Bekim Sejdiu ka konfirmuar se ka pranuar propozimin për të kandiduar për president të Republikës së Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur pajtim për emrin e tij.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu e ka cilësuar si nder besimin e dhënë nga përfaqësuesit e dy subjekteve politike, duke theksuar se do të kandidojë si figurë jo-partiake.

“Dy partitë kanë arritur pajtueshmëri për emrin tim. Kjo më bën të nderuar besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka bërë të ditur se fillimisht synimet e tij profesionale kanë qenë të përqendruara kryesisht në fushën akademike, por ka vendosur ta pranojë propozimin për postin e presidentit, duke marrë parasysh përgjegjësinë që bart kjo pozitë dhe rrethanat aktuale politike në vend.

“E kam pranuar këtë propozim ndonëse ambicia ime ka qenë më shumë në fushat akademike, por duke qenë i vetëdijshëm edhe me barrën e përgjegjësisë që sjell posti i presidentit dhe me kontekstin aktual politik të Kosovës, jam vënë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve tanë”, është shprehur ai.

Sejdiu është zotuar se përgjegjësinë që i është besuar do ta ushtrojë me përkushtim, duke nënvizuar rëndësinë e pozitës së presidentit në funksionimin institucional të vendit.

Ai ka theksuar gjithashtu se zgjedhja e presidentit përfshin si dakordimin politik ndërmjet subjekteve, ashtu edhe respektimin e procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe që zhvillohen në Kuvendin e Kosovës.

Kandidatura e Bekim Sejdiut pritet të kalojë nëpër procedurat parlamentare për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në diplomaci dhe drejtësi.

Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa më herët ka mbajtur disa pozita në shërbimin diplomatik të vendit.

Sejdiu ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi gjatë periudhës 2008–2012, ndërsa nga viti 2012 deri më 2014 ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.

Para emërimit si ambasador, ai ka shërbyer edhe si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.