26 Tetor 2026, 23:22
Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka kritikuar guvernatoren aktuale Kathy Hochul, duke e akuzuar për rritjen e taksave dhe kostove të jetesës.
Në një intervistë për emisionin “Prime News24” në News24, Blakeman tha se qytetarët e New York-ut përballen me pasiguri dhe fatura të larta, ndërsa premtoi se, nëse zgjidhet, do të punojë për uljen e taksave dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Blakeman kritikoi gjithashtu politikat e shpenzimeve të administratës së Hochul, duke pretenduar se miliarda dollarë janë përdorur për të mbuluar shërbime për emigrantët që kërkojnë azil.
Sa u përket kostove të energjisë, ai premtoi se do të ndërmarrë masa për uljen e faturave, duke e krahasuar situatën në New York me atë në Pensilvani.
“Ajo nuk na lejon të përdorim gazin. Në Pensilvani e bëjnë këtë dhe faturat i kanë më të ulëta. Unë do t’i ul këto fatura”, deklaroi Blakeman.
Kandidati për guvernator tha se synon të krijojë më shumë vende pune, të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë kushtet ekonomike për familjet.
Ai u shpreh gjithashtu se dallon nga Donald Trump në disa çështje, duke deklaruar se Trump është kundër abortit, ndërsa ai vetë mbështet të drejtën e zgjedhjes.
Pjesë nga intervista:
Çështjet që kanë të bëjnë me fushatën: Kathy Hochul e ka bërë New York-un më të keq. Kemi nivelin më të lartë të taksave në Amerikë. Njerëzit ndihen të pasigurt në komunitetet e tyre. Kathy është guvernatorja më pro krimit në Amerikë. Njerëzit duan ndryshim dhe unë kam treguar se i ul taksat, krijoj vende më të mira pune dhe me paga më të mira. Qarku im ka qenë më i sigurti në Amerikë, sipas të dhënave në media. Unë di si të drejtoj një organizatë të madhe dhe t’i bëj njerëzit të lumtur sërish, duke ulur taksat dhe faturat që paguajnë, si dhe duke vendosur më shumë policë në komunitetet tona.
Unë do të bëj atë që është më e mira për njerëzit e New York-ut. Kathy Hochul është e lidhur me Mamdanin, një komunist që nuk di të drejtojë një qytet të madh. Unë nuk do të shpenzoj miliona dollarë, siç ka bërë Hochul, por do t’u jap qytetarëve shumë më tepër nga sa marrin aktualisht.
Çfarë ju dallon nga Donald Trump?
Ai është pro jetës, ndërsa unë jam pro zgjedhjes. Për sa u përket politikave të emigracionit, unë besoj se njerëzve që e kanë tejkaluar afatin e vizës, që janë punëtorë dhe nuk janë përfshirë në telashe, duhet t’u jepet një leje për të punuar dhe jetuar në SHBA dhe në New York.
Përse duhet t’ju votojë një qytetar i New York-ut që tradicionalisht ka mbështetur demokratët?
Unë jam rizgjedhur edhe me mbështetjen e demokratëve, sepse i mbaj premtimet dhe drejtoj qeverisjen për të gjithë njerëzit.
Kathy Hochul e ka dëmtuar komunitetin. E ritheksoj se ajo ka rritur faturat në atë masë sa qytetarët nuk mund t’i përballojnë, si dhe ka rritur çmimin e energjisë. Në Pensilvani, faturat janë sa gjysma e atyre që paguajnë qytetarët e New York-ut. Ajo ka shpenzuar miliarda dollarë nga paratë tona për njerëzit që vijnë këtu, kërkojnë azil dhe marrin ushqim falas e kujdes shëndetësor në kurrizin tonë.
Ju keni premtuar uljen e faturave të energjisë. Si do ta realizoni këtë?
Ajo dëshiron të na marrë sobat dhe t’i zëvendësojë me soba elektrike. Ajo nuk na lejon të përdorim gazin. Në Pensilvani e bëjnë këtë dhe faturat i kanë më të ulëta. Unë do t’i ul këto fatura duke krijuar vende të reja pune me përfitime, në mënyrë që fëmijët dhe nipërit e emigrantëve të kenë një të ardhme në New York. Unë do të krijoj vende pune, prosperitet dhe një të ardhme më të mirë, ashtu siç kam bërë kudo ku kam drejtuar.
Shqiptaro-amerikanët kontribuojnë në ekonominë dhe jetën qytetare të New York-ut. Çfarë do të bëni për të mbështetur bizneset e tyre?
Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Shqiptarët janë një popull punëtor, që dëshiron një jetë më të mirë për familjet, siguri, taksa më të ulëta dhe arsim më të mirë për fëmijët. Shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në shtetin tonë. Unë do t’i mbështes ata, sepse janë emigrantë që punojnë shumë çdo ditë për të ndërtuar një jetë më të mirë. Shqiptarët janë njerëz të familjes dhe duan të dinë se do të kenë një guvernator që kujdeset për fëmijët, mbesat dhe nipërit e tyre.
Si do t’i mbroni emigrantët shqiptarë përmes politikave të emigracionit?
Jam shumë i vendosur për të larguar emigrantët me të dhëna kriminale. Por emigrantëve të ligjshëm, si dhe atyre të paligjshëm që nuk janë përfshirë në krime, duhet t’u jepet mundësia të përfitojnë atë që u takon dhe jo të marrin gjëra falas.
Çfarë roli mund të luani për të forcuar lidhjet mes New York-ut, Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan?
Do të krijoja marrëveshje miqësie kulturore dhe marrëveshje tregtare me Shqipërinë. Ne duhet të krijojmë biznese të reja në New York, në mënyrë që jeta të bëhet më e mirë. Shqipëria është një vend i mirë dhe mik i Amerikës. Do të mbështesim të gjitha gjërat që janë të mira jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për amerikanët. Ne jemi vende aleate.
Kur ndaj një qeverie në një vend aleat të SHBA-së ngrihen akuza serioze për korrupsion, çfarë duhet të bëjnë institucionet amerikane për të nxitur transparencën dhe përgjegjshmërinë?
Ne duhet të kemi politika që mbështesin vendet që respektojnë parimet demokratike, lejojnë bizneset të operojnë pa ndërhyrjen e qeverisë dhe garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.
Në Shqipëri ka një valë protestash të studentëve kundër qeverisë. Nëse ka pretendime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve, a duhet SHBA-ja të kërkojë publikisht një hetim të pavarur?
Unë nuk i di të gjitha çështjet e brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës. Duhet të mbështesim protestat e lira, por nuk duhet të mbështesim shkatërrimin e pronave apo aktet e dhunës. Këto nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike.
A duhet Uashingtoni ta dënojë publikisht përdorimin e forcës ndaj studentëve që protestojnë kundër qeverisë?
Nëse këta njerëz protestojnë në mënyrë paqësore, nuk duhet të përdoret dhunë. Por, nëse protestuesit shkaktojnë shkatërrime, atëherë edhe forca duhet të përdoret, sepse nuk duhet të ketë kaos, dhunë apo vandalizëm.
25 Tetor 2026, 22:11
NEW YORK (AP) — Administrata e presidentit Donald Trump po zgjeron goditjen ndaj programeve shtetërore të Medicaid-it, duke nisur një hetim për dyshime për mashtrim në shtetin e Nju Jorkut. Ky zhvillim vjen një javë pasi administrata njoftoi ngrirjen e afro 260 milionë dollarëve në financime për Medicaid-in në Minesota, për shkak të pretendimeve të ngjashme.
Administratori i Qendrave për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, njoftoi të martën se administrata Trump ka identifikuar tendenca shqetësuese në programin Medicaid të Nju Jorkut. Ai u kërkoi zyrtarëve të shtetit të paraqesin, brenda 30 ditësh, hollësi mbi mënyrën se si po trajtojnë mashtrimet, shpërdorimet dhe abuzimet në këtë program, në të kundërt rrezikojnë shtyrjen e pagesave.
“Kirurgët e zemrës janë të trajnuar për të shqyrtuar shifrat”, tha Oz, ish-kirurg i njohur i zemrës, në një video të publikuar të martën. “Për momentin, shifrat që vijnë nga programi Medicaid i Nju Jorkut nuk përputhen”. Hetimi i ri është pjesë e një nisme të gjerë të administratës për të luftuar mashtrimet në të gjithë vendin. Zyrtarët federalë thonë se kjo është e nevojshme për të frenuar rritjen e pakontrolluar të shpenzimeve dhe për të mbrojtur taksapaguesit.
Ndërsa shumë votues për zgjedhjet e mesmandatit janë të shqetësuar për koston e jetesës, Trump ka intensifikuar këto përpjekje. Ai ka njoftuar se zëvendëspresidenti JD Vance do të ndihmojë në balancimin e buxhetit kombëtar, duke udhëhequr një fushatë mbarëkombëtare të quajtur “lufta kundër mashtrimit”. Zyrtarët demokratë të shteteve të vëna në shënjestër i kanë dënuar veprimet e administratës republikane, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe potencialisht shkatërruese për miliona njerëz që mbështeten te rrjeti i kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.
Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut thotë se masa është e motivuar politikisht
Në një letër drejtuar guvernatores demokrate të Nju Jorkut, Kathy Hochul, Oz shkroi se niveli i shpenzimeve të shtetit, i kombinuar me “shqetësime serioze” lidhur me mbikëqyrjen e disa shërbimeve të Medicaid-it, kërkon “hetim të menjëhershëm, masa korrigjuese dhe transparencë më të madhe”.
Në letër evidentohen disa fusha shqetësuese, përfshirë përqindjen e lartë të përfituesve të Medicaid-it në Nju Jork që marrin shërbime të kujdesit personal për aktivitetet e përditshme, si larja, higjiena personale dhe përgatitja e vakteve.
Rritja e shpejtë e kostove të Medicaid-it në Nju Jork ka qenë prej kohësh një problem për guvernatorët e shtetit dhe ishte ndër përparësitë kryesore të ish-guvernatorit demokrat Andrew Cuomo, i cili për vite me radhë u përball me rritjen e vazhdueshme të kostos së programit, ndërsa popullsia plaket dhe përfitimet shtohen.
Programi i shtetit, i cili kushtoi 115,6 miliardë dollarë në vitin fiskal 2025, ofron kujdes shëndetësor për rreth një në tre banorë të Nju Jorkut dhe shpenzon më shumë për person sesa programet Medicaid në çdo shtet tjetër amerikan.
Hochul është përpjekur gjithashtu të frenojë kostot përmes një reforme në mënyrën se si administrohet programi i kujdesit shëndetësor në shtëpi.
E pyetur të mërkurën nga gazetarët për letrën e Oz, Hochul tha se administrata Trump po shënjestron një shtet të drejtuar nga demokratët për arsye politike. Megjithatë, ajo shtoi: “Do të më duhet të ngrihem dhe t’u tregoj të vërtetën dhe faktet, për t’u dëshmuar se e kanë gabim. Kur ka mashtrim, unë do t’i ndihmoj ta luftojnë atë”.
Zyra e Hochul deklaroi se hetimi për mashtrimet është një përpjekje e administratës Trump për t’u hequr kujdesin shëndetësor banorëve të zakonshëm të Nju Jorkut.
Ndërkohë, Qendrat për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid (CMS) deklaruan në një përgjigje me email se garantimi i zbatimit të rregullave federale nga shtetet është “një pjesë thelbësore e rolit mbikëqyrës të qeverisë federale”.
Hetimi në Nju Jork vjen pas masave të CMS në shtete të tjera të drejtuara nga demokratët
Hetimi në Nju Jork vjen më pak se një javë pasi CMS pezulloi pagesat e Medicaid-it për Minesotën, për shkak të shqetësimeve lidhur me mashtrimet. Oz deklaroi se fondet do të disbursohen vetëm pasi Minesota të zbatojë “një plan gjithëpërfshirës për marrjen e masave korrigjuese”.
Më herët, administrata kishte përmendur pretendimet për mashtrime që përfshinin qendra të kujdesit ditor të drejtuara nga banorë me origjinë somaleze në zonën e Minneapolisit, si një nga arsyet për një operacion të gjerë të autoriteteve federale në atë zonë.
Guvernatori demokrat i Minesotës, Tim Walz, e cilësoi ngrirjen e re të financimit si “hakmarrje të shënjestruar”.
Të hënën, Minesota paditi administratën Trump për shtyrjen e pagesave. Shteti po apelon gjithashtu vendimin e CMS për të mbajtur pezull 2 miliardë dollarë fonde vjetore nga Medicaid-i, masë e njoftuar në fillim të janarit.
Në fillim të këtij viti, Oz njoftoi se Qendrat për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid (CMS) u kishin dërguar letra guvernatorëve demokratë të shteteve të Meinit dhe Kalifornisë, duke u kërkuar më shumë informacion ose marrjen e masave korrigjuese lidhur me pretendimet për mashtrime në programet publike shëndetësore në këto shtete.
Në ditët pas marrjes së letrës së Oz muajin e kaluar, guvernatorja e Meinit, Janet Mills, deklaroi se nuk do të frikësohej nga administrata dhe e cilësoi kërkesën si “një sulm politik”. Afati prej 30 ditësh që Oz i kishte dhënë për t’u përgjigjur, në të kundërt rrezikonte humbjen e financimeve nga Medicaid-i, pritet të përfundojë këtë javë. Një zëdhënës i Mills nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
“Meini po përballet me një sulm politik nga një president që përdor pretendimet për mashtrim si pretekst për të dërguar agjentë të ICE-it dhe agjentë të tjerë federalë, të kthyer në instrumente presioni, në shtetet e drejtuara nga demokratët, me pasoja shkatërruese.”
Administrata Trump ka kërkuar të paktën edhe dy herë gjatë muajve të fundit të bllokojë fondet për shtetet e drejtuara nga demokratët, duke iu referuar shqetësimeve për mashtrime. Kjo ka ndodhur me subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve dhe programe të tjera të shërbimeve sociale në Minesota, Nju Jork dhe tri shtete të tjera, si dhe me Programin e Ndihmës Suplementare për Ushqimin (SNAP) në 22 shtete, të cilat kanë refuzuar të dorëzojnë të dhënat që, sipas qeverisë federale, janë të nevojshme për të zbuluar mashtrimet.
8 Tetor 2026, 10:53
Gazetarja e famshme amerikane, Isa Soares ka ndarë në rrjetet sociale një pamje të protestës së mbrëmjes së kaluar në Shqipëri, të cilën e ka ndjekur përmes transmetimit në ekranin e televizionit më të madh informativ në vend, News24.
Në postimin e saj në llogarinë e Instagram-it, gazetarja e CNN America, Isa Soares, shkruan: “Në Shqipëri, protestuesit vazhdojnë të dalin dhe të ngrenë zërin… #Dita130”, duke shoqëruar mesazhin me pamje nga protesta e shënuar si “Dita 130”.
Postimi i gazetares së njohur sjell në vëmendje vijimin e protestave dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, ndërsa pamjet tregojnë një numër të konsiderueshëm protestuesish në rrugët e Tiranës, tanimë prej rreth 4 muajsh.

8 Tetor 2026, 09:00
Avokati është garanci Kushtetuese. Çekiçi i gjyqtarit nuk qëndron mbi Kushtetutën. Çmimin e rregullores së GJKKO-së e paguajnë qytetarët.
Nga Av.Xhoi Nela
Kujt po i shërben rregullorja e re e GJKKO-së? Autoriteti i një gjykate buron nga aftësia për të garantuar drejtësi, për të respektuar të drejtat dhe për ta ushtruar pushtetin brenda kufijve të ligjit. Kur një rregullore administrative prodhon përplasje të vazhdueshme me avokatinë, seanca të pazhvilluara dhe masa ndëshkuese ndaj mbrojtësve, pyetja është e pashmangshme, kujt po i shërben ajo?!
Avokati është garanci kushtetuese sepse përmes tij bëhet efektive e drejta e qytetarit për mbrojtje. Neni 31 i Kushtetutës garanton kohën dhe lehtësitë e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes, ndihmën e mbrojtësit të zgjedhur dhe komunikimin e lirë e privat me të. Neni 42 garanton procesin e rregullt ligjor. Këto garanci përcaktojnë kufijtë brenda të cilëve duhet të veprojë edhe administrimi i gjykatës. Një rregullore e brendshme duhet të ju shërbejë atyre. Prandaj, kundërshtimi i kufizimeve që cenojnë punën e AVOKATIT është çështje e mbrojtjes së qytetarit përballë pushtetit shtetëror. Sa herë dobësohen kushtet e ushtrimit të mbrojtjes, dobësohet vetë drejtësia.
Telefoni celular, në ushtrimin bashkëkohor të avokatisë, është mjet pune pasi përmban dokumente, komunikime profesionale, njoftime dhe mundësi të menjëhershme koordinimi. Marrëdhënia avokat–klient kërkon vazhdimësi, përgjegjësi dhe reagim në kohë. Ajo nuk pushon në çastin kur avokati hyn në ndërtesën e një gjykate.
Në përvojën e përditshme timen si Avokate dhe të kolegëve të mi, seancat shpesh zgjasin tri orë ( duke pasur parasyshë llojin e veprave penale që gjykon kjo Gjykatë), pritja gjatë këshillimit të trupit gjykues mund të zgjasë edhe tri orë të tjera. Gjatë kësaj kohe mund të ndalohet një klient tjetër, të lindë nevoja për ndihmë të menjëhershme juridike ose të mbërrijë një njoftim që kërkon veprim urgjent. Për qytetarin e ndaluar, avokati i zgjedhur mund të jetë kontakti i vetëm i besuar që mund të aktivizojë pa vonesë mbrojtjen e tij. Ti heqësh avokatit këtë mundësi komunikimi për orë të tëra do të thotë të cenosh aftësinë e tij për tu përgjigjur detyrimeve profesionale. Disponueshmëria për urgjencat dhe për klientët e tjerë kërkon organizim që respekton edhe seancën në zhvillim. Por një ndalim i përgjithshëm, pa alternativa funksionale, e bën këtë përgjegjësi të pamundur për tu përmbushur.
Siguria dhe solemniteti i gjykimit janë qëllime legjitime. Pikërisht për këtë arsye duhen masa të arsyetuara, si psh: telefoni në heshtje, ndalimi i regjistrimeve të paautorizuara, përdorimi profesional dhe mundësia e komunikimit urgjent gjatë pushimeve apo pritjes. Çdo kufizim duhet të shpjegojë rrezikun konkret që shmang dhe arsyen përse një masë më pak kufizuese nuk mjafton. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e drejtimit të GJKKO-së dhe e kryetarit të saj, të ndërtojë një zgjidhje institucionale për një konflikt që prek funksionimin e drejtësisë. Përse dialogu ende nuk është parë si zgjidhje? Përse ruajtja e pandryshuar e një rregulloreje po merr përparësi ndaj pasojave të saj mbi gjykimin?
Ngurtësia administrative, kur vazhdon pavarësisht kostove të dukshme, krijon përshtypjen e një pushteti që e konsideron rishikimin e vendimeve të veta si humbje autoriteti. Kjo është një mënyrë e rrezikshme për ta kuptuar funksionin publik. Institucioni fiton besueshmëri kur dëgjon, arsyeton dhe korrigjon.
Kujt po i shërbejnë gjobat e njëpasnjëshme ndaj avokatëve?
Gjobat e dokumentuara tregojnë se përplasja tashmë ka marrë pasoja të drejtpërdrejta financiare për mbrojtësit. Nëse ndëshkimi përsëritet ndërsa shkaku institucional mbetet i pazgjidhur, ai rrezikon të shndërrohet në presion mbi një profesion që duhet ta ushtrojë mbrojtjen në mënyrë të pavarur. Çekani gjyqësor simbolizon përgjegjësinë për të dhënë drejtësi. Mbajtja e tij në dorë e shton detyrimin për vetëpërmbajtje, arsyetim dhe respekt.
Mirënjohje meritojnë ata gjyqtarë që, ndonëse në pakicë, kanë vlerësuar pengesat ligjore të mbrojtjes dhe nuk kanë aplikuar gjoba ndaj avokatëve. Në një klimë përshkallëzimi, ata kanë ruajtur masën, pavarësinë e gjykimit dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Këta janë gjyqtarët që meritojmë, ata që i japin peshë fjalës së ligjit dhe nder titullit që mbajnë.
Çështja bëhet edhe më e rëndë kur pasojat bien mbi lirinë e qytetarit. Rasti i Ilir Metës, sipas deklarimit të tij publik, ngre shqetësimin për pezullimin e afateve të paraburgimit ndërkohë që ai është paraqitur në seanca dhe ka kërkuar vijimin e gjykimit. Përse qytetari duhet të mbaj koston e një konflikti institucional që nuk e ka krijuar?
Ligji parashikon raste të pezullimit të afateve të paraburgimit, zbatimi i tyre kërkon bazë ligjore dhe arsyetim konkret. Prania e të pandehurit dhe vullneti për vazhdimin e procesit janë rrethana që duhen shqyrtuar me seriozitet. Neni 5 i KEDNJ-së garanton gjykimin brenda një afati të arsyeshëm ose lirimin në pritje të gjykimit, si dhe kontrollin e shpejtë gjyqësor të ligjshmërisë së ndalimit. Neni 6 garanton procesin e drejtë dhe ndihmën juridike për mbrojtjen. Pezullimi i llogaritjes së një afati nuk e pezullon jetën e njeriut në paraburgim. Ditët vazhdojnë të kalojnë. Liria e humbur gjatë tyre nuk rikthehet përmes një zgjidhjeje të vonuar administrative!
Ndërkohë, orientimi institucional për forcimin e avokatisë është shprehur qartë. Më 6 tetor 2026, gjatë paraqitjes në Komisionin e Ligjeve të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, në kuadër të ratifikimit të saj, ministri i Drejtësisë Toni Gogu e vendosi theksin te avokati i pavarur si garanci për mbrojtjen efektive të qytetarit përballë shtetit.
Edhe projektligji për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, në versionin e paraqitur, synon forcimin e mbrojtjes, akses në prova, ndërhyrje të mbrojtësit gjatë marrjes në pyetje dhe mundësi për veprimtari hetimore në favor të klientit. Si projektligj, ai ende nuk përbën ligj në fuqi. Por fryma e tij është e qartë, mbrojtësi duhet të ketë mjete reale për të ushtruar rolin e tij. Është e vështirë të pajtosh këtë orientim me praktika administrative që ia ngushtojnë dhe cënojnë kushtet e punës.
🇪🇺Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit e lidh mbrojtjen e profesionit me shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Ajo parashikon pavarësinë, mbrojtjen nga ndërhyrjet e papërshtatshme dhe konsultimin efektiv të organizatave profesionale për ndryshimet që prekin avokatinë.
Në të njëjtën frymë duhet lexuar mbështetja e OSBE-së. Në takimin e ambasadorit Michel Tarran me kryetarin e Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, u diskutuan roli i avokatisë në forcimin e shtetit të së drejtës, aksesi në drejtësi, standardet e procesit të rregullt dhe sfidat e profesionit. Mbështetja e shprehur për një sistem drejtësie të përgjegjshëm e efektiv, në bashkëpunim edhe me Dhomën e Avokatisë, e përforcon nevojën për dialog institucional.
Situata është e patolerueshme dhe kërkon reagim të shpejtë. Këshilli i Lartë Gjyqësor, drejtimi i GJKKO-së dhe Ministria e Drejtësisë, secili brenda kompetencave të veta, duhet të krijojnë një tryezë me afate konkrete për rishikimin e dispozitave të kontestuara dhe rikthimin e funksionimit normal të proceseve. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të vlerësojë çdo shkelje sipas procedurave ligjore dhe të reagoj me autoritetin që i buron nga ligji.
Pavarësia e gjykatës dhe pavarësia e avokatit janë garanci që duhet të funksionojnë së bashku. Konflikti i zgjatur mes tyre po dëmton qytetarët, profesionistët dhe besimin publik te drejtësia. Këmbëngulja në ndëshkim (gjobë) pa zgjidhur këtë situatë, po rrezikon ta shndërrojë autoritetin gjyqësor në instrument presioni ndaj mbrojtjes!
Avokati është garanci kushtetuese. Respektimi i tij është respektim i së drejtës së qytetarit për mbrojtje. Një drejtësi që kërkon besimin e publikut duhet ta dëshmojë këtë në çdo rregull, çdo seancë dhe çdo vendim.
Drejtësia nuk matet me numrin e gjobave të GJKKO-s, por me aftësinë për të mbrojtur të drejtat, për të dëgjuar zërin e mbrojtjes dhe për të korrigjuar çdo qasje që dëmton qytetarin. Çekani i gjyqtarit duhet të jetë simbol i ligjit, jo mjet presioni, ndërsa avokati duhet të trajtohet si bashkëgarant i drejtësisë, jo si kundërshtar i saj.
Konflikti për rregulloren e GJKKO-s kërkon dialog institucional dhe zgjidhje të menjëhershme!
3 Tetor 2026, 09:22
Kontrollet e SPAK te Ron Yeffet, Arjeta Puca, Ardi Veliu dhe Ministria e Mbrojtjes e kanë çuar hetimin në zemër të projektit të industrisë ushtarake të promovuar nga Edi Rama, duke vënë nën lupë kompanitë private, kontratat dhe paratë publike pas modelit KAYO. Prokuroria e Posaçme ka ndërhyrë këtë të premte në një prej projekteve më të promovuara nga Edi Rama gjatë dy viteve të fundit: ringritjen e industrisë ushtarake shqiptare përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe partneriteteve të saj me privatët, aty ku del gjithnjë miku i tij Ron Yeffet.
Kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kursyen as banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, bashkë me ambiente të lidhura me Arjeta Pucën dhe Ardi Veliun, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke marrë shkas nga përgjimi që publikoi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën me Çim Pekën në Syri Tv.
Denoncimet e Ahmetajt bëhen për të disatën herë shkak për lëvizjen e SPAK, megjithëse është ende herët për të thënë deri ku do të shkojë kjo dosje.
Sipas raportimeve të deritanishme, janë sekuestruar dokumente, kontrata dhe pajisje elektronike që kanë të bëjnë me projektet e ushtrisë, ndërsa Ardi Veliut raportohet se i është marrë edhe telefoni. SPAK nuk ka bërë ende publike objektin e plotë të procedimit dhe as përgjegjësi penale individuale.
Audio-përgjimi që publikoi Arben Ahmetaj
Audio-regjistrimet që Arben Ahmetaj publikoi më 7 shtator në “Çim Peka Live” kishin të bënin me një bisedë mes Ron Yeffet me disa biznesmenë ukrainas të interesuar për tregtinë e armëve. Ahmetaj tha se kishte në dispozicion rreth tre orë biseda të Yeffet me ukrainasit dhe se ato tregonin një skemë shumë më të gjerë se sa prodhimi shqiptar i armëve.
Në materialet e publikuara flitej për prodhim municionesh në Afrikë, sjelljen e tyre në Shqipëri, paketimin këtu dhe më pas tregtimin në tregje të tjera. Një nga momentet më të rëndësishëm të bisedës ishte dallimi mes faktit se ukrainasit kërkonin që gjithçka të tenderohej rregullisht, ndërsa miku izraelit i Ramës pretendonte se mund të bënte çfarë të donte në Shqipëri, në shpërfillje të ligjit.
Në një tjetër segment të regjistrimit, Yeffet e bën të qartë se kompanitë amerikane duheshin përdorur për fasadë në tregtinë e armëve. Fjalia e atribuar Yeffet ishte veçanërisht domethënëse: “Kompania do të jetë amerikane që t’i mbyllim gojën edhe ambasadës amerikane”.
Që në janar të këtij viti ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur dyshime të rënda ndaj Edi Ramës lidhur me rolin e mikut të tij hebre, biznesmenit kontrovers, Ron Yeffet, në kompaninë shtetërore të armëve KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të ndërtuar për të transferuar prona publike të Forcave të Armatosura në duar private.
Atëherë Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO është krijuar nga qeveria jo për interesa strategjike të mbrojtjes, por për t’i hapur rrugë përfitimit privat, duke treguar edhe VKM-të që janë prodhuar për të arritur këtë synim. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime ekstraligjore për të futur si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, i cilësuar prej Ahmetajt si mik i afërt personal i kryeministrit Rama.
“Industria” e armëve që çon para tek xhepat e kompanive private
Dalëngadalë dolën faktet që lidheshin me një kompani të prodhimit të makinave të themeluar nga një vajzë shqiptare, e quajtur Arjeta Puca, e ardhur nga emigrimi në Turqi. Ajo është promovuar nga vetë kryeministri Rama, madje ka rrëfyer në podkastin e tij historinë e suksesit, që nisi nga dyqani ku i ati punonte si hidraulik.
Rama doli publikisht pranë projektit, ndërsa qeveria miratoi një varg vendimesh që i hapën KAYO-s rrugën drejt prodhimit të mjeteve ushtarake, municioneve dhe dronëve. Madje projekti i industrisë së mbrojtjes është shtrirë edhe te bashkëpunimi me Fincantieri për industrinë detare në Pashaliman. Prandaj kontrollet e 2 tetorit shkojnë përtej Ron Yeffet, Arjeta Pucës apo Ardi Veliut, por vetë projektin e rritjes së financimeve në ushtri që Rama e ka konsideruar si një histori suksesi.
KAYO u krijua me ligjin nr.88/2024 si instrumenti shtetëror për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. Qeveria i ka transferuar prona shtetërore dhe i ka dhënë të drejtën të krijojë shoqëri të përbashkëta me privatët. Në nëntor 2025, një tjetër vendim i qeverisë autorizoi që strukturat e sigurisë të furnizoheshin me produkte të KAYO-s ose kompanive të krijuara prej saj.
Rama e ka sponsorizuar personalisht këtë projekt. Më 31 korrik 2026, kur Forcat e Armatosura morën 40 mjetet e para taktike nga Timak Defence, Kryeministria e shpalli ngjarjen një “ditë historike” për industrinë ushtarake shqiptare. Timak Defence është pikërisht një nga shoqëritë e krijuara sipas formulës së KAYO-s: Timak zotëron 80 për qind dhe kompania shtetërore vetëm 20 për qind.
E njëjta formulë shfaqet te Advanced Arms Technology, e krijuar për armë të kalibrave të vegjël e të mesëm dhe dronë ushtarakë. Aty UNO18 zotëron 80 për qind dhe KAYO 20 për qind. UNO18 u themelua nga Ron Yeffet, ndërsa të dhënat e fundit tregtare e paraqesin atë të ndarë 50 me 50 mes Yeffet dhe Arjeta Pucës. Objekti i kompanisë përfshin prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve, dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, edhe për eksport.
Kush është Ron Yeffet
Ron Yeffet erdhi në Shqipëri si një biznesmen me një të kaluar problematike me qeveri dhe udhëheqës politikë në Afrikë dhe SHBA. Në Senegal, kompanitë e lidhura me të morën kontrata publike gjatë presidencës së Macky Sall; por pas ndryshimit të pushtetit, disa marrëveshje pronësore u rishikuan dhe Develop Sénégal Company është raportuar mes kompanive të përfshira në hetime financiare. Deri tani nuk rezulton se ndaj Yeffet është ngritur akuzë penale në Senegal.
Në SHBA historia është po aq problematike. Në Florida, biznesmeni Mark Faist e ka paditur Yeffet duke pretenduar se i transferoi mbi 8.6 milionë dollarë për investime që nuk u realizuan sipas marrëveshjes. Yeffet i ka kundërshtuar pretendimet dhe ka ngritur kundërpadi.
Në Nju Jork ekziston gjithashtu dokumentacion gjyqësor që tregon se Signature Bank paditi në vitin 2013 Yeffet dhe një kompani të tij për një hua të pashlyer.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se mbi çfarë verifikimesh qeveria shqiptare lejoi që një biznesmen me këtë histori publike të hynte në zemër të sistemit të ri të furnizimit ushtarak.
Spekulimet janë të shumta se kush fshihet pas Ron Yeffet dhe përse një biznesmen izraelito-amerikan ka fituar një rol kaq të madh në industrinë ushtarake në vendin tonë. Pas kontrolleve të BKH-së, mbetet për t’u parë se çfarë fshihet edhe në kontratat, kompjuterët dhe telefonat që SPAK po sekuestron në një projekt që Edi Rama e promovoi publikisht si një nga sukseset strategjike të qeverisë së tij./ Lapsi.al