22 Gusht 2026, 09:17
Qytetarët rikthehen edhe sot në shesh, duke vijuar protestën e tyre në Tiranë për të 84-ën ditë radhazi kundër qeverisë dhe klasës politike.
Tubimi pritet të nisë në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë do të vijojnë fjalimet dhe thirrjet kundër mazhorancës.
Kryeministri Edi Rama mbetet në qendër të protestës, ndërsa pakënaqësia e pjesëmarrësve shtrihet edhe ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Protestuesit kërkojnë largimin e të dyja krahëve të politikës tradicionale, duke e cilësuar atë si “kastën e vjetër politike”.
Mes thirrjeve që janë përsëritur gjatë tubimeve janë “Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Edhe protesta e një dite më parë, e 83-ta, nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë. Pas fjalimeve para godinës së qeverisë, protestuesit dolën sërish në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar tubimin dhe marshimin.
21 Gusht 2026, 13:46
Dy zjarre të fuqishme kanë tronditur gjatë natës dy qytete të Zvicrës, duke lënë pas 19 persona të plagosur dhe pesë të tjerë ende të zhdukur.
Ngjarjet ndodhën në Schaffhausen, në veri të vendit, dhe në Thusis, në lindje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e të dyja ngjarjeve.
Bilanci më i rëndë është regjistruar në Thusis, në kantonin Graubunden, ku zjarri shpërtheu pak pas mesnatës. Godina ku funksiononte një restorant dhe ku kishte edhe ambiente banimi u përfshi tërësisht nga flakët. Policia kantonale njoftoi se pesë persona nuk janë gjetur ende. Katërmbëdhjetë banorë arritën të dilnin nga ndërtesa. Tetë prej tyre pësuan dëmtime, dy në gjendje të rëndë, dy me plagë të moderuara dhe katër me dëmtime të lehta.
Pas marrjes së ndihmës së parë në vend, ata u transportuan në spitalet e Chur, Thusis dhe Ilanz, ndërsa një pjesë u dërguan edhe në një spital në Zyrih. Sipas hetimeve paraprake, flakët nisën në katin e dytë të ndërtesës. Për shkak të shembjes së shkallëve të brendshme, ekipet e shpëtimit u detyruan të ndërhynin edhe nga çatia, e cila u hap me ndihmën e një vinçi. Rreth 100 zjarrfikës morën pjesë në operacion dhe puna për shuarjen e plotë të zjarrit vazhdonte ende sot në mëngjes.
Ndërkohë, në Schaffhausen, një tjetër zjarr shhpërtheu dje në mbrëmje, pak para orës 22:30, në kuzhinën e një apartamenti. Qyteti ndodhet në veri të Zvicrës, pranë kufirit me Gjermaninë. Në këtë incident u plagosën 11 persona, nëntë prej të cilëve u dërguan në spital. Mes të dëmtuarve ishte edhe një punonjës policie. Kur mbërritën zjarrfikësit, apartamenti ishte tashmë në flakë, por ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës pengoi përhapjen e zjarrit në apartamentet e tjera të pallatit. Policia lokale ka hapur gjithashtu një hetim për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi zjarrin në Schaffhausen
21 Gusht 2026, 13:41
Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me aktivitetin kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të kryetarit të Bashkisë, ku nuk u luajt edhe himni kombëtar shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet e ndryshme në këtë lagje të Europës.
Sipas kryeministrit, kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar.
“U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”.
“Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo ‘diasporë’ të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund”, shtoi ai.
Rama shprehu një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale.
“Ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, u shpreh Kryeministri Rama në reagimin e tij.
21 Gusht 2026, 13:33
Petrit Ndoci, i dënuar për “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”, është shpallur në kërkim pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes së dhënë.
Ndoci duhej të paraqitej në institucionin e vuajtjes së dënimit sot, në orën 12:30, por nuk është rikthyer.
Sipas informacioneve paraprake, vëllai i tij ka deklaruar se Ndoci kishte lënë një letër për familjarët, në të cilën shkruante: “Po largohem, ju dua shumë.”
Ndoci po vuante dënimin për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin.
21 Gusht 2026, 13:14
Më shumë se 50 milion euro fitime i ka sjellë filmi Odisea Greqisë gjatë këtij sezoni turistik.
Plazhet ku janë xhiruar skenat e filmit janë plot, biletat e kinemave janë stërshitur, veprat e Homerit janë ribotuar në qindra gjuhë, kurse ishujt grekë janë mbushur me turistë që sillen si Odisea majë varkave me vela.
Por përveç fitimeve, filmi i Kristofer Nolan ka rritur vetëbesimin e popullit grek i cili në vitin 2008 kreu vetëvrasjen financiare më të përgjakshme të kohëve moderne.
Atëherë kur grekët kishin më shumë nevojë, Odisea doli nga deti dhe i fshiu plagët që politikanët i shkaktuan vendit të tyre.
Në dy muajt e fundit çdo faqe instagrami, çdo revistë autoritare dhe çdo mendje influente e këtij planeti ka përdorur kutin e lashtësisë greke për t’ju treguar ndjekësve të vet çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është. Duket sikur Greqia është bërë prapë qendra e botës. Ajo ka rillindur vetëm nga një film duke zbuluar mallin më të rrallë të kohës që jetojmë: entuziazmin.
Duke parë efektin që kjo ngjarje ka patur mbi populliin grek shumë shtete kanë menduar t’ia japin borxh heronjtë e tyre Hollivudit. Me pak fjalë t’i luten të bëjë filma për ta. Kush nuk do donte një film si Odisea për një viking me fytyrën e futbollistit Haaland që shkon në Amerikë me lundrën e muskujve, apo për ndonjë eksplorator sypatrembur që zbulon kontinente të reja duke përdorur pasqyrat e oqeanit si semafor.
Norvegjezët dhe portugezët me siguri po mbajnë rradhë në Hollywood, pa folur për tarzanët e Indisë dhe samurait e Japonisë.
Odisea i ka hutuar të gjithë. Ai provoi se bota e sotshme ka nevojë për heronj të cilët mund të zbusin vështirësitë e jetës së përditshme. Popujt gjejnë më shumë frymëzim tek heronjtë e dikurshëm sesa tek futbollistët e pasur, modelet anoreksike dhe polikanët e mërzitshëm.
Në këto kushte dhe ne duhet të bëjmë llogaritë tona. Ne nuk kemi një Odise, por kemi një legjendë që mund të kthehej në një super film me përmasa ndërkombëtare.
Ky është pa dyshim Skënderbeu. Ai nuk ka famën e heronjve të Trojës dhe nuk përfaqëson udhëtarin që can detet për t’u kthyer te gruaja, por në ditët kur jetojmë simbolika e Skënderbeut është shumë e fortë.
Ndryshe nga Odisea, Skënderbeu nuk ishte pushtues por mbrojtës. Njëlloj si në kohën e tij, turma të egra po kapërcejnë dete, furtuna dhe dallgë për të arritur në brigjet e Evropës. Ata nuk vijnë me ushtri, as me armë por vijnë si hordhi.
Në rrëmujë e sipër rrëzojnë qeveri, heqin njerëz nga puna, ndryshojnë median dhe debatin e përditshëm bashkë me zakonet e vendasve. Qyteti spanjoll i Ceutës është fotografia e së nesërmes.
Brenda një dite aty shkuan me not 70 mijë marokenë për t’u kujtuar 450 milion evropianëve çfarë do të ndodhë kur emigrantët e paligjshëm të bëhen 70 milion.
Natyrisht Skërderbeu nuk e ndalon dot këtë dyndje, por as Odisea nuk bind dot miliona evropianë të divorcuar të kthehen te gratë. Mirëpo simboli i heroit tonë kombëtar është më i nevojshëm se kurrë për evropianët e dëshpëruar. Skënderbeu arriti para 600 vitesh atë që ata nuk po e arrijnë dot sot.
Ai pengoi hordhitë të merrnin Vjenën, Romën dhe Parisin. Skënderbeu nuk kishte polici, as dronë, as nëndetëse dhe as radarë. Kishte vetëm nja dhjetë mijë shqiptarë që e ndiqnin me sy mbyllur sikur të ishte perëndi.
Ky është filmi që i duhet Evropës sot. Historia e Skënderbeut, Mbajtësit të Hordhive, Penguesit të Madh. Kushdo që mendon se ky film do ishte shumë i kushtueshëm e ka gabim.
Ia vlen të sakrifikosh një rrugë dhe tre ura për t’i dhënë një regjisori të madh ndërkombëtar një buxhet të përafërt me Odisenë. Populli do ishte shumë i lumtur të paguante nga taksat e veta, ndërkohë që një fushatë mbarëkombëtare për të mbledhur fonde për filmin Skëderbeu do mobilizonte 7 milion shqiptarë të shpërndarë në gjithë botën.
Sikur secili të dhuronte mesatarisht 10 dollarë, do bëheshin 70 milion dollarë, pa folur për qindra oligarkë që do kishin mundësi të dëshmonin patriotizmin e tyre estetik në këtë ankand krenarije.
Me siguri ata do shkëlqenin si tepsi bakri kur të shikonin emrin e tyre në listën e producentëve të një filmi hollivudian që me një kombinim donacionesh publike dhe private do mblidhte lehtësisht 150 milion dollarë.
Odisea i Nolan ka kushtuar 250 milion dhe deri tani ka arkëtuar më shumë se 1 miliard.
Ky do ishte filmi i dytë për Skënderbeun. I pari është krijuar në vitin 1953 nga rusët. Enver Hoxha ia kërkoi si nder Stalinit që vuri vetëm një kusht : rolin e Skënderbeut do ta luante një shoku i tij me emrin Akaki Horava, që për fat të keq ishte tullac. I destinuar të barazojë llogaritë mes superfuqive, Skënderbeu që ishte sovjetik herën e parë, mund të jetë amerikan herën e dytë.
Në fund të fundit kjo është natyra e tij e dyfishtë: edhe i krishterë edhe mysliman, edhe Gjergj edhe Skënder, edhe lindor edhe perëndimor. Në këtë mënyrë qeveritë tona do mburreshin me të drejtë se lanë pas monumentin kulturor më të madh të të gjitha kohërave.
Por përveç një Skënderbeu të luajtur nga një aktor i madh modern, përmes këtij filmi do fitonim edhe shumë heronj që koha i ka tretur pa ju krijuar një portret që mbahet mend. Magjia e kinemasë do krijonte fytyrën e vuajtur të Donika Kastriotit që priti kthimin e Skënderbeut nga luftërat më gjatë se Penelopa, të Mamicës inteligjente që është zhubrosur aq keq nga silikoni elektoral i mitingjeve tona, të Hamzait të përkëdhelur që tradhëtoi xhaxhain e vet pët t’u bërë mbret dhe të Aranit Komnenit, Agamemnonit tonë me nëntë vajza që e kishte Skënderbeun dhëndër.
Ne nuk i kemi imazhet e tyre në kujtesën tonë. Hollywoodi mund të na i krijonte me galerinë e aktorëve të mëdhenj. Atëherë kinematë e botës do tejmbusheshin, Kruja do bëhej qyteti më i vizituar mbi tokë, vendet ku ka luftuar Skënderbeu do ktheheshin në pelegrinazh dhe Shqipëria do ju dukej njerëzve si një tokë heronjsh, kurse ne do kishim Skënderbeu Game of Thrones, muzeun më të madh të historisë sonë në një film.
Por përfitimet e këtij projekti nuk janë vetëm financiare. Ne kemi nevojë për Skënderbeun, sa ç’kanë nevojë grekët për Odiseun. Shqiptarët jetojnë më mirë se 100 vjet më parë dhe shumë më mirë se 30 vjet më parë, por prapë nuk jetojnë mirë. Shembujt pozitivë janë shumë pak, modelet e këqija trimfojnë kudo.
Nëse je i mirë humb, nëse je i keq fiton. Kush beson se jeton mirë si shqiptar, jeton keq si evropian. Prandaj kemi nevojë më shumë se kurrë për Skëndërbeun. Për të na dhënë pak besim.
Pak vetëbesim se nuk jemi një popull kamarierësh që i nxjerrin thikën turistëve në plazh, por jemi një popull heronjsh.