Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve gjatë protestës së djeshme para kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë për përdorim të forcës ndaj protestuesve.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se protesta ka hyrë në ditën e 95-të dhe se, sipas tij, përgjigjja e qeverisë ka qenë dhuna dhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit. “95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici!”, shkruan Bardhi.

Ai akuzon pushtetin se, në mungesë të argumenteve dhe përballë pakënaqësisë qytetare, po përdor forcën për të frikësuar protestuesit. “Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë”, thekson deputeti demokrat.

Bardhi ka dënuar gjithashtu atë që e cilëson si “keqpërdorim të Policisë së Shtetit” dhe dhunën ndaj protestuesve. Në reagimin e tij, ai kërkon edhe lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar, të cilët i konsideron të arrestuar padrejtësisht. “Ky nuk është pushteti i forcës. Është pushteti që ka frikë nga qytetarët”, përfundon Bardhi.