Michael Jackson do të festonte më 29 gusht, 68-vjetorin e lindjes. Edhe 17 vite pas vdekjes së tij, emri i Mbretit të Pop-it vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, me evente në SHBA, projekte të reja filmike, muzikë që rikthehet në klasifikime dhe një brez të ri artistësh që vazhdon të frymëzohet prej tij.

Michael Jackson lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana dhe ndërroi jetë në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare. Sot, në qytete të ndryshme të botës, fansat po e shënojnë ditëlindjen e tij me aktivitete dhe homazhe.

Spike Lee rikthen “BK Loves MJ” në Brooklyn
Një prej aktiviteteve më të mëdha zhvillohet në Brooklyn, ku regjisori Spike Lee rikthen festën e përvitshme “BK Loves MJ”. Eventi zhvillohet sot në Fort Greene Park dhe është një festë falas shtatëorëshe, me muzikë dhe kërcim. Në të do të jetë edhe DJ Spinna, ndërsa organizimi realizohet në partneritet me Jordan Brand.

Spike Lee është prej vitesh një prej admiruesve më të mëdhenj publikë të Michael Jackson dhe festa në Brooklyn është kthyer në një prej aktiviteteve më të njohura për fansat e këngëtarit.
Edhe Las Vegas do kujtojë Michael Jackson
Në Las Vegas, ditëlindja e Jackson po shënohet me një event të veçantë gjatë shfaqjes “Michael Jackson ONE”, produksioni i Cirque du Soleil i dedikuar muzikës dhe trashëgimisë së këngëtarit.
Fansat janë mbledhur për një festë speciale që kulmon me një performancë të veçantë të kastit të shfaqjes.
Gary nderon djalin e saj më të famshëm
Edhe qyteti i lindjes së Michael Jackson, Gary në Indiana, po e kujton ikonën e tij.

Sot dhe nesër zhvillohet “2300 Jackson Street Block Party”, një aktivitet dyditor që nderon Michael Jackson dhe familjen Jackson. Programi përfshin muzikë, DJ, të ftuar dhe aktivitete të ndryshme për komunitetin.
Në të njëjtën kohë, një koleksion i ri i krijuar në bashkëpunim me markën Actively Black po përdoret edhe për të mbledhur fonde në ndihmë të Gary-t, qytetit që prej vitesh përballet me probleme sociale dhe ekonomike.
“Michael” riktheu Mbretin e Pop-it në kinema
Një prej arsyeve pse 68-vjetori i Jackson është edhe më i veçantë këtë vit është suksesi i filmit biografik “Michael”. Në rolin e Michael Jackson shfaqet nipi i tij, Jaafar Jackson. Filmi ka rikthyer historinë e këngëtarit përpara një audience të re dhe ka hapur diskutime të shumta mbi jetën, karrierën dhe figurën e tij.

Suksesi i filmit ka sjellë tashmë edhe diskutime për një vazhdim. Jaafar Jackson ka zbuluar se një film i dytë mund të trajtojë periudhat më të komplikuara të jetës së Michael Jackson, përfshirë akuzat, të cilat nuk u përfshinë në filmin e parë për arsye ligjore. Sipas Jaafar, vazhdimi do të përpiqet ta tregojë historinë edhe nga këndvështrimi i vetë Michael Jackson.
Muzika e Michael Jackson vazhdon të jetojë
Në ditëlindjen e tij, edhe muzika e Michael Jackson po rikthehet në qendër të vëmendjes. Këngët dhe albumet e tij vazhdojnë të jenë pjesë e klasifikimeve muzikore, ndërsa katalogu i tij mbetet një prej pasurive më të rëndësishme në historinë e muzikës pop.
“Thriller”, “Billie Jean”, “Beat It”, “Bad”, “Smooth Criminal” dhe dhjetëra hite të tjera vazhdojnë të dëgjohen nga miliona njerëz në mbarë botën. Gjatë vitit 2026, muzika e Jackson ka përjetuar një rikthim të fortë në vëmendjen e publikut. Mediat kanë raportuar për performancën e këngëve të tij në platformat e streaming-ut dhe për interesin e një gjenerate të re, e cila po e zbulon artistin përmes rrjeteve sociale, TikTok-ut dhe filmit “Michael”.

Por ndikimi i Jackson shkon përtej muzikës. Nga “Moonwalk”-u te koreografitë, moda, videoklipet dhe mënyra e ndërtimit të spektaklit, stili i tij vazhdon të frymëzojë dhe të përshtatet nga artistë të rinj. Festimet dhe aktivitetet e organizuara në Brooklyn, Las Vegas dhe Gary, së bashku me projektet e reja që lidhen me trashëgiminë e tij, tregojnë se interesi për Mbretin e Pop-it mbetet i fortë.
17 vjet pas vdekjes së tij, Michael Jackson vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të kulturës globale. Ditëlindja e tij nuk është vetëm një moment nostalgjie për fansat, por edhe një kujtesë e ndikimit të jashtëzakonshëm që ai pati në muzikë, kërcim, modë dhe kulturën pop. Artistë të rinj vazhdojnë të frymëzohen nga muzika e tij, “Moonwalk”-u dhe mënyra unike e performancës, duke e mbajtur gjallë trashëgiminë e tij për breza të rinj.

Michael Jackson, ndër humanitarët më të mëdhenj në botë
Michael Jackson u njoh jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe për humanizmin dhe përkushtimin ndaj kauzave sociale. Ai ishte një nga figurat më të njohura të artit për angazhimin e tij humanitar.

Gjatë jetës së tij, vlerësohet se Michael Jackson dhuroi mbi 500 milionë dollarë për kauza bamirësie dhe mbështeti 39 organizata humanitare, një rekord i njohur nga Guinness World Records për një artist pop. Kjo shifër është raportuar edhe nga Los Angeles Times, megjithëse shuma e saktë mund të jetë më e madhe, sepse shumë donacione i bënte në mënyrë private.
Ai kontribuoi gjithashtu në projekte si “We Are the World”, që mblodhi fonde për luftën kundër urisë.
Michael dhuroi 1.5 milionë dollarë për trajtimin e viktimave të djegieve. Pas aksidentit me djegie në vitin 1984, ai i dhuroi të gjithë shumën prej 1.5 milionë $ të marrë nga marrëveshja, për krijimin e një qendre për trajtimin e djegieve.
Përmes Heal the World Foundation, ai dërgoi 46 tonë ndihma në Sarajevë. Nëpërmjet aktiviteteve të tij humanitare, Jackson ndihmoi njerëz dhe komunitete në vende të ndryshme të botës.









