Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar për të gjashtën ditë me radhë aksionin e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Në aksionin e së enjtes janë përfshirë edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Vushtrria. Ata kanë kërkuar që procesi të rikthehet në Kuvend dhe të mundësohet konstituimi i institucioneve të vendit.
Asamblistja e PDK-së në Vushtrri, Vlera Tahiri, tha se kjo komunë ka nevojë për më shumë investime dhe projekte zhvillimore, ndërsa për realizimin e tyre, sipas saj, janë të domosdoshme institucione funksionale.
“Vushtrria është një komunë me qytetarë punëtorë, biznese, të rinj dhe potencial të madh zhvillimor, por nuk po merr vëmendjen dhe mbështetjen e nevojshme nga qeveria. Komuna ka nevojë për investime dhe projekte, ndërsa qytetarët nuk duhet të ndihen të anashkaluar. Për këtë arsye na duhen institucione funksionale dhe një Kuvend ku këto çështje mund të diskutohen dhe të kërkohet llogaridhënie. Procesi duhet të rikthehet në Kuvend, seanca duhet të vazhdojë dhe institucionet duhet të konstituohen”, deklaroi Tahiri.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se aksionet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, të cilat lidhen me respektimin e, siç tha ajo, kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit institucional.
Musliu i bëri thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e institucioneve, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të besimit të qytetarëve.
“Për të gjashtën ditë radhazi jemi këtu për të kërkuar që Albin Kurti të reflektojë dhe të kthehet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai duhet të respektojë mandatin dhe besimin që ka marrë nga qytetarët dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve. Nuk do të ndalemi derisa të realizohet kërkesa jonë për rikthimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit institucional”, tha Musliu.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht sa i përket afateve për konstituimin e Kuvendit.
Ajo paralajmëroi se, nëse situata vazhdon të mbetet e njëjtë, protestat do të intensifikohen dhe mund të marrin përmasa më të mëdha.
“Ne kërkojmë respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton afatet për konstituimin e Kuvendit dhe hapat e mëtejshëm institucionalë. Askush nuk është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Nëse kjo situatë vazhdon, ne do të vazhdojmë organizimin e protestave, të cilat mund të jenë edhe më masive. Kuvendi duhet të konstituohet dhe institucionet e vendit duhet të funksionalizohen sa më shpejt”, deklaroi Kadrijaj.









