Një sasi e dyshuar lënde narkotike është zbuluar në ambientet e paraburgimit 313 në Tiranë, gjatë një kontrolli të zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP).
Sipas burimeve, lënda e dyshuar narkotike ishte fshehur brenda ushqimeve. Dyshohet se bëhet fjalë për hashash dhe kokainë. Kontrollet në institucionet penitenciare janë intensifikuar për të parandaluar futjen e lëndëve narkotike, telefonave celularë dhe sendeve të tjera të ndaluara.
Rasti në paraburgimin 313 vjen pas disa konstatimeve të ngjashme në burgje të tjera. Një ditë më parë, gjatë një kontrolli në burgun e Fushë-Krujës, u sekuestrua një telefon celular, ndërsa një tjetër pajisje ishte gjetur javën e kaluar në burgun e Peqinit. Operacionet e kontrollit synojnë evidentimin e shkeljeve dhe forcimin e masave të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.









