Kostot e larta, “zhvendosin” dhe lindjet nga Tirana, bien 5.5% në janar-qershor, rriten qarqet

Kostot e larta, “zhvendosin” dhe lindjet nga Tirana, bien 5.5% në janar-qershor, rriten qarqet

Numri i lindjeve në vend shënoi një rënie të lehtë në gjysmën e parë të vitit 2026, por të dhënat sipas qarqeve tregojnë se tkurrja është përqendruar në pjesën më të madhe në Tiranë dhe më pak në Durrës, teksa ka rritje në qarqet e tjera periferike. Deri para tre vitesh Tirana kishte bilanc pozitiv te lindjeve për shkak të gravitetit demografik sidomos te të rinjve nga qarqet drejt saj.

Në rang kombëtar u regjistruan 10,229 lindje në 6 mujorin e parë të 2026, me rënie vjetore 1%, ose 108 lindje më pak. Vetëm në qarkun e Tiranës lindjet ranë 5.5% ose duke zbritur nga 5,022 bebe në 6 mujorin e parë 2025 në 4,748 në gjysmën e parë 2026, ose 274 lindje më pak (gati tre herë më shumë se mesatarja kombëtare). Kjo është rënia më e madhe, si në numër absolut, ashtu edhe për nga ndikimi në rezultatin kombëtar.

Në fakt, pa përfshirë Tiranën, lindjet në pjesën tjetër të vendit do të kishin shënuar rritje me 166, ose rreth 3.1%. Pesha e Tiranës në lindjet totale ra nga 48.6% në 46.4% brenda një viti.

E njëjta prirje vihet re në Durrës, ku lindjet u pakësuan 5% për të njëjtën periudhe. Të marra së bashku, Tirana dhe Durrësi regjistruan 327 lindje më pak, ndërsa të gjitha qarqet e tjera, së bashku, patën një shtesë prej 219 lindjesh.

Ecuria e lindjeve është tregues i rritjeve të kostove të jetesës në qendrat më të mëdha urbane. Tirana përqendron pjesën më të madhe të vendeve të punës, investimeve dhe shërbimeve, por njëkohësisht ka përjetuar rritjen më të fortë të çmimeve të apartamenteve, qirave dhe shërbimeve. Për çiftet e reja, sigurimi i banesës, pagesa e kredisë ose e qirasë dhe kostot e kujdesit për fëmijët po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.

Çiftet e reje e kanë të pamundur të jetojnë si me qira, ashtu dhe të blejnë shtëpi. Në fillim të muajit korrik çmimi mesatar i apartamenteve me qira (për të gjitha tipologjitë e pronave për banim) në kryeqytet arriti 721 euro në muaj, sipas agjencive imobiliare.

Me këtë nivel të çmimit të qirasë, e llogaritur me pagën mesatare mujore bruto (sipas nivelit të publikuar nga INSTAT për 3-mujorin e parë 2026), një individ, që jeton në kryeqytet duhet të shpenzojë 77% të të ardhurave të tij mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto për përballimin e kostos së strehimit.

Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim – të ardhura.

Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.

“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik. Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, ka pohuar ajo më herët në një intervistë për “Monitor”. “Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal”.

Bie Tirana, rriten qarqet

Rënia e lindjeve në Tiranë po tregon se avantazhet ekonomike të kryeqytetit nuk po përkthehen në kushte më të favorshme për krijimin ose zgjerimin e familjes.

Të rinjtë po e shtyjnë lindjen e fëmijëve, të kufizojnë numrin e tyre ose të zhvendosen drejt zonave ku banesa dhe jetesa janë më të përballueshme.

Ndërkohë, në pjesën më të madhe të qarqeve u regjistrua rritje. Fieri kishte shtesën më të lartë, me 69 lindje më shumë ose 9.9%, i ndjekur nga Berati me 11.1%, Dibra me 9.4% dhe Kukësi me 8.7%. Rritje pati edhe në Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, ndërsa Korça mbeti e pandryshuar. Krahas Tiranës dhe Durrësit, rënie shënoi vetëm Gjirokastra, me 19 lindje më pak. Gjirokastra është një rast i veçantë për shkak të strukturës tejet të plakur të popullsisë së saj.

Përqendrimi i rënies në Tiranë është në përputhje me presionin që çmimet e banesave dhe shpenzimet e përditshme po ushtrojnë mbi familjet e reja.

U ndalua në Aeroportin e Prishtinës, shtetasi iranian kërkon azil në Kosovë: Ndihem i kërcënuar atje

U ndalua në Aeroportin e Prishtinës, shtetasi iranian kërkon azil në Kosovë: Ndihem i kërcënuar atje

Një shtetas iranian ka kërkuar azil në Kosovë pas ndalimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku gjatë kontrollit kishte paraqitur një pasaportë belge e cila siç tha, nuk i përkiste atij.

I pyetur nga autoritetet, shtetasi iranian ka pranuar se pasaporta nuk ishte e tij dhe ka deklaruar se nuk kishte me vete dokumente personale. Ai pretendon se ndihej i kërcënuar në Iran.

Drejtori i Qendrës për Azilin, Fitim Zariqi pohoi për Radion Europa e Lirë se “kërkesa për azil është paraqitur tashmë dhe do të shqyrtohet nga Ministria e Punëve të Brendshme”.

Sipas tij, procedura e shqyrtimit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje edhe për tre muaj të tjerë. Ende nuk dihet nga cili shtet kishte udhëtuar shtetasi iranian drejt Kosovës.

Kosovë/ Varrezat masive në Zubin Potok, Prokuroria Speciale: Identifikohen mbetjet kockore të 23 individëve

Kosovë/ Varrezat masive në Zubin Potok, Prokuroria Speciale: Identifikohen mbetjet kockore të 23 individëve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në varrezat masive në Zubin Potok janë gjetur mbetjet kockore që dyshohet se u përkasin 23 individëve.

Mbetjet janë identifikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Tre persona janë nën hetim për krime kundër popullsisë civile. Ata po mbahen në paraburgim.

Gërmimet në Zubin Potok janë duke u zhvilluar prej javësh në tri lokacione, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën, pas një hetimi rreth dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.

Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.

Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.

Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.

PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.

Ura e Ibrit ende e mbyllur për makina, BE-ja kërkon koordinim mes institucioneve qendrore dhe komunave të prekura

Ura e Ibrit ende e mbyllur për makina, BE-ja kërkon koordinim mes institucioneve qendrore dhe komunave të prekura

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ndërkaq, në një letër drejtuar emisarit të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Beogradi ka pranuar me shqetësim deklaratën e zëdhënëses së BE-së.

Sipas tij, në këtë deklaratë, BE-ja shprehu vlerësimin e saj se kushtet për rihapjen e urës janë përmbushur, raporton Tanjug.

Në letër, Petkoviq tha se një vlerësim i tillë është veçmas shqetësues për Beogradin, pasi, siç tha, nuk paraqet as situatën aktuale në terren as faktin që parakushtet për të cilat palët ishin pajtuar në kuadër të kornizës së dialogut, nuk janë përmbushur.

Deklarata e BE-së vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.
KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

Analiza e REL: Çfarë ndodh nëse Kosova mbetet pa president pas 4 tetorit?

Analiza e REL: Çfarë ndodh nëse Kosova mbetet pa president pas 4 tetorit?

Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit.

Si rezultat i mosarritjes së një konsensusi mes partive politike parlamentare për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kuvendi i dalë nga votimet e 7 qershorit ka mbetur pa u konstituuar, me gjithë kalimin e afatit kushtetues për një gjë tillë, teksa subjektet politike duken ende larg një marrëveshjeje për presidentin.

Çfarë nëse kreu i ri i shtetit të Kosovës nuk zgjidhet deri më 4 tetor? Kush do të udhëhiqte me Kosovën pas kësaj date?

Interpretimet janë të ndryshme, e një situatë e tillë nuk është paraparë nga akti më i lartë juridik në Kosovë – Kushtetuta.

Njohës të zhvillimeve politike e juridike në Kosovë konsiderojnë se nuk ka bazë kushtetuese që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga një ushtrues i detyrës së presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje – parti e cila i fitoi zgjedhjet e fundit – vlerësojnë se postin do të mund ta ushtronte kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.

Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.

“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet ai.

Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.

Ai konsideron se mungesa e presidentit me mandat kushtetues nuk është çështje formale – duke theksuar rolin që presidenti e ka në funksionimin dhe në formimin e institucioneve, në përfaqësimin e vendit, në sigurinë dhe mbrojtjen, dhe në procedurat e tjera që Kushtetuta ia rezervon kreut të shtetit.

“Mungesa e një personi që ka bazë kushtetuese për t’i ushtruar këto kompetenca do ta vendoste vendin përballë një krize të re institucionale dhe kushtetuese, për të cilën Kushtetuta nuk ofron një mekanizëm të qartë zgjidhjeje”, thotë ai.

LVV: Ushtrues të ri të detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e tij
Situata shihet ndryshe në LVV.

Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, thotë se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.

“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Cakolli nga KDI thotë se interpretimi që afati gjashtëmujor automatikisht ripërtërihet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit nuk qëndron në aspektin kushtetues.

Ai vlerëson se kjo do të ishte edhe e rrezikshme, pasi do të relativizohej rëndësia e zgjedhjes së presidentit.

“Në qoftë se do të mund të zgjidhnim një kryetar Kuvendi, kurdo që është në prag të skadimit të afatit gjashtëmujor, do të kishim vetëm ushtrues detyre të presidentit në vazhdimësi, e që, si e tillë nuk është ideja e as qëllimi pse ekzistojnë dispozitat kushtetuese në fjalë”, thotë Cakolli.

Sipas Kolshit nga IKD, afatet kushtetuese nuk mund të trajtohen si afate orientuese, ndërsa Kuvendi nuk mund ta normalizojë vendimmarrjen jashtë tyre.

“Nëse, megjithatë, arrihet në situatën kur përfundon afati gjashtëmujor, ndërsa presidenti i ri nuk është zgjedhur, atëherë kemi një paqartësi serioze”, thotë ai.

Në kërkim të një marrëveshjeje për presidentin, LVV-ja nuk ka propozuar kandidatin e saj për kryetar të ri të Kuvendit, duke lënë pezull konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.

Mungesa eventuale e një presidenti të zgjedhur pas 4 tetorit, sipas Cakollit, do të pamundësonte shumë procedura që duhet të ndiqen.

Përveç se vendi do të mbetej pa komandant suprem të ushtrisë, e pa organin që balancon pushtetet, Cakolli thotë se “nuk do të kishim instancë as për ta dekretuar mandatarin e ri për pozitën e kryeministrit, e aq më pak që të merren veprime që kanë të bëjë me, ta zëmë, çështjen e shpalljes së zgjedhjeve eventuale e të tjera”.

Ndërkohë, në debat është ngritur edhe çështja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, i cili nis vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha për mediat se brenda kësaj periudhe partitë duhet “të gjejnë kandidatin që është i pranueshëm për të gjitha palët”.

Cakolli thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit e ka krijuar një problem të dyfishtë me afatet kushtetuese: “Sa më shumë vonohet konstituimi, aq më shumë ky afat [60-ditor] shtyhet përtej 4 tetorit, kur përfundon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit”.

Sipas tij, vonesa ia shkurton Kuvendit kohën që e ka në dispozicion për ta zgjidhur çështjen e presidentit para përfundimit të periudhës gjashtëmujore gjatë së cilës në vend të presidentit të zgjedhur mund të ketë ushtrues detyre.

“Nëse presidenti nuk zgjidhet dhe konsumohet edhe afati 60-ditor, krijohet një problem edhe më serioz sa i përket ushtrimit të kompetencës për caktimin potencial të zgjedhjeve, nëse ndërkohë ka përfunduar edhe afati kushtetues i ushtruesit të detyrës së presidentit”, thotë Cakolli.

“Ky është rreziku që është krijuar nga vonesa. Kemi dy afate kushtetuese që tashmë nuk ecin më paralelisht dhe, në skenarin e dështimit të zgjedhjes së presidentit, mund ta çojnë vendin në një situatë për të cilën Kushtetuta nuk ofron një zgjidhje”, paralajmëron ai.

Kolshi, ndërkaq, thotë se “afati maksimal gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së presidentit është afat i veçantë, dhe nuk lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit”.

“Pra, fillimi eventual i afatit 60-ditor nuk e zgjat dhe as nuk e pezullon afatin gjashtëmujor të ushtruesit të detyrës së presidentit”, thekson ai.

Cila do të ishte zgjidhja?
Sipas IKD-së dhe KDI-së zgjidhja për gjithë këtë situatë është që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Cakolli thotë se së paku dhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, me kalimin e 4 tetorit, do të duhej të kërkonin nga Kushtetuesja që, së pari, të vendoste masë të përkohshme, dhe, së dyti, të konstatonte se cili është efekti juridik i prodhuar nga dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin para skadimit të afatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës.

“Pastaj i mbetet Gjykatës që, qoftë bazuar në dokumentet përgatitore të Kushtetutës, apo edhe në bazë të opinioneve që mund të marrë nga vendet e tjera, të përcaktojë se çfarë ndodh tutje: a vijon kryetari i Kuvendit, apo ka ndonjë instancë tjetër që do ta marrë atë pozitë”, thotë ai.

Përcaktimi i pasojave kushtetuese dhe i mënyrës së funksionimit të institucioneve në një situatë të tillë, edhe sipas Kolshit, do të duhej të ishte çështja kyç që do të definohej nga Gjykata Kushtetuese.

“Prandaj, zgjidhja duhet të kërkohet, para së gjithash, brenda afateve ekzistuese kushtetuese, përmes zgjedhjes së presidentit të ri. Lejimi që këto afate të kalojnë, pa zgjedhjen e presidentit, do ta fuste Kosovën në një territor kushtetues të paparashikuar, ku vazhdimi i ushtrimit të detyrës, përtej kufirit gjashtëmujor, nuk mund të justifikohet pa një bazë të qartë kushtetuese”.

Sipas Rrustemit të LVV-së, zgjidhja është zgjedhja e presidentit të ri, për të cilin, thotë ai, duhet të ketë dialog e marrëveshje politike.

Lidhur me mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentit dhe veprimet që duhet të ndiqen në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri deri më 4 tetor, Radio Evropa e Lirë pyeti edhe në Zyrën e Presidentit, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, apo me 80 vota nga 120 deputetët sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mund të organizohet deri në tri votime. Nëse as në rundin e tretë – kur kërkohen 61 vota nga të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë – asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./REL