19 Gusht 2026, 18:49
Hosam Hasan, trajneri aktual i Egjiptit, ka kaluar momente ankthi pasi ka pësuar një kolaps dhe është dërguar në spital. por rrethanat se si çuan në këtë situatë, kanë qenë me të vërtetë të pazakonta pasi raportohet se ai ka humbur ndjenjat gjatë një zënke të dhunshme mes gruas së tij të dytë dhe fëmijëve që kishte me gruan e parë.
Çështja, sipas avokatit Mohamed Shams, përfundoi me divorcin nga gruaja e tij e parë. Episodi që çoi në ndarjen përfundimtare daton të premten në mbrëmje, kur shpërtheu kaosi brenda një hoteli luksoz. Një grindje shpejt u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke rezultuar në lëndime dhe hematoma, aq sa u kërkua ndërhyrja e policisë.
Gjatë atyre momenteve të tensionit të fortë, Hosam Hasan raportohet se u ndje keq, duke humbur ndjenjat dhe duke sjellë dërgimin e tij në spital. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga avokati, menjëherë pas incidentit ai njoftoi divorcin nga gruaja e tij e parë.
Avokati shpjegoi më tej se Hosam Hasan dhe gruaja e tij e parë kishin jetuar të ndarë për rreth trembëdhjetë vjet, ndërsa ruanin zyrtarisht lidhjen e tyre martesore për të siguruar paqen e fëmijëve të tyre dhe për të ruajtur ekuilibrin familjar. Çifti kishte përjetuar një ndarje të shkurtër në vitin 2022, që zgjati rreth dhjetë ditë, përpara se të pajtoheshin.
Hasan u bë një emër shumë i njohur gjatë Botërorit 2026, pas akuzave të rënda që lëshoi kundër FIFA-s pas eliminimit nga Argjentina.
19 Gusht 2026, 18:44
Luka Modrić ka ndarë pritshmëritë dhe synimet e tij për sezonin e dytë me fanellën e Milanit. Në një intervistë për kanalet zyrtare të klubit, kroati foli qartë për objektivat e tij dhe atë që pret nga sezoni i ri.
“Nuk mendova kurrë se ajo mund të ishte ndeshja ime e fundit me Milanin. Në thellësi të vetes, e dija se doja të vazhdoja, por në të njëjtën kohë, më duhej të sistemoja faktorë të tjerë që do ta bënin këtë të mundur. Tani jam këtu dhe jam shumë i lumtur që jam rikthyer. Kam qëndruar gjatë gjithë kohës në kontakt me njerëzit e Milanit dhe, edhe kur isha në Botëror, Milani ishte gjithmonë në mendjen time.”
“Duhet të synosh gjithmonë më të mirën: prandaj jam këtu, ky është objektivi im. Ne ndajmë të njëjtat qëllime me klubin, pronarët dhe trajnerin – dhe pikërisht për këtë arsye vendosa të rikthehem. Ishte zhgënjyese që nuk munda ta ndihmoja skuadrën ashtu siç e kisha ndihmuar para dëmtimit; ishte një periudhë vërtet e vështirë për mua. Nuk e arritëm objektivin tonë, por më mbeten shumë gjëra të tjera pozitive: atmosfera brenda klubit dhe në dhomën e zhveshjes, si dhe mënyra se si u sollëm. Qëndruam gjithmonë të bashkuar dhe u bëmë vërtet një grup solid. Kjo bëri që të ndieja respekt të madh nga të gjithë.”
19 Gusht 2026, 18:42
Egnatia rikthehet në fushën e saj për një tjetër mbrëmje të madhe europiane. Rrogozhinasit do të luajnë nesër në “Arena Egnatia” ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrøm, në orën 19:00.
Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në play-off-in e Europa League, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede vjen në këtë përballje me moral të lartë, pas fitores së jashtëzakonshme 5-1 ndaj Shamrock Rovers në “Arena Egnatia”. Një rezultat që jo vetëm përmbysi humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Irlandë, por i dha klubit rrogozhinas një tjetër mundësi për të vijuar rrugëtimin në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm europian për klube.
Përballë do të jetë Lillestrøm, një tjetër sfidë e rëndësishme për Egnatian në aventurën e saj europiane. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Rrogozhinë, ndërsa përballja e kthimit do të luhet në Norvegji.
Egnatia synon të vijojë të shkruajë historinë dhe të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
19 Gusht 2026, 18:39
Kriza që ka përfshirë FIFA-n dhe Gianni Infantino-n po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Pas përplasjeve me UEFA-n dhe Federata të ndryshme europiane, tashmë edhe Premier League del hapur në frontin kundërshtar. Së fundmi, kreu i Premier League, Richard Masters nuk kurseu kritikat ndaj drejtimit të FIFA-s.
“Është një problem i krijuar nga FIFA – vazhdon kreu i Premier, është vetëlëndim. Pasojat e atij qëndrimi tani po kushtëzojnë gjetjen e zgjidhjeve. Nuk besoj se FIFA duhet të marrë në konsideratë shitjen e një kuote të Kupës së Botës. Është një organizatë jofitimprurëse. Ishte një ide e keqe dhe Federata angleze ka mbajtur qëndrim korrekt ndaj Infantino-s”.
19 Gusht 2026, 18:38
Ylli australian i tenisit Nick Kyrgios është pezulluar përkohësisht pasi rezultoi pozitiv me kokainë. Kyrgios, 31 vjeç, i cili për herë të fundit arriti në një finale Grand Slam-i në Wimbledon në vitin 2022, dështoi në një test antidoping gjatë një eventi të ATP-së në Mallorca më 22 qershor.
“Më 17 korrik 2026, një laborator i akredituar nga Agjencia Botërore Antidoping (WADA) konfirmoi praninë e benzoylecgonine, një metabolit i kokainës”, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA).
Kyrgios renditet aktualisht në vendin e 919-të në klasifikimin e ATP-së për meshkuj. Vlen të theksojmë se ish-numri 13 në botë ka fituar shtatë tituj në karrierë.
19 Gusht 2026, 18:07
“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin”. Kështu është shprehur para Gjykatës së Tiranës Ylli Zalla, i cili u arrestua pas disa muajsh në arrati dhe sot u njoh me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë seancës gjyqësore, 49-vjeçari ka mohuar se përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa ka pretenduar se ndodhet nën kërcënim për jetën.
“Duan të më vrasin. Policia më ka futur në hasmëri me…”, mësohet të ketë deklaruar Zalla para gjykatës, duke iu referuar edhe sulmit me tritol ndaj banesës së tij, ngjarje pas së cilës ai publikoi një video.
Mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar argumentin se 49-vjeçari paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas avokatëve, armët dhe municionet e sekuestruara gjatë arrestimit janë gjetur në një zonë me ferra, pas banesës së tij, dhe nuk kanë qenë të ruajtura apo të ambalazhuara në mënyrë që të tregonin përdorim të menjëhershëm.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Zallën.
19 Gusht 2026, 18:02
Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me dy ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Sarandë dhe Ksamil. Këlliçi shkruan se në të dyja rastet, efektivë të policisë kanë rezultuar të përfshirë, jo në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, por si palë në ngjarje.
Në vijim të reagimit, Këlliçi akuzon qeverinë e Edi Ramës për përgjegjësi politike për gjendjen e krijuar në Policinë e Shtetit dhe përmend edhe hetime e përgjime të autoriteteve franceze dhe belge, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë në pah lidhje mes grupeve kriminale dhe strukturave të policisë.
Më të rënda, sipas tij, janë zhvillimet në Ksamil, ku një turist 20-vjeçar portugez humbi jetën në hotel “Principotes” pasi u godit me thikë nga një prej punonjësve. Këlliçi pretendon se autori i dyshuar, me precedent kriminal, ishte i punësuar në një biznes të një personi me probleme me ligjin dhe kishte si koleg një efektiv policie, i cili, sipas tij, dyshohet se ka ndihmuar në krim dhe arratisje. Pronar i “Principotes” është 36-vjeçari Bekim Bulica i cili vijon të jetë në kërkim policor.
Reagimi:
Edhe krimineli edhe oficeri në të njëjtën bordero!
Dy ngjarje njëra pas tjetrës, në Sarandë e në Ksamil, na tregojnë një anë të errrët të policisë, krejt tjetër nga ajo që propagandon Ministri dhe Kryeministri.
Në dy ambjentet ku ndodhën ngjarje kriminale, rezultuan efektivë të policisë të përfshirë. Jo të përfshirë për të vendosur rendin e garantuar jetën e qytetatrëve, dhe sigurinë fizike. Të përfshirë si palë.
Në Sarandë gati gati patëm një përballje mes policive. Ata që përfaqësonin klubin privat, ishin oficerë që punonin aty part time, ose në sezon si me thënë. Dhe nga ana tjetër, ata të rendit që përfaqësonin komisariatin.
Më e rënda është në Ksamil, me viktimë një turist 20 vjeçar portugez.
Autori një person me precedent kriminal, ishte i punësuar në biznesin e një njeriu problematik dhe kishte koleg një oficer policie që dyshohet se ka ndihmuar në krim dhe në arratisje.
Edhe oficeri edhe krimineli të dy të punësuar dhe në të njëjtin vend. Në të njëjtën bordero.
Kjo bashkëjetesë mes atyre që duhet të garantojnë ligjin dhe atyre që janë subjekt i punës së tyre, është tronditëse dhe rezulton e shtrirë në çdo nivel.
Nuk ka asnjë dyshim se këta badigardë privatë që kryejnë krime dhe oficerë që janë betuar për të shërbyer ligjin, punojnë sëbashku në shumë lokale, club-e dhe ambjente të tjera të frekuentuara në gjithë vendin. Është një skemë e përhapur.
Ne i dimë tanimë lidhjet dhe inkriminimin e policisë në kupolën e saj me bandat. Përgjimet që kanë sjellë autoritetet franceze e belge tregojnë se si grupet e fuqishme kriminale kanë ndikuar në emërime të shefave të komisariateve e drejtorëve.
Por rastet e ditëve të fundit po tregojnë se kjo simbiozë është e shtrirë në mënyrë pandemike dhe në terren.
Çka tregon për një sëmundje të rëndë në indin kryesor të shtetit, atë të policisë.
Në këtë nivel alarmant, gjendja erdhi pas 13 viteve pushtet të Edi Ramës, i cili bandat dhe grupet kriminale i ka pasur vazhdimisht shtabet e tij elektorale. Duhet një përmbysje totale për të shkulur këtë inkriminim dhe bashkëjetesë të krimit, të të fortëve me oficerët e shkolluar, të betuar dhe të paguar nga taksat tona për të zbatuar ligjin.
19 Gusht 2026, 12:58
Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka kundërshtuar propozimin për reduktimin e numrit të bashkive në 46, duke argumentuar se një hartë e tillë do ta largonte më tej pushtetin vendor nga qytetarët.
Në një deklaratë për reformën territoriale, Boçi thekson se debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te numri i bashkive, por te pyetja se cila ndarje territoriale u shërben më mirë qytetarëve.
Sipas tij, bashkitë më të mëdha rrisin distancën mes qytetarit dhe vendimmarrjes, ndërsa zonat periferike rrezikojnë të marrin më pak vëmendje dhe investime.
“Me 46 bashki krijohen më shumë periferi dhe më pak qendra. Kjo është dobësia kryesore e këtij propozimi. Shqipëria nuk ka nevojë për bashki gjithnjë e më të mëdha. Ka nevojë për bashki që funksionojnë”, shprehet Boçi.
Ai sjell si shembuj rastet e Tepelenës me Memaliajn, Fushë-Arrëzit me Pukën dhe Librazhdit me Prrenjasin, duke i cilësuar bashkime të tilla të papërshtatshme. Boçi kundërshton gjithashtu përthithjen e bashkive që, sipas tij, kanë performancë më të mirë nga bashki më të mëdha, duke përmendur Dimalin, Selenicën, Patosin dhe Maliqin.
Deputeti demokrat argumenton se Shqipëria ka nevojë për një hartë me rreth 100 bashki, jo për të rritur administratën, por për ta afruar pushtetin me komunitetet.
“Me 46 bashki rrezikojmë të krijojmë kryetarë territoresh. Me rreth 100 bashki synojmë të kemi kryetarë komunitetesh”, deklaron ai.
Boçi e lidh reformën territoriale edhe me problematikën e shpopullimit. Sipas tij, bashkimi i qyteteve të vogla dhe humbja e institucioneve lokale mund të përshpejtojë largimin e banorëve, duke krijuar një cikël ku shpopullimi përdoret më pas si argument për bashkime të tjera territoriale.
“Kur një qyteti i heq institucionet, administratën dhe vendimmarrjen, i heq pak nga pak edhe arsyet për të qëndruar aty”, shprehet Boçi.
Duke iu referuar argumentit të kursimit, deputeti i PD-së thotë se reduktimi i strukturave administrative nuk duhet të bëhet në kurriz të qytetarëve. Sipas tij, nëse banorët duhet të udhëtojnë më larg për të marrë shërbime apo nëse investimet dhe reagimi ndaj problemeve ngadalësohen, kostoja thjesht transferohet nga shteti te qytetari.
Boçi e konsideron reformën territoriale edhe një çështje të demokracisë vendore, duke argumentuar se njësitë administrative nuk mund të zëvendësojnë bashkitë dhe administratorët e emëruar nuk mund të zëvendësojnë drejtuesit e zgjedhur.
Në këtë kuadër, ai rendit disa prej objektivave të projektit të PD-së, ndër të cilat afrimi i vendimmarrjes me komunitetin, rritja e llogaridhënies së drejtuesve vendorë, shkurtimi i distancave për marrjen e shërbimeve, ruajtja e identitetit të komuniteteve, nxitja e investimeve dhe rritja e pjesëmarrjes qytetare.
Sipas Boçit, një model me rreth 100 bashki mund të shoqërohet me administrata më të vogla, shërbime të përbashkëta mes bashkive, digjitalizim dhe kontroll më të fortë financiar, pa cenuar përfaqësimin lokal.
Në përfundim, deputeti demokrat e përmbledh qëndrimin e PD-së me një parim: “Jo qytetari të shkojë pas bashkisë. Bashkia duhet të shkojë te qytetari.”
Sipas tij, ndarja me rreth 100 bashki nuk është thjesht një zgjedhje numerike, por një “zgjedhje demokratike”.
19 Gusht 2026, 12:40
Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, të moshave 13–17 vjeç, disa prej të cilëve u kapën duke mbajtur armë të ftohta dhe mjete të mprehta.
Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta, si dhe sende të tjera të gjetura gjatë kontrollit fizik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit, organizuan menjëherë punën dhe ndërhynë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Në bazë të informacionit të marrë, shërbimet e Policisë lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata” disa të mitur, të ndarë në grupe, të cilët dyshohej se do të përfshiheshin në një konflikt. Policia ndërhyri menjëherë dhe i shoqëroi ata në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej të miturve iu gjetën thika, kaçavida, maska dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13–17 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
19 Gusht 2026, 11:44
Irani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin.
Sipas një raportimi të Financial Times, që citon persona pranë regjimit iranian, forcat e Teheranit kanë vlerësuar skenarë për goditjen e aseteve amerikane në Evropën Juglindore.
Mes objektivave të mundshëm përmendet Bullgaria, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë.
Në listën e objektivave të mundshme përmendet edhe Qiproja. Në mars, një bazë ajrore britanike në ishull u godit nga një dron, ndërsa tashmë ajo shihet si një prej pikave që mund të përfshihen në një përgjigje iraniane në rast të një ofensive të re amerikane.
Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë me dije gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit, nëse konflikti do të përshkallëzohej.
Sipas gazetës, këto kërcënime pasqyrojnë klimën në Teheran, ku një pjesë e regjimit e konsideron gjithnjë e më të mundshëm rikthimin e konfliktit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një lufte të re në shkallë të gjerë, Teherani mund të zgjerojë objektivat përtej goditjeve ndaj forcave amerikane, infrastrukturës energjetike dhe bazave në Lindjen e Mesme.
Garda Revolucionare ka paralajmëruar edhe Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, duke deklaruar se çdo bazë që përdoret për nisjen e sulmeve ndaj territorit iranian do të konsiderohet objektiv legjitim.