Një burrë i maskuar me fytyrën e personazhit horror Chucky dyshohet se ka frikësuar dhe ndjekur në mënyrë të rastësishme të paktën gjashtë persona në Filadelfia.

Policia ka publikuar fotografi dhe pamje të të dyshuarit, duke u bërë apel qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij.

Në një prej videove të publikuara nga autoritetet, burri shihet duke ndjekur një grua që vrapon në rrugë, në orët e para të mëngjesit. Ngjarja është regjistruar pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar.

Sipas policisë, 40-vjeçarja është ndjekur nga i dyshuari, i cili iu afrua duke i drejtuar celularin dhe e pyeti: “Je gati të vdesësh?”

Kur gruaja nuk reagoi, ai ia përsëriti pyetjen. E frikësuar, ajo u largua me vrap, por gjatë arratisjes pësoi një dëmtim në këmbë.

Autoritetet po hetojnë rastin dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse i njëjti person qëndron pas të gjitha incidenteve.