Trump kërcënon me dyfishim të tarifave për automjetet kanadeze, Ottawa përgatit kundërpërgjigjen

Trump kërcënon me dyfishim të tarifave për automjetet kanadeze, Ottawa përgatit kundërpërgjigjen

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të dyfishojë tarifat për automjetet dhe pjesët e makinave të importuara nga Kanadaja, nga 25% në 50%, duke nisur nga 1 janari, raportoi BBC.

Kërcënimi vjen pas dështimit të negociatave tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës gjatë fundjavës. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për paraqitjen e kërkesave të papranueshme në fazat e fundit të bisedimeve.

Kryeministri kanadez Mark Carney tha se kërcënimi i Trump nuk ishte i papritur dhe e akuzoi presidentin amerikan se po përpiqet të dëmtojë rëndë industrinë kanadeze të automjeteve.

Carney deklaroi se Kanadaja është e gatshme të rikthehet në tryezën e negociatave, por vetëm nëse SHBA-ja paraqitet me “qëndrimin e duhur”. Ai paralajmëroi gjithashtu se Ottawa do t’u përgjigjet tarifave amerikane me masa reciproke, dollar për dollar, ndaj produkteve të importuara nga SHBA-ja.

Kanadaja përgatit kundërmasat

Qeveria kanadeze pritet të prezantojë masa të reja për të përballuar përshkallëzimin e luftës tregtare. Bizneset në të dyja vendet kanë paralajmëruar se tarifat shtesë mund të rrisin kostot e prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet për konsumatorët.

Në kuadër të përpjekjeve për të diversifikuar ekonominë dhe tregtinë, Kanadaja ka njoftuar një investim prej 11 miliardë dollarësh kanadezë për ndërtimin e gjashtë akullthyeseve të reja.

Guvernatori i Ontarios, Doug Ford, një prej kritikëve më të ashpër të Trump, ka kërkuar një përgjigje më të fortë ndaj politikës tarifore amerikane. Ai ka sugjeruar vendosjen e tarifave ndaj eksporteve amerikane të naftës, gazit, energjisë elektrike dhe mineraleve kritike.

Trump iu përgjigj Fordit duke e akuzuar për “mburrje” dhe paralajmëroi se pasojat për Kanadanë mund të jenë “shumë më të këqija”.

SHBA mbështetet te Kanadaja për energjinë

Përshkallëzimi i konfliktit tregtar vjen në një moment kur ekonomitë e dy vendeve janë të lidhura ngushtë. Sipas të dhënave kanadeze, Kanadaja siguron rreth 60% të importeve të naftës bruto të SHBA-së dhe pothuajse të gjithë gazin natyror që SHBA-ja importon.

Ekspertët dhe përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se një rritje e mëtejshme e tarifave mund të dëmtojë zinxhirët e furnizimit në të dyja anët e kufirit dhe të sjellë rritje të çmimeve.

Në rrezik edhe marrëveshja tregtare e Amerikës së Veriut

Përplasja mes Uashingtonit dhe Otavës po shton gjithashtu pasigurinë rreth marrëveshjes tregtare SHBA-Kanada-Meksikë, USMCA, e cila mbështet rreth 1.6 trilionë dollarë në tregtinë e Amerikës së Veriut.

Kanadaja dhe Meksika kanë kërkuar zgjatjen e marrëveshjes për 16 vite të tjera, ndërsa administrata amerikane ka sinjalizuar se nuk është e gatshme ta rinovojë atë në formën aktuale.

Ekspertët e Oxford Economics paralajmërojnë se rreziku i shpërbërjes së USMCA-së është rritur. Sipas tyre, një skenar i tillë mund ta çojë Kanadanë në recesion dhe ta vendosë ekonominë e vendit në një trajektore më të dobët rritjeje për një periudhë të gjatë.

SHBA heq Sirinë nga lista e shteteve sponsore të terrorizmit: Presidenti Al-Sharaa ka ndërmarrë veprime pozitive

SHBA heq Sirinë nga lista e shteteve sponsore të terrorizmit: Presidenti Al-Sharaa ka ndërmarrë veprime pozitive

Shtetet e Bashkuara kanë hequr Sirinë nga lista e “Shteteve Sponsore të Terrorizmit”, një vendim që është përshëndetur nga presidenti sirian Ahmed al-Sharaa si një hap “historik” drejt rimëkëmbjes dhe rindërtimit të vendit pas 14 vitesh luftë civile.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se vendimi u mor në shenjë njohjeje të “veprimeve pozitive dhe angazhimeve të mëtejshme” të ndërmarra nga presidenti Al-Sharaa për ta distancuar Sirinë nga aktet e terrorizmit ndërkombëtar.

Al-Sharaa e përshëndeti vendimin përmes një deklarate në rrjetin social X, ku falënderoi presidentin amerikan Donald Trump. Ai tha se Siria po “shkëpuste një faqe nga e kaluara e saj e dhimbshme” për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe rindërtimit.

Siria ishte përfshirë në listën amerikane që prej vitit 1979, kur Uashingtoni akuzoi qeverinë e atëhershme të Hafez al-Assad për mbështetje ndaj grupeve të armatosura. Përcaktimi mbeti në fuqi gjatë gjithë periudhës së sundimit të djalit të tij, Bashar al-Assad, i cili u rrëzua në dhjetor 2024 nga rebelët e udhëhequr nga al-Sharaa.

Me largimin e Sirisë, në listën amerikane mbeten vetëm Kuba, Irani dhe Koreja e Veriut.

Vendimi pritet të ketë rëndësi të madhe për ekonominë siriane, pasi mund të lehtësojë rikthimin e investimeve të huaja dhe marrëdhënieve tregtare me vendet perëndimore. Gjithashtu, ai mund t’i hapë rrugë një angazhimi më të madh ndërkombëtar në procesin e rindërtimit të Sirisë.

Ministria e Jashtme siriane e cilësoi vendimin si “një ndryshim të rëndësishëm” që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Sipas saj, heqja nga lista do të ndihmojë përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike, krijimin e kushteve për rindërtim dhe forcimin e stabilitetit në Siri dhe rajon.

Pas më shumë se një dekade lufte, Damasku shpreson që ndryshimi i politikës amerikane të nxisë investime dhe mbështetje ndërkombëtare për rindërtimin e infrastrukturës dhe ekonomisë së shkatërruar të vendit.

Kosova/ Dy golat e Bilalit i sjellin Gjilanit fitoren e dytë

Kosova/ Dy golat e Bilalit i sjellin Gjilanit fitoren e dytë

Gjilani ka nisur në mënyrën më të mirë kampionatin e ri, duke shënuar edhe fitoren e dytë radhazi në Albi Mall Superligën e Kosovës. Skuadra gjilanase ka triumfuar si mysafire ndaj Llapit me rezultat 2:0, në përballjen e zhvilluar, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Protagonisti kryesor i këtij takimi ishte Oltion Bilali, i cili me dy golat e realizuar në pjesën e parë vulosi triumfin e kuqebardhëve.

Goli i parë erdhi në minutën e 19-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë nga mysafirët, Arbër Potoku asistoi për Bilalin, i cili me një goditje të saktë me kokë e mposhti portierin vendas.Gjilani e dyfishoi epërsinë katër minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Bilali shënoi edhe një herë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të sigurt para pushimit.

ë vazhdim, Llapi tentoi të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes dhe pati disa raste të mira shënimi, përfshirë edhe një goditje në shtyllë. Megjithatë, mbrojtja e Gjilanit dhe intervenimet e portierit Çoriq nuk lejuan ndryshimin e rezultatit.

Me këtë fitore, Gjilani ka marrë maksimumin e pikëve në dy xhirot e para dhe konfirmon një nisje pozitive të edicionit, ndërsa Llapi ende nuk ka arritur të gjejë pikët e para në këtë kampionat.

AXHENDA E SUPERIORES/ Do luhet edhe të hënën, mësoni datat dhe oraret e ndeshjeve të javës së dytë

AXHENDA E SUPERIORES/ Do luhet edhe të hënën, mësoni datat dhe oraret e ndeshjeve të javës së dytë

Abissnet Superiore ka mbyllur javën e parë me rezultate mjaft interesante, ndërsa do të kthehet përsëri në fundjavë me sfidat e javës së dytë të saj.

Ndeshjet fillojnë të shtunën, me duelin e parë që është ai mes Partizanit dhe Laçit. Më pas, po në të njëjtën ditë, luhet një sfidë shumë e ndezur mes Elbasanit dhe Vllaznisë.

Të dielën ka në program vetëm një ndeshje, atë mes Teutës dhe Tiranës, e cila luhet në orën 21:00.

Ndërkohë, java mbyllet të hënën me sfidat e skuadrave që janë të përfshira në play-off të kompeticioneve europiane. Fillimisht do të luhet ndeshja Vora-Egnatia, ndërsa më pas zhvillohet edhe sfida tjetër mes Skënderbeut dhe Dinamos.

JAVA 2
29.08.2026

Partizani – KF Laçi ora 16:00
AF Elbasani – Vllaznia ora 18:30

30.08.2026
Teuta – Tirana ora 21:00

31.08.2026
FK Vora – Egnatia ora 16:00
Skënderbeu – Dinamo ora 18:30

“Los Angeles 2028”/ Lojërat Olimpike, mbi 6 milionë bileta të shitura

“Los Angeles 2028”/ Lojërat Olimpike, mbi 6 milionë bileta të shitura

Mbi gjashtë milionë bileta janë shitur për Lojërat Olimpike Verore “Los Angeles 2028”, duke treguar interesin e madh të publikut për evenimentin që do të zhvillohet në Los Anxhelos.

Organizatorët mbyllën fazën e dytë të shitjes dhe njoftuan se një tjetër mundësi për blerjen e biletave do të jetë në vitin 2027. Këtë herë, biletat do të shiten sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, pa kufizim të numrit të biletave për blerësit.

Gjithashtu, do të ketë më shumë bileta dhe më shumë sporte në dispozicion. Në vitin 2027 do të nisë edhe sistemi zyrtar i rishitjes së verifikuar të biletave. Organizatorët kanë theksuar se synojnë t’u ofrojnë tifozëve një përvojë sa më të mirë në stadiume dhe arena.

Ndërkohë, biletat për Lojërat Paralimpike do të dalin gjithashtu në shitje në vitin 2027. Përfaqësuesit e “LA28” shprehen të kënaqur me entuziazmin e publikut dhe presin një interes edhe më të madh në vazhdim.

Përdorën Inteligjencën Artificiale për t’i marrë 100 mijë euro kambistit 70-vjeçar. Arrestohen dy të rinjtë, në kërkim një tjetër (VIDEO)

Përdorën Inteligjencën Artificiale për t’i marrë 100 mijë euro kambistit 70-vjeçar. Arrestohen dy të rinjtë, në kërkim një tjetër (VIDEO)

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatet Nr. 1 dhe Nr. 2, kanë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit dy operacione policore të koduara “Shuma” dhe “Imazhi”, duke vënë në pranga autorët e disa rasteve të mashtrimit dhe vjedhjes me pasoja të rënda financiare.

Në kuadër të operacionit “Shuma”, Policia ka arrestuar shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin R. H. Këta shtetas dyshohet se kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për t’u prezantuar përmes mesazheve si personazhe të njohura te një 70-vjeçar që ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor. Përmes kësaj teknologjie, ata e kanë mashtruar të moshuarin duke i marrë shumën prej 100.000 eurosh me arsyetimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. Pasi paratë nuk u kthyen në afatin e premtuar, i dëmtuari njoftoi menjëherë Policinë.

Operacioni vijon për kapjen e personit që shkoi fizikisht te subjekti për të tërhequr paratë, si dhe për prangosjen e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Gjatë operacionit të dytë të koduar “Imazhi”, u bë i mundur ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim G. B., 37 vjeç. Ky shtetas akuzohet se më 14 gusht 2026 ka mashtruar punonjësit e dy bizneseve në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke u marrë 20.000 lekë me pretendimin se ishte mik i pronarëve. Gjithashtu, më 21 gusht, i njëjti person ka vjedhur një çantë me 25.000 lekë brenda një subjekti në rrugën “Skënder Luarasi”.

Nisur nga përdorimi i formave të reja të krimit kibernetik dhe mashtrimit, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe administratorëve të subjekteve që të tregojnë kujdes të shtuar. Autoritetet udhëzojnë që në asnjë rast të mos jepen para apo të dhëna personale për persona të paverifikuar që kontaktojnë përmes mesazheve apo videove të krijuara me Inteligjencë Artificiale, si dhe kërkojnë denoncimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë pranë strukturave policore.

 

 

“Plani i Botërorit më i keq se Superliga”,  Ceferin “godet” Infantinon

“Plani i Botërorit më i keq se Superliga”, Ceferin “godet” Infantinon

Përplasja mes drejtuesve të futbollit evropian dhe atij botëror është thelluar. Numri një i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka sulmuar projektin e Gianni Infantinos për Kupën e Botës, duke e konsideruar nismën e FIFA-s si një kërcënim edhe më të madh për futbollin sesa ideja e Superligës Evropiane.

“Unë mendoj se ky plan është edhe më i keq se Superliga. Në rastin e parë, disa prej klubeve më të rëndësishme donin të krijonin një ligë të tyre, gjë që ishte e gabuar dhe do ta shkatërronte futbollin. Por këtu futbolli do të ishte fjalë për fjalë i shitur.

Gjëja më e rëndësishme për mua është se e ndaluam edhe një përpjekje tjetër për ta shitur sportin. E kam të vështirë të imagjinoj se çfarë lloj njerëzish do ta shisnin një sport që u përket të gjithëve.

“Ndoshta mund të ndodhë pas 20 vitesh, nuk i dihet kurrë, por për momentin bashkëpunojmë shumë mirë me të gjithë. Jam i sigurt se diçka e tillë nuk mund të ndodhë në 10 vitet e ardhshme.

Nuk kam folur me të dhe ai nuk më ka kontaktuar që nga momenti kur ndodhi kjo. Ekzistojnë dy mundësi. E para është që ai ta kuptojë se nuk ka mbështetje – dhe nuk po flas vetëm për mbështetjen politike të atyre që votojnë, por për mbështetjen e komunitetit të futbollit, tifozëve, lojtarëve, ish-lojtarëve dhe trajnerëve”, tha ai.

“Rama çdo natë sheh veten në qeli dhe Lubinë pentito”, Berisha ironizon: ‘Pasqyrat’ e ‘Diellat’ janë mashtrime, kryeministri i marrë fund

“Rama çdo natë sheh veten në qeli dhe Lubinë pentito”, Berisha ironizon: ‘Pasqyrat’ e ‘Diellat’ janë mashtrime, kryeministri i marrë fund

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se tashmë pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, ndërsa shton se ky i fundit e projekton veten çdo natë në qeli.

Në një dalje për mediat, Berisha tha se Rama ka frikë mos Balluku bëhet e penduar e drejtësisë dhe rrëfehet për aferat publike.

““Pasqyra”, që tani është e verbër, një mur për të mashtruar shqiptarët. Rama është i damkosur. Temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Ramës, janë më të larta se ato ndaj mjedisit. Urrejtja kombëtare ndaj tij nuk ka termometër që e mat/ Një herë ku nxjerr “Besën”, një herë Kanunin dhe tani “Pasqyrën”. Kush i beson tani?! Cilin korrupsion, akt korrupsioni parandaloi Diella? Zero! Ka zero urtësi artificiale Diella. Pasqyra është mashtrimi i tij i fundit. Siç e shihni, është i rrënuar. Besoj e keni parë. Është i rrënuar! E vërteta është se kjo protestë ia gërreu shpirtin, e boshatisi, e veniti. Ai del si njeri i transformuar, pasi po sheh fundin e tij. Çdo natë ky njeri sheh veten në qeli, sheh lubinë pentito. Ky njeri sheh koordinatorë duke e denoncuar, është i marrë fund. Ndaj beson se me këto “pasqyra’ Diella do të mund të mashtrojë shqiptarët.”, tha Berisha.

VIDEO/ Haaland ndryshon pamje, pas look-ut të ri qëndron një parukiere shqiptare!

VIDEO/ Haaland ndryshon pamje, pas look-ut të ri qëndron një parukiere shqiptare!

Erling Haaland vendosi që të bëjë një ndryshim në pamjen e tij, në fillim të sezonit futbollistik. Sulmuesi norvegjez hoqi dorë nga pamja e tij karakteristike me flokë të gjatë të lidhur dhe u rikthye te një stili më të shkurtër, që të kujton imazhin e tij gjatë ditëve të para te Borussia Dortmund.

Besojeni ose jo, por një parukiere shqiptare, e quajtur Juna Ademi ka realizuar prerjen e flokëve. Theksojmë se Juna jeton dhe punon në Monako, vend në të cilin ushtron këtë profesion prej vitesh. Siç shihet në video, Juna duket pak në siklet dhe e stresuar, teksa shprehet: “Jam pak në stres, mendoj se do duket mirë me flokë të shkurtër”.

Sporti flet sërish në News 24, fillon sezoni i ri i “Sport News”

Sporti flet sërish në News 24, fillon sezoni i ri i “Sport News”

Pas pushimeve verore, emisioni “Sport News” rikthehet në ekranin e News 24, për të njohur teleshikuesit me lajmet, analizat dhe zhvillimet më të fundit nga bota e sportit.

Sezoni i ri nis me të njëjtën energji dhe me një fokus të veçantë te ngjarjet më të rëndësishme sportive, nga futbolli vendas dhe ndërkombëtar, te rezultatet, transferimet, protagonistët dhe prapaskenat e ditës.

Ky është sezoni i pestë i “Sport News”, nën drejtimin e moderatores së njohur Trevisa Tufa. Emisioni do të jetë në transmetim çdo ditë, nga e hëna në të premten, në orën 17:00, në shtëpinë e çdo shqiptari, në News 24.