Ndërtimi i bazës mekanike të trenave, shpallet fituesi i kontratës 9 mln euro

Ndërtimi i bazës mekanike të trenave, shpallet fituesi i kontratës 9 mln euro

Hekurudha Shqiptare ka shpallur PROGEEN fitues të tenderit për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, me ofertë fituese prej 890.9 milionë lekësh, ose rreth 9 milionë euro.

Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i procedurës me objekt “Hartimi i projektit të detajuar dhe Ndërtimi i Bazës Mekanike për Mirëmbajtjen e Trenave ‘DEPO’ Tiranë–Durrës–Rinas” ishte 1 miliarde lekë, ndërsa oferta fituese sa 87.4% e fondit limit.

Projekti

Projekti lidhet me krijimin e një baze mekanike për mirëmbajtjen dhe shërbimin e mjeteve lëvizëse elektrike EMU që do të operojnë në linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Kontrata parashikohet të zbatohet sipas modelit Design & Build, ose “me çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin, furnizimin dhe instalimin e sistemeve, testimin, komisionimin dhe dorëzimin funksional të objektit.

Baza do të përfshijë objektet civile dhe industriale të depos, infrastrukturën hekurudhore të brendshme dhe lidhjen me rrjetin ekzistues, si dhe sistemet e sinjalizimit, telekomunikimit, elektrifikimit, furnizimit me energji, ujë dhe kanalizime. Kontrata përfshin gjithashtu rrugët e brendshme, ndriçimin, sistemet e sigurisë dhe survejimit, si dhe furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e depos.

Sipas Termave të Referencës, projekti i detajuar parashikon një repart shërbimi dhe riparimi për trenat EMU, me linja pa ballast, kanale kontrolli, vinça urë me kapacitet ngritës rreth 30 tonë, pajisje ngritëse dhe zona diagnostikimi. Në kompleks parashikohen gjithashtu pika kontrolli dhe inspektimi, një impiant për larjen e trenave me sistem për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave, post për kontrollin e lëvizjes së trenave, dhoma teknike për sinjalizimin dhe telekomunikimin, si dhe magazina, zyra dhe ambiente teknike e sanitare.

Infrastruktura e depos do të lidhet me rrjetin hekurudhor përmes stacionit Shkozet. Projekti përfshin edhe elektrifikimin e linjave, sinjalizimin, telekomunikimin GSM-R, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave industriale, sistemet kundër zjarrit dhe monitorimin me kamera. Termat kërkojnë që sistemet e depos të integrohen me infrastrukturën dhe projektin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas.

Dokumentacioni e përcakton ndërtimin aktual si fazën e “investimit minimal”, e cila duhet të jetë funksionale dhe e pavarur për operimin e trenave të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Rinas, ndërsa projektimi duhet të marrë parasysh edhe zgjerimin e kapaciteteve të depos në faza të ardhshme.

Gjermania përgatitet për një qeveri të ekstremit të djathtë, Politico: 4 skenarët për të frenuar AfD-në

Gjermania përgatitet për një qeveri të ekstremit të djathtë, Politico: 4 skenarët për të frenuar AfD-në

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), mund të jetë vetëm pak javë larg një momenti historik të marrjes për herë të parë të drejtimit të një landi gjerman. Dhe në Berlin tashmë po diskutohet se çfarë duhet bërë nëse kjo ndodh.

Sipas një analize të POLITICO-s, Ulrich Siegmund, kandidati i AfD-së në Saksoni-Anhalt, shihet si favorit për zgjedhjet e 6 shtatorit. Nëse partia arrin shumicën absolute, ai pritet të bëhet kryeministër i landit, duke rrëzuar për herë të parë “murin mbrojtës” politik që partitë tradicionale gjermane kanë ngritur ndaj AfD-së që nga themelimi i saj në vitin 2013.

Një fitore e tillë do të krijonte një situatë të paprecedentë për sistemin politik gjerman. Deri tani CDU, SPD, të Gjelbrit dhe partitë e tjera kryesore kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD-në. Por nëse ajo kontrollon një qeveri rajonale, sistemi federal gjerman do t’i detyrojë institucionet e tjera të bashkëpunojnë me të të paktën në disa fusha.

POLITICO raporton se shqetësimi kryesor në Berlin lidhet me sigurinë dhe, në veçanti, me aksesin që një qeveri e AfD-së mund të kishte në informacionet sekrete. Zyrtarë të intervistuar për artikullin shprehin shqetësim për marrëdhëniet e partisë me Rusinë dhe mundësinë që të dhëna të ndjeshme të përfundojnë në duart e Moskës.

Sipas POLITICO-s, po diskutohen të paktën katër skenarë.

Një prej tyre do të ishte krijimi i takimeve paralele mes ministrave të landeve. Mbledhjet zyrtare do të vazhdonin, por për çështje veçanërisht sensitive mund të organizohen takime të tjera, ku përfaqësuesi i një qeverie të AfD-së nuk do të merrte pjesë. Disa ministra rajonalë i kanë konfirmuar POLITICO-s se një skenar i tillë po merret në konsideratë.

Një mundësi edhe më konkrete është kufizimi i aksesit në informacionet e inteligjencës. Ministri i Brendshëm i landit të Turingisë, Georg Maier, tha se mund të krijohen barriera brenda sistemeve të përbashkëta të informacionit, veçanërisht për të dhënat që lidhen me ekstremizmin e djathtë dhe spiunazhin. Sipas tij, një masë e tillë mund të ishte edhe ligjërisht e mundur.

Shqetësimi lidhet edhe me partnerët e huaj. Një deputet i të Gjelbërve paralajmëroi se Britania, SHBA-ja, Polonia apo Ukraina mund të kufizonin shkëmbimin e informacionit me Gjermaninë nëse do të besonin se të dhënat sekrete mund të arrinin në Moskë. POLITICO sjell si precedent Austrinë, ku partnerët perëndimorë kufizuan ndarjen e informacionit pasi e djathta radikale FPÖ mori kontrollin e Ministrisë së Brendshme.

Një skenar tjetër lidhet me financat. Saksoni-Anhalt është një nga landet që përfiton ndjeshëm nga sistemi gjerman i barazimit financiar dhe vetëm në vitin 2025 mori rreth 2.8 miliardë euro, afërsisht një të pestën e buxhetit të tij. Kufizimi i këtyre fondeve përmendet si një mënyrë teorike për t’i ushtruar presion një qeverie të AfD-së, megjithëse pengesat kushtetuese do të ishin të mëdha.

Në fund ekziston edhe ajo që POLITICO e quan “opsioni bërthamor”: Bundeszwang, ose detyrimi federal.

Neni 37 i Kushtetutës gjermane i lejon qeverisë federale, me miratimin e Bundesratit, të marrë masa për ta detyruar një land të respektojë detyrimet e tij ligjore. Ky mekanizëm nuk është përdorur kurrë në historinë e Republikës Federale.

Por çdo përpjekje për të izoluar një qeveri të zgjedhur të AfD-së mbart edhe një rrezik politik. Masat e jashtëzakonshme mund të ushqejnë argumentin e vetë AfD-së se partitë tradicionale nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve kur fitues është një forcë jashtë establishmentit.

Edhe opinioni publik gjerman është më pak i bashkuar se më parë për strategjinë e izolimit. Një sondazh i korrikut tregonte se vetëm 42% e gjermanëve e konsideronin ende të drejtë refuzimin e bashkëpunimit me AfD-në nga CDU dhe socialdemokratët, ndërsa një tjetër matje tregonte rënie të mbështetjes për “murin mbrojtës” ndaj partisë.

Ironikisht, POLITICO ngre edhe një mundësi tjetër: që partitë tradicionale të mos bëjnë asgjë të jashtëzakonshme.

AfD ka fituar mbështetje për vite me radhë duke qenë në opozitë dhe duke sulmuar gabimet e kundërshtarëve. Por nuk ka qeverisur kurrë. Marrja e pushtetit mund ta përballë atë me probleme të administrimit, konfliktet e brendshme dhe përgjegjësinë konkrete për vendimet, duke u kthyer potencialisht në një kufizim më efektiv sesa çdo strategji izolimi e Berlinit.

Pra, pyetja që po shqetëson tashmë politikën gjermane nuk është më vetëm nëse AfD duhet të mbahet larg pushtetit. Është se çfarë ndodh nëse votuesit e çojnë atë vetë në pushtet. /POLITICO

Komunikimi nuk është qeverisje

Komunikimi nuk është qeverisje

Nga Luan Rama

Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të kuptuar se çfarë mendon. Kryeministri për veten dhe punën që ai bën: të shohësh se çfarë zgjedh të tregojë. Në politikë, komunikimi nuk është dekor. Është pjesë e pushtetit. Ai përcakton çfarë i duhet dhënë publikut, çfarë vendoset në qendër të debatit dhe, mbi të gjitha, çfarë kërkohet të identifikohet me suksesin e qeverisë. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si Edi Rama komunikon publikisht duhet lexuar jo thjesht si një seri postimesh në Facebook, por si një strategji politike komunikimi. Kam lexuar një për një 110 postimet që Kryeministri ka bërë nga 1 gushti deri sot.

Ajo që bie në sy është një Shqipëri e parë vetëm përmes asaj që mund të tregohet: Shkolla të reja. Rikonstruksione. Investime. Rrugë. Hapësira të transformuara. Spitale e fasadat e tyre të lyera. Turizëm. Pamje të bukura. Projekte që përfundojnë e të tjera në proces pune. Plazhe të mbushura me pushues. Festë. Një Shqipëri në lëvizje, në transformim dhe në ndërtim të vazhdueshëm. Asgjë të keqe nuk ka në këtë. Çdo Kryeministër ka të drejtë, madje edhe detyrim, të tregojë punën që bën.

Mirëpo këtu fillon edhe problemi: a është kjo qeverisje, apo komunikim? Sepse nuk janë e njëjta gjë. Komunikimi ka të bëjë me atë që pushteti zgjedh t’i tregojë publikut. Ndërsa qeverisja, pra edhe Kryeministri, gjykohet edhe nga problemet që pushteti nuk arrin t’i zgjidhë. Një shkollë e re është komunikim. Cilësia e mësimdhënies, niveli i nxënësve e studentëve është qeverisje. Një rrugë e re është komunikim. Mënyra se si është ndërtuar dhe se sa gjatë do të rezistojë pa u prishur ajo rrugë është qeverisje.

Një spital i rikonstruktuar është komunikim. Por shërbimi që merr qytetari brenda tij dhe se si zgjidhet problemi i mungesës së ilaçeve e pajisjeve është qeverisje. Një reformë e shpallur është komunikim. Rezultati i saj është qeverisje. Një premtim, fjala vjen premtimi i përsëritur i Kryeministrit në çdo fushatë zgjedhore prej asaj të vitit 2013 e më pas pa e harruar asnjëherë për sigurimin e ujit të pijshëm, është komunikim. Mbajtja e tij është qeverisje. Komunikimi merret me atë që duket. Qeverisja me atë që funksionon. Këtu kontradikta bëhet e dukshme. Dhe e nxjerr zbuluar Kryeministrin.

Në fjalimet e fundit, duke analizuar shkaqet e protestës, vetë Kryeministri ka pranuar se administrata nuk funksionon siç duhet dhe ka theksuar se shumë institucione të qeverisjes nuk e kanë qytetarin në qendër. Madje ka thënë me të drejtë se përvoja e qytetarëve e zhbën propagandën e qeverisë. Për ta ilustruar këtë, ai disa herë ka përmendur shembullin e nënës së një miku të tij, e cila shkonte në protestë e shtyrë nga përvoja e vet, siç argumnetoi Kryeministri. Sepse i duhej të shkonte që në mëngjes herët në poliklinikë për të zënë radhën dhe për të pritur mjekun, i cili shkonte në punë në orën 10:00.

Pra, Kryeministri nuk është se nuk i njeh problemet. Por në Facebook-un e tij këto probleme nuk ekzistojnë. Në Facebook-un e tij administrata shtetërore është në rregull, e gjitha në shërbim të qytetarëve. Institucionet e qeverisjes nuk kanë probleme. Shërbimet nuk mungojnë. Reformat nuk dështojnë. Aty qeveria punon, ndërton, inauguron, transformon. (Edhe fiton, por kjo është temë tjetër!) Gjatë këtyre ditëve të gushtit, të cilat janë edhe ditët që unë kam marrë të analizoj postimet e Kryeministrit, Shqipëria është përfshirë nga zjarre të shumtë të shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Por, në 110 postime, nuk janë as pesë që lidhen me situatën e zjarreve. Edhe ato pak postime janë falënderime për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e tjerë që u përballën me flakët. Shumë mirë se ata meritojnë çdo falënderim. Madje meritojnë edhe më shumë se vetëm falenderimet, duke filluar me rritjen e pagës së tyre.

Mirëpo, asnjë problem nuk vëren Kryeministri i vendit përballë kësaj situate?! Asnjë problem nuk ka në kushtet e punës së zjarrfikësve, në mungesën e pajisjeve, në kapacitetet njerëzore, në sistemet e parandalimit dhe të administrimit të zjarreve?! Këto janë qeverisje. Por nuk janë pjesë e komunikimit. E njëjta gjë ndodh edhe me turizmin.

Vlora, Saranda, Himara, Dhërmiu, Ksamili, Shëngjini, Qeparoi, Durrësi, Thethi e Lura dhe zona të tjera shfaqen përmes imazheve të zgjedhura me kujdes. Por në të njëjtat zona ka pasur edhe zjarre, shfaqje dhune, konflikte e aksidente të rënda me humbje jetësh njerëzore. Ka pasur edhe ngjarje kriminale, si vrasja e turistit portugez në Ksamil. Asnjë nga këto ngjarje nuk mbërrin në vëmendjen e Kryeministrit? Apo kjo është një Shqipëri tjetër, jo ajo që zgjidhet për t’u treguar? Edhe një shembull. U shpall me shumë bujë para disa ditësh një aksion për prishjen e një ndërtimi pa leje në ishullin e Sazanit. Lajmi u shpërnda me përkujdesje të lartë shtetërore gjithkund. Por askush nuk tha se si u ndërtua? Si u lejua të shkelej ligji? Ku ishin institucionet që kishin për detyrë ta parandalonin? Sepse qeverisje nuk është vetëm të prishësh atë që u ndërtua pa leje. Është të mos lejosh që të ndërtohet. Si përfundim, problemi nuk është se Kryeministri komunikon shumë. Problemi është se komunikimi paraqitet si qeverisje. Një fotografi nuk është rezultat. Një inaugurim nuk është sukses. Një projekt i përfunduar nuk është domosdoshmërisht një problem i zgjidhur. Dhe një Kryeministër që komunikon shumë nuk është domosdoshmërisht një Kryeministër që qeveris mirë.

Problemi nuk është vetëm çfarë zgjedh të tregojë Kryeministri. Është edhe çfarë zgjedh të mos tregojë. Sepse një vend nuk qeveriset me fotografi. As me postime në Facebook! Qeverisja nuk matet me atë që Kryeministri zgjedh të postojë në Facebook, por me atë që ndjen dhe përjeton qytetari. Nuk matet me fotografitë e suksesit, por me problemet që shteti arrin të zgjidhë.

Guximi i paskrupullt për propagandë

Guximi i paskrupullt për propagandë

Nga Lutfi Dervishi

Një video e një helikopteri që shuan zjarr me precizion në SHBA shitet si aksion në Shqipëri, shoqëruar me hashtagun #nëkryetëdetyrës# dhe, sigurisht në krah është flamuri kombëtar shqiptar.

Një turiste australiane habitet kur Ministria e Shëndetësisë e merr rastin e saj dhe e kthen në lajm kombëtar me tone shumë pozitive. Turistja, që e gjeti veten në Google, jo vetëm nuk kish kërkuar publicitet, por madje ndihma i erdhi pasi foli me pronarin e bujtinës, ndërkohë që nuk u mor dot vesh me numrin e urgjencës 112. Është bërë pothuaj rutinë që bukuritë natyrore të Shqipërisë, sidomos ato ku ende nuk ka mbërritur dora e “investitorëve strategjikë”, të paraqiten si arritje të qeverisë.

A thua se malet, lumenjtë, deti dhe kanionet janë vepra publike të përfunduara në këto mandate të qeverisë dhe jo dorë e Perëndisë. Një deputete postonte këto ditë të nxehta videon e vizitës te një pensionist, që sipas saj kishte nevojë për të bërë pazarin. Deputetja kishte menduar edhe për vapën: i kishte çuar disa birra të ftohta. Kamera, natyrisht, hyri krejt rastësisht, bashkë me birrat në shtëpinë e pensionistit. Nuk di a ka mbetur kush pa u bezdisur nga inspektimet e famshme në kantieret ku, sipas videove, punohet gjithmonë “me ritme të larta”, por nuk kuptohet pse rruga nuk mbaron kurrë.

Çfarë fitohet nga kjo propagandë e shfrenuar, e shëmtuar dhe tashmë shumë bajate? A shuhen zjarret në Shqipëri duke postuar helikopterë që shuajnë flakët në SHBA? A funksionon më mirë urgjenca kur historia e një turisteje kthehet në propagande? A përfundon më shpejt një rrugë po ta inspektosh dhjetë herë? Guximi për propagandë po ia kalon edhe guximit të ushtarit të mirë Shvejk. Në fakt guximi i Shvejkut, ishte brenda parametrave të pranueshëm. Është një propagande që ka kohë që përpiqet jo vetëm të zbukurojë realitetin, por edhe ta zëvendësojë atë Por ndonjëherë realiteti nuk pret gjatë për t’u hakmarrë.

Vetëm 24 orë pasi ministri i Brendshëm dhe ai i Turizmit garantonin në video siguri maksimale për turistët dhe pushuesit, në Sarandë e Ksamil, pasuan dy ngjarje të rënda. Është interesant se sa më pak punë ka për të treguar, aq më shumë rritet propaganda. Nuk është e tepërt të kujtosh thënien e Chomskyt: “Propaganda është për demokracinë ajo që kërbaçi është për shtetin totalitar”.

Është koha që qeveria të kujtohet se shumë prej problemeve që sot i paraqet si beteja, kantiere apo sfida të reja premtoi t’i zgjidhte në katër vitet e para. Tani është në mandatin e katërt. Pas kaq vitesh, në krye të detyrës duhet të tregojë se çfarë punësh ka bërë qeveria dhe jo Natyra!

Shqipëria “pushtohet” nga punëtorët e huaj, India dhe Filipinet kryesojnë rritjen me 46.6% në 2025

Shqipëria “pushtohet” nga punëtorët e huaj, India dhe Filipinet kryesojnë rritjen me 46.6% në 2025

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një vend që eksporton fuqi punëtore, në një treg që po tërheq punonjës nga jashtë. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një rritje të fortë të numrit të të huajve që jetojnë ligjërisht në vend, ku punësimi është tashmë arsyeja kryesore e qëndrimit, ndërsa India dhe Filipinet po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në flukset e reja.

Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin 32.163 të huaj me leje qëndrimi, me një rritje prej 46,6% krahasuar me vitin 2024. Vetëm një vit më parë numri i tyre ishte rreth 21,9 mijë, çka do të thotë se brenda një viti stoku i të huajve me leje qëndrimi është shtuar me mbi 10 mijë persona.

Rritja bëhet edhe më e dukshme nëse krahasohet me vitet e mëparshme. Grafiku i INSTAT tregon se në vitin 2021 Shqipëria kishte rreth 14,9 mijë të huaj me leje qëndrimi, në vitin 2022 rreth 18,2 mijë, në 2023 rreth 21,5 mijë dhe në 2024 rreth 21,9 mijë. Në 2025 numri kërceu në 32,2 mijë. Pra, në vetëm katër vjet, numri i të huajve me leje qëndrimi është më shumë se dyfishuar.

Mbi gjysma e të huajve qëndrojnë për punë

Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me tregun e punës. Sipas INSTAT, 55,1% e lejeve të qëndrimit janë për arsye punësimi, duke e bërë punën motivin kryesor të pranisë së të huajve në Shqipëri.

Pas punësimit renditet bashkimi familjar, me 19,8% të lejeve, ndërsa 14,1% janë dhënë për arsye të tjera. Qëllimet humanitare përfaqësojnë 7,9% dhe studimi vetëm 3,1%.

Shifrat konfirmojnë një fenomen që është bërë gjithnjë e më i dukshëm në ekonominë shqiptare: mungesa e fuqisë punëtore, e krijuar ndër të tjera nga emigracioni dhe ndryshimet demografike, po mbulohet në një masë në rritje përmes punonjësve të ardhur nga jashtë.

Shpërthim i numrit të të huajve nga Azia

Edhe pse Evropa vazhdon të ketë peshën kryesore, dinamika më e fortë po vjen nga Azia.

Në fund të vitit 2025, 17.022 persona ose 52,9% e të huajve me leje qëndrimi ishin nga Evropa, me një rritje prej 18,5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, numri i të huajve nga Azia arriti në 9.891 persona, duke u rritur me plot 117,6% brenda një viti. Të huajt nga Amerika, Afrika dhe Oqeania së bashku arritën në 5.250 persona, me rritje 73,4%.

Kjo zhvendosje shihet qartë edhe te vendet kryesore të origjinës.

Kosova vazhdon të mbajë vendin e parë, me 6.284 persona, ose 19,5% të totalit. Italia renditet e dyta me 4.065 persona, ose 12,6%. Por menjëherë pas tyre tashmë renditen dy vende aziatike: India me 2.886 persona, ose 9% të totalit, dhe Filipinet me 2.401 persona, ose 7,5%.

Pikërisht këto dy vende kanë shënuar edhe ritmet më të larta të rritjes. Numri i shtetasve nga Filipinet është rritur me 136,1%, ndërsa ai i shtetasve indianë me 87,6% krahasuar me vitin 2024.

Kjo tregon se profili i emigracionit drejt Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi. Krahas të huajve nga vendet fqinje apo nga Italia, që tradicionalisht kanë pasur një prani të konsiderueshme, po krijohet një komunitet gjithnjë e më i madh punonjësish nga vendet aziatike.

India dhe Filipinet, 1 në 4 aplikime për leje qëndrimi

Tendenca pritet të vijojë, nisur edhe nga fluksi i aplikimeve të reja.

INSTAT raporton se numri i aplikimeve për leje qëndrimi gjatë vitit 2025 u rrit me 43,5% krahasuar me vitin 2024. Vetëm shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin 26,6% të të gjitha aplikimeve, ose më shumë se një në çdo katër kërkesa.

Struktura demografike tregon gjithashtu një prani të lidhur fort me tregun e punës. 65% e të huajve me leje qëndrimi janë meshkuj dhe 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç, me 24,5% të totalit.

Kombinimi i moshës aktive, dominimit të meshkujve dhe faktit që mbi gjysma e lejeve lidhen me punësimin përforcon profilin ekonomik të valës së re të emigracionit drejt Shqipërisë.

Rriten edhe të huajt me qëndrim të parregullt

Paralelisht me rritjen e emigracionit të rregullt, është shtuar edhe numri i personave të identifikuar me qëndrim të parregullt.

Gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1.926 të huaj të parregullt, nga 1.540 persona në vitin 2024, ose rreth 25% më shumë.

Të dhënat e vitit 2025 japin kështu një sinjal të qartë për një ndryshim gradual të profilit migrator të Shqipërisë. Vendi vazhdon të ketë emigracion të lartë të shtetasve të vet, por paralelisht bizneset shqiptare po kërkojnë gjithnjë e më shumë fuqi punëtore jashtë vendit.

Rritja me 46,6% e të huajve me leje qëndrimi brenda vetëm një viti dhe, veçanërisht, dyfishimi i pranisë nga Azia tregojnë se importi i fuqisë punëtore nuk është më një fenomen periferik. Ai po kthehet gradualisht në një komponent të tregut shqiptar të punës, ndërsa mungesa e punonjësve vendas po ndryshon edhe hartën e emigracionit drejt Shqipërisë./ ekofin.al

Studimi – Gati 32% e shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

Studimi – Gati 32% e shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO. Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.

Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.

Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.

Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.

Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.

Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.

Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.

Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO Vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.

Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.

Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./B.Hoxha – Monitor/

Dita e 86-të e protestave/ Shqiptarët nuk ndalen, sërish në shesh për dorëheqjen e Ramës

Dita e 86-të e protestave/ Shqiptarët nuk ndalen, sërish në shesh për dorëheqjen e Ramës

Sot shënohet dita e 86-të e protestës qytetare në Tiranë. Qytetarët do të organizohen sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik në vend.

Protesta pritet të nisë organizimin në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit më pas do të marshojnë përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë. Pas mbërritjes përpara godinës së ekzekutivit mbahen fjalimet, ku qytetarët shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujore, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore që, sipas tyre, dëmtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Afganistani në udhëheqen e talebanëve/ Reportazhi i BBC: Divorci i ndaluar, telefonat e kontrolluar dhe një pushtet që nuk toleron gratë e arsimuara

Afganistani në udhëheqen e talebanëve/ Reportazhi i BBC: Divorci i ndaluar, telefonat e kontrolluar dhe një pushtet që nuk toleron gratë e arsimuara

BBC

Guvernatori Abdullah Sarhadi i jep para për trajtimin e krahut të thyer të një djali dhe shpërndan fonde për një xhami lokale – më pas, në zyrën e tij në veri të Afganistanit, zhvillohet një bisedë befasuese. Një grua e re i thotë ish-komandantit taleban me mjekër të thinjur se dëshiron të divorcohet nga bashkëshorti i saj, të cilin e akuzon për muaj të tërë abuzimi dhe rrahjesh. Ajo nuk pranon një përgjigje negative.

Në një vend ku vajzat janë të ndaluara të ndjekin arsimin e mesëm, 18-vjeçarja argumenton çështjen e saj me qetësi dhe vetëbesim, me fytyrën krejtësisht të mbuluar pas një velloje që mbulon të gjithë fytyrën dhe syzeve të diellit.

“Nëse do të kishte ndonjë mundësi për të jetuar së bashku, nuk do të isha këtu… E kam marrë vendimin tim”, thotë ajo.

Pasi përpiqet ta bindë që të shmangë divorcin, guvernatori më vonë komenton se gratë janë “pa mend” dhe “me mangësi në intelekt”, duke shkaktuar të qeshura mes zyrtarëve meshkuj, truprojave dhe pleqve që e rrethojnë.

Ky moment ofron një vështrim të rrallë mbi realitetet e përditshme të sundimit të talebanëve, pesë vjet pasi ata rrëzuan qeverinë e mbështetur nga SHBA-ja në vitin 2021.

Gjatë kësaj kohe, gratë janë përjashtuar nga shumica e vendeve të punës, janë ndaluar të ndjekin universitetet dhe nuk mund të udhëtojnë vetëm apo të vizitojnë parqet dhe qendrat e argëtimit.

Në takime të zhvilluara gjatë dy viteve, BBC-ja siguroi një qasje të pazakontë te figura me ndikim të lëvizjes islamiste ekstremiste, duke kaluar kohë me burra që dikur planifikonin sulme vetëvrasëse ose kalonin vite në strehime të fshehta, por që tani janë zyrtarë dhe ushtarë.

Talebanët erdhën në pushtet duke thënë se kishin ndryshuar, por shumë prej politikave të tyre janë të ngjashme me interpretimin e rreptë të Sheriatit – ligjit fetar islam – që ata imponuan në vitet 1990.

Burrat që takuam dukej se dëshironin të paraqiteshin si të arsyeshëm, por nuk ishin të gatshëm të diskutonin për dhunën e tyre të së kaluarës. Dhe pamë momente shqetësimi mes sundimtarëve dhe atyre që ata sundojnë.

PJESË NGA DIALOGU MES GUVERNATORIT DHE GRUAS 18-VJEÇARE
Guvernatori: Sa muaj ke që jeton me të?
Gruaja: Kam kaluar 8 muaj dhe ishte si të jetoja në ferr.
Guvernatori: A do të jetosh me të?
Gruaja: Nuk kam dashur të jetoj kurrë më një person të tillë.
Guvernatori: Cila është zgjidhja atëherë?
Gruaja: Jam gati të ekzekutohem, por jo të jetoj me të.
Guvernatori: Atëherë duhet të aplikosh për khula (divorc që iniciohet nga gruaja).
Gruaja: Nuk dua ta bëj atë sepse në atë mënyrë ai do të marrë gjithçka që do.

Guvernatori Sarhadi thotë se Tuba, jo emri i saj i vërtetë duhet të qëndrojë në martesë.

“Pyete veten: ‘Kush do të martohej me mua pasi të divorcohem?’”, thotë Sarhadi. “Do të duhet të bësh shumë kompromise ose do të humbasësh dinjitetin dhe nderin tënd.”
“Zoti Guvernator, nderi dhe dinjiteti im tashmë janë shkatërruar”, përgjigjet ajo.

Bashkëshorti i saj dëgjon, duke pritur radhën për të folur.

Sipas Sheriatit, një grua që kërkon që bashkëshorti i saj të pranojë divorcin mund të duhet t’i kthejë atij një pjesë ose të gjithë shumën e parave që ai i ka dhënë në kohën e martesës. Shpesh arrihet një marrëveshje financiare. Por bashkëshorti i kësaj gruaje thotë se dëshiron katërfishin e shumës, të cilën familja e saj refuzon ta paguajë.

Guvernatori thotë se gruas duhet t’i jepet dhoma e saj. Ai shton se zyrtarët do ta paralajmërojnë burrin që të mos e rrahë – “përndryshe do të burgosej”.

E pakënaqur, babai i Tubës i thotë më vonë BBC-së se familja do ta ndjekë divorcin përmes gjykatave, edhe pse, sipas sistemit gjyqësor të talebanëve, për një grua është shumë e vështirë të divorcohet pa pëlqimin e bashkëshortit.

Sarhadi ishte komandant ushtarak gjatë periudhës së parë të pushtetit të talebanëve në vitet 1990. Ai ishte mes mijëra kryengritësve që u dorëzuan në fund të vitit 2001, ndërsa një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja rrëzoi grupin.

Ai u mbajt për disa vite në paraburgim nga SHBA-ja në Guantanamo Bay, por përfundimisht u lirua.

Kur talebanët rimorën pushtetin, ai u bë guvernator, fillimisht në provincën e Bamiyanit dhe më pas, kur e takuam në fund të qershorit, në qytetin Sheberghan në provincën Jawzjan. Kohët e fundit ai është bërë zëvendëskomandant i një korpusi ushtarak në provincën veriore të Kunduzit.

Duke trokitur në një celular të vjetër me ekran të vogël, ai thotë se një ndalim i kohëve të fundit për telefonat inteligjentë për zyrtarët i ka ngadalësuar gjërat.

“Më parë mund të dërgoje një mesazh të shpejtë… të dërgoje dokumente dhe të merrje shpejt një përgjigje.” Nëse thotë diçka më shumë për ndalimin, “do të shkaktojë probleme”, shton ai.

Por në aspekte të tjera, botëkuptimi i tij duket kryesisht i pandryshuar nga pozicioni i talebanëve 25 vjet më parë. Në atë kohë, ai ishte komandant ushtarak në Bamiyan, ku talebanët hodhën në erë statujat gjigante dhe të lashta të Budës, duke shkaktuar tronditje dhe dënim ndërkombëtar.

Fillimisht ai përpiqet t’u shmanget pyetjeve tona për vendin arkeologjik, por më në fund thotë: “E shkatërrova me duart e mia.

“Çfarëdo që bëmë dhe bëjmë është në përputhje me udhëzimet dhe ligjin e Zotit… Ne i thyejmë idhujt në vend që t’i shesim. Pse duhet të pendohem? Ishte vullneti i Zotit.”

Në kryeqytetin Kabul, takojmë një tjetër figurë të lartë të talebanëve, e cila e ka zëvendësuar një të kaluar të dhunshme me një rol në administratën qeverisëse.
Habibullah Badr na çon nëpër rrugët e qytetit me një makinë të blinduar.

Ai thotë se më parë ishte “përgjegjës për operacionet e sulmuesve vetëvrasës” në Kabul.
“I njoh shumë mirë të gjitha rrugët dhe rrugicat… kishim të gjithë informacionin që na duhej për Kabulin dhe rrugicat e tij”, thotë ai. “Kishte zona për të cilat nevojitej një kohë e gjatë për të planifikuar.”

Sulmet vetëvrasëse të talebanëve vranë mijëra njerëz në Afganistan, përfshirë shumë civilë.

Megjithatë, Badr tregohet i kujdesshëm kur diskuton të kaluarën e tij, nga frika se kjo do t’i “mërzisë njerëzit” dhe mund të “rihapë plagët”.

Kur pyetet për vdekjet e civilëve, ai thotë se talebanët shënjestronin autokolonat amerikane dhe se civilëve u kërkohej të qëndronin larg bazave të huaja.

Sa herë që përpiqem ta pyes për sulme specifike që ndodhën në zona civile, ai i shmanget pyetjes.

Aktualisht po shkëputet përkohësisht nga detyrat zyrtare për trajtim mjekësor, por më parë ishte zëvendësdrejtor i burgjeve për të gjithë vendin – dhe drejtonte pikërisht burgun ku ai vetë ishte mbajtur në pritje të ekzekutimit nën qeverinë e mëparshme.

Badr na fton ta shoqërojmë në një mbledhje fisnore, ku kreu i një fondacioni bamirësie do ta nderojë me një medalje. Por gjërat marrin një kthesë të papritur.

“Zoti Badr është krenari për Afganistanin dhe një luftëtar i madh”, thotë Sultan Mohammad Talaee. “Por kam edhe një ankesë. Nëse shkollat dhe arsimi do të ishin të hapura për të gjithë, do të ishte një vepër e madhe për Afganistanin. Shpresoj që kjo të mos ju ofendojë.”

Pasojnë disa çaste heshtjeje të sikletshme, ndërsa audienca e tij nuk di si të reagojë. Mikrofoni i Talaee-s hiqet menjëherë.

Më pas, ai i thotë BBC-së: “Kërkova që shkollat e vajzave të rihapen… kërkimi i dijes është detyrim si për burrat, ashtu edhe për gratë në Islam.”
Ai shton: “Kishte edhe gjëra të tjera që doja të thosha, por nuk më lanë të flisja më gjatë.”

Shpesh, ata që flasin hapur përballen me pasoja shumë më të rënda.

Gratë na treguan për dëshpërimin e thellë që ndienin për ëndrrat e shkatërruara nga kufizimet mbi arsimin, si dhe për shoqet e tyre të burgosura për shkak se kishin protestuar.

Shumica e gazetarëve me të cilët folëm thanë se ishin thirrur ose marrë në pyetje nga organizata e inteligjencës së talebanëve, Estikhbaraat.

BBC-ja ia paraqiti disa prej këtyre shqetësimeve zëdhënësit të qeverisë talebane, i njohur si Zabihullah Mujahid.

Ai ka qenë një nga fytyrat publike të qeverisë talebane që prej vitit 2021. Ai vazhdon të përdorë pseudonimin me të cilin njihej prej vitesh gjatë kryengritjes, por na tha se emri i tij i vërtetë është Tahir Shah Seddiqi, duke e bërë këtë publikisht për herë të parë.

Në një qendër luksoze shtypi, të financuar nga amerikanët për qeverinë e mëparshme, e pyesim për konferencën e parë për shtyp që ai zhvilloi aty, dy ditë pasi talebanët morën kontrollin e vendit.

Atëherë, ai i tha botës se qeveria talebane do t’i lejonte gratë të punonin dhe të studionin “brenda kornizave tona” dhe se ato do të ishin “shumë aktive” në shoqëri. Pse nuk e mbajtën fjalën?

“Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave, lirisë së shprehjes dhe gjërave të tjera brenda Sheriatit”, përgjigjet ai. “Ne duhet ta shohim gjithçka përmes këndvështrimit të Sheriatit.”

Lejimi i grave të punojnë në zyra si e tija “do të çonte në imoralitet” dhe “dinjiteti i tyre do të cenohej”, shton ai.

Ai thotë se çështja e arsimimit të grave është “në diskutim… ne kemi nevojë për një zgjidhje të bazuar në Sheriat për të”.

Kur pyetet për goditjen e talebanëve ndaj lirisë së medias, ai thotë: “Në një shoqëri si Afganistani kemi kufizimet tona. Nuk mund t’i lejojmë mediat të bëjnë çfarëdo propagande që duan… ato nuk mund të transmetojnë kundër ligjeve dhe riteve islame.”

Qeveria talebane ndodhet në Kabul, por Mujahid kalon shumë kohë në qytetin jugor të Kandaharit, bastioni i talebanëve, të cilin disa tashmë e konsiderojnë kryeqytetin de facto.

Kërkojmë të takojmë udhëheqësin suprem të talebanëve, Hibatullah Akhundzada, i cili është me bazë atje. Ai shfaqet rrallë në publik dhe nuk ka dhënë kurrë një intervistë për mediat – na thuhet se për momentin kjo nuk do të jetë e mundur.

Kufizimet janë shtrënguar në Kandahar që nga vizita ime e fundit dy vjet më parë. Tani burrat duhet të kenë mjekër. Radiot nuk lejohen të luajnë muzikë ose të transmetojnë zërat e grave dhe ne nuk u lejuam të filmonim në qytet.

Dy orë larg me makinë, përgjatë rrugëve me pluhur, disa nga ish-luftëtarët më të përkushtuar të grupit i treguan BBC-së rrjetin e vjetër sekret të shpellave të kryengritësve.

Abid Lalai, një ish-luftëtar që tani shërben në një pikë kontrolli si pjesë e një force sigurie nën ministrinë e brendshme, na tregon vrimat nga të cilat qëllonte dhe vendet ku mbante Kuranin dhe varte pushkët AK-47.

Eprori i tij, Abdul Samad, na tregon një varrezë pa shenja, duke thënë se babai i tij është varrosur këtu, pasi u vra duke luftuar për talebanët.

Zona është një nga më të varfrat në një vend ku OKB-ja thotë se tre në katër njerëz nuk janë në gjendje të sigurojnë nevojat e tyre bazë. Samad thotë se popullsia vendase ka nevojë urgjente për ujë, rrugë dhe klinika.

“Zyrtarët e Emiratit [taleban] nuk na kanë harruar”, thotë Samad. Ai thotë se udhëheqësit mund të jenë të zënë me prioritete të tjera. “Ne kemi shpresë se një ditë do të kujdesen për ne.”

Pesë vjet pasi talebanët nisën periudhën e tyre të dytë në pushtet, varfëria, papunësia dhe paqëndrueshmëria ekonomike mbeten shqetësime urgjente.

Figurat e talebanëve me të cilat folëm thanë se po punonin për t’i trajtuar këto probleme, por takuam edhe njerëz të tjerë që besojnë se vetë grupi është problemi kryesor i vendit.

“Jam pa fjalë se si një grup që nuk ka asnjë kuptim për jetën është papritur në pushtet”, thotë Hoda – jo emri i saj i vërtetë – një grua që protestoi në rrugë kur talebanët u kthyen për herë të parë në pushtet.

“Gratë nuk mund ta pranojnë këtë situatë”, i thotë ajo BBC-së. “Ata mund t’i shtojnë kufizimet, por kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.”

“Unë mendoj se talebanët kanë frikë nga gratë e arsimuara”, shton ajo. “Prandaj i kufizojnë gratë. Ata duan gra të paarsimuara që të mos mund të rrisin burra të mençur. Sepse kjo do t’i jepte fund talebanëve.”

Urdhër-arresti nga Turqia për kryeministrin izraelit shton tensionet mes vendeve, Netanyahu përplaset me Erdoganin

Urdhër-arresti nga Turqia për kryeministrin izraelit shton tensionet mes vendeve, Netanyahu përplaset me Erdoganin

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë të ashpër kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas një sulmi izraelit në Siri dhe lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Netanyahut nga autoritetet turke. “Erdogan tani kërkon ta shtrijë agresionin e tij kundër Izraelit edhe në Siri. Izraeli nuk do ta tolerojë këtë”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Zyra e kryeministrit përsëriti gjithashtu akuzat e mëparshme ndaj Erdogan, duke e cilësuar atë një “diktator antisemit” dhe duke e akuzuar për vrasjen e kurdëve, strehimin e militantëve të Hamasit, pushtimin e gjysmës së Qipros dhe burgosjen e një numri të madh gazetarësh e politikanësh që e kundërshtojnë.

Deklarata izraelite erdhi vetëm pak orë pasi Turqia lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për Benjamin Netanyahun, në kuadër të një hetimi lidhur me ndërhyrjen e Izraelit ndaj një flotiljeje aktivistësh që po udhëtonte drejt Gazës. “Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar drejtuesit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të çojë askund”, thuhet më tej në deklaratën e zyrës së Netanyahut.

Në një deklaratë të veçantë në hebraisht, zyra e kryeministrit theksoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë me forcë kundër përpjekjeve të Turqisë për të destabilizuar rajonin dhe kundër çdo kërcënimi ndaj sigurisë së tij.

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë, dikur relativisht të afërta, janë përkeqësuar ndjeshëm që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftës pasuese në Gaza.

SHBA vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze, Kryeministri Carney: Do përgjigjemi “dollar për dollar”

SHBA vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze, Kryeministri Carney: Do përgjigjemi “dollar për dollar”

Një valë e re tarifash amerikane prej 50% ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze ka hyrë në fuqi të shtunën, pasi negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë dështuan në minutat e fundit.

Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi pezullimin e bisedimeve dhe urdhëroi negociatorët kanadezë të kthehen në Ottawa. Ai tha se ndryshimet e fundit të propozuara nga SHBA-ja ishin “të padrejta” dhe “joekonomike”, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje të ardhshme.

Kanadaja kundërpërgjigjet
Carney paralajmëroi se Kanadaja do të përgjigjet “dollar për dollar”, duke vendosur tarifa reciproke ndaj mallrave amerikane për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset kanadeze. Ottawa e konsideron këtë një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj tarifave të reja amerikane dhe nuk përjashton përshkallëzimin e konfliktit tregtar.

Tarifat amerikane prekin rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze, ose pak më shumë se 5% të eksporteve të Kanadasë drejt SHBA-së. Mes produkteve të prekura janë vera, produktet e qumështit, çimentoja, veshjet dhe pajisjet e hokejit, ndërsa tarifat e reja u shtohen masave ekzistuese ndaj çelikut, aluminit, automjeteve dhe lëndës drusore.

Negociatat kishin shënuar përparim gjatë javës, me diskutime për uljen e tarifave amerikane ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve kanadeze. Megjithatë, palët nuk arritën marrëveshje përfundimtare.

Nga ana amerikane, përfaqësuesi tregtar Jamieson Greer tha se Kanadaja kishte refuzuar kushtet e ofruara nga Uashingtoni dhe kishte paraqitur kërkesa të reja. Përplasja ka rritur ndjeshëm tensionet mes dy partnerëve kryesorë tregtarë dhe ka hedhur pikëpyetje edhe mbi të ardhmen e marrëveshjes tregtare SHBA–Meksikë–Kanada.