Për ditën e Shën Marisë jam i ftuar në Pater Walter Happel në Schalders/Scaleres të Tirolit të Jugut, Itali.

Makina ngjitet në shpatin e thiktë alpin të malit, duke lënë poshtë vapën përvëluese të gushtit, e cila ende nuk guxon të prekë shenjtërinë e bjeshkës. Sapo ndaloj në qendrën e vogël të fshatit piktoresk, nga ballkoni plot lule i një shtëpie aty më përshëndet Pater Happel. Më duket se ka mbetur i njëjti që kur e kam njohur para më shumë se 15 vjetësh, gjatë një vizite në Gjimnazin Loyola të Prizrenit.

Pasi sistemohem shpejt në shtëpinë 300-vjeçare, ulemi në ballkonin e saj plot lule të varura, prej nga duken malet e larta dhe lugina poshtë tyre, ku shtrihen Vahrn/Varna dhe Brixen/Bressanone. Pamja mahnitëse që shpaloset nga ballkoni duket sikur më kthen pas në kohë, në dritaret e kullës sime në Mirditë, kur, si fëmijë, admiroja mrekullinë e maleve plot gjelbërim e hijeshi. Kërcitja e lehtë e shkallëve të drunjta të shtëpisë së vjetër, oshtima e thellë e lumit malor në këmbë të malit dhe aroma e bredhave që vallëzojnë prej erës më çojnë në kohë të vjetra.

Mbrëmja nuk vonon dhe një gotë verë i shtohet tryezës sonë të thjeshtë, por pa arritur të dominojë mbi magjinë që ofrojnë malet e mbuluara me bredha, teksa humbin dalëngadalë në muzg, ndërkohë që dritat poshtë në luginë, për një çast, duken si yje të largët, a thua se bota është përmbysur dhe yjet janë ulur në tokë.

Pater Happel jeton në Gjermani, por vjen këtu çdo muaj gusht prej më shumë se 25 vjetësh për të zëvendësuar famullitarin që gjen disa ditë për pushim. Teksa më flet për famullinë, tokat dhe livadhet e saj, unë e pyes për pronat e kishës.

“Përse ka kaq shumë prona kisha?” – pyes unë.

“Pronat e kishës kanë shumë burime”, – thotë Pater Happel, – “por njëri nga më të rëndësishmit janë trashëgimitë familjare të murgeshave dhe të klerikëve të tjerë, që përgjatë historisë së gjatë të kishës i kanë kaluar asaj trashëgimitë e tyre personale.”

“Po si funksionon kjo?” – e ngas unë më tej bisedën.

“Murgeshat dhe shumë klerikë të tjerë nuk mund të krijojnë pasuri personale, kështu që ato pasuri që ata trashëgojnë nga familjet e tyre i kalojnë kishës”, – është përgjigjja e Pater Happel.

“Po ju, a keni trashëguar gjë?” – pyes unë.

“Edhe unë kam trashëguar një shtëpi në qytetin tim në Gjermani, së bashku me vëllain, kur ndërroi jetë nëna ime”, – thotë Pater Happel. “Sigurisht që vëllai mund të vendoste vetë për gjysmën e tij, ndërsa gjysma ime i përkiste urdhrit jezuit, pjesë e të cilit unë jam prej një gjysmë shekulli”, – vazhdon ai.

“Por asokohe unë isha rrugëve duke kërkuar mbështetje për projektin tim për themelimin e një gjimnazi në Prizren. Ndaj i kërkova eprorit tim që pasurinë e trashëguar nga familja t’ia kaloja gjimnazit Loyola. Ai e miratoi dhe kështu edhe unë u bëra njëfarë donatori modest ndër shumë e shumë të tjerë që kontribuan për ngritjen e gjimnazit”, – thotë Pater Happel, i cili duket sikur pendohet për këtë detaj që më rrëfeu dhe nxiton të ndërrojë temë.

1

Ndërsa ai pendohet, unë habitem. Habitem, pasi gjatë viteve të shumta të njohjes, ai më ka folur me plot respekt për donatorët e shumtë që e kanë mbështetur përpjekjen e tij për të ngritur një institucion të rrallë të dijes në Kosovën e sapodalë nga tmerret e luftës, por asnjëherë për pjesën e tij. Dhe sot duket sikur ai nuk ndihet mirë që, kureshtjes sime për të kuptuar më thellë origjinën e pronave të shumta të kishës, iu përgjigj me një shembull konkret nga jeta e tij.

Megjithatë, është pikërisht ky episod i vogël, që ai nxiton të harrojë, që mua më mbetet në mendje. Më duket sikur ndër veshë më oshëtijnë thirrjet e denatyruara të shumë shqiptarëve që grinden për të marrë pronat e tyre dhe të të tjerëve, për të marrë, për të marrë, vetëm për të marrë… A thua kemi diçka për të mësuar nga ky episod i thjeshtë që Pater Happel e përmendi pa dashje?

Gjimnazi Loyola është pa dyshim njëri ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit në Kosovë, një shkollë që rrezaton kudo ku mbërrijnë nxënësit e saj, në Kosovë e jashtë saj. Loyola është një pasqyrë e mirë ku të gjitha shkollat shqiptare mund të shihen një herë për të parë se si janë. Jo vetëm hapësirat, infrastruktura apo programet, por më së pari nxënësit e tij janë shprehja e një institucioni të mirëfilltë dijeje dhe edukimi. Kur për herë të parë e pata vizituar këtë gjimnaz në vitin 2010, në një ditë të dyerve të hapura, pata mbetur i mahnitur nga performanca e nxënësve të tij.

Atë ditë ata prezantonin shkollën e tyre. Pater Happel, që ishte themeluesi dhe drejtori i gjimnazit, mësuesit dhe stafi tjetër i shkollës ishin thjesht vizitorë, ndërsa nxënësit, plot pavarësi dhe kompetencë, tregonin se çfarë dinin. Disa kryenin eksperimente kimie apo fizike, të tjerë flisnin latinisht, dy skuadra futbolli vajzash luanin në fushën e madhe të blertë, në amfiteatrin e shkollës të tjerë nxënës vinin në skenë Kopracin e Molierit, në një skenë tjetër një grup shpërthyes rroku me vajza dhe djem elektrizonin atmosferën me energjinë e tyre, e diku më tej një tjetër grup i veshur me kostumet e bukura të Kosovës vallëzonte plot hijeshi nën tingujt e këngëve popullore.

Edhe sot, pas më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh, i kam para sysh ato skena të mrekullueshme të një rinie të shëndetshme dhe të edukuar mirë. Kur Pater Happel më pyeti se çfarë mendoja për shkollën asokohe, unë i pata thënë se kjo është vetëm gjysma e një mrekullie. Për t’u plotësuar ajo, do të duhej që gjysma tjetër të ndërtohej në Tiranë.

Megjithë gatishmërinë e tij dhe të miqve të tij të shumtë për të ngritur një shkollë të këtij niveli dhe profili si Loyola e Prizrenit edhe në Tiranë, deri tani ka rezultuar se kushtet për këtë ende nuk janë pjekur ndër ne. Ethet ende të pashuara vetëm për të marrë, por pa dhënë, duket se e bëjnë të vështirë udhën e Loyolës për në Tiranë, edhe pse ajo që kërkohet nuk janë paratë, por vetëm trualli i përshtatshëm e vullneti pa fjalë.

Por po kthehem përsëri tek Pater Happel. Ai sot është në një moshë të madhe, të cilën megjithatë nuk mund ta shquash kur je me të. Gjermania i ka dhënë urdhrin më të lartë që ky shtet jep për qytetarët që kanë merita të veçanta. Nderime i ka bërë edhe Kosova. Njëzet vjet të jetës së tij ai i ka lënë në qendra të dijes: ndër to dhjetë si drejtor në Kolegjin Sankt Blasien në Gjermani dhe dhjetë në Gjimnazin Loyola në Prizren, për të cilat duket se fjalët për të treguar ua ka lënë nxënësve të tij të shumtë e për vete ka mbajtur heshtjen.

Edhe kur ngjitet në Alpet e Tirolit të Jugut, më shumë preferon të reflektojë në heshtje, këtu ku duket se është më afër Zotit të tij, të cilit i ka shërbyer pa bujë për një jetë të tërë. Teksa rrijmë në muzgun e mbrëmjes në ballkon, nga larg vijnë tingujt e orkestrës frymore të fshatit që bën prova për procesionin e nesërm me rastin e ditës së Shën Marisë.

“Në përgjithësi, unë nuk përzihem shumë në përgatitjet për nesër”, – më thotë, – “njerëzit e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë.”

Dhe e nesërmja nuk vonon. Kisha e vogël në qendër të fshatit nuk ka më vend, ndaj shumica qëndrojnë jashtë saj. Pas meshës vijon procesioni i gjatë. Vetëm treqind banorë ka i gjithë fshati, por orkestra ka më shumë se dyzet muzikantë. Pastaj kori, zjarrfikësit, shoqatat e gjuetarëve, fëmijët, bartësit e shenjtorëve, banorë të tjerë të hijeshuar me kostumet e tyre kombëtare… Sa i madh duket sot ky fshat i vogël ndër Alpe. Ndërsa Pater Happel vijon udhën i zhytur në vetvete, a thua se nuk e sheh procesionin, të cilin duket sikur e drejton në mënyrë të mrekullueshme një tjetër dorë e padukshme.

Pas procesionit është festa. Aty pamja ndryshon plotësisht. Banorët këtu marrin role të tjera. Drejtuesi i orkestrës tashmë ka veshur përparësen e kamarierit, të tjerë gatuajnë, të tjerë shërbejnë. Shërbejnë edhe fëmijët e vegjël bashkë me prindërit. Muzikën tashmë e bëjnë muzikantë të një fshati fqinj që kanë ardhur për ndihmë, pasi vendasit shërbejnë. Të gjithë njerëzit janë në një rol. Një mësues më thotë se turni i tij si pjatalarës fillon nga darka dhe vazhdon deri pas mesnate, kur do të zëvendësohet nga i biri që merr turnin e radhës. Kështu, me turne, vazhdon angazhimi në të gjitha frontet i të gjithëve, edhe pas festës, edhe ditën tjetër, deri kur gjithçka të shkojë në vendin e vet. Të gjithë janë vullnetarë. Të gjithë blejnë ushqimet që kanë përgatitur vetë dhe paratë shkojnë në favor të shoqatave të fshatit, ku ata vetë janë anëtarë. Dhe të gjithë janë të lumtur e krenarë për atë që arrijnë të bëjnë krejtësisht vetë dhe për vete.

Dje u ndava nga Pater Happel. E lashë atje ndër Alpe, teksa lutet, mediton dhe reflekton, aty më afër Zotit. U largova i mbushur me përshtypje të rralla, por edhe me njëfarë brenge e borxhi, të një borxhi që mua më duket se ne i kemi këtij njeriu, prej të cilit, vetëm pas pesëmbëdhjetë vjetësh njohjeje, krejt rastësisht, mora vesh që edhe shtëpinë që ka trashëguar nga e ëma e ka dhuruar në heshtje për një shkollë shqipe në Kosovë.

Tiroli i Jugut, 17 gusht 2026