Në protestën madhështore qytetare, në rrugët dhe sheshet e Tiranës këto ditë po ushtojnë fuqishëm brohoritjet “Ndryshim sistemi dhe Avni Rustemi”! Çka ngjall pyetje dhe hamendësime të ndryshme, sidomos nga kundërshtarët e protestës dhe ata që hezitojnë t’i bashkohen kësaj Proteste model dhe unikale në gjithë Europën.

Por, le t’i qetësojmë skeptikët e pakurueshëm duke shpjeguar se kur mijërat e protestuesve kërkojnë çdo mbrëmje dhe me zë të lartë “ndryshim sistemi” ata duan shembjen e praktikave dhe dukurive të shëmtuara të 36 viteve të fundit, kur pa mohuar disa arritje, demokracia edhe në 13 vitet e fundit i ngjan një fasadë që fsheh kalbëzimin e sistemit, kur pluralizmi është kthyer në pluhuralizëm dhe në vello propagandistike me plot dështime dhe zhgënjime. Ndaj, ajo çka po kërkohet është të nxirren mësime nga pësimet, të rivendoset shteti ligjor, duke shembur Partinë Shtet të dikurshëm dhe tani Ramashtetin. Ku qeverisja dhe përgjegjësia politike janë dy të munguarat më të mëdha me pasoja për vendin dhe të ardhmen. Ku procesi i rregullt ligjor po zëvendësohet me prezumimin e pafajësisë; ky i fundit selektiv, ku njeri trajtohet “ si i nënës dhe tjetri si i njerkës”! Balluku” është si dëshmia më ulëritëse, por as e para dhe as e fundit e kësaj dukurie endemike.

Thënë më shqip, protesta dhe shoqëria përparimtare shqiptare të cilën ajo përfaqëson kërkon reformimin dhe modernizimin e shoqërisë; ama jo vetëm me letra, ligje, llogje dhe retorikë por me reforma, me frymë, me krijimin e kushteve bazë për një jetë normale, me paga dhe pensione dinjitoze, mbrojtjen e shtresave në rrezik dhe ngushtimin e hendeqeve të mëdha ekzistuese; se në BE nuk do të hyjmë thjesht me hapje/mbyllje grupkapitujsh, por me rezultate të prekshme në radhë të parë në Tiranë për këdo dhe jo vetëm për negociatorët në Tiranë/Bruksel.

Dhe këtu evokimi i Avni Rustemit është i gjetur dhe bindës; se ai ishte mbi të gjitha lider i shquar i djalërisë dhe ardhmërisë shqiptare. Avniu synonte dhe bëri gjithçka për ndryshimin dhe modernizimin e shoqërisë së atëhershme gjysmëfeudale për drejtësi dhe barazi shoqërore, pa shtypje feudale dhe diskriminim social. Këtë e tregoi kur iu përgjigj thirjes së Atdheut duke ndërprerë studimet në Zvicër, Romë dhe Kalabri, në diskutimet e zjarrta në Parlament, në veprimtarinë dhe qëndrimin stoik deri sa dha frymën e fundit me amanetin për t’u prehur pranë Ismail Qemalit.

Më konkretisht, si nismëtar dhe protagonist i shquar reformator, Avniu ka propozuar disa nisma jetike në fushën e arsimit, bujqësisë, kulturës, zhvillimin e shoqërisë, etj. Dhe, me qëllim që zërat për ndryshim dhe reforma përparimtare të mos mbeteshin vetëm retorikë, Avniu krijoi dhe udhëhoqi Shoqatën patriotike rinore “ Bashkimi” me djem të rinj idealistë, flamurmbajtës të përparimit të shoqërisë së prapambetur shqiptare, dukuri e re dhe premtuese për atë periudhë. Ndonëse jo për faj të tij, ai nuk arriti t’i zbatonte projektet modernizuese, sepse plumbi i pabesë ia ndërpreu jetën më 22 Prill 1924, pa mbushur ende 29 vjeç!.

Mirëpo, pavarësisht nga faktet e mësipërme të pakundërshtueshme, ka ende ndonjë analist nihilist që figurën e ndritur të Avni Rustemit e identifikon dhe e demonizon vetëm me atentatin ndaj Esat Pashës, ndoshta duke nënkuptuar edhe një përsëritje të mundshme të aktit të tij në Tiranë. Kursesi! Kush i ka ndjekur të 80 Protestat dhe marshimet emblematike në rrugët e Tiranës e kupton se fjala është që të vritet dukuria, dmth e keqja e madhe që ka pllakosur këtë vend. Padyshim që vrasja e kundërshtarëve politikë as dje dhe sidomos sot nuk është e lejueshme. Por Avniu në Paris nuk vrau një politikan, ca më pak opozitar të ndershëm dhe të pafajshëm, por një kryetradhtar me damkë, për të këqiat e mëdha që ai i kishte bërë dhe do t’i bënte vendit. Avniu e kreu atë akt të guximshëm vetëm në emër të Atdheut, se ndryshe nga sot, atëhere nuk kishte alternativë tjetër ndaj Esatit; që ishte strehuar në Paris me plane ogurzeza për t’ia shitur krejt vendin Serbisë! Mirëpo, përvoja e gjatë tregon se kur “ia bën borxh vendit” dhe kur nuk ka mundësi të tjera, atëhere, “ e ke hak plumbin ballit!”

Ja pse ai atentat, që përbën vetëm një aspekt të veprimtarisë së tij revolucionare, nuk mund të trajtohet “bardh e zi” dhe ca më keq të etiketohet « vrasje me pagesë”

Këtë e konfirmoi edhe gjyqi 6 mujor në Paris, të cilin Avniu e fitoi pa asnjë ndikim dhe ndërhyrje prej dikushi “ nga lart”. Ishte mbrojtja e shkëlqyer, Avniu me qëndrimin e tij stoik dhe të mençur, me fakte dhe argumenta bindëse dhe në frënëgjisht të cilat krijuan bindjen te gjykatësit se ai nuk ishte vrasës ordiner apo me pagesë, por një djalë 25 vjeçar, trim dhe atdhetar 24 karat!

Dëshmia tjetër bindëse e atij akti heroik është jehona dhe reagimet e fuqishme të medias së huaj dhe asaj shqiptare deri në Amerikë dhe sidomos të bashkëatdhetarët tanë pas atentatit në Paris, gjatë dhe pas përfundimit të gjyqit ndaj tij dhe mikpritjes në Atdhe. Të gjithë kërkonin pafajësinë dhe nderimin e tij për atë vepër patriotike, duke ofruar edhe ndihma financiare për gjyqin. Dhe nuk ishin një e dy apo disa turma, por me mijra shqiptarë nga e gjithë bota.

Pastaj fotot frymëzuese të pritjes madhështore pas kthimit të tij në Atdhe, nderimet nga patriotët tanë të shquar si Mihal Grameno, zgjedhja si deputet i Kosovës dhe deklarata e tij me atë rast, “jam krenar që jam dhe Kosovar” dhe ngjarje të tjera. Këtu vlen të përmendim kontrastin e madh domethënës të vlerësimit popullor të këtyre dy figurave antagoniste. Për Esatin, me përjashtim të liderëve serbë, nuk u kujtua njeri tjetër të thoshte një fjalë, le më t’i ngrihej një këngë apo ceremoni por vetëm heshtje varri; madje edhe kufomën e tij lanë për 14 muaj rresht në morg derisa më në fund e varrosën atje te ushtarët e vrarë serbë në Paris!

Ndërsa për birin e tij, Avniun, populli në jug e veri, brenda dhe jashtë vendit i kushtoi këngë të bukura si: “Në Paris vajte qëndrove, Esat Pashën e qëllove, të shtatat ja numërove”! Apo «Libohova shumë e mirë, vet e kishte bukurinë, se kishte djalë Avninë” dhe krijime të tjera përpara vitit 1945 dhe pa ndikim politik! Në vitin 1978 dhe me ribotime në vijim, shkëlqeu romani befasues i shkrimtarit dhe publicistit tonë të mirënjohur, ikonës së televizionit tonë, Skifter Këlliçi “ Atentat në Paris”; i shkruar edhe mbi bazën e kujtimeve të xhaxhait të tij, Reshat Këlliçi, atdhetar dhe shoku më i ngushtë i Avniut, që u ndodh në krah të tij ditën kur dora e pabesë shtiu mbi të. Mbi bazën e romanit, pasoi shfaqja e bujshme e Teatrit Bylis “ Dy të shtëna në Paris” e P.Kullës dhe Sh. Mitës dhe botime të tjera. Dhe shkollat në Libohovë, Vlorë, Tiranë dhe gjetkë, bustet dhe sheshi ku u vra që mbajnë emrin e tij lavdiplotë.

Më tej, fakti që i nxjerr zbuluar pseudopatriotët tanë është se përmendin 8.000 frangat që kishte me vehte Avniu kur shkoi në Paris por nuk thonë asnjë fjalë për pagesat e majme të qeverisë serbe për Esat Pashë Toptanin përpara dhe pas 13 Qershorit 1920. Ka dokumenta arkivore serbe të botuara dhe në median tonë që tregojnë shqetësimin e madh serb ditën e vrasjes dhe në vazhdim, kur me vendime të posaçme Toptanit, gruas dhe shoqëruesve të tij iu sigurua pension me 30.000 Franga ari, veç 120.000 franga ari të tjera si pagesa dhe për shlyerjen e borxheve.

Vetë liderët serbë të asaj kohe kishin konfirmuar se pagesat ishin shpërblimi për veprimtarinë e tij në shërbim të Serbisë. Madje, disa javë përpara se të vritej, delegacioni serb bëri çmos që Esati të fliste në Konferencën e Paqes në Paris. Kryeministri Nikolla Pashiq me homologun e tij francez u interesuan për « shërbimet « e Esatit ndaj Serbisë, sepse ai ishte vasal i saj.

]Në disa raste të tjera citohet Eqerem Bej Vlora që dihet se kishte alergji pathologjike ndaj Avniut. Edhe pse për intelektin e tij, atij nuk i lejohej të shprehej në një nivel aq të ulët për të denigruar dhe mohuar rolin, jehonën dhe simpatinë mbarëpopullore për Avniun. Mirëpo, siç kanë treguar familjarët e tyre, antipatinë ndaj Avniut atij ia hidhte poshtë edhe bazhanaku i tij, Ali Bej Këlcyra, intelektuali dhe shtetari i shquar, i cili mbajti një fjalim emocionues në funeralin e Avniut.

Këtu po bëj një analogji duke iu referuar hollivudianit të famshëm Tom Cruise, i cili në filmin” Valküre” (emri i operacionit të fshehtë për asgjënsimin e Hitlerit) luan rolin e Kolonelit 37 vjeçar Claus von Stauffenberg, atentatorit të madh por të dështuar ndaj Hitlerit më 20 Korrik 1944; në intervistën dhënë me atë rast prestigjiozes “Bild” më 9 Janar 2009 ai thotë: »Stauffenbergu më ndryshoi jetën. Edhe unë po të isha në vend të tij do doja ta vrisja Hitlerin, ndaj më vjen shumë keq që ai nuk u vra”.

Dëshmia më bindëse e popullaritetit të Avniut u pa edhe pas vdekjes së tij burrërore, kur varrimi madhështor u kthye në kryengritje që çoi në Revolucionin demokratik të Qershorit 1924. Pra edhe i vdekur, siç thonë, ai e mundi Zogun dhe oligarkinë. E pra nuk ishin disa turma radikale siç thotë Eqerem bej Vlora, por pothuajse gjithë populli i zemëruar nga vrasja e pabesë e heroit të vet që u ngrit në këmbë. Se vrasja e Avniut ishte sinjali politik për asgjësimin fizik të opozitës së atëhershme. Ndryshe, mirë Avniu, por pse u vranë një vit më vonë Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe demokratë të tjerë të shquar?

Veç sa sipër, kritizerët dhe kukuvajkat vajtuese nuk i japin dot përgjigje pyetjes asgjënsuese për ta se si shpjegohet që në varrimin e Avniut në Vlorë më 1 Maj 1924 ishin të pranishëm dhe folën 300 personalitetet më të shquara intelektuale, fetare dhe shpirtërore të vendit? Midis tyre ishin Baba Ali Tomorri, udhëheqësi shpirtëror emblematik i Bektashinjve, Ali Bej Këlcyra dhe emblematiku i Lahutës, Imzot At Gjergj Fishta, i cili mbajti një prej fjalimeve të tij më të zjarrta. Me oratorinë e tij proverbiale, Fishta i thuri homazh të ndjerë dhe i ngriti monumentin atje në Vlorë Avni Rustemit, mishërim i atdhedashurisë, idealit dhe përkushtimit të tij të paepur.

Mirëpo, pas vdekjes heroike të Avniut, pas viteve 45 dhe atyre 90 e deri tani, për fatin tonë të keq, megjithë shpresat dhe premtimet, as Noli, as Zogu, as Enveri me diktaturën e tij, as Berisha dhe as Rama nuk u kthyen dot në liderë dhe reformatorë të vërtetë për të krijuar një shoqëri fisnike dhe dinjitoze, të cilës mund t’i referohemi për sot dhe për nesër.

Ndaj, Avni Rustemi mbetet pikë madhe ndriçuese dhe referuese dhe me të drejtë shembulli i tij po brohoritet fort kudo në Shqipëri bashkë me këngën që populli i ngriti e që rezonon aq bukur me momentet e tanishme « mos kujto se u harrove, lule o Avni Rustemi!»

Së fundi, askush nuk ka pse trembet nga « plumba » si ato të Avniut për Esatin. Sistemi demokratik sot ka krijuar shumë mundësi dhe alternativa për ndëshkimin e mekatarëve dhe tradhtarëve të Atdheut pa atentate të tilla vdekjeprurëse. Por, këta të fundit, kushdoqofshin, edhe liderët duhet t’i tremben «plumbit » të zemërimit, zhgënjimit dhe protestave popullore, votës së lirë dhe të ndershme, rrënimit të besueshmërisë dhe i rrëzimit me vullnetin e lirë të zgjedhësve. Kështu do lexuar, si në frymë ashtu edhe në gërma mesazhi shumë i drejtë dhe me vend i Protestës së tanishme «Ndryshim sistemi dhe Avni Rustemi»!