Klodiana Lala zbardh prapaskenat: Pozita ligjore e Ballukut është rënduar, po këqyren dhjetëra telefona nga SPAK! Priten zhvillime nga dosja “Aruba”

Klodiana Lala zbardh prapaskenat: Pozita ligjore e Ballukut është rënduar, po këqyren dhjetëra telefona nga SPAK! Priten zhvillime nga dosja “Aruba”

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në “News24”, ka analizuar ecurinë e disa prej dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur nga rëndimi i pozitës ligjore të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, hetimet mbi pasurinë e Erion Veliajt, e deri te aferat e AKSHI-t dhe dosja “Aruba”.

Sipas gazetares, pozita ligjore e Belinda Ballukut është rënduar për shkak të akuzave të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Prokurorët dyshojnë se lotët e Unazës së Madhe janë paracaktuar nga ajo dhe vartësit e saj. Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka projektuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.

Kontroll është ushtruar edhe ndaj një arkitekti në Vlorë, ndërsa aktualisht po kqyren 53 telefonë celularë me autorizim të gjykatës. SPAK ka afat hetimor deri më 20 tetor, me mundësi shtyrjeje edhe me tre muaj. Balluku mbetet zyrtarja më e lartë e marrë si e pandehur nga drejtësia.

Ajo shtoi se në fokus të SPAK mbetet edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin po vijon hetimi pasuror. Nga verifikimi i hyrje-daljeve ka rezultuar se Veliaj ka kryer mbi 100 udhëtime jashtë vendit brenda dy viteve e gjysmë, çka do të thotë se për gati një vit ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Paralelisht, prokurorët po hetojnë edhe një ish-ministre të Partisë Socialiste lidhur me rolin e saj në disa transferta monetare jashtë vendit.

Gazetarja u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, ku shtetasi Ermal Beqiraj u arrestua nga autoritetet franceze. Ai kishte blerë një kështjellë në Francë, avionë të lehtë që i pilotonte vetë dhe kishte hapur kompani në vende të BE-së. Sa i përket dosjes “Aruba”, ku përfshihen Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe grupet “Koçeku” e “Hamzai”, priten zhvillime të reja lidhur me takimet e zhvilluara në Aruba, Majorka e vende të tjera. Po ashtu, vijojnë hetimet për pastrim parash ndaj organizatës së Shpëtim Aliut, ndërsa dinamikat e brendshme në SPAK mund të sjellin edhe çështje të tjera surprizë.

Trump publikon hartën ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si territor i SHBA-së

Trump publikon hartën ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si territor i SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një imazh ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si “territor i ri i SHBA-së”, duke rikthyer në vëmendje deklaratat e tij të fundit për këtë rrugë strategjike ujore.

Trump shpërndau në rrjetet sociale një hartë të Ngushticës së Hormuzit, mbi të cilën ishte vendosur mbishkrimi “Territor i ri i SHBA-së”. Publikimi vjen disa ditë pasi presidenti amerikan deklaroi se Uashingtoni mund ta shpallë ngushticën territor amerikan.

Duke folur më 14 gusht, Trump pretendoi se Marina amerikane po zbatonte një bllokadë të plotë të Hormuzit dhe deklaroi se, pas mposhtjes së Iranit, SHBA-ja do të merrte kontrollin e kësaj zone strategjike.

Trump ka deklaruar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit dhe se ky kontroll mund të ruhet edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë përsëritur se ngushtica nuk do të rihapet nëse SHBA-ja nuk ndalon ndërhyrjen dhe bllokadën detare, ndërsa kërkojnë gjithashtu respektimin e kushteve të marrëveshjes së arritur mes Teheranit dhe Washingtonit.

Një ‘hartë memece për të mbyturit” dhe harresën e eksodit shqiptar

Një ‘hartë memece për të mbyturit” dhe harresën e eksodit shqiptar

Met Lila, 76 vjeç, u bë pjesë e një inskenimi në kujtim të eksodit të tejzgjatur nga deti të mijëra shqiptarëve në kapërcyellin e dy shekujve. Në një qoshe të shëtitores, usta Meti riparon pa e ngritur kokën maketet e anijeve prej druri, bashkë me artistë profesionistë dhe amatorë.

Tridhjetëepesë vjet më parë, Lila humbi vajzën e tij në ujërat e Adriatikut gjatë eksodit të anijes “Vlora” në gusht të vitit 1991.

“Valbona ishte 16 vjeç dhe shkoi të kërkonte vëllain e vogël. I thanë se ishte në anijen “Vlora” dhe ajo u përpoq të ngjitej lart me litar,” kujton me trishtim ai.

Pastaj ul kokën dhe vazhdon: “Trupin e Valbonës dhe disa të tjerëve i nxorri në sipërfaqe një djalë nga Spitalla”.

Anija “Vlora” me gati 20 mijë shqiptarë në bord ishte anija e fundit e madhe që u nis drejt Italisë më 8 gusht 1991 si pasojë e kolapsit ekonomik që shoqëroi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Më pas, mijëra shqiptarë të tjerë ndërmorrën udhëtime të rrezikshme me gomone për të prekur Perëndimin.

35 vjet pas eksodit të madh, shkrimtari Arian Leka dhe regjisorja Driada Dervishi inskenuan në Durrës “Hartë memece për të mbyturit”, një vepër që ndërthur poezinë, ditarin dhe kujtesën kolektive si homazh për viktimat e tragjedive shqiptare në det.

Vepra është gjithashtu një kujtesë për indiferencën e institucioneve lokale dhe qendrore.

Krejt e kundërta ndodh në brigjet përballë.

Në vitin 2012 kineastët italianë realizuan dy filma dokumentarë me titujt binjakë “La nave” dhe “La nave dolce”. Filmat që i kushtohen eksodit masiv me anije nga brigjet e Shqipërisë janë nderuar me çmimet “David di Donatello 2013”, si dhe në konkurimin e festivalit të Venecias 2012.

Kapiteni i anijes “Vlora” në gusht të vitit 1991, Halim Milaqi, i cili e drejtoi atë nga Durrësi drejt Barit tha për BIRN se këto ditë ai është ftuar në Bari në ceremoninë që organizohet nga bashkia e qytetit për 35 vjetorin e eksodit- një ceremoni kjo e përvitshme.

“Kurse këtu te ne, pasi pala italiane vendosi një monument disa vite më parë, duket sikur e kanë harruar këtë histori,” theksoi Milaqi.

Edhe përpjekja për instalimin e një monumenti që kujton eksodin, në sheshin e trageteve të portit detar dështoi dhe gjithçka u përmblodh në një fotoekspozitë të përgatitur nga Autoriteti Portual me rastin e 25-vjetorit të këtyre ngjarjeve.

Në skenën e improvizuar në shëtitoren bregdetare vijnë kronikat mediatike të kohës, të cilat ngacmojnë kujtimet e shikuesve.

Të dhënat e katerit të Radës, anijes që u mbyt bashkë me 81 vetë në bord, ngacmojnë kujtimet e punonjësit të policisë kufitare, Gëzim Myhypaj.

“Në mars të vitin ’97 në basenin portual kishin mbetur vetëm dy mjete lundruese: biga dhe kateri tjetër i dislokuar në Durrës. Arritëm ta ruajmë që të mos bëhej pre e keqbërësve, që mund ta shfrytëzonin për të kaluar Adriatikun,” tha Myhypaj për BIRN.

Inskenimi i teksteve nga “Harta memece për të mbyturit” që po interpretohet në shëtitoren bregdetare po i drejtohet fundit.

Gazetarët në skenë raportojnë rastet e mbytjeve apo të mbijetesës gjatë lundrimit me skafistët nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit drejt Italisë.

Dëgjojmë një prej tyre: “21 vetë vdesin të dehidratuar mbi gomone, ndërsa 7 të tjerë humbin në ujrat e Jonit. Fillim janari 2004”.

Në skenë, valixhet e emigrantëve zëvëndësojnë njëra- tjetrën. Duket sikur gjithçka ripërsëritet edhe sot, kur autorët shprehen: “I kemi dhënë një përgjigje pyetjes “pse ikëm atëherë”, por duhet të përgjigjemi: “Pse vazhdojmë të ikim”.