24 Gusht 2026, 15:45
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se tashmë pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, ndërsa shton se ky i fundit e projekton veten çdo natë në qeli.
Në një dalje për mediat, Berisha tha se Rama ka frikë mos Balluku bëhet e penduar e drejtësisë dhe rrëfehet për aferat publike.
““Pasqyra”, që tani është e verbër, një mur për të mashtruar shqiptarët. Rama është i damkosur. Temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Ramës, janë më të larta se ato ndaj mjedisit. Urrejtja kombëtare ndaj tij nuk ka termometër që e mat/ Një herë ku nxjerr “Besën”, një herë Kanunin dhe tani “Pasqyrën”. Kush i beson tani?! Cilin korrupsion, akt korrupsioni parandaloi Diella? Zero! Ka zero urtësi artificiale Diella. Pasqyra është mashtrimi i tij i fundit. Siç e shihni, është i rrënuar. Besoj e keni parë. Është i rrënuar! E vërteta është se kjo protestë ia gërreu shpirtin, e boshatisi, e veniti. Ai del si njeri i transformuar, pasi po sheh fundin e tij. Çdo natë ky njeri sheh veten në qeli, sheh lubinë pentito. Ky njeri sheh koordinatorë duke e denoncuar, është i marrë fund. Ndaj beson se me këto “pasqyra’ Diella do të mund të mashtrojë shqiptarët.”, tha Berisha.
24 Gusht 2026, 15:44
Erling Haaland vendosi që të bëjë një ndryshim në pamjen e tij, në fillim të sezonit futbollistik. Sulmuesi norvegjez hoqi dorë nga pamja e tij karakteristike me flokë të gjatë të lidhur dhe u rikthye te një stili më të shkurtër, që të kujton imazhin e tij gjatë ditëve të para te Borussia Dortmund.
Besojeni ose jo, por një parukiere shqiptare, e quajtur Juna Ademi ka realizuar prerjen e flokëve. Theksojmë se Juna jeton dhe punon në Monako, vend në të cilin ushtron këtë profesion prej vitesh. Siç shihet në video, Juna duket pak në siklet dhe e stresuar, teksa shprehet: “Jam pak në stres, mendoj se do duket mirë me flokë të shkurtër”.
24 Gusht 2026, 15:42
Pas pushimeve verore, emisioni “Sport News” rikthehet në ekranin e News 24, për të njohur teleshikuesit me lajmet, analizat dhe zhvillimet më të fundit nga bota e sportit.
Sezoni i ri nis me të njëjtën energji dhe me një fokus të veçantë te ngjarjet më të rëndësishme sportive, nga futbolli vendas dhe ndërkombëtar, te rezultatet, transferimet, protagonistët dhe prapaskenat e ditës.
Ky është sezoni i pestë i “Sport News”, nën drejtimin e moderatores së njohur Trevisa Tufa. Emisioni do të jetë në transmetim çdo ditë, nga e hëna në të premten, në orën 17:00, në shtëpinë e çdo shqiptari, në News 24.
24 Gusht 2026, 15:36
Hekurudha Shqiptare ka shpallur PROGEEN fitues të tenderit për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, me ofertë fituese prej 890.9 milionë lekësh, ose rreth 9 milionë euro.
Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i procedurës me objekt “Hartimi i projektit të detajuar dhe Ndërtimi i Bazës Mekanike për Mirëmbajtjen e Trenave ‘DEPO’ Tiranë–Durrës–Rinas” ishte 1 miliarde lekë, ndërsa oferta fituese sa 87.4% e fondit limit.
Projekti
Projekti lidhet me krijimin e një baze mekanike për mirëmbajtjen dhe shërbimin e mjeteve lëvizëse elektrike EMU që do të operojnë në linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Kontrata parashikohet të zbatohet sipas modelit Design & Build, ose “me çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin, furnizimin dhe instalimin e sistemeve, testimin, komisionimin dhe dorëzimin funksional të objektit.
Baza do të përfshijë objektet civile dhe industriale të depos, infrastrukturën hekurudhore të brendshme dhe lidhjen me rrjetin ekzistues, si dhe sistemet e sinjalizimit, telekomunikimit, elektrifikimit, furnizimit me energji, ujë dhe kanalizime. Kontrata përfshin gjithashtu rrugët e brendshme, ndriçimin, sistemet e sigurisë dhe survejimit, si dhe furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e depos.
Sipas Termave të Referencës, projekti i detajuar parashikon një repart shërbimi dhe riparimi për trenat EMU, me linja pa ballast, kanale kontrolli, vinça urë me kapacitet ngritës rreth 30 tonë, pajisje ngritëse dhe zona diagnostikimi. Në kompleks parashikohen gjithashtu pika kontrolli dhe inspektimi, një impiant për larjen e trenave me sistem për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave, post për kontrollin e lëvizjes së trenave, dhoma teknike për sinjalizimin dhe telekomunikimin, si dhe magazina, zyra dhe ambiente teknike e sanitare.
Infrastruktura e depos do të lidhet me rrjetin hekurudhor përmes stacionit Shkozet. Projekti përfshin edhe elektrifikimin e linjave, sinjalizimin, telekomunikimin GSM-R, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave industriale, sistemet kundër zjarrit dhe monitorimin me kamera. Termat kërkojnë që sistemet e depos të integrohen me infrastrukturën dhe projektin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas.
Dokumentacioni e përcakton ndërtimin aktual si fazën e “investimit minimal”, e cila duhet të jetë funksionale dhe e pavarur për operimin e trenave të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Rinas, ndërsa projektimi duhet të marrë parasysh edhe zgjerimin e kapaciteteve të depos në faza të ardhshme.
24 Gusht 2026, 15:32
Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), mund të jetë vetëm pak javë larg një momenti historik të marrjes për herë të parë të drejtimit të një landi gjerman. Dhe në Berlin tashmë po diskutohet se çfarë duhet bërë nëse kjo ndodh.
Sipas një analize të POLITICO-s, Ulrich Siegmund, kandidati i AfD-së në Saksoni-Anhalt, shihet si favorit për zgjedhjet e 6 shtatorit. Nëse partia arrin shumicën absolute, ai pritet të bëhet kryeministër i landit, duke rrëzuar për herë të parë “murin mbrojtës” politik që partitë tradicionale gjermane kanë ngritur ndaj AfD-së që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Një fitore e tillë do të krijonte një situatë të paprecedentë për sistemin politik gjerman. Deri tani CDU, SPD, të Gjelbrit dhe partitë e tjera kryesore kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD-në. Por nëse ajo kontrollon një qeveri rajonale, sistemi federal gjerman do t’i detyrojë institucionet e tjera të bashkëpunojnë me të të paktën në disa fusha.
POLITICO raporton se shqetësimi kryesor në Berlin lidhet me sigurinë dhe, në veçanti, me aksesin që një qeveri e AfD-së mund të kishte në informacionet sekrete. Zyrtarë të intervistuar për artikullin shprehin shqetësim për marrëdhëniet e partisë me Rusinë dhe mundësinë që të dhëna të ndjeshme të përfundojnë në duart e Moskës.
Sipas POLITICO-s, po diskutohen të paktën katër skenarë.
Një prej tyre do të ishte krijimi i takimeve paralele mes ministrave të landeve. Mbledhjet zyrtare do të vazhdonin, por për çështje veçanërisht sensitive mund të organizohen takime të tjera, ku përfaqësuesi i një qeverie të AfD-së nuk do të merrte pjesë. Disa ministra rajonalë i kanë konfirmuar POLITICO-s se një skenar i tillë po merret në konsideratë.
Një mundësi edhe më konkrete është kufizimi i aksesit në informacionet e inteligjencës. Ministri i Brendshëm i landit të Turingisë, Georg Maier, tha se mund të krijohen barriera brenda sistemeve të përbashkëta të informacionit, veçanërisht për të dhënat që lidhen me ekstremizmin e djathtë dhe spiunazhin. Sipas tij, një masë e tillë mund të ishte edhe ligjërisht e mundur.
Shqetësimi lidhet edhe me partnerët e huaj. Një deputet i të Gjelbërve paralajmëroi se Britania, SHBA-ja, Polonia apo Ukraina mund të kufizonin shkëmbimin e informacionit me Gjermaninë nëse do të besonin se të dhënat sekrete mund të arrinin në Moskë. POLITICO sjell si precedent Austrinë, ku partnerët perëndimorë kufizuan ndarjen e informacionit pasi e djathta radikale FPÖ mori kontrollin e Ministrisë së Brendshme.
Një skenar tjetër lidhet me financat. Saksoni-Anhalt është një nga landet që përfiton ndjeshëm nga sistemi gjerman i barazimit financiar dhe vetëm në vitin 2025 mori rreth 2.8 miliardë euro, afërsisht një të pestën e buxhetit të tij. Kufizimi i këtyre fondeve përmendet si një mënyrë teorike për t’i ushtruar presion një qeverie të AfD-së, megjithëse pengesat kushtetuese do të ishin të mëdha.
Në fund ekziston edhe ajo që POLITICO e quan “opsioni bërthamor”: Bundeszwang, ose detyrimi federal.
Neni 37 i Kushtetutës gjermane i lejon qeverisë federale, me miratimin e Bundesratit, të marrë masa për ta detyruar një land të respektojë detyrimet e tij ligjore. Ky mekanizëm nuk është përdorur kurrë në historinë e Republikës Federale.
Por çdo përpjekje për të izoluar një qeveri të zgjedhur të AfD-së mbart edhe një rrezik politik. Masat e jashtëzakonshme mund të ushqejnë argumentin e vetë AfD-së se partitë tradicionale nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve kur fitues është një forcë jashtë establishmentit.
Edhe opinioni publik gjerman është më pak i bashkuar se më parë për strategjinë e izolimit. Një sondazh i korrikut tregonte se vetëm 42% e gjermanëve e konsideronin ende të drejtë refuzimin e bashkëpunimit me AfD-në nga CDU dhe socialdemokratët, ndërsa një tjetër matje tregonte rënie të mbështetjes për “murin mbrojtës” ndaj partisë.
Ironikisht, POLITICO ngre edhe një mundësi tjetër: që partitë tradicionale të mos bëjnë asgjë të jashtëzakonshme.
AfD ka fituar mbështetje për vite me radhë duke qenë në opozitë dhe duke sulmuar gabimet e kundërshtarëve. Por nuk ka qeverisur kurrë. Marrja e pushtetit mund ta përballë atë me probleme të administrimit, konfliktet e brendshme dhe përgjegjësinë konkrete për vendimet, duke u kthyer potencialisht në një kufizim më efektiv sesa çdo strategji izolimi e Berlinit.
Pra, pyetja që po shqetëson tashmë politikën gjermane nuk është më vetëm nëse AfD duhet të mbahet larg pushtetit. Është se çfarë ndodh nëse votuesit e çojnë atë vetë në pushtet. /POLITICO