26 Gusht 2026, 12:59
Një 26-vjeçar nga Kruja është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi dyshohet se po transportonte një pistoletë drejt Tiranës me qëllim shitjen e saj.
Operacioni policor, i koduar “Price”, u zhvillua pas informacionit të siguruar në rrugë operative për lëvizjen e të riut të armatosur në drejtim të kryeqytetit.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, ndërhynë në zonën e Kthesës së Kamzës, ku ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, tip pistoletë, e cila dyshohet se ishte siguruar për t’u shitur në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sigurimin apo shitjen e armës.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme ligjore.
26 Gusht 2026, 12:52
Gjashtë persona që punojnë në aeroportin e Frankfurtit janë prekur nga malaria, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë. Autoritetet gjermane po hetojnë burimin e infeksionit, pasi bëhet fjalë për një mënyrë transmetimi tepër të rrallë në vend.
Rastet u bënë publike fillimisht në korrik, kur u konfirmua se katër punonjës ishin infektuar. Së fundmi, numri i rasteve ka shkuar në gjashtë, ndërsa pesë të prekurit e tjerë po marrin trajtim në spital ose nën kujdes mjekësor.
Dyshimi kryesor i autoriteteve lidhet me mushkonja të infektuara që mund të kenë hyrë në Gjermani përmes avionëve. Sipas hipotezës së hetuesve, insektet mund të kenë ardhur nga vende ku malaria është endemike dhe të kenë mbërritur në aeroport nëpërmjet hapësirave të avionëve, veçanërisht zonave të ngarkesave.
Fenomeni njihet si “airport malaria” dhe është jashtëzakonisht i pazakontë në Gjermani. Në këtë skenar, mushkonjat e infektuara mund të pickojnë njerëzit dhe të transmetojnë parazitin që shkakton malarien.
Për të përcaktuar nëse ky është shkaku i rasteve, në aeroport janë vendosur kurthe speciale për mushkonjat. Disa insekte janë kapur tashmë dhe pritet t’u nënshtrohen analizave laboratorike për të parë nëse janë bartëse të parazitit.
Autoritetet kanë bërë të qartë se nuk ka prova për përhapje të malaries nga një person te tjetri. Sëmundja transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara të gjinisë Anopheles.
Punonjësve të aeroportit u është kërkuar të tregojnë kujdes ndaj simptomave të mundshme. Fraport i ka këshilluar ata që, nëse nuk ndihen mirë dhe shfaqin shenja që mund të lidhen me malarien, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe të informojnë mjekun se janë të punësuar në aeroport.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të veçantë pikërisht për shkak të rrallësisë së saj. Në Gjermani, pjesa më e madhe e rasteve të malaries diagnostikohen te persona që janë infektuar gjatë udhëtimeve në rajone tropikale. Një studim europian ka evidentuar 145 raste të lidhura me aeroporte ose bagazhe në Europë nga viti 1969 deri në 2024, ndërsa vetëm nëntë prej tyre janë raportuar në Gjermani.
Malaria mund të përparojë në forma të rënda dhe të bëhet kërcënuese për jetën. Në raste të komplikuara, sëmundja mund të shkaktojë dëmtime serioze të organizmit, koma dhe vdekje.
26 Gusht 2026, 12:49
Një krim i rëndë ka ndodhur në Prizren, ku një grua rreth moshës 80 vjeçare dyshohet se është vrarë nga burri i saj.
Lidhur me këtë rast ka folur Shaqir Bytyqi nga policia në Prizren.
‘’Sot në orët e hershme të mëngjesit rreth orë 1:30 minuta, policia ka pranuar informata se në një shtëpi banimi në Prizren, është gjetur pa shenja jete një femër diku rreth moshës 80 vjeçare. Policia dhe ekipi emergjencës kanë dalë në vendngjarje, të cilët e kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Bashkshorti i saj rreth moshës 80 vjeçar, është shoqëruar në stacionin policor. Fillimisht është raportuar si vdekje aksidentale nga bashkëshorti i saj, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ka lind dyshimi për vrasje të rëndë. Ka pas lëndime në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas evidencave të policisë qifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës së raportuar, dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpi’’, ka thënë ai.
25 Gusht 2026, 13:27
Të paktën 62 gra janë vrarë nga familjarët në Kosovë që nga viti 2010, sipas të dhënave të paraqitura në grafik, bazuar në rastet e regjistruara nga Policia e Kosovës.
Të dhënat përfshijnë periudhën nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2026 dhe tregojnë një problem të vazhdueshëm të vrasjeve të grave brenda familjes.
Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në vitin 2018 dhe 2020, me nga 7 gra të vrara në secilin vit.
Në vitin 2010 janë regjistruar 6 raste, ndërsa në vitin 2011 pesë. Nga viti 2012 deri më 2017, numri vjetor ka lëvizur nga një deri në tre raste.
Pas kulmit prej shtatë rastesh në vitin 2018, në vitin 2019 janë regjistruar pesë vrasje, ndërsa në vitin 2020 sërish shtatë.
Në vitet pasuese, të dhënat tregojnë:
2021 – 3 gra të vrara
2022 – 4 gra
2023 – 4 gra
2024 – 3 gra
2025 – 1 grua
2026 – 3 gra, deri në gusht