Policia e Beratit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së trafikut gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorit, që zhvillohet nga 18 deri më 25 gusht 2026.

Specialisti i Trafikut Urban dhe Interurban në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, nënkomisar Lorenc Tanushi, bëri të ditur se fokusi kryesor i masave është parandalimi i aksidenteve, menaxhimi i trafikut dhe garantimi i sigurisë për pelegrinët dhe banorët gjatë gjithë periudhës së aktivitetit.

Për këtë qëllim, Policia ka parashikuar shtim të shërbimeve në rrugët që lidhin qytetin e Beratit me malin e Tomorit, si dhe në zonën përreth Teqesë së Kulmakut.

Në zbatimin e planit do të angazhohen efektivë të DVP Berat, FNSH Fier dhe Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore, në bashkëpunim me pushtetin vendor, PMNZSH-në, Spitalin Rajonal të Beratit dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Për të shmangur kaosin në qarkullim, Policia ka përcaktuar edhe rrugët që duhet të ndjekin automjetet drejt dhe nga Teqeja e Kulmakut.

Për udhëtimin drejt teqesë, itinerari i përcaktuar është: hyrja e Beratit, Rrethrrotullimi i Kombinatit, Unaza e qytetit, Rrethrrotullimi i Uznovës, Kryqëzimi i Plirëzit dhe më pas Teqeja e Kulmakut.

Ndërsa për kthimin nga mali i Tomorit do të përdoren dy drejtime alternative: përmes Bargullazit dhe Pronovikut, ose përmes Novajt dhe Bogovës. Të dyja rrugët vijojnë në drejtim të Poliçanit, Uznovës dhe më pas lidhen me rrugën “Antipatrea”.

Pelegrinëve dhe drejtuesve të mjeteve që mbërrijnë nga Çorovoda u është rekomanduar të përdorin aksin Çorovodë–Gjerbës–Teqeja e Kulmakut, si dhe të njëjtin itinerar në kthim.

Në kuadër të masave të sigurisë, nga ora 06:00 deri në 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në disa prej akseve kryesore të zonës. Kufizimet do të zbatohen në rrugët Vlashuk–Kuçovë–Berat, Ura e Kuçit–Dimal–Berat, Berat–Mali i Tomorit dhe Berat–Çorovodë.

Po ashtu, autobusët, furgonët që transportojnë më shumë se tetë persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në segmentin Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorit.

Në përfundim, Policia u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe pelegrinëve që të respektojnë itineraret e përcaktuara, sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e efektivëve në terren, me qëllim shmangien e incidenteve dhe sigurimin e një qarkullimi sa më të rregullt gjatë pelegrinazhit.