Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të përballet me vonesa për shkak të procedurave të prokurimit, mungesës së koordinimit institucional dhe problemeve me sigurimin e tokës.

Përfundimet dalin nga misioni monitorues i Komisionit Europian për investimet e financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i zhvilluar në Shqipëri gjatë muajit maj.

Që prej vitit 2009, në Shqipëri janë investuar mbi 600 milionë euro në projekte publike në transport, energji, mjedis dhe teknologji digjitale. Një nga projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare, një investim që synon të përfshijë më shumë se 190 mijë nxënës. Sipas vlerësimit, përgatitja dhe hapja e tenderit vijon të jetë një proces kompleks.

Në sektorin energjetik, misioni u fokusua te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te interkonjeksioni energjetik Shqipëri–Maqedoni e Veriut. Komisioni evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit.

BE kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve, si dhe shmangien e ndryshimeve të shpeshta në objektivat dhe mënyrën e zbatimit të projekteve.

Një tjetër shqetësim lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht në sektorin hekurudhor, ku kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara financimit.

Misioni nënvizoi nevojën për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë dhe procedura më të thjeshta për zbatimin e investimeve.