Irani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin.
Sipas një raportimi të Financial Times, që citon persona pranë regjimit iranian, forcat e Teheranit kanë vlerësuar skenarë për goditjen e aseteve amerikane në Evropën Juglindore.
Mes objektivave të mundshëm përmendet Bullgaria, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë.
Në listën e objektivave të mundshme përmendet edhe Qiproja. Në mars, një bazë ajrore britanike në ishull u godit nga një dron, ndërsa tashmë ajo shihet si një prej pikave që mund të përfshihen në një përgjigje iraniane në rast të një ofensive të re amerikane.
Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë me dije gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit, nëse konflikti do të përshkallëzohej.
Sipas gazetës, këto kërcënime pasqyrojnë klimën në Teheran, ku një pjesë e regjimit e konsideron gjithnjë e më të mundshëm rikthimin e konfliktit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Teherani mund të zgjerojë objektivat përtej goditjeve ndaj forcave amerikane, infrastrukturës energjetike dhe bazave në Lindjen e Mesme.
Garda Revolucionare ka paralajmëruar edhe Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, duke deklaruar se çdo bazë që përdoret për nisjen e sulmeve ndaj territorit iranian do të konsiderohet objektiv legjitim.
Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i shkarkuar vetëm një muaj më parë nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, i është drejtuar qytetarëve ukrainas përmes një video-mesazhi, duke bërë thirrje për gjetjen e një mekanizmi që do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve edhe gjatë luftës.
Fedorov, shkarkimi i të cilit shkaktoi protesta nga mbështetësit e tij, kritikoi korrupsionin gjatë kohës së luftës dhe paralajmëroi për një krizë sistemike të qeverisjes në vend.
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia. Ne po luftojmë pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë evropian”, deklaroi Fedorov.
Ai kërkoi krijimin e një mekanizmi ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësonte Ukrainës të rikthente procesin demokratik edhe në kushtet e një lufte të zgjatur.
Sipas tij, duhet të garantohet e drejta e votës për ushtarakët, për miliona ukrainas që ndodhen jashtë vendit dhe për qytetarët që jetojnë në zonat pranë vijës së frontit. Fedorov theksoi gjithashtu nevojën për sigurinë e procesit zgjedhor, pavarësinë e institucioneve dhe besueshmërinë e rezultatit.
Komentet e ish-ministrit mund të shtojnë presionin ndaj Zelenskyt, i cili është përballur me skandale korrupsioni dhe kritika lidhur me disa vendime të fundit për emërime dhe shkarkime.
Zelenskyy u zgjodh president në vitin 2019 për një mandat pesëvjeçar. Megjithatë, zgjedhjet nuk janë zhvilluar që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, pasi në Ukrainë vijon të jetë në fuqi ligji ushtarak.
Një burrë i maskuar me fytyrën e personazhit horror Chucky dyshohet se ka frikësuar dhe ndjekur në mënyrë të rastësishme të paktën gjashtë persona në Filadelfia.
Policia ka publikuar fotografi dhe pamje të të dyshuarit, duke u bërë apel qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij.
Në një prej videove të publikuara nga autoritetet, burri shihet duke ndjekur një grua që vrapon në rrugë, në orët e para të mëngjesit. Ngjarja është regjistruar pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar.
Sipas policisë, 40-vjeçarja është ndjekur nga i dyshuari, i cili iu afrua duke i drejtuar celularin dhe e pyeti: “Je gati të vdesësh?”
Kur gruaja nuk reagoi, ai ia përsëriti pyetjen. E frikësuar, ajo u largua me vrap, por gjatë arratisjes pësoi një dëmtim në këmbë.
Autoritetet po hetojnë rastin dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse i njëjti person qëndron pas të gjitha incidenteve.
Jamal Musiala ka përjetuar sërish një moment shqetësues në fushë, vetëm pak ditë pasi u shtri në tokë gjatë miqësores ndaj Leipzig.
Talenti i Bayern Munich u aktivizua në minutën e 61-të në sfidën ndaj Heidenheim, por vetëm tetë minuta më vonë pësoi një tjetër kolaps. Musiala qëndroi për disa minuta në tokë, ndërsa mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, përpara se të largohej nga fusha.
Pas shqetësimit të krijuar te tifozët dhe stafi i Bayern, Musiala ka reaguar vetë përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.
“Jam mirë. Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është se jam mirë. Jam diagnostikuar me humbje të përkohshme të vetëdijes, e cila vjen si pasojë e një mosfunksionimi neurologjik, por është diçka që mund të trajtohet. E di që mund të duket e frikshme, por nuk paraqet rrezik shtesë për shëndetin tim”, shkroi Musiala.
Ai shtoi se po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se, pas konsultimeve me specialistët, ka marrë miratimin për të vijuar të luajë futboll.
“Ndihem mirë dhe jam në rrugën e duhur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, përfundoi 23-vjeçari.
Situata mbetet në vëmendje të Bayern Munich dhe të stafit të kombëtares gjermane, pasi Musiala konsiderohet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të brezit të ri të Gjermanisë.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për një masë më të lehtë.
Avokati Dritan Gila kundërshtoi pretendimin se Zalla paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas tij, armët dhe municionet janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave dhe pa masa të veçanta ruajtjeje.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa kapsolla detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk ishin të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim.
Sa i përket armëve, avokati deklaroi se ato janë të vjetra, të prodhimit kinez, të viteve ’80. Edhe kanabisi i sekuestruar, sipas tij, ishte i ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë, çka tregon mungesë kujdesi për ruajtjen e tij.
Gila theksoi se Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe nuk ka prova që materialet e sekuestruara të jenë përdorur në krime apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e drogës.
Një tjetër argument i mbrojtjes ishte dorëzimi i tij. Avokati tha se, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve, Zalla nuk u kap, por u dorëzua vetë, duke thirrur një efektiv pranë banesës dhe duke u prezantuar.
Për këto arsye, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, por gjykata vendosi “arrest në burg”.
Ylli Zalla u arrestua pas operacionit të policisë, ku në ambientet pranë banesës së tij u sekuestruan armë, municione, materiale shpërthyese dhe një sasi kanabisi. Për këto dyshime, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ylli Zalla është i dyshuar për përfshirje në atentatin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe më pas humbi jetën edhe Muçi Shaljani. Konkretisht, autoritetet dyshojnë se ai ka ndihmuar autorët e atentatit, duke u siguruar armë dhe mjete të përdorura në përgatitjen e ngjarjes.
Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të përballet me vonesa për shkak të procedurave të prokurimit, mungesës së koordinimit institucional dhe problemeve me sigurimin e tokës.
Përfundimet dalin nga misioni monitorues i Komisionit Europian për investimet e financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i zhvilluar në Shqipëri gjatë muajit maj.
Që prej vitit 2009, në Shqipëri janë investuar mbi 600 milionë euro në projekte publike në transport, energji, mjedis dhe teknologji digjitale. Një nga projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare, një investim që synon të përfshijë më shumë se 190 mijë nxënës. Sipas vlerësimit, përgatitja dhe hapja e tenderit vijon të jetë një proces kompleks.
Në sektorin energjetik, misioni u fokusua te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te interkonjeksioni energjetik Shqipëri–Maqedoni e Veriut. Komisioni evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit.
BE kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve, si dhe shmangien e ndryshimeve të shpeshta në objektivat dhe mënyrën e zbatimit të projekteve.
Një tjetër shqetësim lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht në sektorin hekurudhor, ku kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara financimit.
Misioni nënvizoi nevojën për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë dhe procedura më të thjeshta për zbatimin e investimeve.
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 02:22 në rrugën dytësore në Manzë të Durrësit, ku kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur dy të tjerë.
Sipas informacionit paraprak të policisë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe është përplasur me një bordurë betoni.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, K. V., 25 vjeç, si dhe pasagjerët S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç.
Ndërkohë, pasagjerët R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. Sipas policisë, 16-vjeçari K. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në përplasjen tragjike.
Në protestën e 80 kundër qeverisë, shqiptarët shprehet se janë të vendosur dhe se revolta do të vijojë deri në largimin e Ramës.
Në marshimin në kryeqytet, kanë vijuar me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ndërsa kanë kaluar pranë selisë së PD, kanë jehuar thirrjet “Opozitë e shitur”.
Protestuesit shprehen se revolta do të vijojë në ditën në vazhdim deri në largimin e Ramës dhe qeverisë së tij.
Rezoluta, e cila mban firmën e kryeparlamentarit Niko Peleshi, i ka shkuar SPAK dhe i kërkohet që brenda 23 gushtit të hartojë një plan veprimi për zbatimin e 32 rekomandimeve të vitit 2026. Kuvendi i thekson Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të rishikojë praktikën e masave të sigurimit personal, duke rritur përdorimin e masave alternative në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 analizimin çdo 4 muaj të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe raportit të tij me dënimet përfundimtare, me qëllim evidentimin e rasteve kur koha e qëndrimit në paraburgim afrohet ose mbulon në mënyrë substanciale dënimin përfundimtar, si dhe marrjen e masave për shmangien e kësaj praktike”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvend-it për SPAK-un.
Më tej, vlerësohet e nevojshme reduktimi i stokut të çështjeve të mbartura dhe përmirësimi i dosjeve të dërguara për gjykim mbi të gjitha në lidhje me standardet e provueshmërisë.
Në dokument renditet me rëndësi edhe forcimi i kapaciteteve për hetime financiare dhe pasurore paralele. Kuvendi i rekomandon SPAK-ut rritjen e fokusit në konfiskimin e pasurive në çështjet e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të administratës publike, me qëllim që ndjekja penale të mos kufizohet vetëm në përgjegjësinë individuale, por të prodhojë edhe goditje reale të përfitimit ekonomik të paligjshëm.
“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 zhvillimin e analizave periodike për efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë jo vetëm numrin e procedimeve dhe personave të dërguar në gjykatë, por edhe shkallën e konfiskimit të pasurive. Vijimin e konsolidimit të rezultateve në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synim rritjen e numrit të procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë, me fokus të posaçëm te korrupsioni i nivelit të lartë, pastrimi i parave, trafikimi i narkotikëve dhe veprat penale të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvend-it për SPAK-un.
Kuvendi sugjeron edhe përshpejtimin e rekrutimit të hetuesve financiarë e të BKH-së dhe të oficerëve të policisë gjyqësore, duke shpërndarë në mënyrë të balancuar ngarkesën e punës. Porosi i lihet edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe përparimin e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, për të forcuar transparencën me raportim statistikor në kohë reale.
Në listën e rekomandimeve, ndër të tjera Kuvendi udhëzon Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit që të analizojë në përputhje me rekomandimin e BE-së, nevojën për rishikim të rregullave dhe procedurave lidhur me procesin e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të qartësuar dhe garantuar procese të hapura, konkurruese dhe pa vonesa.
Gazetarja Shpresa Dine ka zbardhur emrat e personave të cilët kanë përfunduar në pranga në lidhje me vrasjen e turistit portugez, që u masakrua nga goditjet me thikë në Ksamil nga autori Sokrat Vata.
Bëhet fjalë për shtetasit :
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurtevent dhe Bekim Bulica.
Sipas hetimeve të policisë, 20-vjeçari portugez u përfshi në një konflikt në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku më pas dyshohet se u godit disa herë me thikë nga Sokrat Vata. I riu humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt, kanë ndihmuar autorin të largohej ose nuk kanë kallëzuar ngjarjen në polici.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka ushtruar kontrolle dhe ka shoqëruar dhjetëra persona, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e secilit prej të arrestuarve dhe personave të shpallur në kërkim.