në botën e filmit dhe ekranit shqiptar

Është ndarë nga jeta Rezana Çeliku, një prej figurave të njohura të artit, kinematografisë dhe televizionit shqiptar, e cila u bë e njohur për publikun gjatë viteve ’70 dhe ’80.

Çeliku u përfshi në botën e filmit dhe spektaklit krejt rastësisht. Edhe pse nuk kishte formim profesional si aktore, ajo tërhoqi vëmendjen e regjisorëve për pamjen simpatike, natyrshmërinë dhe elokuencën. Më herët kishte prezantuar disa festivale rinore në Televizionin Shqiptar.

Në kinematografi, Rezana Çeliku interpretoi në disa prej filmave të njohur të asaj periudhe. Ndër rolet e saj më të spikatura ishte ai i partizanes në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si dhe roli i mësueses në filmin “Shokë të një skuadre”.

Në vitin 1989, ajo u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje. Personazhi i saj, që përfshihej në një lidhje me një djalë më të ri në moshë, u konsiderua për kohën një rol i guximshëm dhe ngjalli diskutime. Ky ishte edhe interpretimi i fundit i Rezana Çelikut në kinematografi.

Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës, Çeliku u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë ajo punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë të vitit 2011 për “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, Rezana Çeliku kishte folur edhe për jetën e saj personale.

Ajo kishte treguar se kishte qëndruar e pamartuar dhe se pengu më i madh i jetës së saj kishte qenë mungesa e një fëmije, të cilin e konsideronte si thelbin e vërtetë të një familjeje.

Me ndarjen e saj nga jeta, arti dhe televizioni shqiptar humbin një tjetër figurë të veçantë të një brezi që la gjurmë në ekran dhe në kujtesën e publikut.

Misioni arkeologjik i Finiqit: “U pyetëm, Epiri është Shqipëri apo Greqi? Në lashtësi ishte rajon i botës greke”

Misioni arkeologjik i Finiqit: “U pyetëm, Epiri është Shqipëri apo Greqi? Në lashtësi ishte rajon i botës greke”

Fatmira Nikolli

Misioni Arkeologjik “Foinike” që gërmon në Finiq prej vitesh, ka publikuar një pyetje që i bëhet shpesh duke dhënë edhe përgjigjen për të- të argumentuar me të dhëna historike. Çështja prek thembrën e Akilit për studimet shqiptare dhe përkatësinë, shpesh të debatuar për shkak të pretendimeve.

E thjeshtëzuar dhe e relativizuar, çështja që shtrohet është: Finiqi ‘shqiptar’ apo ‘grek’, por në prizmin e studimeve pyetja është më e komplikuar për shkak të nocioneve të tjera mbi kufijtë në lashtësi.

“U pyetëm, Epiri është Shqipëri apo Greqi? Një pyetje e dobishme, por duhet kuptuar mirë. Në lashtësi Epiri ishte një rajon i madh i botës greke, i hapur drejt Detit Jon; sot territori i tij historik ndahet midis Greqisë veriperëndimore dhe Shqipërisë jugore. Për këtë arsye nuk përkon plotësisht me një shtet modern”, thuhet në publikim.

Sipas Misionit Arkeologjik të Foinikes “Brenda Epirit të lashtë jetonin disa komunitete dhe popuj. Ndër ta ishin Kaonët, të cilët banonin pjesën veriperëndimore të rajonit: Kaonia. Pra ishte një zonë e Epirit, jo një realitet i veçantë, me qendra të rëndësishme si Butroti dhe Phoinike”, thuhet më tej.

Sipas faqes se misionit arkeologjik, “Phoinike, e quajtur edhe Fenice, ishte një nga qytetet kryesore të Kaonisë dhe në periudhën helenistike pati një rol politik të rëndësishëm. Burimet e përmendin si një qendër të rëndësishme të Epirit dhe ndodhej në një pozicion strategjik midis brendësisë dhe bregdetit”. Në vijim të postimit, misioni shkruan se sot siti i Phoinike ndodhet në Shqipërinë jugore, pranë Finiqit, jo larg Sarandës. “Për t’u orientuar: Epiri është rajoni historik;

Kaonia është një pjesë e tij; Phoinike është një qytet i Kaonisë. Në periudhën romake zona u organizua ne provincat Epirus, Vetus dhe Epirus Nova”, mbyllet postimi.
Misioni arkeologjik shqiptaro-italian gërmon prej vitesh në qytetin antik mbi kodër, duke nxjerrë në dritë struktura e shtresëzime qytetërimesh nga nëntoka e Phoinikes së vjetër, që ngrihet lart, mbi Finiq- vendbanimi i ri.

Një roman me peshë historike

Një roman me peshë historike

Sot po rikthehem tek “Halimi” i Petro Marko-s, një roman i shkruar në vitin e largët 1969. Ky libër për mua nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter.

Rrëfimi i Petro Marko-s qëndron në altarin e nderit të letërsisë shqipe. Jeta e tij e jashtëzakonshme është një pasuri e madhe. Për mua personalisht Petro Marko është më shumë se një shkrimtar, pasi jam rritur dhe burrëruar duke e lexuar. Ai lidh për mua dy botë. Ëndërrimet dhe aventurat e fëmijërisë me sifdat dhe idealet e burrërisë.

Figura e Halim Xhelos (Skëndaj), biri i Tërbaçit të Vlorës, nuk është vetëm një personazh i këtij romani. Ai është një model i rrallë i djalërisë shqiptare, një publicist dhe patriot që jetoi dhe u shua në shërbim të një ideali më të madh se vetja. Një simbol i djalërisë idealiste dhe shqiptarizmës së kulluar.

Ndërkohë, për mua, ky roman nuk është vetëm histori. Është edhe gjak. Një vijë që lidhet përmes stërgjyshes time nga ana e babait Xhurxhisë, nga fisi i madh Skëndaj i Tërbaçit të Vlorës. Idealet e Halimit u mbajtën gjallë nga brezat. Ato frymëzuan nipin e tij dhe gjyshin tim Arshi Imer Beqiri (Alilekaj), në sfidat e Luftës së Dytë Botërore. Kjo trashëgimi gjaku nuk të lë që të jesh indiferent ndaj rrënjëve.

Petro Marko, një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, nuk ia kushtoi Halimit rastësisht këtë roman. Ai pa tek Halimi atë që shpesh na mungon sot në Shqipërinë tonë. Ai pa pastërtinë e bindjes dhe guximin për të qëndruar drejt. Ai pa besimin tek Shqipëria si ideal, jo si interes.

Ky libër të sfidon. Të vendos përballë një pyetjeje të thjeshtë, por të rëndë:

Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?

Dhe ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin për kohën e tyre…por për ndërgjegjen tonë.

Të lexosh të shkuarën në enë qeramike, vazot që tregojnë ritualet

Të lexosh të shkuarën në enë qeramike, vazot që tregojnë ritualet

Tri enë qeramike të gjetura në ekspedita arkeologjike në Shqipëri, janë restauruar në Institutin e arkeologjisë. Studimet e pasgërmimeve hedhin dritë më shumë mbi jetën e banorëve të zonave arkeologjike te vendosura në qytete antike, përfshirë, restaurimin e tyre, për t’u ridhënë formën e humbur nga pesha e shekujve

Arkeologu Jamarber Buzo, dallon njërën prej këtyre vazove, ku veçantia është të forma e saj, këmba e lartë,  trupi i fryrë dhe qafa e gjatë. Ai vë në dukje se vazoja është gjetur në një varr dhe se ritet e varrimeve zakonisht tregojnë, që enë si kjo, janë përdorur për njerëzit që kanë ikur të pamartuar nga kjo botë.

“Enët qeramike tregojnë funksionin dhe kontekstin ku janë gjetur, rasti konkret me një varr me kremacion me diegie dhe ato janë të vështirë t’i kuptosh se kujt i përkasin, cila ishte mosha e gjinia. Kjo enë na tregon se individi ka qenë I pamartuar e në moshë të re dhe është përdorur për banjon e fundit, si ritual për trupin para varrimit dhe e ka shoqëruar në botën e përtej”, thotë ai.

Për arkeologët, simbolika është që atë dasmë që se kreu për së gjalli ta kryejë në botën tjetër. Gjetja e tyre, në territoret e Parkut të Amantias, tregon pasuri materiale dhe kulturore, e po ashtu një lloj statusi të mirë ekonomik për kohën.

Shqipëria në kolonën zanore të “The Odyssey”, regjisori Christopher Nolan përzgjedh iso-polifoninë labe

Shqipëria në kolonën zanore të “The Odyssey”, regjisori Christopher Nolan përzgjedh iso-polifoninë labe

Një nga elementët më të veçantë të kolonës zanore të filmit “The Odyssey “,të regjisorit Christopher Nolan, vjen nga Shqipëria. Tingujt e iso-polifonisë labe dhe instrumenteve tradicionale të barinjve shqiptarë janë përdorur si frymëzim për kolonën zanore të filmit.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar iso-polifoninë shqiptare – një traditë e shpallur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.

“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë të të kënduarit, të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, është shprehur kompozitori në një rrëfim të publikuar nga “New York Magazine”.

Përveç iso-polifonisë shqiptare, kompozitori regjistroi edhe instrumente tradicionale të përdorura prej shekujsh nga barinjtë në zonat jugore të vendit.

“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e kanë luajtur prej mijëra vitesh”, ka treguar Göransson, duke ndarë edhe një detaj të veçantë nga puna në terren.
Sipas regjisorit, regjistrimet duhej të përfundonin çdo ditë përpara orës 18:00, pasi interpretuesit duhej të zgjoheshin rreth orës 04:00 të mëngjesit për t’u kujdesur për bagëtitë e tyre.

Prania e iso-polifonisë shqiptare në një film të këtyre permasave është një dëshmi e vlerës universale të trashëgimisë sonë kulturore dhe e aftësisë së saj për të dialoguar me artin bashkëkohor, duke e çuar zërin e Shqipërisë në ekranet e gjithë botës.