Analiza/ Trump u kërkoi amerikanëve të votonin sikur ai të ishte në fletën e votimit. Ata e dëgjuan!

Analiza/ Trump u kërkoi amerikanëve të votonin sikur ai të ishte në fletën e votimit. Ata e dëgjuan!

Nga Thoma Gëllçi

Donald Trump u kërkoi amerikanëve që në zgjedhjet e mesmandatit të votonin sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit. Ai besonte se popullariteti i tij do t’u siguronte republikanëve një fitore të madhe. E përsëriti këtë kërkesë gjatë fushatës dhe e ktheu garën për Kongresin në një provë të mbështetjes për të. Amerikanët e dëgjuan. Më 3 nëntor, miliona votues shkuan në qendrat e votimit duke menduar për Trumpin. Dhe ata votuan ashtu si atij nuk ia priste mendja. Kjo tregoi se sa larg ishte ai nga mendimi i popullit amerikan për të.

Rezultatet, të cilat deri në momentet që po shkruajmë ende nuk janë të gjitha përfundimtare, flasin për një humbje të rëndësishme për republikanët. Demokratët fituan gara të vështira, përfshirë disa në shtete ku Trump kishte pasur mbështetje të fortë në vitin 2024. Demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, bile shumë më thellë sesa kishin qenë edhe sondazhet më optimiste. Pakënaqësia ndaj presidentit ndikoi në shumë prej këtyre rezultateve.

Shkaqet e ketij rezultati janë disa. Ekonomia zë vendin kryesor. Por ndikuan edhe mënyra e qeverisjes, konfliktet me institucionet, politika e jashtme dhe sjellja personale e presidentit.

Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë duke premtuar ulje çmimesh, vende pune dhe përmirësim të shpejtë të jetesës. Dy vjet më vonë, një pjesë e amerikanëve nuk shohin ndryshimin që prisnin. Ushqimet kushtojnë shtrenjtë, qiratë janë të larta dhe sigurimet shëndetësore rëndojnë mbi buxhetet familjare.

Presidenti flet për investimet dhe sukseset ekonomike. Qytetarët bëjnë një llogari më të thjeshtë: sa marrin, sa paguajnë dhe sa u mbetet në xhep në fund të muajit.

Politika e tarifave tregtare shtoi pakënaqësinë. Trump argumentoi se ato do të mbronin industrinë amerikane, por tarifat rritën kostot e shumë bizneseve dhe konsumatorëve. Edhe lufta me Iranin solli pasiguri dhe ndikoi në çmimet e energjisë.
Sondazhet në dalje të qendrave të votimit treguan se kostoja e jetesës ishte shqetësimi kryesor i amerikanëve. Një pjesë e madhe mendon se politikat e Trumpit e kishin përkeqësuar gjendjen ekonomike.

Por vota kundër republikanëve nuk ishte vetëm ekonomike. Ajo shprehu edhe pakënaqësi me mënyrën se si Trump ushtron pushtetin.

Mandati i tij i dytë u shoqërua me përplasje me gjykatat, institucionet federale dhe autoritetet e shteteve. Presidenti përdori gjerësisht urdhrat ekzekutivë dhe kërkoi më shumë kontroll mbi administratën. Disa vendime u kundërshtuan në gjykata për shkak të dyshimeve mbi kushtetutshmërinë e tyre.

Trump i ka paraqitur këto kundërshtime si përpjekje për të penguar programin e tij politik. Sulmet ndaj gjykatësve, gazetarëve dhe kundërshtarëve u bënë pjesë e komunikimit të tij të përditshëm. Arroganca, fyerjet dhe tallja me kritikët i mobilizuan mbështetësit më besnikë, por larguan një pjesë të votuesve të pavarur.
Edhe aktivitetet e biznesit të familjes Trump dhe akuzat për konflikte interesi ngritën shqetësime mbi ndarjen midis pushtetit politik dhe përfitimeve private. Administrata i kundërshtoi shumë prej këtyre akuzave, por debatet vazhduan gjatë fushatës.

Për ne shqiptarët nuk është e huaj kjo mënyrë qeverisëse. Ne e dimë që udhëheqësit autoritaristë përdorin argumente të ngjashme për të justifikuar kontrollin mbi institucionet, presionin ndaj mediave dhe sulmet kundër kritikëve.

Në disa prej këtyre vendeve, shumicat parlamentare miratojnë pothuajse çdo vendim të qeverisë. Institucionet e pavarura dobësohen, ndërsa kundërshtimi ndaj kryeministrit paraqitet si kundërshtim ndaj interesave të vendit. Fitoret e njëpasnjëshme zgjedhore përdoren si argument për të justifikuar përqendrimin e pushtetit.

Megjithatë, rezultati amerikan nuk mund të shpjegohet vetëm me shqetësimet për demokracinë. Analizat e mediave treguan dobësim të mbështetjes republikane te votuesit e rinj, një pjesë e elektoratit hispanik dhe votuesit e pavarur. Këto grupe kishin ndihmuar Trumpin të fitonte në vitin 2024, por nuk ishin të gatshme të mbështesnin pa kushte politikat e tij.

Demokratët përfituan nga kjo pakënaqësi. Ata e përqendruan fushatën te kostoja e jetesës, sigurimet shëndetësore dhe kontrolli mbi presidentin. Por vota kundër republikanëve nuk përbën automatikisht mbështetje për të gjithë programin demokrat. Partia Demokratike vazhdon të ketë probleme besueshmërie.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë në dy vitet e mbetura të presidencës Trump. Një Kongres i kontrolluar nga demokratët do të rrisë mbikëqyrjen ndaj administratës, të hetojë konfliktet e interesit dhe të kufizojë disa nisma legjislative të presidentit. Kjo mund të sjellë negociata dhe përplasje të reja politike. Një nga temat që është diskutuar dhe që ka qenë pjesë e fjalimeve të fushatës janë edhe interesat financiare dhe të biznesit në Shqipëri dhe sidomos problematikat që lidhen me ngjarjet e Zvërnecit dhe Sazanit, ku është përfshirë direkt vajza dhe dhëndri i presidentit Trump. Shumë demokratë të fuqishëm kanë thënë që të gjitha këto do të jenë objekt i komisioneve hetimore të Kongresit.

Mesazhi kryesor i zgjedhjeve është më i thjeshtë:
Trump u kërkoi që ta konsideronin veten e tij në fletën e votimit. Amerikanët e morën parasysh.
Disa votuan kundër arrogancës, konflikteve me institucionet dhe përqendrimit të pushtetit. Të tjerë kundër politikave tregtare dhe vendimeve të jashtme. Shumë votuan sepse premtimet për një jetë më të mirë nuk ishin realizuar.

Trump donte që zgjedhjet të ishin një vlerësim për të. Amerikanët e bënë këtë vlerësim. Por, mbi të gjitha, ata votuan duke parë faturën e ushqimeve, qiranë dhe sa para u mbeteshin në xhep në fund të muajit.

Kjo, më shumë se çdo arsye tjetër, shpjegon rezultatin.

Trump në krah të Bruce Blakeman në garën për Guvernator të New York: Ka mbështetjen time të plotë, votoni për të! Kathy Hochul është radikale dhe e rrezikshme

Trump në krah të Bruce Blakeman në garën për Guvernator të New York: Ka mbështetjen time të plotë, votoni për të! Kathy Hochul është radikale dhe e rrezikshme

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish mbështetjen për kandidatin Bruce Blakeman në garën për postin e guvernatorit të shtetit të New York dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për të.

Përmes një postimi, Trump e cilësoi Blakeman si një patriot që mbështet politikën “America First”. Sipas presidentit amerikan, Blakeman ka qenë në krah të tij që në fillimet e lëvizjes politike dhe ka bashkëpunuar ngushtë me agjentët e emigracionit (ICE), Patrullën Kufitare dhe forcat e rendit për forcimin e sigurisë dhe garantimin e rendit publik.

Presidenti amerikan renditi edhe prioritetet që Blakeman do të ndjek nëse zgjidhet guvernator, mes të cilave janë rritja ekonomike, ulja e taksave dhe rregulloreve, nxitja e prodhimit vendas.

Trump nuk i kurseu kritikat ndaj kundërshtares së Blakeman, guvernatores aktuale Kathy Hochul, të cilën e cilësoi si përfaqësuese të së majtës radikale.

Ai thekson se Hochul mbështet rritjen e taksave, kufijtë e hapur, politikat për personat transgjinorë, e të tjera. “Kathy Hochul është e papërgjegjshme, radikale dhe e rrezikshme!”, shkroi Trump.

Donald Trump: Është një nder i madh për mua të shpreh mbështetjen për patriotin e lëvizjes “America First”, Bruce Blakeman, i cili kandidon për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i shtetit të madh të Nju Jorkut!

Bruce, drejtuesi shumë i respektuar dhe mjaft popullor i Qarkut Nassau, është plotësisht në linjë me lëvizjen MAGA dhe ka qenë në krahun tim që në fillim.

Në detyrën e drejtuesit të Qarkut Nassau, ai po punon pa u lodhur së bashku me heronjtë trima të ICE, Patrullës Kufitare dhe forcave të rendit, për të mbajtur kufijtë tanë të sigurt, për të ndaluar krimet e kryera nga emigrantët, për të mbrojtur komunitetin dhe për të garantuar LIGJIN DHE RENDIN.

Kundërshtarja e tij, Kathy Hochul, është një demokrate e së majtës radikale, e cila kërkon rritje masive të taksave, kufij të hapur, pjesëmarrjen e burrave në sportet e grave dhe gjymtimin e fëmijëve tuaj në emër të tranzicionit gjinor. Kathy Hochul është e papërgjegjshme, radikale dhe e rrezikshme!

Nga ana tjetër, si guvernatori juaj i ardhshëm, Bruce do të vazhdojë të luftojë fort për rritjen e ekonomisë, uljen e taksave dhe të rregulloreve, promovimin e produkteve “Made in the U.S.A.”, dominimin energjetik amerikan, forcimin e ushtrisë dhe mbështetjen e veteranëve, avancimin e integritetit të zgjedhjeve dhe mbrojtjen e Amendamentit të Dytë të Kushtetutës, i cili është vazhdimisht nën sulm.

Bruce Blakeman ka mbështetjen time të plotë dhe të pakushtëzuar për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i shtetit të madh të Nju Jorkut.

DILNI DHE VOTONI PËR BRUCE – AI NUK DO T’JU ZHGËNJË KURRË!

Presidenti DONALD J. TRUMP

Zgjedhjet e mesmandatit/ Trump thirrje mbështetësve të dalin masivisht në votime: Do të fitojmë me një diferencë dërrmuese!

Zgjedhjet e mesmandatit/ Trump thirrje mbështetësve të dalin masivisht në votime: Do të fitojmë me një diferencë dërrmuese!

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të dalin masivisht në votime në zgjedhjet e mesmandatit, duke vënë theksin te mobilizimi i mbështetësve të tij për të siguruar një fitore të thellë.

Gjatë një ndërhyrjeje telefonike në televizionin Fox News, në prag të zgjedhjeve, Trump u kërkoi votuesve që të marrin pjesë në proces, duke bërë edhe një batutë për praninë e emrit të tij në fletën e votimit.

“Duhet të shkoni të votoni, të bëni sikur unë jam në fletën e votimit, bëni çfarë të doni, por duhet të votojmë. Nëse njerëzit tanë votojnë, fitojmë me një diferencë dërrmuese”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Zgjedhjet e mesmandatit konsiderohen një provë e rëndësishme politike për administratën amerikane, pasi përcaktojnë përbërjen e Kongresit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e presidentit për të çuar përpara agjendën e tij politike.

Toni Gogu vizitë sekrete në qelinë e Erion Veliajt, i çon kërcënimet e Ramës: Dorëzo urgjentisht mandatin ose kalbesh në burg. Do të orientoj SPAK të…

Toni Gogu vizitë sekrete në qelinë e Erion Veliajt, i çon kërcënimet e Ramës: Dorëzo urgjentisht mandatin ose kalbesh në burg. Do të orientoj SPAK të…

Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca konfirmon për BalkanWeb dhe News24 se mbrëmjen e së premtes më 30 tetor, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka zhvilluar një vizitë urgjente në burgun e Fierit. Vizitë e cila nuk figuron e regjistruar në fletoren e burgut. Bëhet me dije se Gogu ishte veshur sportiv dhe mbante një kapele në kokë atë mbrëmje kur mbërriti në ambientet e burgut.

Në një bisedë mes të dyve në dhomën e izolimit të Veliajt, ministri i Drejtësisë i ka përcjellë porosit ë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.

Gogu i ka thënë Veliajt se kishte disa gjëra që ishte i detyruar t’ia përcillte.

“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:

‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër.

-Dorëzo mandatin urgjentisht.

-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.

-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.

“Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg”.

Ndërkohë, mësohet se Veliaj është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë ministrit të Drejtësisë se; “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ia marr fytyrën fëmijëve të mi”.

Ngjarja është zhvilluar brenda pak minutash. Vetëm mëngjesin e sotëm, Veliaj ka mundur të kontaktojë avokatin e tij, Plarent Ndreca, duke ndarë me të edhe detajet e vizitës. Sipas pretendimeve të bëra, ngjarja ngre pikëpyetje jo vetëm për rolin e ministrit të Drejtësisë, i cili akuzohet se ka përcjellë mesazhin, por edhe për përfshirjen e kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit ngrihen akuza për përdorimin e emrit të SPAK-ut në kontekstin e presioneve ndaj kryebashkiakut i cili mbahet pas hekurave prej datës 10 shkurt 2025.

“Rezultati do të jetë ndryshe, do ta përmbysim”/ Bruce Blakeman sfidon sondazhet: Ne do ta fitojmë New York-un dhe do të shpëtojmë Amerikën (VIDEO)

“Rezultati do të jetë ndryshe, do ta përmbysim”/ Bruce Blakeman sfidon sondazhet: Ne do ta fitojmë New York-un dhe do të shpëtojmë Amerikën (VIDEO)

Kandidati republikan për guvernator të New York-ut, Bruce Blakeman u shfaq optimist për rezultatin e garës elektorale, duke sfiduar parashikimet e sondazheve dhe duke shprehur bindjen se mund të fitojë përballë demokrates Kathy Hochul, guvernatores aktuale të shtetit.

Gjatë një takimi me mbështetësit e tij, Blakeman deklaroi se gara mbetet e hapur dhe se rezultati mund të jetë ndryshe nga ai që parashikojnë sondazhet.

“Ne do ta fitojmë New York-un dhe do të shpëtojmë Amerikën!”, u shpreh ai përpara simpatizantëve, duke përcjellë mesazhin e tij të fushatës dhe besimin te mundësia e fitores.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by News24 Albania (@news24al)