Jamal Musiala ka përjetuar sërish një moment shqetësues në fushë, vetëm pak ditë pasi u shtri në tokë gjatë miqësores ndaj Leipzig.
Talenti i Bayern Munich u aktivizua në minutën e 61-të në sfidën ndaj Heidenheim, por vetëm tetë minuta më vonë pësoi një tjetër kolaps. Musiala qëndroi për disa minuta në tokë, ndërsa mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, përpara se të largohej nga fusha.
Pas shqetësimit të krijuar te tifozët dhe stafi i Bayern, Musiala ka reaguar vetë përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.
“Jam mirë. Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është se jam mirë. Jam diagnostikuar me humbje të përkohshme të vetëdijes, e cila vjen si pasojë e një mosfunksionimi neurologjik, por është diçka që mund të trajtohet. E di që mund të duket e frikshme, por nuk paraqet rrezik shtesë për shëndetin tim”, shkroi Musiala.
Ai shtoi se po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se, pas konsultimeve me specialistët, ka marrë miratimin për të vijuar të luajë futboll.
“Ndihem mirë dhe jam në rrugën e duhur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, përfundoi 23-vjeçari.
Situata mbetet në vëmendje të Bayern Munich dhe të stafit të kombëtares gjermane, pasi Musiala konsiderohet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të brezit të ri të Gjermanisë.




