NEW YORK (AP) — Administrata e presidentit Donald Trump po zgjeron goditjen ndaj programeve shtetërore të Medicaid-it, duke nisur një hetim për dyshime për mashtrim në shtetin e Nju Jorkut. Ky zhvillim vjen një javë pasi administrata njoftoi ngrirjen e afro 260 milionë dollarëve në financime për Medicaid-in në Minesota, për shkak të pretendimeve të ngjashme.

Administratori i Qendrave për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, njoftoi të martën se administrata Trump ka identifikuar tendenca shqetësuese në programin Medicaid të Nju Jorkut. Ai u kërkoi zyrtarëve të shtetit të paraqesin, brenda 30 ditësh, hollësi mbi mënyrën se si po trajtojnë mashtrimet, shpërdorimet dhe abuzimet në këtë program, në të kundërt rrezikojnë shtyrjen e pagesave.

“Kirurgët e zemrës janë të trajnuar për të shqyrtuar shifrat”, tha Oz, ish-kirurg i njohur i zemrës, në një video të publikuar të martën. “Për momentin, shifrat që vijnë nga programi Medicaid i Nju Jorkut nuk përputhen”. Hetimi i ri është pjesë e një nisme të gjerë të administratës për të luftuar mashtrimet në të gjithë vendin. Zyrtarët federalë thonë se kjo është e nevojshme për të frenuar rritjen e pakontrolluar të shpenzimeve dhe për të mbrojtur taksapaguesit.

Ndërsa shumë votues për zgjedhjet e mesmandatit janë të shqetësuar për koston e jetesës, Trump ka intensifikuar këto përpjekje. Ai ka njoftuar se zëvendëspresidenti JD Vance do të ndihmojë në balancimin e buxhetit kombëtar, duke udhëhequr një fushatë mbarëkombëtare të quajtur “lufta kundër mashtrimit”. Zyrtarët demokratë të shteteve të vëna në shënjestër i kanë dënuar veprimet e administratës republikane, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe potencialisht shkatërruese për miliona njerëz që mbështeten te rrjeti i kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut thotë se masa është e motivuar politikisht
Në një letër drejtuar guvernatores demokrate të Nju Jorkut, Kathy Hochul, Oz shkroi se niveli i shpenzimeve të shtetit, i kombinuar me “shqetësime serioze” lidhur me mbikëqyrjen e disa shërbimeve të Medicaid-it, kërkon “hetim të menjëhershëm, masa korrigjuese dhe transparencë më të madhe”.

Në letër evidentohen disa fusha shqetësuese, përfshirë përqindjen e lartë të përfituesve të Medicaid-it në Nju Jork që marrin shërbime të kujdesit personal për aktivitetet e përditshme, si larja, higjiena personale dhe përgatitja e vakteve.

Rritja e shpejtë e kostove të Medicaid-it në Nju Jork ka qenë prej kohësh një problem për guvernatorët e shtetit dhe ishte ndër përparësitë kryesore të ish-guvernatorit demokrat Andrew Cuomo, i cili për vite me radhë u përball me rritjen e vazhdueshme të kostos së programit, ndërsa popullsia plaket dhe përfitimet shtohen.

Programi i shtetit, i cili kushtoi 115,6 miliardë dollarë në vitin fiskal 2025, ofron kujdes shëndetësor për rreth një në tre banorë të Nju Jorkut dhe shpenzon më shumë për person sesa programet Medicaid në çdo shtet tjetër amerikan.

Hochul është përpjekur gjithashtu të frenojë kostot përmes një reforme në mënyrën se si administrohet programi i kujdesit shëndetësor në shtëpi.

E pyetur të mërkurën nga gazetarët për letrën e Oz, Hochul tha se administrata Trump po shënjestron një shtet të drejtuar nga demokratët për arsye politike. Megjithatë, ajo shtoi: “Do të më duhet të ngrihem dhe t’u tregoj të vërtetën dhe faktet, për t’u dëshmuar se e kanë gabim. Kur ka mashtrim, unë do t’i ndihmoj ta luftojnë atë”.

Zyra e Hochul deklaroi se hetimi për mashtrimet është një përpjekje e administratës Trump për t’u hequr kujdesin shëndetësor banorëve të zakonshëm të Nju Jorkut.

Ndërkohë, Qendrat për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid (CMS) deklaruan në një përgjigje me email se garantimi i zbatimit të rregullave federale nga shtetet është “një pjesë thelbësore e rolit mbikëqyrës të qeverisë federale”.

Hetimi në Nju Jork vjen pas masave të CMS në shtete të tjera të drejtuara nga demokratët
Hetimi në Nju Jork vjen më pak se një javë pasi CMS pezulloi pagesat e Medicaid-it për Minesotën, për shkak të shqetësimeve lidhur me mashtrimet. Oz deklaroi se fondet do të disbursohen vetëm pasi Minesota të zbatojë “një plan gjithëpërfshirës për marrjen e masave korrigjuese”.

Më herët, administrata kishte përmendur pretendimet për mashtrime që përfshinin qendra të kujdesit ditor të drejtuara nga banorë me origjinë somaleze në zonën e Minneapolisit, si një nga arsyet për një operacion të gjerë të autoriteteve federale në atë zonë.

Guvernatori demokrat i Minesotës, Tim Walz, e cilësoi ngrirjen e re të financimit si “hakmarrje të shënjestruar”.

Të hënën, Minesota paditi administratën Trump për shtyrjen e pagesave. Shteti po apelon gjithashtu vendimin e CMS për të mbajtur pezull 2 miliardë dollarë fonde vjetore nga Medicaid-i, masë e njoftuar në fillim të janarit.

Në fillim të këtij viti, Oz njoftoi se Qendrat për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid (CMS) u kishin dërguar letra guvernatorëve demokratë të shteteve të Meinit dhe Kalifornisë, duke u kërkuar më shumë informacion ose marrjen e masave korrigjuese lidhur me pretendimet për mashtrime në programet publike shëndetësore në këto shtete.

Në ditët pas marrjes së letrës së Oz muajin e kaluar, guvernatorja e Meinit, Janet Mills, deklaroi se nuk do të frikësohej nga administrata dhe e cilësoi kërkesën si “një sulm politik”. Afati prej 30 ditësh që Oz i kishte dhënë për t’u përgjigjur, në të kundërt rrezikonte humbjen e financimeve nga Medicaid-i, pritet të përfundojë këtë javë. Një zëdhënës i Mills nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

“Meini po përballet me një sulm politik nga një president që përdor pretendimet për mashtrim si pretekst për të dërguar agjentë të ICE-it dhe agjentë të tjerë federalë, të kthyer në instrumente presioni, në shtetet e drejtuara nga demokratët, me pasoja shkatërruese.”

Administrata Trump ka kërkuar të paktën edhe dy herë gjatë muajve të fundit të bllokojë fondet për shtetet e drejtuara nga demokratët, duke iu referuar shqetësimeve për mashtrime. Kjo ka ndodhur me subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve dhe programe të tjera të shërbimeve sociale në Minesota, Nju Jork dhe tri shtete të tjera, si dhe me Programin e Ndihmës Suplementare për Ushqimin (SNAP) në 22 shtete, të cilat kanë refuzuar të dorëzojnë të dhënat që, sipas qeverisë federale, janë të nevojshme për të zbuluar mashtrimet.