Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e 93-të radhazi, duke shënuar më shumë se tre muaj mobilizim të pandërprerë në Tiranë.

Edhe sot, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, prej nga do të marshojnë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kryeministrisë. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Prej 92 ditësh, tubimet janë zhvilluar çdo ditë, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Krahas largimit të Ramës dhe kabinetit qeveritar, platforma e artikuluar gjatë protestave përfshin edhe krijimin e një qeverie tranzitore dhe ndryshimin e sistemit politik.

Protesta e 92-të, e zhvilluar një ditë më parë, nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë. Protestuesit mbanin pankarta, përdorën bilbila dhe hodhën thirrje kundër qeverisë, ndërsa gjatë marshimit u dëgjua edhe slogani “Arresto Ballukun”.

Në fjalën e saj përpara Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se protestat do të vijojnë deri në largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ajo kritikoi gjithashtu sistemin aktual politik, duke theksuar se qytetarët nuk duan të zgjedhin më mes “dy liderëve autokratikë”, por kërkojnë një ndryshim të modelit politik dhe një Shqipëri të re.

Edhe aktivisti Arben Kola mbajti një qëndrim të ashpër ndaj mazhorancës. Ai tha se qytetarët janë mbledhur për t’i thënë “shporru” qeverisë, ndërsa u ndal veçanërisht te situata në Kukës, duke akuzuar pushtetin për shpopullimin dhe neglizhimin e kësaj zone.

Gjatë protestës foli edhe një nënë e rikthyer nga emigracioni. Ajo tha se kishte vendosur të kthehej në Shqipëri pasi, sipas saj, “atdheu është në rrezik”, ndërsa u bëri thirrje prindërve që t’u bashkohen të rinjve në protestë.

Protestuesja pretendoi gjithashtu se gjatë marshimit drejt Kryeministrisë ishin hedhur vezë nga lart në drejtim të turmës.

Një tjetër protestuese deklaroi se, sipas saj, qeveria po shfaq shenja frike dhe se pas 92 ditësh qytetarët nuk mashtrohen më nga ajo që e cilësoi si “fasadë” të pushtetit.

Protestuesit pritet të rikthehen edhe sot përpara Kryeministrisë, duke vijuar protestën e përditshme dhe duke përsëritur kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.