19 Gusht 2026, 21:47
Biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët prokuroria i konsideron pronarët ‘de facto’ të kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës, akuzohen se përdorën një rrjet të gjerë shoqërish brenda dhe jashtë vendit, fatura të dyshuara fiktive, transferta bankare dhe tërheqje në ‘cash’ nga persona të lidhur, për të devijuar rreth 30 milionë euro nga investimi në landfillin e Sharrës.
Besar Likmeta | BIRN
Në landfillin e kryeqytetit, përgjatë luginës së Erzenit në Sharrë, kodra e mbetjeve urbane vazhdon të ngrihet me kryeneçësi drejt qiellit, ndërsa kamionët vetëshkarkues sjellin çdo ditë tonelata të reja plehrash, të cilat grumbullohen me ndihmën e buldozerëve dhe ngjeshen mbi masivin ekzistues.
E vendosur përbri varrezave të Sharrës në Tiranë, landfilli digjet nën diellin përvëlues të gushtit dhe shpërndan në ajër një kutërbim të athët gazrash që sulmojnë pa mëshirë flegrat e hundës. Në vendin ku duhej të ngrihej inceneratori i Tiranës – i paraqitur në videot grafike të koncesionarit si një kompleks futurist në formën e piramidave binjake prej xhami me ngjyrë dhe strukturë metali – nuk ka asnjë gjurmë të investimit të premtuar.
Pas gjashtë vitesh hetime dhe debatesh publike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dërgoi në mesin e korrikut për gjykim 12 persona. Ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me “jaka të bardha”, që sipas organit të akuzës drejtohej nga biznesmenët në arrati Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dhe që dyshohet se tjetërsoi dhjetëra milionë euro nga fondet publike të destinuara për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Tiranës.
Sipas dosjes hetimore të depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), një kopje të së cilës e disponon dhe BIRN, të pandehurit akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash – të tjetërsuara nëpërmjet mashtrimit, ndërsa nuk kanë realizuar investimet e parashikuara.
“Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, nëpërmjet mashtrimit me fatura fiktive, shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në cash”, shprehen prokurorët e SPAK në njoftim për mediat.
Dosja e inceneratorit të Tiranës është një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, jo vetëm për shkak të vlerës së lartë të kontratës koncesionare, por edhe për ndikimin negativ që ka sjellë dështimi i investimeve në menaxhimin e mbetjeve urbane – një prej sfidave më të mprehta mjedisore me të cilat përballet vendi.
“Për vite me radhë, kemi akumuluar tonelata mbetjesh dhe kemi humbur kohë të çmuar e fonde, të cilat, po të ishin vënë në funksion të menaxhimit real të mbetjeve, do të kishim sot një situatë shumë më të përmirësuar në terren,” shprehet Besjana Guri, drejtuese e qendrës mjedisore “Lumi” dhe fituese e çmimit mjedisor ‘Goldman’, si pjesë e fushatës së suksesshme në mbrojtje të shtratit të egër të lumit Vjosa dhe kthimin e luginës në park kombëtar.
“Situata jo vetëm nuk është përmirësuar, por mbetjet e gjithë vendit vazhdojnë të depozitohen në landfill-e, vendgrumbullime të paligjshme apo të hidhen buzë lumenjve, duke bërë që ndotja të jetë e vazhdueshme dhe e pakontrolluar,” shtoi ajo.
Biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë në arrati që nga viti 2024. Ata besohet se janë strehuar në Austri dhe nuk ishin të arritshëm për koment. Ndërkohë, avokati i Mërtirit, Klodian Skënderaj i tha BIRN se SPAK-u “ka shpikur termin pronar faktik për z. Mërtiri dhe pa i atribuar asnjë veprim konkret i ka ngritur një sërë akuzash, të cilat nuk bazohen në fakte konkrete.”
Fryrja e kostove
Brenda pak vitesh pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, kompani të lidhura me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe partneren e tij, Stela Gugallja, siguruan nga qeveria shqiptare tre projekte për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Dy projektet e para kapnin së bashku një vlerë prej rreth 50 milionë eurosh, ndërsa kontrata 30-vjeçare e Tiranës parashikonte të ardhura prej gati 430 milionë eurosh gjatë gjithë periudhës së koncesionit.
Kontrata koncesionare për inceneratorin e Tiranës u firmos në vitin 2017. Ajo përfshinte ndërtimin e një landfilli, ngritjen e termovalorizatorit për prodhimin e energjisë elektrike dhe rehabilitimin e venddepozitimit ekzistues në zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Në shkëmbim të investimit të vlerësuar nga Ministria e Mjedisit në 128 milionë euro, bashkitë e qarkut Tiranë do të depozitonin mbetjet kundrejt një tarife prej 29 eurosh për ton për një periudhë 30-vjeçare.
Kjo kontratë erdhi si rrjedhojë e një propozimi të pakërkuar nga kompanitë “Energy Recuperator S.P.A”, “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (ITS) – kjo e fundit në pronësi të biznesmenit Klodian Zoto.
Megjithatë, nga hetimi i SPAK rezulton se nisma për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës ishte planifikuar që në vitin 2015 nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës. Jo vetëm që propozimi nuk ishte ide e Klodian Zotos, por edhe dokumentet e dorëzuara për marrjen e koncesionit janë hartuar nga zyrtarë publikë, të cilët paguheshin njëkohësisht nga shteti dhe nga kompania e tij, ITS.
Dosja hetimore përshkruan një komunikim të vazhdueshëm mes ish-këshilltarit të Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, dhe biznesmenit në kërkim. Sipas provave të administruara nga SPAK, Bezhani i dërgonte Zotos dokumente, informacione dhe madje hartoi vetë “Letrën e Interesit” që u paraqit si propozim i pakërkuar i kompanisë në procedurën koncesionare.
Vetë Bezhani ka pranuar se, ndërsa shërbente si këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, paguhej nga kompania e Zotos dhe përdorte adresën zyrtare të email-it të Ministrisë së Mjedisit për komunikime me kompaninë. SPAK argumenton se këto rrethana tregojnë nivelin e lartë të koordinimit mes zyrtarëve brenda autoritetit kontraktor dhe kompanisë propozuese, duke vënë në pikëpyetje karakterin “e pakërkuar” të projektit.
Të dhënat e siguruara nga SPAK nga emailet e sekuestruara nga kompjuteri i Klodian Zotos sugjerojnë gjithashtu se kompania koncesionare e fryu koston e investimit në landfill me 25.7 milionë euro, ndërsa gjysma e tarifës të depozitimit të mbetjeve ishte përfitimi i koncesionarit.
Sipas dosjes hetimore, më 26 gusht 2016, Klodian Zoto i ka dërguar e-mail kompanisë “Paul Wurth”, duke ndarë parashikimet për planin e biznesit, në të cilin kostoja totale e investimit vlerësohej në rreth 102.5 milionë euro.
“Të nderuar zotërinj, bashkëngjitur është plani real i biznesit dhe jo ai shtetëror,” u shkruan Zoto partnerëve italianë.
Bezhani nuk është i vetmi zyrtar publik që ka përfituar financiarisht nga favorizimet e bëra ndaj kompanive koncesionare dhe biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri.
Dy biznesmenët dyshohet se kanë transferuar miliona euro në formë ryshfetesh te familjarë dhe persona të lidhur me zyrtarë të lartë – përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj – për të siguruar kontratat për ndërtimin e inceneratorëve.
Koka është shpallur fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ndërsa Bllako për shpërdorim detyre. Çështja ndaj Ahmetajt pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ish-zëvendëskryeministri është larguar nga vendi, duke kërkuar strehim politik në Zvicër.
Të tre ish-zyrtarët i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
Sipas Jorida Tabakut, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët në vitin 2021, SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të skemës së inceneratorëve, por nuk ka dhënë ende një panoramë të plotë të përgjegjësive penale, të ndërlidhjes mes tri kontratave dhe të destinacionit përfundimtar të parave.
Ajo e lidh këtë rezultat të pjesshëm me ndarjen e hetimit në disa procedime të veçanta. Edhe pse pranon se organi i akuzës mund të ketë pasur arsyet e veta procedurale për këtë qasje, Tabaku vlerëson se deri më tani hetimi ka prodhuar një tablo të fragmentuar të çështjes. Sipas deputetes së opozitës, mbetet e paqartë përse SPAK-u e ka cilësuar skemën e inceneratorit të Tiranës si veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa të njëjtët aktorë nuk janë konsideruar pjesë e një grupi të tillë edhe në çështjet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.
“Ende nuk e kuptojmë se si është e mundur që tre aktorë privatë të arrinin deri në nivelin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë dhe se si u përfshinë disa ministra, në periudha të ndryshme, në të njëjtën skemë,” tha ajo, ndërsa shtoi se dëshmitë e mbledhura nga Komisioni Hetimor dhe investigimet mediatike tregojnë për “kanale të drejtpërdrejta komunikimi dhe ndërhyrjeje që arrinin deri në nivelet më të larta të qeverisjes”.
“Këto lidhje nuk kanë marrë ende një përgjigje të plotë penale dhe institucionale,” theksoi Tabaku.
Pronarë faktikë
Sipas SPAK, pas kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës qëndronte një strukturë pronësie me dy nivele, e cila kalonte përmes Holandës dhe që, pavarësisht emrave që shfaqeshin në dokumente, kontrollohej në të vërtetë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Konsorciumi i kompanive që fitoi koncesionin e inceneratorit të Tiranës ngriti fillimisht një kompani “holding” në Eindhoven, të quajtur Integrated Energy B.V. Përmes saj u themelua më pas në Shqipëri shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k., e cila më 31 gusht 2017 nënshkroi kontratën e koncesionit me Ministrinë e Mjedisit. Kompania holandeze zotëronte 100% të aksioneve të koncesionarit shqiptar.
Sipas SPAK, Integrated Energy B.V. u krijua nga Integrated Technology Services (ITS) e Klodian Zotos dhe dy partnerët italianë, Paul Wurth Italia dhe Energy Recuperator. Megjithatë, një marrëveshje bashkëpunimi e lidhur përpara themelimit të kompanisë parashikonte që, pas fitimit të koncesionit, partnerët italianë t’ia transferonin aksionet e tyre ITS-së, nëse kjo e fundit i kërkonte ato.
Struktura formale e pronësisë ndryshoi disa herë në vitet që pasuan. Më 25 qershor 2021, në regjistrin shqiptar të pronarëve përfitues u deklaruan si aksionerë të kompanisë holandeze – tashmë të riemërtuar Geogenix BV – tre shtetas italianë: Giuseppe Ciaffaglione me 30%, Salvatore Russelli me 25% dhe Alberto Pressezzi me 43%.
Pressezzi u shpjegoi prokurorëve se përfshirja e tij dhe e partnerëve të tij në Geogenix ishte si “aksioner i fjetur” dhe kushtëzohej me sigurimin e 100 milionë eurove financim për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Vetëm nëse financimi sigurohej, ata do të aktivizoheshin si aksionerë dhe do të merrnin kontrollin e plotë financiar dhe menaxherial të kompanisë. Sipas dëshmisë së tij, financimi nuk u sigurua dhe ky kontroll nuk u ushtrua.
Pas kësaj serie ndryshimesh formale të pronësisë, SPAK pretendon se fijet e kontrollit mbetën në duart e Zotos dhe Mërtirit. Sipas prokurorisë, të dy ishin pronarët ‘de facto’ të kompanisë holandeze dhe përdorën persona e shoqëri të tjera për të fshehur pronësinë reale, ndërsa vazhduan të merrnin vendime dhe t’u jepnin udhëzime drejtuesve të saj. Mërtiri, në mënyrë të veçantë shfaqet si një mikro-menaxher, i cili vendoste për pagat e rojeve dhe ndëshkonte vartësit me sanksione financiare për ‘mosinformim ndaj eprorit.”
Sipas Zef Preçit, ekspert i ekonomisë dhe drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ACER, përdorimi i kompanive offshore dhe strukturave me pronësi jotransparente nga një koncesionar që financohet me para publike përbën risk të lartë institucional dhe fiskal, pasi cenon një prej parimeve bazë të llogaridhënies – të dihet se kush përfiton dhe ku përfundojnë fondet publike.
“Kur pronarët realë fshihen pas strukturave të tilla, autoritetet e kanë më të vështirë të verifikojnë lidhjet e koncesionarit me zyrtarë publikë, persona të ekspozuar politikisht apo subjekte të sanksionuara, duke dobësuar njëkohësisht kontrollin mbi konfliktet e interesit dhe përdorimin e parave publike,” tha Preçi.
“Strukturat offshore e vështirësojnë ndjeshëm identifikimin e përfituesve realë dhe ndjekjen e gjurmës së parave, veçanërisht kur përdoren zinxhirë kompanish, aksionerë nominalë dhe juridiksione që nuk ofrojnë të dhëna të shpejta ose të plota mbi pronësinë,” shtoi ai.
Sipas Preçit, nëse një koncesionar i financuar me fonde publike lejohet të përdorë struktura offshore dhe pronësi jotransparente, pa iu nënshtruar identifikimit, verifikimit dhe monitorimit të plotë, problemi shkon përtej përgjegjësisë së individëve të përfshirë dhe nxjerr në pah dobësi sistemike në mekanizmat e kontrollit të parasë publike.
“Sistemi ynë, kryesisht për shkak të kontrollit politik, bashkëpunimit të hapur të qeverisë me oligarkët dhe lidhjeve që shtrihen deri te segmente të krimit të organizuar, vazhdon të shfaqë dobësi të theksuara,” tha ai.
“Raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, por edhe studimet tona, vazhdojnë të evidentojnë rreziqe që lidhen me detyrimet potenciale të PPP-ve, mungesën e transparencës fiskale dhe dobësitë në monitorimin e kontratave,” shtoi Preçi.
Skema e pastrimit të parave
Kur shteti mori nën administrim kompaninë që kishte fituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës, në verën e vitit 2023, bilanci mes parave të qarkulluara dhe veprës së ndërtuar ishte i thellë. Integrated Energy BV SPV kishte arkëtuar më shumë se 11.3 miliardë lekë (rreth 104 milionë euro) nga fondet publike dhe burime të tjera të lidhura me aktivitetin e saj, si dhe kishte marrë rreth 12.9 milionë euro kredi bankare, prej të cilave 8.8 milionë euro kishin mbetur të pashlyera. Por sipas aktit të ekspertimit teknik, investimet e realizuara arrinin në vetëm 21 milionë euro, ose 12.4% të vlerës së parashikuar, ndërsa në arkën e kompanisë kishin mbetur vetëm 4 milionë lekë (rreth 37 mijë euro).
Për hetuesit e SPAK-ut, ky hendek ngriti një pyetje thelbësore: ku kishin shkuar paratë?
Një pjesë të përgjigjes e dha ekspertimi kontabël. Sipas tij, pjesa më e madhe e parave të qarkulluara nga koncesionari nuk ishte investuar në ndërtimin e inceneratorit sipas projektit dhe planit të biznesit, por ishte përdorur për aktivitetin e vetë kompanisë dhe për pagesa ndaj nënkontraktorit kryesor, Integrated Technology Services, ITS, në pronësi të Klodian Zotos. Rreth 5.6 miliardë lekë (51.5 milionë euro), ose 45.1% e totalit të blerjeve, rezultojnë të regjistruara si autongarkesa – një mekanizëm kontabël ku dokumenti fiskal për transaksionin gjenerohet nga vetë subjekti, ndërsa 2.72 miliardë lekë (25 milionë euro), ose 21.9%, lidhen me ITS-në. Shpenzimet operative, përfshirë pagat dhe sigurimet shoqërore, shtuan edhe 1.83 miliardë lekë (16.8 milionë euro).
Gjurmimi i llogarive bankare e çoi hetimin më tej. Sipas SPAK-ut, ITS përfitoi nga koncesionari mbi 3 miliardë lekë (27.6 milionë euro) dhe 6.7 milionë euro të tjera në pagesa që tejkalonin ndjeshëm vlerën e kontratës së nënkontraktimit mes dy kompanive – të cilën prokuroria e konsideron të falsifikuar, si dhe faturimet e deklaruara prej rreth 2.88 miliardë lekësh (26.5 milionë euro).
Brenda këtij fluksi, prokuroria identifikoi edhe rreth 973 milionë lekë (9 milionë euro) në fatura të falsifikuara, të lidhura me kompani që sipas hetimit ishin fiktive dhe nuk ushtronin aktivitet real tregtar. Të dhënat bankare tregojnë se për këto fatura, ITS pagoi rreth 398.3 milionë lekë (3.7 milionë euro) dhe 2.27 milionë euro, para që, sipas SPAK-ut, u tërhoqën më pas në cash dhe përfunduan në favor të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.
SPAK pretendon gjithashtu se Mërtiri dhe Zoto orientuan stafin e koncesionarit për të tërhequr drejtpërdrejt nga llogaritë bankare të kompanisë rreth 112.8 milionë lekë (1 milion euro) dhe 247 mijë euro, të cilat dyshohet se u përdorën për interesat e tyre personale.
Gjurmët e parave të tjetërsuara kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë. EM Capital Group AD, një kompani bullgare e kontrolluar nga Mërtiri dhe ku më pas u bë aksioner edhe Zoto, mori 1.05 milionë euro nga koncesionari për shërbime inxhinierike. Por sipas SPAK-ut, hetimi nuk gjeti prova se kompania kishte ofruar mallrat, projektet apo shërbimet për të cilat ishte paguar.
Një mekanizëm i ngjashëm, sipas prokurorisë, u përdor me kompaninë mëmë holandeze Geogenix BV. Integrated Energy BV SPV transferoi drejt saj qindra mijëra euro përmes llogarive në Turqi dhe Lituani, bazuar në fatura që SPAK i konsideron fiktive dhe që lidheshin me një kontratë prej 3.2 milionë eurosh për furnizimin e një impianti për trajtimin e tymrave.
Por transfertat drejt kompanive të lidhura dhe faturat e dyshuara si fiktive ishin vetëm një pjesë e mënyrave që SPAK pretendon se u përdorën për të nxjerrë para nga koncesioni.
Hetimi përshkruan gjithashtu fryrje të kostove të shërbimeve inxhinierike, devijim të të ardhurave nga depozitimi i dherave dhe inerteve, lëvizje të parave cash përmes pikave të këmbimit valutor, klering dhe pagesa për pasuri të paluajtshme – mekanizma që, sipas prokurorisë, shërbyen për të kaluar një pjesë të fondeve të lidhura me koncesionin drejt interesave private.
Sipas deputetes Jorida Tabaku, rrjedha e parasë e dokumetuar nga SPAK mund të jetë vetëm maja e ajbsergut, pasi ende nuk ka një panoramë të qartë të të gjithë transaksioneve.
“Nuk dimë ku kanë përfunduar të gjitha paratë, nëpër sa kompani dhe llogari kanë kaluar, çfarë pasurish kanë krijuar dhe cilët janë përfituesit e vërtetë fundorë,” tha ajo.
“Ka arsye serioze për të dyshuar se rrethi i përfituesve nuk përfundon te personat që janë identifikuar deri më tani dhe se lidhjet mund të shkojnë në nivele më të larta,” shtoi Tabaku.
Testi i lakmusit
Edhe pse inceneratori i Tiranës nuk u ndërtua kurrë dhe kompania koncesionare është nën sekuestro preventive që nga korriku i vitit 2023, bashkitë e qarkut Tiranë dhe Durrës paguajnë çdo vit dhjetra miliona euro për depozitimin e mbetjeve në landfill, ndërkohë që incinerimi nuk realizohet.
Këto pagesa, së bashku me miliona euro të tjera që SPAK pretendon se u tjetërsuan përmes skemës së ngritur nga Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nxjerrin në pah dobësitë e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë për të mbrojtur paranë publike dhe për të rikuperuar fondet e dyshuara si produkte të korrupsionit apo veprimtarisë kriminale.
“Rasti i inceneratorit nxjerr në pah mungesën e mjeteve dhe boshllëqet ligjore me të cilat përballen organet e drejtësisë për të bllokuar apo rikuperuar këto fonde,” tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, ndësa shtoi se edhe kur abuzimi identifikohet, “interesat korruptive arrijnë të prevalojnë mbi interesin publik.”
Sipas Xhemollarit, shteti arrin në këtë mënyrë ta diagnostikojë korrupsionin, por jo ta ndalë atë apo të rikuperojë dëmin e shkaktuar. Pamundësia për të ndërprerë në kohë mekanizmat abuzivë krijon, sipas tij, terren për përsëritjen e tyre në projekte të tjera publike, ndërsa hetimet penale në disa raste zgjasin më shumë sesa vetë realizimi i punëve të vëna nën hetim.
Pikëpyetje mbi shtrirjen e hetimit ngre edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila thekson se skandalet e reja të qeverisë “Rama” nuk duhet ta eklipsojnë këtë çështje.
Sipas Tabakut, mbeten pa një përgjigje publike roli i Bashkisë së Tiranës dhe zinxhiri i vendimmarrjes në qeverinë qendrore për shpalljen e emergjencës mjedisore që i hapi rrugë projekteve të inceneratorëve. Ajo veçon si të pazbardhur plotësisht edhe çështjen e depozitimit të dherave nga kantieret e ndërtimit në landfillin e Sharrës, që sipas saj krijoi një “monopol de facto” dhe një burim shtesë të ardhurash për koncesionarin.
Deputetja e opozitës kërkon gjithashtu përgjigje për ekzekutimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit, gjurmimin e pasurive dhe rikuperimin e parave. Sipas saj, një hetim financiar nuk përfundon me ngritjen e akuzave, por duhet të identifikojë përfituesit fundorë dhe të çojë në sekuestrimin e produkteve të veprave penale.
“SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme, por ende mungojnë përgjigjet për çështjet më thelbësore: zinxhirin e plotë të vendimmarrjes, lidhjen mes tri dosjeve, rrjedhën e parave, përfituesit fundorë dhe rikuperimin e produkteve të veprave penale,” tha Tabaku, duke e cilësuar hetimin e inceneratorëve si “testin e lakmusit për reformën në drejtësi”.
19 Gusht 2026, 21:43
Shëndeti i grave përtej viteve riprodhuese po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në politikat dhe analizat shëndetësore europiane. Një analizë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rajonin europian tregon se gratë kalojnë më shumë vite me sëmundje kronike dhe paaftësi, ndërsa në disa raste problemet e tyre shëndetësore diagnostikohen më vonë ose dokumentohen më pak saktë.
Edhe të dhënat për Shqipërinë tregojnë një barrë të lartë të sëmundjeve kronike tek gratë. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut ishin shkaku kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë, por pesha e tyre ishte më e lartë te gratë. Ato përbënin 54.5% të të gjitha vdekjeve të grave, kundrejt 51.6% te burrat. Në total, sëmundjet e qarkullimit shkaktuan rreth 53% të vdekjeve në vend.
Një tjetër element që përkon me shqetësimin e ngritur nga OBSH lidhet me mënyrën se si regjistrohen shkaqet e vdekjes. Në Shqipëri, 20.9% e vdekjeve gjatë vitit 2025 u klasifikuan në grupin “simptoma, shenja dhe sëmundje jo mirë të përcaktuara”. Brenda këtij grupi, 72.9% lidhen me pleqërinë, ndërsa INSTAT evidenton se vdekjet e regjistruara për këtë shkak janë më të shpeshta te gratë sesa te burrat.
Në nivel europian, OBSH ngre të njëjtin shqetësim. Te gratë mbi 45 vjeç, shkaku i vdekjes ka rreth 14% më shumë gjasa sesa te burrat të regjistrohet në kategori të papërcaktuara, si insuficiencë kardiake, arrest kardiak, dobësi, demencë e paspecifikuar apo shkak i panjohur.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një pjesë e kësaj diference lidhet me faktin se gratë jetojnë më gjatë dhe në moshë të avancuar mund të vuajnë njëkohësisht nga disa sëmundje. Por analiza evidenton edhe diagnoza më të vonuara, më pak ekzaminime dhe përfaqësim më të ulët të grave në kërkimet klinike, veçanërisht për sëmundjet kardiovaskulare.
OBSH kërkon që kujdesi për shëndetin e grave të mos përqendrohet vetëm te shtatzënia dhe vitet riprodhuese, por të shtrihet gjatë gjithë jetës, me më shumë vëmendje ndaj diagnostikimit të hershëm dhe sëmundjeve kronike.
19 Gusht 2026, 21:25
Shqipëria renditet ndër vendet ku punonjësit kanë një numër relativisht të lartë ditësh pushimi të paguar. Sipas një analize të publikuar nga Visual Capitalist, e cila përfshin rreth 185 shtete, në llogaritje janë marrë së bashku ditët e lejes vjetore të përcaktuara me ligj dhe festat zyrtare të paguara.
Në nivel global, punonjësit kanë mesatarisht 30 ditë pushimi të paguar në vit. Shqipëria qëndron mbi këtë nivel, me 34 ditë, duke u renditur ndër vendet me më shumë ditë pushimi në rajon.
Në Ballkan, pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 32 ditë, ndërsa Serbia ka 31 ditë. Bosnje dhe Hercegovina është në nivelin e mesatares globale, me 30 ditë, ndërsa Mali i Zi ka një total më të ulët, me 28 ditë pushimi të paguar.

Në krye të renditjes globale qëndron Irani me 53 ditë, ku numri i lartë i festave zyrtare kompenson pjesërisht numrin më të kufizuar të ditëve të lejes vjetore dhe javën tradicionale gjashtëditore të punës.
Edhe vendet e Lindjes së Mesme zënë pozicione të larta. Jemeni ka 45 ditë, Bahreini 44, Kuvajti 42 dhe Omani 39. Totali ndryshon nga një shtet në tjetrin, pasi disa ofrojnë më shumë ditë leje vjetore, ndërsa të tjerë kanë një numër më të madh festash zyrtare.
Në Evropë, shumica e vendeve qëndrojnë rreth ose mbi mesataren globale. Islanda ka 40 ditë, ndërsa Suedia, Portugalia dhe Sllovakia nga 35 ditë.
Në skajin tjetër të renditjes ndodhet Mikronezia me vetëm 9 ditë, ndërsa SHBA-ja ka 10 ditë, një total sa rreth një e treta e mesatares globale të këtij grupi të dhënash.
Megjithatë, analiza mat vetëm pushimet e garantuara me ligj dhe jo numrin real të ditëve të pushimit që marrin punonjësit. Në SHBA, për shembull, ligji federal nuk i detyron punëdhënësit privatë të ofrojnë pushime të paguara. Pavarësisht kësaj, në vitin 2025 rreth 80% e punonjësve të sektorit privat kishin akses në pushime të paguara, ndërsa 31% e atyre me të paktën një vit në të njëjtin vend pune morën 10 deri në 14 ditë pushim.
19 Gusht 2026, 21:11
Në ditën e 81-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës, qytetarët kanë përcjellë mesazhet e tyre përmes pankartave të shpalosura në shesh.
Në njërën prej tyre, krahas imazhit të kryeministrit Edi Rama, shkruhet: “Arroganca ka mbarim, korrupsioni kërkon ndëshkim”.
Me këtë mesazh, protestuesit shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe kërkojnë ndëshkim për atë që e konsiderojnë korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Një tjetër pankartë përçon një mesazh ironik ndaj qeverisë: “Ju me tendera e miliona, ne në rrugë me pankartat tona”.
Pankartat janë bërë pjesë e protestës prej 81 ditësh, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
19 Gusht 2026, 21:02
Qytetarët që kanë marrë vendimin për kalimin në pronësi të shtëpive të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim apo trojeve funksionale, mund ta regjistrojnë atë përmes portalit e-Albania Agjencia Shtetërore e Kadastrës i ka dhënë në një përmbledhje të saj hapat që duhet të ndiqen për këtë process.
Sipas Kadastrës, përmes kësaj procedure qytetarët mund të pajisen me dokumentacionin e plotë të pronësisë për shtëpinë e tyre.
Për të nisur aplikimin, qytetari duhet fillimisht të hyjë në llogarinë e tij në portalin e-Albania.
Më pas duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ” dhe të klikojë opsionin “Përdor”.
Pas hapjes së shërbimit, aplikanti duhet të krijojë një aplikim të ri dhe të plotësojë fushat e nevojshme të kërkuara në portal.
Në vijim duhet të shtohet nënshërbimi “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.
Sipas njoftimit, pas zgjedhjes së këtij nënshërbimi, sistemi shton automatikisht edhe shërbimin për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.
Pasi plotësohet aplikimi, qytetari duhet ta dërgojë atë, të shkarkojë mandatin dhe të kryejë pagesën.
Pagesa mund të realizohet online, pranë Postës Shqiptare ose në çdo bankë të nivelit të dytë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës u ka bërë të ditur qytetarëve se informacioni mbi dokumentacionin e nevojshëm gjatë aplikimit për shërbimet kadastrale mund të gjendet në faqen e saj të internetit, në rubrikën “Shërbime”.
19 Gusht 2026, 21:00
Taulant Pupa drejtuesi teknik i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001 sh.p.k” është duke shqyrtuar mundësinë për aplikim për kredi nëpërmjet programit “Dyfisho Sipërmarrjen tende”. Arsyeja e financimit është për vijimin e investimeve të nisur për automatizimin e prodhimit për plotësimin e standardeve para anëtarësimit në BE. Fabrika bashkëpunon më shumë se 400 fermerë të zonës së Juglindjes.
Pupa thotë se arsyeja e aplikimit është interesi i leverdishëm, por edhe shkurtimit të burokracive nëpërmjet programit dhe mbulimit deri në 70% të principalit nëpërmjet Garancisë Sovrane.
Bizneset e vogla dhe të mesme, si edhe fermerët, kanë mundësi të aplikojnë për financim në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e qeverisë në partneritet me Bankën e Shqipërisë dhe me 11 bankat e nivelit të dytë.
Programi synon të mbështesë investimet për zgjerimin dhe modernizimin e aktivitetit, duke ofruar financim deri në 200 mln lekë apo rreth 2 mln euro për përfitues, normë interesi preferenciale orientuese 2–3% dhe Garanci Sovrane deri në 70% të principalit të kredisë. Afati maksimal për shlyerjen e kredisë është deri në 10 vjet.
Çfarë duhet të bëjë një biznes që dëshiron të aplikojë?
Hapi i parë është përgatitja e dokumentacionit. Biznesi duhet të ketë, ndër të tjera, NIPT-in, vërtetimin tatimor dhe një plan biznesi ku të përcaktohet qartë investimi që kërkohet të financohet.
Në rast se biznesi nuk ka një plan biznesi të përgatitur, programi parashikon edhe asistencë teknike të financuar nga shteti, përmes ekspertëve që ndihmojnë në hartimin e planit dhe përgatitjen e dokumentacionit të aplikimit.
Pas përgatitjes së dokumenteve, kërkesa dorëzohet pranë një prej bankave tregtare pjesëmarrëse në skemë. Biznesi mund të krahasojë ofertat e bankave të ndryshme, por kredia përfundimtare miratohet nga një bankë e vetme.
Pas aplikimit, Banka shqyrton dokumentacionin dhe vlerëson riskun e biznesit dhe projektit të investimit. Më pas, për pjesën që mbulohet nga skema, Agjencia e Menaxhimit të Garancive konfirmon mbulimin me garanci sovrane.
Sipas kushteve të programit, garancia sovrane mund të mbulojë deri në 70% të principalit, duke ulur ekspozimin e bankës ndaj riskut dhe duke krijuar mundësi për kushte më të favorshme financimi.
Për pjesën e pambuluar nga garancia, pra deri në 30%, banka mund të kërkojë kolateral, në varësi të vlerësimit të dosjes dhe kushteve të kredisë.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kredia synon të financojë investime që sjellin rritje dhe zhvillim të aktivitetit, si:
blerje makinerish dhe pajisjesh;
modernizim të linjave të prodhimit;
investime në teknologji;
digjitalizim të biznesit, përfshirë ERP dhe sigurinë kibernetike;
standarde dhe certifikime për eksport, si ISO, HAÇP dhe CE;
investime në eficiencë energjetike dhe teknologji “green”;
investime në bujqësi dhe agro-përpunim;
investime në prodhim;
investime në turizëm dhe akomodim.
https://dyfisho.ekonomia.gov.al/sq
Ndërkohë, nuk financohen rifinancimi i kredive ekzistuese dhe kapitali qarkullues i thjeshtë, si blerja e lëndës së parë pa lidhje me një projekt investimi. Përjashtim mund të bëhet kur lënda e parë është pjesë integrale e një projekti teknologjik.
Skema është e hapur për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa prioritet u jepet aktiviteteve në bujqësi dhe agro-përpunim, prodhim, teknologji dhe software, turizëm dhe akomodim, tregti dhe logjistikë.
Sa është interesi dhe sa zgjat periudha e lehtësimit?
Norma e interesit është orientuese 2–3%, sipas kushteve të programit dhe financimit të miratuar. Programi parashikon gjithashtu një periudhë grace prej të paktën 12 muajsh nga disbursimi i kredisë, gjatë së cilës paguhet interesi dhe jo principali, sipas kushteve të përcaktuara për kredinë.
Pas dorëzimit të plotë të dokumentacionit, procesi i miratimit mund të zgjasë rreth 15–30 ditë pune, por afati konkret varet nga banka dhe nga kompleksiteti i dosjes.
Afati i aplikimit deri në nëntor 2027
Afati i aplikimit është deri më 20 nëntor 2027. Megjithatë, bizneset që janë të interesuara për financim këshillohen të përgatisin dokumentacionin dhe të aplikojnë sa më herët.
Në faqen e programit është vënë në dispozicion edhe një kalkulator kredie, për të llogaritur në mënyrë orientuese pagesën mujore në lekë, bazuar në shumën dhe kushtet e financimit.
P.sh për financim maksimal me vlerë 200 mln lekë me interes 3% dhe me Garanci Sovrane 70%, llogaritet që biznesi përfitues të paguajë një këst mujor me vlerë 1,931,215 lekë. Afati për shlyerjen e kredisë është llogaritur për aftin maksimal deri në 10 vite.
Qëllimi i financimit të kredisë është për modernizimin e prodhimit.
Totali i interesit që do të paguhet llogaritet në vlerën e 31,745,787 lekëve. Shuma e garantuar nga shteti llogaritet në vlerën e 140 mln lekëve.
Në praktikë, një biznes që dëshiron të përfitojë duhet të nisë me përgatitjen e dokumentacionit dhe një projekt të qartë investimi, të konsultohet me bankën pjesëmarrëse dhe të verifikojë nëse aktiviteti dhe investimi i propozuar plotësojnë kriteret e programit.
Vlera e fondit është 25 mld lekë apo rreth 250 mln euro, shumë kjo e përafërt me 1% të PBB-së së Shqipërisë për vitin 2024.
Ministria e Ekonomisë: Pyetje të Shpeshta dhe Informacione bazë rreth programit
Çfarë është Garancia Sovrane dhe si funksionon?
Shteti garanton një pjesë të principalit të kredisë (deri në 70%) ndaj bankës. Nëse biznesi nuk mund të shlyejë, shteti mbulon pjesën e garantuar. Kjo ul rrezikun e bankës dhe mundëson kushte më të favorshme kreditimi për NVM-të.
A duhet kolateral shtesë përveç garancisë sovrane
Banka ka të drejtë të kërkojë kolateral vetëm për pjesën prej 30% që nuk mbulohet nga garancia sovrane (shteti). Kjo mbasi është vlerësuar rreziku i dosjes se dorëzuar nga biznesi. Për pjesën prej 70% që garantohet nga garancia sovrane (shteti), banka nuk mund t’ju kërkojë asnjë kolateral. Vlera e kolateralit për pjesën tuaj (30%) është e kufizuar me ligj dhe nuk mund të kalojë tavanin maksimal të mbulimit. Për të mësuar cili është ky tavan dhe nëse do t’ju kërkohet sigurim shtesë, drejtojuni zyrtarit tuaj të kredisë.
Sa kohë zgjat procesi i aprovimit
Zakonisht 15–30 ditë pune pas dorëzimit të plotë të dokumentacionit. (Ky është një vlerësim orientues — konfirmoni afatin e saktë me bankën zgjedhur.)
A mund të aplikoj më shumë se në 1 bankë?
Po, bizneset mund të krahasojnë ofertat nga banka të ndryshme, por kredia finale miratohet nga një bankë e vetme. Vlera maksimale e mbuluar nga programi është deri në rreth 200 milionë lekë për aplikant.
Çfarë është grace period?
Periudha e grace-it (kur paguhet vetëm interesi, jo principali) është minimumi 12 muaj nga disbursimi i kredisë, sipas VKM-së. Kjo ju jep kohë të investoni pa barrë të menjëhershme shlyerjeje.
Çfarë investimesh nuk mbulohen?
Nuk mbulohen rifinancimi i kredive ekzistuese dhe kapitali qarkullues i thjeshtë (blerje lënde të parë pa lidhje me një investim). Përjashtim bën lënda e parë kur është pjesë integrale e një projekti teknologjik.
A ofrohet asistencë teknike falas?
Po — shteti financon me grant asistencë teknike nga ekspertë për hartimin e planit të biznesit dhe përgatitjen e dokumentacionit të aplikimit, që bizneset të kenë një propozim investimi të fortë përpara se ta paraqesin në bankë.
Deri kur mund të aplikoj?
Afati për aplikim sipas VKM-së është deri më 20 nëntor 2027. Rekomandohet të aplikoni sa më herët, pasi fondi total prej rreth 250 milionë eurosh shpërndahet me radhë.
19 Gusht 2026, 20:56
Numri i lindjeve në vend shënoi një rënie të lehtë në gjysmën e parë të vitit 2026, por të dhënat sipas qarqeve tregojnë se tkurrja është përqendruar në pjesën më të madhe në Tiranë dhe më pak në Durrës, teksa ka rritje në qarqet e tjera periferike. Deri para tre vitesh Tirana kishte bilanc pozitiv te lindjeve për shkak të gravitetit demografik sidomos te të rinjve nga qarqet drejt saj.
Në rang kombëtar u regjistruan 10,229 lindje në 6 mujorin e parë të 2026, me rënie vjetore 1%, ose 108 lindje më pak. Vetëm në qarkun e Tiranës lindjet ranë 5.5% ose duke zbritur nga 5,022 bebe në 6 mujorin e parë 2025 në 4,748 në gjysmën e parë 2026, ose 274 lindje më pak (gati tre herë më shumë se mesatarja kombëtare). Kjo është rënia më e madhe, si në numër absolut, ashtu edhe për nga ndikimi në rezultatin kombëtar.
Në fakt, pa përfshirë Tiranën, lindjet në pjesën tjetër të vendit do të kishin shënuar rritje me 166, ose rreth 3.1%. Pesha e Tiranës në lindjet totale ra nga 48.6% në 46.4% brenda një viti.
E njëjta prirje vihet re në Durrës, ku lindjet u pakësuan 5% për të njëjtën periudhe. Të marra së bashku, Tirana dhe Durrësi regjistruan 327 lindje më pak, ndërsa të gjitha qarqet e tjera, së bashku, patën një shtesë prej 219 lindjesh.
Ecuria e lindjeve është tregues i rritjeve të kostove të jetesës në qendrat më të mëdha urbane. Tirana përqendron pjesën më të madhe të vendeve të punës, investimeve dhe shërbimeve, por njëkohësisht ka përjetuar rritjen më të fortë të çmimeve të apartamenteve, qirave dhe shërbimeve. Për çiftet e reja, sigurimi i banesës, pagesa e kredisë ose e qirasë dhe kostot e kujdesit për fëmijët po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.
Çiftet e reje e kanë të pamundur të jetojnë si me qira, ashtu dhe të blejnë shtëpi. Në fillim të muajit korrik çmimi mesatar i apartamenteve me qira (për të gjitha tipologjitë e pronave për banim) në kryeqytet arriti 721 euro në muaj, sipas agjencive imobiliare.
Me këtë nivel të çmimit të qirasë, e llogaritur me pagën mesatare mujore bruto (sipas nivelit të publikuar nga INSTAT për 3-mujorin e parë 2026), një individ, që jeton në kryeqytet duhet të shpenzojë 77% të të ardhurave të tij mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto për përballimin e kostos së strehimit.
Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim – të ardhura.
Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.
“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik. Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, ka pohuar ajo më herët në një intervistë për “Monitor”. “Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal”.
Bie Tirana, rriten qarqet
Rënia e lindjeve në Tiranë po tregon se avantazhet ekonomike të kryeqytetit nuk po përkthehen në kushte më të favorshme për krijimin ose zgjerimin e familjes.
Të rinjtë po e shtyjnë lindjen e fëmijëve, të kufizojnë numrin e tyre ose të zhvendosen drejt zonave ku banesa dhe jetesa janë më të përballueshme.
Ndërkohë, në pjesën më të madhe të qarqeve u regjistrua rritje. Fieri kishte shtesën më të lartë, me 69 lindje më shumë ose 9.9%, i ndjekur nga Berati me 11.1%, Dibra me 9.4% dhe Kukësi me 8.7%. Rritje pati edhe në Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, ndërsa Korça mbeti e pandryshuar. Krahas Tiranës dhe Durrësit, rënie shënoi vetëm Gjirokastra, me 19 lindje më pak. Gjirokastra është një rast i veçantë për shkak të strukturës tejet të plakur të popullsisë së saj.
Përqendrimi i rënies në Tiranë është në përputhje me presionin që çmimet e banesave dhe shpenzimet e përditshme po ushtrojnë mbi familjet e reja.

19 Gusht 2026, 20:53
Një shtetas iranian ka kërkuar azil në Kosovë pas ndalimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku gjatë kontrollit kishte paraqitur një pasaportë belge e cila siç tha, nuk i përkiste atij.
I pyetur nga autoritetet, shtetasi iranian ka pranuar se pasaporta nuk ishte e tij dhe ka deklaruar se nuk kishte me vete dokumente personale. Ai pretendon se ndihej i kërcënuar në Iran.
Drejtori i Qendrës për Azilin, Fitim Zariqi pohoi për Radion Europa e Lirë se “kërkesa për azil është paraqitur tashmë dhe do të shqyrtohet nga Ministria e Punëve të Brendshme”.
Sipas tij, procedura e shqyrtimit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje edhe për tre muaj të tjerë. Ende nuk dihet nga cili shtet kishte udhëtuar shtetasi iranian drejt Kosovës.
19 Gusht 2026, 20:51
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në varrezat masive në Zubin Potok janë gjetur mbetjet kockore që dyshohet se u përkasin 23 individëve.
Mbetjet janë identifikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Tre persona janë nën hetim për krime kundër popullsisë civile. Ata po mbahen në paraburgim.
Gërmimet në Zubin Potok janë duke u zhvilluar prej javësh në tri lokacione, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën, pas një hetimi rreth dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.
Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.
19 Gusht 2026, 20:50
Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.
Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.
“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ndërkaq, në një letër drejtuar emisarit të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Beogradi ka pranuar me shqetësim deklaratën e zëdhënëses së BE-së.
Sipas tij, në këtë deklaratë, BE-ja shprehu vlerësimin e saj se kushtet për rihapjen e urës janë përmbushur, raporton Tanjug.
Në letër, Petkoviq tha se një vlerësim i tillë është veçmas shqetësues për Beogradin, pasi, siç tha, nuk paraqet as situatën aktuale në terren as faktin që parakushtet për të cilat palët ishin pajtuar në kuadër të kornizës së dialogut, nuk janë përmbushur.
Deklarata e BE-së vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.
KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.
Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.
Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.
Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.
Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.