24 Gusht 2026, 15:32
Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), mund të jetë vetëm pak javë larg një momenti historik të marrjes për herë të parë të drejtimit të një landi gjerman. Dhe në Berlin tashmë po diskutohet se çfarë duhet bërë nëse kjo ndodh.
Sipas një analize të POLITICO-s, Ulrich Siegmund, kandidati i AfD-së në Saksoni-Anhalt, shihet si favorit për zgjedhjet e 6 shtatorit. Nëse partia arrin shumicën absolute, ai pritet të bëhet kryeministër i landit, duke rrëzuar për herë të parë “murin mbrojtës” politik që partitë tradicionale gjermane kanë ngritur ndaj AfD-së që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Një fitore e tillë do të krijonte një situatë të paprecedentë për sistemin politik gjerman. Deri tani CDU, SPD, të Gjelbrit dhe partitë e tjera kryesore kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD-në. Por nëse ajo kontrollon një qeveri rajonale, sistemi federal gjerman do t’i detyrojë institucionet e tjera të bashkëpunojnë me të të paktën në disa fusha.
POLITICO raporton se shqetësimi kryesor në Berlin lidhet me sigurinë dhe, në veçanti, me aksesin që një qeveri e AfD-së mund të kishte në informacionet sekrete. Zyrtarë të intervistuar për artikullin shprehin shqetësim për marrëdhëniet e partisë me Rusinë dhe mundësinë që të dhëna të ndjeshme të përfundojnë në duart e Moskës.
Sipas POLITICO-s, po diskutohen të paktën katër skenarë.
Një prej tyre do të ishte krijimi i takimeve paralele mes ministrave të landeve. Mbledhjet zyrtare do të vazhdonin, por për çështje veçanërisht sensitive mund të organizohen takime të tjera, ku përfaqësuesi i një qeverie të AfD-së nuk do të merrte pjesë. Disa ministra rajonalë i kanë konfirmuar POLITICO-s se një skenar i tillë po merret në konsideratë.
Një mundësi edhe më konkrete është kufizimi i aksesit në informacionet e inteligjencës. Ministri i Brendshëm i landit të Turingisë, Georg Maier, tha se mund të krijohen barriera brenda sistemeve të përbashkëta të informacionit, veçanërisht për të dhënat që lidhen me ekstremizmin e djathtë dhe spiunazhin. Sipas tij, një masë e tillë mund të ishte edhe ligjërisht e mundur.
Shqetësimi lidhet edhe me partnerët e huaj. Një deputet i të Gjelbërve paralajmëroi se Britania, SHBA-ja, Polonia apo Ukraina mund të kufizonin shkëmbimin e informacionit me Gjermaninë nëse do të besonin se të dhënat sekrete mund të arrinin në Moskë. POLITICO sjell si precedent Austrinë, ku partnerët perëndimorë kufizuan ndarjen e informacionit pasi e djathta radikale FPÖ mori kontrollin e Ministrisë së Brendshme.
Një skenar tjetër lidhet me financat. Saksoni-Anhalt është një nga landet që përfiton ndjeshëm nga sistemi gjerman i barazimit financiar dhe vetëm në vitin 2025 mori rreth 2.8 miliardë euro, afërsisht një të pestën e buxhetit të tij. Kufizimi i këtyre fondeve përmendet si një mënyrë teorike për t’i ushtruar presion një qeverie të AfD-së, megjithëse pengesat kushtetuese do të ishin të mëdha.
Në fund ekziston edhe ajo që POLITICO e quan “opsioni bërthamor”: Bundeszwang, ose detyrimi federal.
Neni 37 i Kushtetutës gjermane i lejon qeverisë federale, me miratimin e Bundesratit, të marrë masa për ta detyruar një land të respektojë detyrimet e tij ligjore. Ky mekanizëm nuk është përdorur kurrë në historinë e Republikës Federale.
Por çdo përpjekje për të izoluar një qeveri të zgjedhur të AfD-së mbart edhe një rrezik politik. Masat e jashtëzakonshme mund të ushqejnë argumentin e vetë AfD-së se partitë tradicionale nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve kur fitues është një forcë jashtë establishmentit.
Edhe opinioni publik gjerman është më pak i bashkuar se më parë për strategjinë e izolimit. Një sondazh i korrikut tregonte se vetëm 42% e gjermanëve e konsideronin ende të drejtë refuzimin e bashkëpunimit me AfD-në nga CDU dhe socialdemokratët, ndërsa një tjetër matje tregonte rënie të mbështetjes për “murin mbrojtës” ndaj partisë.
Ironikisht, POLITICO ngre edhe një mundësi tjetër: që partitë tradicionale të mos bëjnë asgjë të jashtëzakonshme.
AfD ka fituar mbështetje për vite me radhë duke qenë në opozitë dhe duke sulmuar gabimet e kundërshtarëve. Por nuk ka qeverisur kurrë. Marrja e pushtetit mund ta përballë atë me probleme të administrimit, konfliktet e brendshme dhe përgjegjësinë konkrete për vendimet, duke u kthyer potencialisht në një kufizim më efektiv sesa çdo strategji izolimi e Berlinit.
Pra, pyetja që po shqetëson tashmë politikën gjermane nuk është më vetëm nëse AfD duhet të mbahet larg pushtetit. Është se çfarë ndodh nëse votuesit e çojnë atë vetë në pushtet. /POLITICO
24 Gusht 2026, 11:58
Nga Luan Rama
Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të kuptuar se çfarë mendon. Kryeministri për veten dhe punën që ai bën: të shohësh se çfarë zgjedh të tregojë. Në politikë, komunikimi nuk është dekor. Është pjesë e pushtetit. Ai përcakton çfarë i duhet dhënë publikut, çfarë vendoset në qendër të debatit dhe, mbi të gjitha, çfarë kërkohet të identifikohet me suksesin e qeverisë. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si Edi Rama komunikon publikisht duhet lexuar jo thjesht si një seri postimesh në Facebook, por si një strategji politike komunikimi. Kam lexuar një për një 110 postimet që Kryeministri ka bërë nga 1 gushti deri sot.
Ajo që bie në sy është një Shqipëri e parë vetëm përmes asaj që mund të tregohet: Shkolla të reja. Rikonstruksione. Investime. Rrugë. Hapësira të transformuara. Spitale e fasadat e tyre të lyera. Turizëm. Pamje të bukura. Projekte që përfundojnë e të tjera në proces pune. Plazhe të mbushura me pushues. Festë. Një Shqipëri në lëvizje, në transformim dhe në ndërtim të vazhdueshëm. Asgjë të keqe nuk ka në këtë. Çdo Kryeministër ka të drejtë, madje edhe detyrim, të tregojë punën që bën.
Mirëpo këtu fillon edhe problemi: a është kjo qeverisje, apo komunikim? Sepse nuk janë e njëjta gjë. Komunikimi ka të bëjë me atë që pushteti zgjedh t’i tregojë publikut. Ndërsa qeverisja, pra edhe Kryeministri, gjykohet edhe nga problemet që pushteti nuk arrin t’i zgjidhë. Një shkollë e re është komunikim. Cilësia e mësimdhënies, niveli i nxënësve e studentëve është qeverisje. Një rrugë e re është komunikim. Mënyra se si është ndërtuar dhe se sa gjatë do të rezistojë pa u prishur ajo rrugë është qeverisje.
Një spital i rikonstruktuar është komunikim. Por shërbimi që merr qytetari brenda tij dhe se si zgjidhet problemi i mungesës së ilaçeve e pajisjeve është qeverisje. Një reformë e shpallur është komunikim. Rezultati i saj është qeverisje. Një premtim, fjala vjen premtimi i përsëritur i Kryeministrit në çdo fushatë zgjedhore prej asaj të vitit 2013 e më pas pa e harruar asnjëherë për sigurimin e ujit të pijshëm, është komunikim. Mbajtja e tij është qeverisje. Komunikimi merret me atë që duket. Qeverisja me atë që funksionon. Këtu kontradikta bëhet e dukshme. Dhe e nxjerr zbuluar Kryeministrin.
Në fjalimet e fundit, duke analizuar shkaqet e protestës, vetë Kryeministri ka pranuar se administrata nuk funksionon siç duhet dhe ka theksuar se shumë institucione të qeverisjes nuk e kanë qytetarin në qendër. Madje ka thënë me të drejtë se përvoja e qytetarëve e zhbën propagandën e qeverisë. Për ta ilustruar këtë, ai disa herë ka përmendur shembullin e nënës së një miku të tij, e cila shkonte në protestë e shtyrë nga përvoja e vet, siç argumnetoi Kryeministri. Sepse i duhej të shkonte që në mëngjes herët në poliklinikë për të zënë radhën dhe për të pritur mjekun, i cili shkonte në punë në orën 10:00.
Pra, Kryeministri nuk është se nuk i njeh problemet. Por në Facebook-un e tij këto probleme nuk ekzistojnë. Në Facebook-un e tij administrata shtetërore është në rregull, e gjitha në shërbim të qytetarëve. Institucionet e qeverisjes nuk kanë probleme. Shërbimet nuk mungojnë. Reformat nuk dështojnë. Aty qeveria punon, ndërton, inauguron, transformon. (Edhe fiton, por kjo është temë tjetër!) Gjatë këtyre ditëve të gushtit, të cilat janë edhe ditët që unë kam marrë të analizoj postimet e Kryeministrit, Shqipëria është përfshirë nga zjarre të shumtë të shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Por, në 110 postime, nuk janë as pesë që lidhen me situatën e zjarreve. Edhe ato pak postime janë falënderime për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e tjerë që u përballën me flakët. Shumë mirë se ata meritojnë çdo falënderim. Madje meritojnë edhe më shumë se vetëm falenderimet, duke filluar me rritjen e pagës së tyre.
Mirëpo, asnjë problem nuk vëren Kryeministri i vendit përballë kësaj situate?! Asnjë problem nuk ka në kushtet e punës së zjarrfikësve, në mungesën e pajisjeve, në kapacitetet njerëzore, në sistemet e parandalimit dhe të administrimit të zjarreve?! Këto janë qeverisje. Por nuk janë pjesë e komunikimit. E njëjta gjë ndodh edhe me turizmin.
Vlora, Saranda, Himara, Dhërmiu, Ksamili, Shëngjini, Qeparoi, Durrësi, Thethi e Lura dhe zona të tjera shfaqen përmes imazheve të zgjedhura me kujdes. Por në të njëjtat zona ka pasur edhe zjarre, shfaqje dhune, konflikte e aksidente të rënda me humbje jetësh njerëzore. Ka pasur edhe ngjarje kriminale, si vrasja e turistit portugez në Ksamil. Asnjë nga këto ngjarje nuk mbërrin në vëmendjen e Kryeministrit? Apo kjo është një Shqipëri tjetër, jo ajo që zgjidhet për t’u treguar? Edhe një shembull. U shpall me shumë bujë para disa ditësh një aksion për prishjen e një ndërtimi pa leje në ishullin e Sazanit. Lajmi u shpërnda me përkujdesje të lartë shtetërore gjithkund. Por askush nuk tha se si u ndërtua? Si u lejua të shkelej ligji? Ku ishin institucionet që kishin për detyrë ta parandalonin? Sepse qeverisje nuk është vetëm të prishësh atë që u ndërtua pa leje. Është të mos lejosh që të ndërtohet. Si përfundim, problemi nuk është se Kryeministri komunikon shumë. Problemi është se komunikimi paraqitet si qeverisje. Një fotografi nuk është rezultat. Një inaugurim nuk është sukses. Një projekt i përfunduar nuk është domosdoshmërisht një problem i zgjidhur. Dhe një Kryeministër që komunikon shumë nuk është domosdoshmërisht një Kryeministër që qeveris mirë.
Problemi nuk është vetëm çfarë zgjedh të tregojë Kryeministri. Është edhe çfarë zgjedh të mos tregojë. Sepse një vend nuk qeveriset me fotografi. As me postime në Facebook! Qeverisja nuk matet me atë që Kryeministri zgjedh të postojë në Facebook, por me atë që ndjen dhe përjeton qytetari. Nuk matet me fotografitë e suksesit, por me problemet që shteti arrin të zgjidhë.
24 Gusht 2026, 11:41
Nga Lutfi Dervishi
Një video e një helikopteri që shuan zjarr me precizion në SHBA shitet si aksion në Shqipëri, shoqëruar me hashtagun #nëkryetëdetyrës# dhe, sigurisht në krah është flamuri kombëtar shqiptar.
Një turiste australiane habitet kur Ministria e Shëndetësisë e merr rastin e saj dhe e kthen në lajm kombëtar me tone shumë pozitive. Turistja, që e gjeti veten në Google, jo vetëm nuk kish kërkuar publicitet, por madje ndihma i erdhi pasi foli me pronarin e bujtinës, ndërkohë që nuk u mor dot vesh me numrin e urgjencës 112. Është bërë pothuaj rutinë që bukuritë natyrore të Shqipërisë, sidomos ato ku ende nuk ka mbërritur dora e “investitorëve strategjikë”, të paraqiten si arritje të qeverisë.
A thua se malet, lumenjtë, deti dhe kanionet janë vepra publike të përfunduara në këto mandate të qeverisë dhe jo dorë e Perëndisë. Një deputete postonte këto ditë të nxehta videon e vizitës te një pensionist, që sipas saj kishte nevojë për të bërë pazarin. Deputetja kishte menduar edhe për vapën: i kishte çuar disa birra të ftohta. Kamera, natyrisht, hyri krejt rastësisht, bashkë me birrat në shtëpinë e pensionistit. Nuk di a ka mbetur kush pa u bezdisur nga inspektimet e famshme në kantieret ku, sipas videove, punohet gjithmonë “me ritme të larta”, por nuk kuptohet pse rruga nuk mbaron kurrë.
Çfarë fitohet nga kjo propagandë e shfrenuar, e shëmtuar dhe tashmë shumë bajate? A shuhen zjarret në Shqipëri duke postuar helikopterë që shuajnë flakët në SHBA? A funksionon më mirë urgjenca kur historia e një turisteje kthehet në propagande? A përfundon më shpejt një rrugë po ta inspektosh dhjetë herë? Guximi për propagandë po ia kalon edhe guximit të ushtarit të mirë Shvejk. Në fakt guximi i Shvejkut, ishte brenda parametrave të pranueshëm. Është një propagande që ka kohë që përpiqet jo vetëm të zbukurojë realitetin, por edhe ta zëvendësojë atë Por ndonjëherë realiteti nuk pret gjatë për t’u hakmarrë.
Vetëm 24 orë pasi ministri i Brendshëm dhe ai i Turizmit garantonin në video siguri maksimale për turistët dhe pushuesit, në Sarandë e Ksamil, pasuan dy ngjarje të rënda. Është interesant se sa më pak punë ka për të treguar, aq më shumë rritet propaganda. Nuk është e tepërt të kujtosh thënien e Chomskyt: “Propaganda është për demokracinë ajo që kërbaçi është për shtetin totalitar”.
Është koha që qeveria të kujtohet se shumë prej problemeve që sot i paraqet si beteja, kantiere apo sfida të reja premtoi t’i zgjidhte në katër vitet e para. Tani është në mandatin e katërt. Pas kaq vitesh, në krye të detyrës duhet të tregojë se çfarë punësh ka bërë qeveria dhe jo Natyra!
24 Gusht 2026, 11:37
Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një vend që eksporton fuqi punëtore, në një treg që po tërheq punonjës nga jashtë. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një rritje të fortë të numrit të të huajve që jetojnë ligjërisht në vend, ku punësimi është tashmë arsyeja kryesore e qëndrimit, ndërsa India dhe Filipinet po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në flukset e reja.
Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin 32.163 të huaj me leje qëndrimi, me një rritje prej 46,6% krahasuar me vitin 2024. Vetëm një vit më parë numri i tyre ishte rreth 21,9 mijë, çka do të thotë se brenda një viti stoku i të huajve me leje qëndrimi është shtuar me mbi 10 mijë persona.
Rritja bëhet edhe më e dukshme nëse krahasohet me vitet e mëparshme. Grafiku i INSTAT tregon se në vitin 2021 Shqipëria kishte rreth 14,9 mijë të huaj me leje qëndrimi, në vitin 2022 rreth 18,2 mijë, në 2023 rreth 21,5 mijë dhe në 2024 rreth 21,9 mijë. Në 2025 numri kërceu në 32,2 mijë. Pra, në vetëm katër vjet, numri i të huajve me leje qëndrimi është më shumë se dyfishuar.
Mbi gjysma e të huajve qëndrojnë për punë
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me tregun e punës. Sipas INSTAT, 55,1% e lejeve të qëndrimit janë për arsye punësimi, duke e bërë punën motivin kryesor të pranisë së të huajve në Shqipëri.
Pas punësimit renditet bashkimi familjar, me 19,8% të lejeve, ndërsa 14,1% janë dhënë për arsye të tjera. Qëllimet humanitare përfaqësojnë 7,9% dhe studimi vetëm 3,1%.

Shifrat konfirmojnë një fenomen që është bërë gjithnjë e më i dukshëm në ekonominë shqiptare: mungesa e fuqisë punëtore, e krijuar ndër të tjera nga emigracioni dhe ndryshimet demografike, po mbulohet në një masë në rritje përmes punonjësve të ardhur nga jashtë.
Shpërthim i numrit të të huajve nga Azia
Edhe pse Evropa vazhdon të ketë peshën kryesore, dinamika më e fortë po vjen nga Azia.
Në fund të vitit 2025, 17.022 persona ose 52,9% e të huajve me leje qëndrimi ishin nga Evropa, me një rritje prej 18,5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, numri i të huajve nga Azia arriti në 9.891 persona, duke u rritur me plot 117,6% brenda një viti. Të huajt nga Amerika, Afrika dhe Oqeania së bashku arritën në 5.250 persona, me rritje 73,4%.
Kjo zhvendosje shihet qartë edhe te vendet kryesore të origjinës.
Kosova vazhdon të mbajë vendin e parë, me 6.284 persona, ose 19,5% të totalit. Italia renditet e dyta me 4.065 persona, ose 12,6%. Por menjëherë pas tyre tashmë renditen dy vende aziatike: India me 2.886 persona, ose 9% të totalit, dhe Filipinet me 2.401 persona, ose 7,5%.
Pikërisht këto dy vende kanë shënuar edhe ritmet më të larta të rritjes. Numri i shtetasve nga Filipinet është rritur me 136,1%, ndërsa ai i shtetasve indianë me 87,6% krahasuar me vitin 2024.
Kjo tregon se profili i emigracionit drejt Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi. Krahas të huajve nga vendet fqinje apo nga Italia, që tradicionalisht kanë pasur një prani të konsiderueshme, po krijohet një komunitet gjithnjë e më i madh punonjësish nga vendet aziatike.
India dhe Filipinet, 1 në 4 aplikime për leje qëndrimi
Tendenca pritet të vijojë, nisur edhe nga fluksi i aplikimeve të reja.
INSTAT raporton se numri i aplikimeve për leje qëndrimi gjatë vitit 2025 u rrit me 43,5% krahasuar me vitin 2024. Vetëm shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin 26,6% të të gjitha aplikimeve, ose më shumë se një në çdo katër kërkesa.
Struktura demografike tregon gjithashtu një prani të lidhur fort me tregun e punës. 65% e të huajve me leje qëndrimi janë meshkuj dhe 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç, me 24,5% të totalit.
Kombinimi i moshës aktive, dominimit të meshkujve dhe faktit që mbi gjysma e lejeve lidhen me punësimin përforcon profilin ekonomik të valës së re të emigracionit drejt Shqipërisë.
Rriten edhe të huajt me qëndrim të parregullt
Paralelisht me rritjen e emigracionit të rregullt, është shtuar edhe numri i personave të identifikuar me qëndrim të parregullt.
Gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1.926 të huaj të parregullt, nga 1.540 persona në vitin 2024, ose rreth 25% më shumë.
Të dhënat e vitit 2025 japin kështu një sinjal të qartë për një ndryshim gradual të profilit migrator të Shqipërisë. Vendi vazhdon të ketë emigracion të lartë të shtetasve të vet, por paralelisht bizneset shqiptare po kërkojnë gjithnjë e më shumë fuqi punëtore jashtë vendit.
Rritja me 46,6% e të huajve me leje qëndrimi brenda vetëm një viti dhe, veçanërisht, dyfishimi i pranisë nga Azia tregojnë se importi i fuqisë punëtore nuk është më një fenomen periferik. Ai po kthehet gradualisht në një komponent të tregut shqiptar të punës, ndërsa mungesa e punonjësve vendas po ndryshon edhe hartën e emigracionit drejt Shqipërisë./ ekofin.al
24 Gusht 2026, 11:35
Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO. Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.
Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.
Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.
Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.
Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.
Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.
Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.
Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane
Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.
Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.
Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO Vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.
Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.
Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./B.Hoxha – Monitor/