Një futbollist serb, Uroš Milošević, është arrestuar në Portugali pasi policia ndaloi furgonin që ai po drejtonte në autostradën A6, brenda të cilit u gjetën më shumë se 1.5 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur mbi 70 milionë euro, si dhe armë të tipit ushtarak.

Operacioni u zhvillua nga Policia Gjyqësore portugeze dhe u cilësua si një goditje e rëndësishme ndaj një rrjeti kriminal të njohur si “Karteli i Ballkanit”, i cili dyshohet se ka shtrirje në disa vende të Evropës.

Ajo që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte identiteti i personit që ndodhej pas timonit. Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Uroš Milošević, i cili në të kaluarën ka luajtur futboll në disa klube serbe.

Sipas raportimeve të autoriteteve, në furgon u gjetën gjithashtu dy armë ushtarake, të cilat ishin të mbushura dhe gati për përdorim.

Ish-futbollisti, prej tre vitesh jashtë aktivitetit

Milošević nuk është një emër i njohur për publikun e gjerë të futbollit, por gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e disa klubeve serbe, përfshirë Čukaričkin, FK IM Rakovica, FK Teleoptik dhe FK Sinđelić Beograd.

Sipas të dhënave të publikuara, ai nuk ka qenë aktiv si futbollist gjatë tre viteve të fundit.

Autoritetet portugeze po hetojnë tashmë rolin që 31-vjeçari dyshohet se ka pasur në rrjetin e trafikut të drogës.

Operacioni lidhet me një aksion në Spanjë

Arrestimi në Portugali vjen vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni të madh kundër të njëjtit rrjet kriminal në Spanjë.

Gjatë aksionit, të zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve spanjolle dhe portugeze, u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan rreth 3.7 ton drogë.

Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal ka përdorur prej kohësh territorin e Portugalisë, veçanërisht zonat bregdetare, si pikë hyrëse për ngarkesa të mëdha kokaine që më pas shpërndaheshin në vende të ndryshme të Evropës.

Hetimet vazhdojnë

“Karteli i Ballkanit” dyshohet se ka një rrjet të gjerë aktiviteti në Evropë dhe se mbështetet në persona me origjinë nga vendet e ish-Jugosllavisë.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur strukturën e rrjetit dhe për të përcaktuar rolin e saktë të Miloševićit në transportin e ngarkesës.

Policia portugeze nuk përjashton mundësinë e arrestimeve të tjera në kuadër të këtij operacioni.