Qytetarët rikthehen edhe sot në shesh, duke vijuar protestën e tyre në Tiranë për të 84-ën ditë radhazi kundër qeverisë dhe klasës politike.

Tubimi pritet të nisë në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë do të vijojnë fjalimet dhe thirrjet kundër mazhorancës.

Kryeministri Edi Rama mbetet në qendër të protestës, ndërsa pakënaqësia e pjesëmarrësve shtrihet edhe ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Protestuesit kërkojnë largimin e të dyja krahëve të politikës tradicionale, duke e cilësuar atë si “kastën e vjetër politike”.

Mes thirrjeve që janë përsëritur gjatë tubimeve janë “Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Edhe protesta e një dite më parë, e 83-ta, nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë. Pas fjalimeve para godinës së qeverisë, protestuesit dolën sërish në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar tubimin dhe marshimin.