Irani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin.
Sipas një raportimi të Financial Times, që citon persona pranë regjimit iranian, forcat e Teheranit kanë vlerësuar skenarë për goditjen e aseteve amerikane në Evropën Juglindore.
Mes objektivave të mundshëm përmendet Bullgaria, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë.
Në listën e objektivave të mundshme përmendet edhe Qiproja. Në mars, një bazë ajrore britanike në ishull u godit nga një dron, ndërsa tashmë ajo shihet si një prej pikave që mund të përfshihen në një përgjigje iraniane në rast të një ofensive të re amerikane.
Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë me dije gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit, nëse konflikti do të përshkallëzohej.
Sipas gazetës, këto kërcënime pasqyrojnë klimën në Teheran, ku një pjesë e regjimit e konsideron gjithnjë e më të mundshëm rikthimin e konfliktit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Teherani mund të zgjerojë objektivat përtej goditjeve ndaj forcave amerikane, infrastrukturës energjetike dhe bazave në Lindjen e Mesme.
Garda Revolucionare ka paralajmëruar edhe Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, duke deklaruar se çdo bazë që përdoret për nisjen e sulmeve ndaj territorit iranian do të konsiderohet objektiv legjitim.




