Mbi 1,600 produkte bazë të konsumit kanë nisur të shiten me çmime më të ulëta në Greqi, në kuadër të një marrëveshjeje mes qeverisë, prodhuesve, furnitorëve dhe rrjeteve të supermarketeve.

Ulja mesatare e çmimeve është rreth 7%, ndërsa për shumicën e produkteve reduktimi varion nga 5 deri në 7%. Për artikuj të veçantë, zbritja arrin deri në 30%.

Në listë përfshihen produkte të përditshme si mishi, qumështi, djathi, vezët, buka, mielli, makaronat, orizi dhe vaji, por edhe detergjentë, produkte higjiene, pelena dhe artikuj shkollorë.

Vetëm për artikujt shkollorë janë përfshirë mbi 450 kode, me një ulje mesatare prej rreth 10%, ndërsa në kategorinë e mishit janë përfshirë rreth 60 produkte, me një reduktim mesatar prej 7.2%.

Pjesëmarrja e kompanive në këtë skemë është vullnetare. Uljet duhet të jenë të paktën 5% dhe të aplikohen mbi çmimin normal të raftit, për një periudhë nga dy deri në katër muaj. Pra, ato nuk duhet të paraqiten thjesht si oferta promocionale apo zbritje të përkohshme.

Në nismë janë bashkuar më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 zinxhirë supermarketesh dhe tre zinxhirë që tregtojnë lodra e artikuj shkollorë.

Produktet me çmime të reduktuara do të identifikohen me një shenjë të posaçme në raft. Konsumatorët mund të kontrollojnë gjithashtu çmimet dhe përqindjen e uljes përmes platformës shtetërore “PosoKanei”, e cila mundëson edhe krahasimin e çmimeve mes supermarketeve.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e cilësoi masën si një lehtësim konkret për familjet, duke pranuar se ajo nuk zgjidh të gjitha problemet që lidhen me koston e jetesës.

Nisma vjen në një kohë kur çmimet e ushqimeve, qiratë dhe shërbimet vijojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet e familjeve greke.