Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, të moshave 13–17 vjeç, disa prej të cilëve u kapën duke mbajtur armë të ftohta dhe mjete të mprehta.
Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta, si dhe sende të tjera të gjetura gjatë kontrollit fizik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit, organizuan menjëherë punën dhe ndërhynë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Në bazë të informacionit të marrë, shërbimet e Policisë lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata” disa të mitur, të ndarë në grupe, të cilët dyshohej se do të përfshiheshin në një konflikt. Policia ndërhyri menjëherë dhe i shoqëroi ata në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej të miturve iu gjetën thika, kaçavida, maska dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13–17 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




