Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për një masë më të lehtë.
Avokati Dritan Gila kundërshtoi pretendimin se Zalla paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas tij, armët dhe municionet janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave dhe pa masa të veçanta ruajtjeje.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa kapsolla detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk ishin të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim.
Sa i përket armëve, avokati deklaroi se ato janë të vjetra, të prodhimit kinez, të viteve ’80. Edhe kanabisi i sekuestruar, sipas tij, ishte i ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë, çka tregon mungesë kujdesi për ruajtjen e tij.
Gila theksoi se Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe nuk ka prova që materialet e sekuestruara të jenë përdorur në krime apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e drogës.
Një tjetër argument i mbrojtjes ishte dorëzimi i tij. Avokati tha se, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve, Zalla nuk u kap, por u dorëzua vetë, duke thirrur një efektiv pranë banesës dhe duke u prezantuar.
Për këto arsye, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, por gjykata vendosi “arrest në burg”.
Ylli Zalla u arrestua pas operacionit të policisë, ku në ambientet pranë banesës së tij u sekuestruan armë, municione, materiale shpërthyese dhe një sasi kanabisi. Për këto dyshime, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ylli Zalla është i dyshuar për përfshirje në atentatin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe më pas humbi jetën edhe Muçi Shaljani. Konkretisht, autoritetet dyshojnë se ai ka ndihmuar autorët e atentatit, duke u siguruar armë dhe mjete të përdorura në përgatitjen e ngjarjes.




