SPAK heton “industrinë e armëve”/ Kontrolle te Ron Yeffet, Arjeta Puca, Ardi Veliu dhe Ministria e Mbrojtjes

SPAK heton “industrinë e armëve”/ Kontrolle te Ron Yeffet, Arjeta Puca, Ardi Veliu dhe Ministria e Mbrojtjes

Kontrollet e SPAK te Ron Yeffet, Arjeta Puca, Ardi Veliu dhe Ministria e Mbrojtjes e kanë çuar hetimin në zemër të projektit të industrisë ushtarake të promovuar nga Edi Rama, duke vënë nën lupë kompanitë private, kontratat dhe paratë publike pas modelit KAYO. Prokuroria e Posaçme ka ndërhyrë këtë të premte në një prej projekteve më të promovuara nga Edi Rama gjatë dy viteve të fundit: ringritjen e industrisë ushtarake shqiptare përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe partneriteteve të saj me privatët, aty ku del gjithnjë miku i tij Ron Yeffet.

Kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kursyen as banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, bashkë me ambiente të lidhura me Arjeta Pucën dhe Ardi Veliun, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke marrë shkas nga përgjimi që publikoi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën me Çim Pekën në Syri Tv.

Denoncimet e Ahmetajt bëhen për të disatën herë shkak për lëvizjen e SPAK, megjithëse është ende herët për të thënë deri ku do të shkojë kjo dosje.

Sipas raportimeve të deritanishme, janë sekuestruar dokumente, kontrata dhe pajisje elektronike që kanë të bëjnë me projektet e ushtrisë, ndërsa Ardi Veliut raportohet se i është marrë edhe telefoni. SPAK nuk ka bërë ende publike objektin e plotë të procedimit dhe as përgjegjësi penale individuale.

Audio-përgjimi që publikoi Arben Ahmetaj
Audio-regjistrimet që Arben Ahmetaj publikoi më 7 shtator në “Çim Peka Live” kishin të bënin me një bisedë mes Ron Yeffet me disa biznesmenë ukrainas të interesuar për tregtinë e armëve. Ahmetaj tha se kishte në dispozicion rreth tre orë biseda të Yeffet me ukrainasit dhe se ato tregonin një skemë shumë më të gjerë se sa prodhimi shqiptar i armëve.

Në materialet e publikuara flitej për prodhim municionesh në Afrikë, sjelljen e tyre në Shqipëri, paketimin këtu dhe më pas tregtimin në tregje të tjera. Një nga momentet më të rëndësishëm të bisedës ishte dallimi mes faktit se ukrainasit kërkonin që gjithçka të tenderohej rregullisht, ndërsa miku izraelit i Ramës pretendonte se mund të bënte çfarë të donte në Shqipëri, në shpërfillje të ligjit.

Në një tjetër segment të regjistrimit, Yeffet e bën të qartë se kompanitë amerikane duheshin përdorur për fasadë në tregtinë e armëve. Fjalia e atribuar Yeffet ishte veçanërisht domethënëse: “Kompania do të jetë amerikane që t’i mbyllim gojën edhe ambasadës amerikane”.

Që në janar të këtij viti ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur dyshime të rënda ndaj Edi Ramës lidhur me rolin e mikut të tij hebre, biznesmenit kontrovers, Ron Yeffet, në kompaninë shtetërore të armëve KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të ndërtuar për të transferuar prona publike të Forcave të Armatosura në duar private.

Atëherë Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO është krijuar nga qeveria jo për interesa strategjike të mbrojtjes, por për t’i hapur rrugë përfitimit privat, duke treguar edhe VKM-të që janë prodhuar për të arritur këtë synim. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime ekstraligjore për të futur si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, i cilësuar prej Ahmetajt si mik i afërt personal i kryeministrit Rama.

“Industria” e armëve që çon para tek xhepat e kompanive private
Dalëngadalë dolën faktet që lidheshin me një kompani të prodhimit të makinave të themeluar nga një vajzë shqiptare, e quajtur Arjeta Puca, e ardhur nga emigrimi në Turqi. Ajo është promovuar nga vetë kryeministri Rama, madje ka rrëfyer në podkastin e tij historinë e suksesit, që nisi nga dyqani ku i ati punonte si hidraulik.

Rama doli publikisht pranë projektit, ndërsa qeveria miratoi një varg vendimesh që i hapën KAYO-s rrugën drejt prodhimit të mjeteve ushtarake, municioneve dhe dronëve. Madje projekti i industrisë së mbrojtjes është shtrirë edhe te bashkëpunimi me Fincantieri për industrinë detare në Pashaliman. Prandaj kontrollet e 2 tetorit shkojnë përtej Ron Yeffet, Arjeta Pucës apo Ardi Veliut, por vetë projektin e rritjes së financimeve në ushtri që Rama e ka konsideruar si një histori suksesi.

KAYO u krijua me ligjin nr.88/2024 si instrumenti shtetëror për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. Qeveria i ka transferuar prona shtetërore dhe i ka dhënë të drejtën të krijojë shoqëri të përbashkëta me privatët. Në nëntor 2025, një tjetër vendim i qeverisë autorizoi që strukturat e sigurisë të furnizoheshin me produkte të KAYO-s ose kompanive të krijuara prej saj.

Rama e ka sponsorizuar personalisht këtë projekt. Më 31 korrik 2026, kur Forcat e Armatosura morën 40 mjetet e para taktike nga Timak Defence, Kryeministria e shpalli ngjarjen një “ditë historike” për industrinë ushtarake shqiptare. Timak Defence është pikërisht një nga shoqëritë e krijuara sipas formulës së KAYO-s: Timak zotëron 80 për qind dhe kompania shtetërore vetëm 20 për qind.

E njëjta formulë shfaqet te Advanced Arms Technology, e krijuar për armë të kalibrave të vegjël e të mesëm dhe dronë ushtarakë. Aty UNO18 zotëron 80 për qind dhe KAYO 20 për qind. UNO18 u themelua nga Ron Yeffet, ndërsa të dhënat e fundit tregtare e paraqesin atë të ndarë 50 me 50 mes Yeffet dhe Arjeta Pucës. Objekti i kompanisë përfshin prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve, dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, edhe për eksport.

Kush është Ron Yeffet
Ron Yeffet erdhi në Shqipëri si një biznesmen me një të kaluar problematike me qeveri dhe udhëheqës politikë në Afrikë dhe SHBA. Në Senegal, kompanitë e lidhura me të morën kontrata publike gjatë presidencës së Macky Sall; por pas ndryshimit të pushtetit, disa marrëveshje pronësore u rishikuan dhe Develop Sénégal Company është raportuar mes kompanive të përfshira në hetime financiare. Deri tani nuk rezulton se ndaj Yeffet është ngritur akuzë penale në Senegal.

Në SHBA historia është po aq problematike. Në Florida, biznesmeni Mark Faist e ka paditur Yeffet duke pretenduar se i transferoi mbi 8.6 milionë dollarë për investime që nuk u realizuan sipas marrëveshjes. Yeffet i ka kundërshtuar pretendimet dhe ka ngritur kundërpadi.

Në Nju Jork ekziston gjithashtu dokumentacion gjyqësor që tregon se Signature Bank paditi në vitin 2013 Yeffet dhe një kompani të tij për një hua të pashlyer.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se mbi çfarë verifikimesh qeveria shqiptare lejoi që një biznesmen me këtë histori publike të hynte në zemër të sistemit të ri të furnizimit ushtarak.

Spekulimet janë të shumta se kush fshihet pas Ron Yeffet dhe përse një biznesmen izraelito-amerikan ka fituar një rol kaq të madh në industrinë ushtarake në vendin tonë. Pas kontrolleve të BKH-së, mbetet për t’u parë se çfarë fshihet edhe në kontratat, kompjuterët dhe telefonat që SPAK po sekuestron në një projekt që Edi Rama e promovoi publikisht si një nga sukseset strategjike të qeverisë së tij./ Lapsi.al

Drafti i Qeverisë për Kodin e Procedurës Penale alarmon gjyqtarët dhe prokurorët/ BIRN: U mbajt i fshehtë, mund të cenojë hetimet e SPAK ndaj korrupsionit

Drafti i Qeverisë për Kodin e Procedurës Penale alarmon gjyqtarët dhe prokurorët/ BIRN: U mbajt i fshehtë, mund të cenojë hetimet e SPAK ndaj korrupsionit

Drafti i qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale pritet me shqetësim nga gjyqtarët dhe prokurorët vendas, të cilët theksojnë se procesi u mbajt sekret dhe rrezikon të pengojë hetimet anti-korrupsion.

Nga Vladimir Karaj | BIRN

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë dhe ndezi një debat të ri mbi fatin e luftës kundër korrupsionit.

Duke folur në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale”. Rama tha se dhjetë vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.

“Nëse deri tani, e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se në Shqipëri “peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit”.

Qeveria e paraqiti nismën si një produkt të hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Por drafti i kapi në befasi prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë.

“Gjithçka është bërë sekrete, ndaj dhe sot nuk isha në atë takim. Sepse u kërkova një kopje dhe nuk ma nisën,” tha për BIRN Engert Pëllumbi, gjyqtar i Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Një prokuror i Prokurorisë së Posaçme i tha gjithashtu BIRN në kushtet e anonimatit se magjistratët e SPAK nuk kishin pasur akses në draft përpara se mërkurës. Duke theksuar se i duhej ende kohë për t’u njohur me të gjitha propozimet, ai e cilësoi paketën si “një përpjekje për të sterilizuar institucionin”.

Edhe më i ashpër ishte një ish-prokuror me përvojë të gjatë, i cili e quajti draftin “masakër” me gabime të rënda, detajet e të cilit mbeteshin të paqarta.

“Duket ose si porosi nga avokatë, ose si porosi e hallexhinjve që presin të përballen me dyert e drejtësisë,” tha ai për BIRN, duke shtuar se ndryshimet “nuk kanë shqetësimin e shumicës dërrmuese dhe nuk zgjidhin problemet e njerëzve normalë”.

Një analizë e projektligjit dhe e relacionit tregon se nisma kodifikon disa garanci të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, direktivave të BE-së dhe Gjykatës Kushtetuese për paraburgimin dhe barazinë e armëve. Megjithatë, drafti fut filtra që vështirësojnë këqyrjen e celularëve, shkurtojnë përgjimet, detyrojnë njoftimin e funksionarëve publikë pesë ditë para masave të sigurimit, kufizojnë gjyqtarët paraprakë dhe vendosin autorizim paraprak gjyqësor mbi raportimin mediatik.

Përfaqësues të opozitës e kundërshtuan draftin dhe akuzuan Ramën se po përdorte Këshillin e Evropës si mburojë për të bllokuar hetimet e SPAK-ut.

“Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Ndryshimet për paraburgimin
Gjatë prezantimit të projektligjit, kryeministri Edi Rama iu referua raportit SPACE të Këshillit të Evropës, sipas të cilit 62% e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, kundrejt mesatares evropiane prej 26% dhe Rusisë me 30%.

“Në vitin 2026 duhet të nisim t’i japim fund edhe kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike; të hetimit pa afat, si ushtrim force arbitrare mbi individin,” deklaroi kryeministri, sipas së cilit “një drejtësi që thotë: ‘më mirë një fajtor jashtë sesa një i pafajshëm brenda’, nuk është më e dobët, po më e fortë”.

Mbështetur në raportet e Këshillit të Evropës dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, projektligji vendos detyrimin që masat shtrënguese jepen si rregull vetëm për vepra me dënim maksimal mbi 3 vjet burgim, ndërsa “arresti në burg” ndalohet kur maksimumi i dënimit është nën 5 vjet ose kur parashikohet dënim deri në 3 vjet.

Neni 228 kërkon “prova konkrete dhe të verifikueshme” dhe ndalon përdorimin e heshtjes si provë rrezikshmërie për caktimin e masës së sigurisë. Ndryshimet po ashtu parashikojnë pavlefshmëri dhe përgjegjësi disiplinore për gjyqtarin që nuk bën arsyetim të pavarur nga kërkesa e prokurorit. Paketa krijon gjithashtu “hetimet e mbrojtjes”, ku avokati mbledh prova me vlerë të barabartë me prokurorin, bën të detyrueshëm regjistrimin audioviziv të pyetjeve.

Opozita e quajti këtë shqetësim hipokrizi, duke kujtuar se qeveria që nga viti 2013 përdori burgun për çdo problem social, përfshirë aksionet për energjinë ku u arrestuan mbi një mijë vetë. “Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt,” u shpreh Bardhi.

Ndërkohë, neni 105 i dispozitave kalimtare detyron gjykatat të verifikojnë kryesisht brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të gjitha masat e sigurimit aktive, dhe brenda 3 ditëve “arrestin në burg” kur kjo nuk lejohet më sipas ligjit të ri.

Zyrtarët e dyshuar për korrupsion
Hetimet e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, preken drejtpërdrejt nga kreu i parë i draftit, ku parashikohen veprimet që ndërmerren pas sekuestrimit të pajisjeve elektronike, i bazuar sipas referencave në vendimin e vitit 2025 të Kushtetueses mbi mbrojtjen e korrespondencës.

“Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës,” tha Rama.

Projektligji ndërton një procedurë të detajuar dhe komplekse që ngushton hetimin digjital. Sipas parashikimeve në draft, edhe në flagrancë apo urgjencë, policia dhe prokurori mundet vetëm ta sekuestrojnë celularin pa të drejtë ta aksesojnë pa vendim gjykate. Nga kjo mbrojtje e korrespondencës përjashtohen rastet e dyshimeve për terrorizëm, krimeve kundër jetës, krimeve seksuale, rrëmbimit dhe trafiqeve, por jo të akuzuarit për korrupsionin.

Sipas draftit, gjykata cakton paraprakisht kategoritë e të dhënave, aplikacionin elektronik ku do të kërkohet, periudhën kohore dhe fjalët kyçe që do të kërkohen. Nëse gjatë këqyrjes dalin të dhëna përtej këtyre fjalëve kyçe apo kufizimeve në urdhrin e gjykatës, prokurori detyrohet të kërkojë autorizim të ri, ndërsa në fund zhvillohet një kontroll i dytë gjyqësor me palët dhe çdo provë në tejkalim të autorizimit shpallet e papërdorshme.

Në fjalimin e tij, Rama garantoi se “për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”. Por teksti i projektligjit tregon se në tri dispozita kyçe, nga lehtësimet përjashtohet vetëm krimi i organizuar, duke lënë jashtë përjashtimit korrupsionin.

Ndërkohë edhe masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë, përfshi ato të pezullimit nga detyra nuk mund të merren, pa e njoftuar personin të paktën 5 ditë përpara me akuzën dhe pa e marrë në pyetje.

Për hetime me afat të përcaktuar, nenet 65 dhe 66 të draftit i japin të drejtë të dyshuarit t’i kërkojë gjyqtarit “retrodatimin”, pra caktimin e një date të mëparshme kur duhej regjistruar si i dyshuar, çka sjell llogaritjen prapavepruese të afateve të hetimit dhe papërdorshmërinë e provave të marra para regjistrimit.

Gjithashtu drafti parashikon se nëse gjykata nuk vendos brenda 48 orëve mbi kërkesën e të dyshuarit për akses në akte, provat i jepen automatikisht atij duke caktuar përgjegjësi disiplinore për prokurorin.

Drafti po ashtu parashikon kufizime për median. Neni 10 ndalon publikimin e vendimeve për masat e sigurimit, të përgjimeve të pacituara në vendim, të pamjeve të personave në pranga dhe të akteve hetimore deri në fillimin e gjykimit të themelit, përjashton ankimin te Komisioneri për Informimin për këto akte. Në pikën 14 kërkon autorizim paraprak gjyqësor edhe për dokumentet që gazetarët i kanë tashmë në dorë. “Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave… Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor”, thuhet në draft.

Një ish-prokuror i tha BIRN se parashikimet për masa disiplinore dhe kërkesat e rritura ndaj prokurorëve dukej qartë që synonin ndër të tjera të trembnin dhe pengonin përpjekjet për të hetuar korrupsionin.

“Zonë e Lirë” me Arjan Çanin, tashmë në ekranin e News24. Çdo të premte në orën 21:00

“Zonë e Lirë” me Arjan Çanin, tashmë në ekranin e News24. Çdo të premte në orën 21:00

Një tjetër emër i njohur dhe i spikatur i ekranit shqiptar i bashkohet televizionit më të madh informativ në vend, News24.

Gazetari dhe moderatori Arjan Çani vjen në News24 me “Zonë e Lirë”, një nga talk-show-t më të veçantë dhe më të identifikueshëm në televizionet shqiptare.

Në një ekran si News24, me audiencë të gjerë e cilësore, “Zonë e Lirë” vjen me identitetin e veçantë dhe me ambicien për t’i dhënë të premtes një tjetër ritëm.

“Zonë e Lirë”, me një histori shumëvjeçare, ka sfiduar skemat tradicionale të intervistës televizive, duke ndërthurur politikën, aktualitetin, debatet sociale dhe personazhet publike me një stil të lirshëm, provokues dhe shpeshherë të paparashikueshëm.

I drejtpërdrejtë, me komunikimin pa filtra dhe mënyrën krejt origjinale të trajtimit të personazheve dhe aktualitetit, Arjan Çani i ka dhënë emisionit një identitet krejt të veçantë e të pangjashëm me ndonjë tjetër.

Prania e “Zonë e Lirë” në News24 pasuron programacionin e televizionit, duke sjellë një hapësirë të re debati, analizash dhe përballjesh me personazhet që formësojnë aktualitetin.

Publiku do të gjejë te “Zonë e Lirë” personazhe interesantë, tema të forta, pyetje të drejtpërdrejta dhe biseda të paparashikueshme, në një hapësirë ku takohen aktualiteti, debati dhe e papritura.

“Zonë e Lirë”, me Arjan Çanin, çdo të premte në orën 21:00, në News24.

Zv/Presidenti i Hysenbelliu Group, Fatmir Hysenbelliu i ftuar në tryezën e rrumbullakët të Project Legacy në New York: Paqja e qëndrueshme, garancia e vetme për zhvillim gjithëpërfshirës

Zv/Presidenti i Hysenbelliu Group, Fatmir Hysenbelliu i ftuar në tryezën e rrumbullakët të Project Legacy në New York: Paqja e qëndrueshme, garancia e vetme për zhvillim gjithëpërfshirës

Project Legacy mblodhi në New York liderë ndërkombëtarë, diplomatë dhe figura nga bota e biznesit e shoqërisë civile më 24 shtator, për Tryezën e Rrumbullakët Presidenciale dhe mbrëmjen gala, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë event mori pjesë dhe Zv. Presidenti i Hysenbelliu Group, Z. Fatmir Hysenbelliu.

Mbrëmja u zhvillua në sallën “Penthouse Ballroom” të ndërtesës “Mutual of America”, ku u shqyrtuan mënyrat se si marrëdhëniet midis vendeve dhe sektorëve mund të forcojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta globale. Diskutimi u moderua nga Eric Gertler, Kryetar Ekzekutiv dhe CEO i “U.S. News & World Report”.

Eric Gertler, Kryetar Ekzekutiv dhe CEO i “U.S. News & World Report”

Duke kremtuar tetë dekada bashkëpunimi global, takimi pasqyroi bindjen se progresi fillon kur njerëzit kapërcejnë kufijtë dhe barrierat institucionale për të punuar drejt një qëllimi të përbashkët. Ajo ofroi një mundësi për të vlerësuar arritjet e partneritetit ndërkombëtar, duke hedhur njëkohësisht vështrimin drejt punës që mbetet për t’u bërë – në fushën e kujdesit shëndetësor, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të jetës së komuniteteve anembanë botës.

Kamel Ghribi, Kryetar i “GKSD Investment Holding” dhe President i “GSD Healthcare”, drejtoi mbrëmjen gala, e cila nderoi individë puna e të cilëve ka çuar përpara shërbimin publik, shëndetësinë, diplomacinë dhe progresin humanitar.

Kamel Ghribi, Kryetar i “GKSD Investment Holding” dhe President i “GSD Healthcare” dhe Angelino Alfano, ish-ministër i Drejtësisë në Itali

Të nderuarit ishin: Sh.T. Dr. William Samoei Ruto (Presidenti i Kenias), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus (Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH) , Sh.T. Dr. Khaled Abdel Ghaffar (Ministër i Shëndetësisë dhe Popullsisë në Egjipt), Angelino Alfano (Ish-ministër i Drejtësisë në Itali), Lartësia e Saj Mbretërore Jennifer James Mbombo Njoyain (Bashkëshortja e Ibrahim Mbombo Njoya, Sulltanit dhe Mbretit tradicional të Bamounëve) dhe Kapiteni Douglas Chukwu (Mjek kirurg Nigeri organizata”Coefficient Giving).

Në fjalën e tij përshëndetëse, Zv. Presidenti i Hysenbelliu Group, Z. Fatmir Hysenbelliu u shpreh: “Ky event prestigjioz zhvillohet në një kohë kur bota mes politikës dhe biznesit, është fokusuar tek Inteligjenca Artificiale dhe ekonomia globale. Por ajo që mendoj është që fokusi duhet të jetë e të mbetet mbi të gjitha tek paqja e qëndrueshme mes vendeve, rajoneve në konflikt dhe popujve. Kjo paqe duhet të burojë pikësëpari nga liderë që gjejnë gjuhën, respektojnë dhe dëgjojnë popullin e tyre, si një kusht parësor për të arritur paqen edhe me vendet fqinje dhe miqtë ndërkombëtarë. Harmonia mes vendeve duhet të arrihet përmes çdo mekanizmi dhe bashkëpunimi, si një objektiv primar në kohët që jetojmë dhe garanci e vetme për një zhvillim gjithëpërfshirës”.

Zv/Presidenti i Hysenbelliu Group, Z. Fatmir Hysenbelliu

Gjithashtu edhe Z.Ezra Friedlander, themelues dhe president i Project Legacy, në fjalën e tij vuri theksin tek qëllimi i këtij eventi si një vlerësim i njerëzve lidershipi i të cilëve ka bërë ndryshim shumë përtej komuniteteve të tyre.

Ezra Friedlander, themelues dhe president i Project Legacy

“Diplomacia fillon me njerëz të gatshëm të ulen së bashku, të dëgjojnë me vëmendje dhe të gjejnë një arsye për të vepruar së bashku,” tha ai.

 

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi: 95 ditë protestë, qeveria përgjigjet me dhunë e polici

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi: 95 ditë protestë, qeveria përgjigjet me dhunë e polici

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve gjatë protestës së djeshme para kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë për përdorim të forcës ndaj protestuesve.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se protesta ka hyrë në ditën e 95-të dhe se, sipas tij, përgjigjja e qeverisë ka qenë dhuna dhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit. “95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici!”, shkruan Bardhi.

Ai akuzon pushtetin se, në mungesë të argumenteve dhe përballë pakënaqësisë qytetare, po përdor forcën për të frikësuar protestuesit. “Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë”, thekson deputeti demokrat.

Bardhi ka dënuar gjithashtu atë që e cilëson si “keqpërdorim të Policisë së Shtetit” dhe dhunën ndaj protestuesve. Në reagimin e tij, ai kërkon edhe lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar, të cilët i konsideron të arrestuar padrejtësisht. “Ky nuk është pushteti i forcës. Është pushteti që ka frikë nga qytetarët”, përfundon Bardhi.