Michael Jackson do të festonte sot 68-vjetorin. Bota kujton Mbretin e Pop-it, nga festat te filmi i ri

Michael Jackson do të festonte sot 68-vjetorin. Bota kujton Mbretin e Pop-it, nga festat te filmi i ri

Michael Jackson do të festonte më 29 gusht, 68-vjetorin e lindjes. Edhe 17 vite pas vdekjes së tij, emri i Mbretit të Pop-it vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, me evente në SHBA, projekte të reja filmike, muzikë që rikthehet në klasifikime dhe një brez të ri artistësh që vazhdon të frymëzohet prej tij.

Michael Jackson lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana dhe ndërroi jetë në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare. Sot, në qytete të ndryshme të botës, fansat po e shënojnë ditëlindjen e tij me aktivitete dhe homazhe.

Spike Lee rikthen “BK Loves MJ” në Brooklyn

Një prej aktiviteteve më të mëdha zhvillohet në Brooklyn, ku regjisori Spike Lee rikthen festën e përvitshme “BK Loves MJ”. Eventi zhvillohet sot në Fort Greene Park dhe është një festë falas shtatëorëshe, me muzikë dhe kërcim. Në të do të jetë edhe DJ Spinna, ndërsa organizimi realizohet në partneritet me Jordan Brand.

Spike Lee është prej vitesh një prej admiruesve më të mëdhenj publikë të Michael Jackson dhe festa në Brooklyn është kthyer në një prej aktiviteteve më të njohura për fansat e këngëtarit.

Edhe Las Vegas do kujtojë Michael Jackson

Në Las Vegas, ditëlindja e Jackson po shënohet me një event të veçantë gjatë shfaqjes “Michael Jackson ONE”, produksioni i Cirque du Soleil i dedikuar muzikës dhe trashëgimisë së këngëtarit.

Fansat janë mbledhur për një festë speciale që kulmon me një performancë të veçantë të kastit të shfaqjes.

Gary nderon djalin e saj më të famshëm

Edhe qyteti i lindjes së Michael Jackson, Gary në Indiana, po e kujton ikonën e tij.

Sot dhe nesër zhvillohet “2300 Jackson Street Block Party”, një aktivitet dyditor që nderon Michael Jackson dhe familjen Jackson. Programi përfshin muzikë, DJ, të ftuar dhe aktivitete të ndryshme për komunitetin.

Në të njëjtën kohë, një koleksion i ri i krijuar në bashkëpunim me markën Actively Black po përdoret edhe për të mbledhur fonde në ndihmë të Gary-t, qytetit që prej vitesh përballet me probleme sociale dhe ekonomike.

“Michael” riktheu Mbretin e Pop-it në kinema

Një prej arsyeve pse 68-vjetori i Jackson është edhe më i veçantë këtë vit është suksesi i filmit biografik “Michael”. Në rolin e Michael Jackson shfaqet nipi i tij, Jaafar Jackson. Filmi ka rikthyer historinë e këngëtarit përpara një audience të re dhe ka hapur diskutime të shumta mbi jetën, karrierën dhe figurën e tij.

Suksesi i filmit ka sjellë tashmë edhe diskutime për një vazhdim. Jaafar Jackson ka zbuluar se një film i dytë mund të trajtojë periudhat më të komplikuara të jetës së Michael Jackson, përfshirë akuzat, të cilat nuk u përfshinë në filmin e parë për arsye ligjore. Sipas Jaafar, vazhdimi do të përpiqet ta tregojë historinë edhe nga këndvështrimi i vetë Michael Jackson.

Muzika e Michael Jackson vazhdon të jetojë

Në ditëlindjen e tij, edhe muzika e Michael Jackson po rikthehet në qendër të vëmendjes. Këngët dhe albumet e tij vazhdojnë të jenë pjesë e klasifikimeve muzikore, ndërsa katalogu i tij mbetet një prej pasurive më të rëndësishme në historinë e muzikës pop.

“Thriller”, “Billie Jean”, “Beat It”, “Bad”, “Smooth Criminal” dhe dhjetëra hite të tjera vazhdojnë të dëgjohen nga miliona njerëz në mbarë botën. Gjatë vitit 2026, muzika e Jackson ka përjetuar një rikthim të fortë në vëmendjen e publikut. Mediat kanë raportuar për performancën e këngëve të tij në platformat e streaming-ut dhe për interesin e një gjenerate të re, e cila po e zbulon artistin përmes rrjeteve sociale, TikTok-ut dhe filmit “Michael”.


Por ndikimi i Jackson shkon përtej muzikës. Nga “Moonwalk”-u te koreografitë, moda, videoklipet dhe mënyra e ndërtimit të spektaklit, stili i tij vazhdon të frymëzojë dhe të përshtatet nga artistë të rinj. Festimet dhe aktivitetet e organizuara në Brooklyn, Las Vegas dhe Gary, së bashku me projektet e reja që lidhen me trashëgiminë e tij, tregojnë se interesi për Mbretin e Pop-it mbetet i fortë.

17 vjet pas vdekjes së tij, Michael Jackson vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të kulturës globale. Ditëlindja e tij nuk është vetëm një moment nostalgjie për fansat, por edhe një kujtesë e ndikimit të jashtëzakonshëm që ai pati në muzikë, kërcim, modë dhe kulturën pop. Artistë të rinj vazhdojnë të frymëzohen nga muzika e tij, “Moonwalk”-u dhe mënyra unike e performancës, duke e mbajtur gjallë trashëgiminë e tij për breza të rinj.

Michael Jackson, ndër humanitarët më të mëdhenj në botë

Michael Jackson u njoh jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe për humanizmin dhe përkushtimin ndaj kauzave sociale. Ai ishte një nga figurat më të njohura të artit për angazhimin e tij humanitar.

Gjatë jetës së tij, vlerësohet se Michael Jackson dhuroi mbi 500 milionë dollarë për kauza bamirësie dhe mbështeti 39 organizata humanitare, një rekord i njohur nga Guinness World Records për një artist pop. Kjo shifër është raportuar edhe nga Los Angeles Times, megjithëse shuma e saktë mund të jetë më e madhe, sepse shumë donacione i bënte në mënyrë private.

Ai kontribuoi gjithashtu në projekte si “We Are the World”, që mblodhi fonde për luftën kundër urisë.

Michael dhuroi 1.5 milionë dollarë për trajtimin e viktimave të djegieve.  Pas aksidentit me djegie në vitin 1984, ai i dhuroi të gjithë shumën prej 1.5 milionë $ të marrë nga marrëveshja, për krijimin e një qendre për trajtimin e djegieve.

Përmes Heal the World Foundation, ai dërgoi 46 tonë ndihma në Sarajevë.  Nëpërmjet aktiviteteve të tij humanitare, Jackson ndihmoi njerëz dhe komunitete në vende të ndryshme të botës.

U arrestua me Ergys Agasin, Uljan Shpatarakut i hiqet leja e armës, i sekuestrohet arsenali në banesë

U arrestua me Ergys Agasin, Uljan Shpatarakut i hiqet leja e armës, i sekuestrohet arsenali në banesë

Ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i është hequr leja e armës, ndërsa autoritetet i kanë sekuestruar edhe armët që mbante në banesë.

Shpataraku, i cili u arrestua pasi u kap duke drejtuar automjetin e Ergys Agasit dhe akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit disa javë më parë. Pas largimit nga detyra, ndaj tij nisën edhe procedurat për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit.

Gjatë këtyre procedurave, autoritetet zbuluan se ish-zyrtari policor, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt me ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zotëronte me leje edhe disa armë të tjera në banesën e tij.

Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do ta përfshijë Shpatarakun në një hetim më të gjerë për lidhjet e mundshme me grupin kriminal të Ergys Agasit, i cili u arrestua gjatë një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, ndaj Shpatarakut janë ngritur dyshime se mund të ketë pasur një precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar. Kjo rrethanë pritet të verifikohet dhe të hetohet më tej nga autoritetet.

Këtë të shtunë Shpataraku që akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”, do të njihet me masën e sigurisë në GJKKO.

SHBA, presidenti Trump: Në marrëveshje me Venezuelën, marrim kontrollin e 65 miliardë fuçive naftë

SHBA, presidenti Trump: Në marrëveshje me Venezuelën, marrim kontrollin e 65 miliardë fuçive naftë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me Venezuelën për të marrë kontrollin e më shumë se 65 miliardë fuçive të rezervave të provuara të naftës së vendit.

“Ky transaksion historik i dyfishon shumë rezervat amerikane të naftës, rrit shumë furnizimin tonë me naftë dhe do të ulë ndjeshëm çmimet e gazit për të gjithë amerikanët, shumë kohë në të ardhmen”, tha Trump në platformën e tij Truth Social, duke e përshkruar atë si marrëveshja më e madhe e naftës në historinë botërore.

Ai tha se marrëveshja u arrit në koordinim me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, dhe përfshinte kompani të sektorit privat.

Detajet e mëtejshme të marrëveshjes nuk ishin menjëherë të disponueshme.

Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga Venezuela.

Tragjedi në Jacksonville të SHBA, tre fëmijë të një familjeje shqiptare humbin jetën nga zjarri ne banesë

Tragjedi në Jacksonville të SHBA, tre fëmijë të një familjeje shqiptare humbin jetën nga zjarri ne banesë

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre dykatëshe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht.

Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike në spital. Bilanci është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.

Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.

Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa. Gjatë kontrollit të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.

Një fqinj u tha mediave amerikane se banorë të zonës ndihmuan në përpjekjet për shpëtim, duke nxjerrë nga një dritare e katit të dytë një foshnjë dhe një të rritur.

Të afërmit që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria.

Në vendngjarje ishin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë momentet e dhimbshme të familjarëve pranë banesës së përfshirë nga zjarri.

Fotot nga vendngjarja tregojnë banesën e dëmtuar rëndë nga flakët, ndërsa në oborr shihen ende lodra fëmijësh dhe një kosh basketbolli.

Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40. Flakët shkaktuan dëme të mëdha në banesë dhe prekën edhe dy njësi ngjitur.

Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat që kanë mbetur pa strehë.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende nuk është bërë i ditur.

Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve që humbën jetën dhe solidaritet me të plagosurit.