Analiza/ Tani protesta duhet të ruajë edhe plazhet

Analiza/ Tani protesta duhet të ruajë edhe plazhet

Nga Thoma Gëllçi

Ka dalë një detyrë e re për protestën në Tiranë. Përveçse duhet të kërkojë zgjedhje të ndershme, rregulla demokratike, institucione që funksionojnë, kontroll mbi pushtetin dhe një shtet normal, tani duhet të merret edhe me rendin në Ksamil. Mundësisht të caktojë nga dy protestues në çdo plazh, një tjetër në hyrje të lokaleve të natës dhe një grup rezervë për hotelet.

Këtë përfundim mund ta nxjerrësh fare lehtë nga disa shkrime të mbrojtesve te pushtetit për vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Po të lexosh këto analiza, përgjegjësia mbërrin te protesta. Pyetja që bënte njëri sot ishte: pse nuk protestojnë për vrasjet, por për “ngordhjen e zogjve”.

Duhet të jesh shumë i cekët të mos kuptosh se protesta që kërkon ndryshimin e mënyrës së qeverisjes është edhe protestë kundër vrasjes së turistit portugez. Ajo nuk po kërkon vetëm ndryshimin e disa emrave në zyra. Po kërkon një shtet ku rregullat zbatohen, ku institucionet bëjnë punën e tyre dhe ku pushteti nuk kujtohet për sigurinë pasi ndodh ngjarja.

Protesta kërkon një shtet që duhet të dijë kush punon në sektorin e sigurisë, kush mban përgjegjësi për klientët e një lokali, kush merr licencë, kush kontrollohet, kush është i përshtatshëm për një punë të caktuar dhe kush jo. Duhet të kontrollojë bizneset, lokalet, hotelet dhe hapësirat publike. Duhet të pengojë që njerëzit e fortë, sidomos ata me lidhje politike, të bëjnë çfarë të duan në zonat turistike.

Jo shumë kohë më parë mori flakë një hotel në një nga zonat kryesore turistike të Vlorës. Edhe aty nuk mund t’u kërkohej protestuesve të kontrollonin fikëset e zjarrit, daljet e emergjencës, sistemet e alarmit dhe planet e evakuimit.

Kur një hotel funksionon, dikush duhet ta kishte kontrolluar. Kur një lokal merr licencë, dikush duhet ta ketë firmosur. Kur një aktivitet zhvillohet pranë mijëra turistëve, dikush duhet të garantojë standardet e sigurisë.

Përndryshe shteti reduktohet në një zyrë që jep leje dhe del në televizor pas fatkeqësisë.

Qeveritarët mbeten duke postuar video dhe foto nga natyra shqiptare, plazhet dhe duke numëruar turistët që hyjnë në territorin e Shqipërisë. Nuk di si ta shpjegosh se Qeveria nuk ka ndërtuar detin Adriatik dhe as Jonin. Nuk ka bërë Ksamilin, Dhërmiun, Vlorën, Plazhin e Gjeneralit apo malet e Shqipërisë. Ato kanë qenë aty. I kemi dhuratë nga Perëndia.

Merita e një qeverie nuk është se Shqipëria ka det të bukur. Nuk është meritë as të postosh video apo të reklamosh, qoftë edhe në mediat ndërkombëtare, se Shqipëria është e bukur. Nuk është meritë e qeverisë që njerëzit janë mikpritës dhe se ushqimet e Shqipërisë janë të shijshme.

Merita e saj fillon kur turisti mbërrin te ai det apo tek ai mal. A ka rrugë? A ka ujë? A ka kanalizime? A pastrohen mbeturinat? A kontrollohen ushqimet? A ka ambulancë? A funksionon policia? A respektohen standardet e hoteleve? A kontrollohen masat kundër zjarrit? A ka plane evakuimi? A janë plazhet publike apo janë ndarë sipas fuqisë së pronarit të lokalit më të afërt?

Këto janë punët e qeverisë.

Prandaj është pak komike që pas një vrasjeje të rëndë në Ksamil të përfundojmë duke kërkuar llogari nga protesta në Tiranë. Protesta nuk ka armë, komisariate, kamera sigurie, inspektorë, licenca dhe buxhet shteti. Protesta ka vetëm kërkesa politike.

Dhe një nga këto kërkesa është pikërisht krijimi i një shteti që të bëjë të gjitha ato që sot po kërkojmë t’i bëjnë protestuesit.

Nëse kërkon një shtet normal, kërkon edhe plazhe më të sigurta. Kërkon edhe lokale më të kontrolluara. Kërkon edhe më pak njerëz të paprekshëm nga ligji. Kërkon edhe inspektorë që kontrollojnë dhe jo vetëm firmosin. Kërkon polici që parandalon dhe jo vetëm mbërrin pasi ka ndodhur vrasja. Kërkon institucione që nuk dallojnë midis qytetarit të zakonshëm dhe biznesmenit me mik në pushtet.

Protesta për demokracinë nuk është e shkëputur nga siguria e jetës.

Është pikërisht pjesë e së njëjtës kërkesë.

Sa për krahasimet se Parisi, Berlini, Barcelona apo Napoli janë më të rrezikshëm, ato mund të jenë interesante për turistët që zgjedhin destinacionin e radhës. Por nuk ndryshojnë asgjë nga përgjegjësitë e shtetit shqiptar.

Nëse vidhet një turist në Barcelonë, nuk bëhet më e pranueshme të vritet një turist në Ksamil. Nëse ka krim në Berlin, nuk i ulet detyra policisë në Sarandë. Dhe nëse digjet një hotel në ndonjë vend tjetër europian, kjo nuk e përjashton administratën shqiptare nga detyrimi për të kontrolluar hotelin në Vlorë.

Por nga ato që lexoj nëpër rrjete sociale duket sikur detyra e protestës është patrullimi i plazheve, kontrolli i hoteleve, licencimi i lokaleve, inspektimi i kuzhinave, verifikimi i fikëseve të zjarrit dhe ruajtja e rendit pas mesnate. (Pastrimin e ka marrë përsipër me kohë, sepse një pjesë e aktivistëve që janë në protestë, i sheh edhe duke pastruar plehra dhe hedhurina në plazhe dhe vende publike.)

Qeveria, ndërkohë, mund të vazhdojë të promovojë detin. Ajo është puna më e vështirë. Duhet ruajtur koha me diell, këndi i ndriçimit dhe pozicioni i kamerës. Nuk është kollaj.

FOTOLAJM/ 80 ditë revoltë! Qytetarët ultimatum Ramës, mesazhi në bulevard: Dorëhiqu!

FOTOLAJM/ 80 ditë revoltë! Qytetarët ultimatum Ramës, mesazhi në bulevard: Dorëhiqu!

Edhe mbrëmjen e sotme, protestuesit kanë lënë një mesazh për kryeministrin, në rrugën para godinës së Kryeministrisë.

“Dorëhiqu!”, ka qenë mesazhi dhe kërkesa e pa negociueshme për kreun e qeverisë, kur sot është shënuar dita e 80 e protestës.

Gjatë protestës së sotme nuk kanë munguar mesazhet e qytetarëve në lidhje me vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat përballen shqiptarët, ndërkohë që kanë vijuar thirrjet për Prokurorinë e Posaçme, për arrestimin e “peshqve të mëdhenj” përfshirë Ramën dhe Ballukun.

Shehaj denoncon: Kapri u kërcënua nga zyrtari i PS! Ja mesazhi që iu dërgua deputetit të Partisë Mundësia

Shehaj denoncon: Kapri u kërcënua nga zyrtari i PS! Ja mesazhi që iu dërgua deputetit të Partisë Mundësia

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar se deputeti Erald Kapri është kërcënuar sipas tij nga një zyrtar i Partisë Socialiste.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj bën me dije se në telefonin e deputetit Kapri ka ardhur një mesazh ku shkruhej: “Mos vazhdo më, se ndryshe do ta tregojmë ne!”

Ndërkohë vetë deputeti Kapri pretendon se ky kërcënim i ka ardhur sipas tij pas denoncimit të bërë nga ai për drejtoreshën e Postës në Durrës.

Në reagimin që shoqëron videon, Shehaj shkruan:

“Pasi vodhën me çanta paratë e pensionistëve, zagarët e Edi Ramës kërkojnë t’i mbyllin gojën deputetit të Partisë Mundësia. Kur kërcënojnë një deputet, imagjinoni çfarë u bëjnë këta qytetarëve të zakonshëm, pa imunitet!
Asnjë hap pas. Do denoncojmë çdo padrejtësi dhe do flasim për këdo që nuk ka zë dhe është i pambrojtur përballë pushtetit banditesk e të korruptuar të Edi Ramës.”

Bien aksionet e Meta-s ndërsa fillon gjyqi me 29 shtete amerikane

Bien aksionet e Meta-s ndërsa fillon gjyqi me 29 shtete amerikane

Fillimi i procesit gjyqësor kundër Meta Platforms në gjykatën federale të Oakland-it në Kaliforni ka dhënë goditjen e parë të menjëhershme në bursë. Aksionet e kompanisë prind të Facebook dhe Instagram pësuan një rënie prej 3,5% në Wall Street, duke zbritur nën nivelin e 500 dollarëve.

Reagimi negativ i tregjeve financiare pasqyron pasigurinë e investitorëve përballe një koalicioni prej 29 prokurorësh të përgjithshëm shtetërorë, të cilët akuzojnë kompaninë e Mark Zuckerberg për nxitjen e sjelljeve problematike dhe dëmtimin e shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve.

Akuzat e rënda në seancën hapëse

Gjatë argumenteve hyrëse, përfaqësuesit e shtetit të Kalifornisë paraqitën një qëndrim mjaft agresiv ndaj gjigantit teknologjik, duke e krahasuar strategjinë e tij me atë të kompanive të duhanit në vitet 1990.

“Meta skllavëroi dhe shfrytëzoi të miturit, si dhe mashtroi publikun. Kompania shfrytëzoi funksionimin e trurit të fëmijëve,” deklaroi Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë, Megan O’Neil, përpara trupës gjykuese.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, nënvizoi se Meta projektoi vetëdijshëm produkte të rrezikshme për përdoruesit e rinj.

“Meta projektoi një produkt që ishte i rrezikshëm për përdoruesit e rinj, e dinte se ishte i rrezikshëm dhe më pas i gënjeu fëmijët, familjet dhe komunitetin për rreziqet e tij. Ne jemi të përgatitur ta mbajmë Metën përgjegjëse,” u shpreh Bonta.

Çfarë kërkojnë shtetet dhe rreziku i ndryshimit të algoritmeve

Procesi gjyqësor, i cili pritet të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë, pason një humbje të mëparshme ligjore të Metës në Nju Meksiko, ku kompania u detyrua të paguajë gati 1 miliard dollarë. Megjithatë, pesha ligjore e Kalifornisë mund të detyrojë ndryshime akoma më thelbësore përmes një urdhri gjyqësor kombëtar.

Nëse konstatohet shkelja e ligjeve federale, përfshirë Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë së Fëmijëve në Internet (COPPA), prokurorët kërkojnë fshirjen e të dhënave, eliminimin e plotë të të dhënave personale të grumbulluara për fëmijët nën 13 vjeç; asgjësimin e algoritmeve dhe modeleve të Inteligjencës Artificiale të trajnuara me këto të dhëna; ndryshimin rrënjësor të mekanizmave të rekomandimit që nxisin qëndrimin e zgjatur në aplikacione.

Mbrojtja e Metës: Kërkesat financiare janë joproporcionale

Nga ana e saj, kompania Meta i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe me prapavijë të ekzagjeruar financiare.

Përmes një deklarate zyrtare, përfaqësuesit e Metës u shprehën se koalicioni po përpiqet të penalizojë kompaninë për sfida që i përkasin të gjithë industrisë:

“Akuzat e kufizuara nga koalicioni i prokurorëve të përgjithshëm janë të pabaza dhe kërkesat e tyre financiare janë joproporcionale, duke mos ofruar asnjë provë se dikush në shtetet e tyre është mashtruar. Ata po përpiqen ta penalizojnë Metën për çështje të zakonshme në të gjithë industrinë, siç është verifikimi i moshës.”

Gjyqi në Oakland shihet nga ekspertët e sektorit si një pikë kthyese që mund të ridefinojë të gjithë modelin e biznesit të rrjeteve sociale në nivel global.

Vrasja e turistit portugez në Sarandë, shkon në 12 numri i të arrestuarve, mes tyre edhe një oficer i burgjeve

Vrasja e turistit portugez në Sarandë, shkon në 12 numri i të arrestuarve, mes tyre edhe një oficer i burgjeve

Ka shkuar në 12 numri i personave të arrestuar për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Mendes në “Principotes” në Ksamil. Hetimet për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Mendes në Ksamil po zgjerohen te personat që ndodheshin në “Principotes” dhe te veprimet e kryera menjëherë pas krimit. Numri i të arrestuarve ka arritur në 12. Mes tyre Sokrat Vata, 29 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes, si dhe persona të tjerë që po hetohen për rolin e tyre në ngjarje dhe pas saj.

Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër. Matushaj mban detyrën e Ndihmës Specialistit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.

Por krahas detyrës në polici, nga hetimet rezulton se Matushaj punonte edhe si truprojë për kompaninë “Elite Security” në “Principotes”. Në të njëjtin shërbim sigurie punonte edhe Sokrat Vata. Hetuesit dyshojnë se Matushaj e ndihmoi 29-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes pasi Miguel Mendes u vra.

Vata arriti të largohej nga Ksamili pas krimit. Policia e lokalizoi dhe e arrestoi disa orë më vonë në Fier. Ai u kap në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti. Hetimi po përqendrohet për këtë arsye jo vetëm te momenti kur u vra turisti, por edhe te mënyra se si autori i dyshuar arriti të largohej nga kompleksi dhe te personat që mund ta kenë ndihmuar.

Po ashtu në pranga ka rënë Luçiano Seferi, punonjës në Burgun e Fierit. Një tjetër zhvillim është shpallja në kërkim e Bekim Bulicës.

Bulica rezulton pronari në hije i “Principotes”, ndërsa në dokumente pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe. Autoritetet duhet të përcaktojnë rolin konkret të Bulicës dhe arsyen ligjore të shpalljes së tij në kërkim. Emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe më parë në materiale të lidhura me hetime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Klodiana Lala zbardh prapaskenat: Pozita ligjore e Ballukut është rënduar, po këqyren dhjetëra telefona nga SPAK! Priten zhvillime nga dosja “Aruba”

Klodiana Lala zbardh prapaskenat: Pozita ligjore e Ballukut është rënduar, po këqyren dhjetëra telefona nga SPAK! Priten zhvillime nga dosja “Aruba”

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në “News24”, ka analizuar ecurinë e disa prej dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur nga rëndimi i pozitës ligjore të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, hetimet mbi pasurinë e Erion Veliajt, e deri te aferat e AKSHI-t dhe dosja “Aruba”.

Sipas gazetares, pozita ligjore e Belinda Ballukut është rënduar për shkak të akuzave të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Prokurorët dyshojnë se lotët e Unazës së Madhe janë paracaktuar nga ajo dhe vartësit e saj. Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka projektuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.

Kontroll është ushtruar edhe ndaj një arkitekti në Vlorë, ndërsa aktualisht po kqyren 53 telefonë celularë me autorizim të gjykatës. SPAK ka afat hetimor deri më 20 tetor, me mundësi shtyrjeje edhe me tre muaj. Balluku mbetet zyrtarja më e lartë e marrë si e pandehur nga drejtësia.

Ajo shtoi se në fokus të SPAK mbetet edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin po vijon hetimi pasuror. Nga verifikimi i hyrje-daljeve ka rezultuar se Veliaj ka kryer mbi 100 udhëtime jashtë vendit brenda dy viteve e gjysmë, çka do të thotë se për gati një vit ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Paralelisht, prokurorët po hetojnë edhe një ish-ministre të Partisë Socialiste lidhur me rolin e saj në disa transferta monetare jashtë vendit.

Gazetarja u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, ku shtetasi Ermal Beqiraj u arrestua nga autoritetet franceze. Ai kishte blerë një kështjellë në Francë, avionë të lehtë që i pilotonte vetë dhe kishte hapur kompani në vende të BE-së. Sa i përket dosjes “Aruba”, ku përfshihen Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe grupet “Koçeku” e “Hamzai”, priten zhvillime të reja lidhur me takimet e zhvilluara në Aruba, Majorka e vende të tjera. Po ashtu, vijojnë hetimet për pastrim parash ndaj organizatës së Shpëtim Aliut, ndërsa dinamikat e brendshme në SPAK mund të sjellin edhe çështje të tjera surprizë.

Trump publikon hartën ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si territor i SHBA-së

Trump publikon hartën ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si territor i SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një imazh ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet si “territor i ri i SHBA-së”, duke rikthyer në vëmendje deklaratat e tij të fundit për këtë rrugë strategjike ujore.

Trump shpërndau në rrjetet sociale një hartë të Ngushticës së Hormuzit, mbi të cilën ishte vendosur mbishkrimi “Territor i ri i SHBA-së”. Publikimi vjen disa ditë pasi presidenti amerikan deklaroi se Uashingtoni mund ta shpallë ngushticën territor amerikan.

Duke folur më 14 gusht, Trump pretendoi se Marina amerikane po zbatonte një bllokadë të plotë të Hormuzit dhe deklaroi se, pas mposhtjes së Iranit, SHBA-ja do të merrte kontrollin e kësaj zone strategjike.

Trump ka deklaruar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit dhe se ky kontroll mund të ruhet edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë përsëritur se ngushtica nuk do të rihapet nëse SHBA-ja nuk ndalon ndërhyrjen dhe bllokadën detare, ndërsa kërkojnë gjithashtu respektimin e kushteve të marrëveshjes së arritur mes Teheranit dhe Washingtonit.