Sot shënohet dita e 91-të e protestës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët vijojnë të mblidhen në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik.

Protesta vjen pas 90 ditësh mobilizimi të njëpasnjëshëm, gjatë të cilave protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhe kundër qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës. Në platformën e tyre kërkohet gjithashtu krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor dhe ndryshimi i kursit politik të vendit.

Gjatë protestës së mbrëmshme, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Dje në ditën e 90-të, protestuesit e cilësuan lëvizjen si një revoltë qytetare kundër klasës së vjetër politike. Përmes pankartave u përcoll edhe mesazhi “90 ditë, një kërkesë: llogaridhënie”, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e protestave.

Edhe sot, në ditën e 91-të, qytetarët pritet të mblidhen në shesh dhe të marshojnë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar që presioni qytetar të vijojë deri në një ndryshim politik.

Ndërkohë, për 12 shtatorin është paralajmëruar një protestë kombëtare, ku pritet t’i bashkohet lëvizjes edhe Diaspora.