I maskuar si personazhi horror Chucky terrorizon Filadelfian, policia në kërkim të tij

I maskuar si personazhi horror Chucky terrorizon Filadelfian, policia në kërkim të tij

Një burrë i maskuar me fytyrën e personazhit horror Chucky dyshohet se ka frikësuar dhe ndjekur në mënyrë të rastësishme të paktën gjashtë persona në Filadelfia.

Policia ka publikuar fotografi dhe pamje të të dyshuarit, duke u bërë apel qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij.

Në një prej videove të publikuara nga autoritetet, burri shihet duke ndjekur një grua që vrapon në rrugë, në orët e para të mëngjesit. Ngjarja është regjistruar pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar.

Sipas policisë, 40-vjeçarja është ndjekur nga i dyshuari, i cili iu afrua duke i drejtuar celularin dhe e pyeti: “Je gati të vdesësh?”

Kur gruaja nuk reagoi, ai ia përsëriti pyetjen. E frikësuar, ajo u largua me vrap, por gjatë arratisjes pësoi një dëmtim në këmbë.

Autoritetet po hetojnë rastin dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse i njëjti person qëndron pas të gjitha incidenteve.

Kur arma nuk trondit më

Kur arma nuk trondit më

Kur sheh pamjet e atentatit të dështuar në Elbasan, të tmerron menjëherë ideja se diku në kafenenë ku ulemi për pak minuta çlodhje e për të pirë një kafe, mes klientëve mund të jetë një njeri i armatosur, që pret me qetësi momentin e përshtatshëm për të vrarë një tjetër.

Por, përtej vetë aktit kriminal, ka diçka tjetër në ato pamje që të trondit edhe më shumë, ajo që ndodh përreth.
Veçanërisht gruaja që ndodhet në tavolinë me autorin. Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket se ajo nuk shfaq ndonjë reagim alarmi në momentin kur burri tërheq këmbëzën e armës në kokën e tjetrit. Më pas vijon të sillet me një qetësi që të lë pa fjalë dhe madje paguan edhe faturën.

Nga video nuk mund të kuptojmë çfarë dinte ajo, çfarë kishte dëgjuar apo nëse ishte në dijeni të planit. Por qetësia e saj dhe mënyra se si vijon të sillet në raport me veprimet e burrit të trondit.
Gratë kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, jo sepse janë domosdoshmërisht më të brishta apo më pak të prirura ndaj dhunës, por sepse shpesh kanë një ndikim të fortë në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet, si menaxhohen konfliktet dhe si vendosen kufijtë moralë brenda familjes dhe komunitetit. Ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm kur përballë kemi dhunën.

Një grua apo një burrë në ato kushte nuk duhet parë automatikisht si bashkëfajtore, sepse pamjet e një kamere nuk na tregojnë çfarë dinte apo çfarë përjetonte. Por shoqëria ka nevojë që gratë, ashtu si burrat, të jenë një forcë që e zbut konfliktin, e refuzon dhunën dhe nuk e pranon armën si diçka normale. Çdo njeri, pavarësisht gjinisë, përballë një krimi duhet të ketë një kufi moral që i thotë “Kjo nuk mund të ndodhë para meje dhe unë të sillem sikur nuk po ndodh”.

Dhe pastaj janë të tjerët… njerëzit në tavolina. Disa që nuk lëvizin. Disa që ngrihen në këmbë dhe shohin me kureshtje çfarë po ndodh. Një skenë që, në vend të panikut dhe reagimit të menjëhershëm, duket sikur prodhon fillimisht habi dhe kureshtje.

Sigurisht, reagimi psikologjik i njerëzve përballë një ngjarjeje të papritur dhe të dhunshme është i ndryshëm. Disa mund të ngrijnë, disa mund të mos kuptojnë menjëherë çfarë po ndodh, ndërsa të tjerë mund të reagojnë vetëm pasi rreziku të jetë larguar.

Por ajo pamje ngre një shqetësim të madh. A jemi mësuar aq shumë me dhunën sa ajo nuk na trondit më siç duhet? Jemi mësuar me armët, me atentatet, me lajmet për vrasje, me konfliktet që përfundojnë me plumba, sa rrezikojmë të humbasim ndjeshmërinë ndaj tyre. Vrasja po humbet pak nga pak efektin e rëndë dhe po kthehet në një tjetër ngjarje të kronikës së përditshme. Kjo është shumë e frikshme.

Një nga treguesit e kulturës së një shoqërie është mënyra se si ajo reagon përballë dhunës. Nuk është vetëm numri i krimeve që duhet të na shqetësojë, por edhe mënyra se si njerëzit reagojnë kur krimi ndodh para syve të tyre. Sepse kur dhuna fillon të mos na trondisë më, problemi është se po shndërrohemi në një shoqëri që po mësohet me vrasjen.

Nuk dua të besoj se jemi bërë kaq të ftohtë. Nuk dua të besoj se kemi arritur në pikën ku arma në dorën e një njeriu nuk na bën të ngrihemi nga karrigia. Ku një e shtënë nuk na bën të kuptojmë se dikush mund të jetë humbasë jetën.

Kjo është çështje e humbjes së ndjeshmërisë njerëzore dhe ndoshta kjo është kriza jonë më e madhe. Jo vetëm se ka njerëz që vrasin. Por se po rrezikojmë të bëhemi një shoqëri që mësohet me vrasjen. Një shoqëri që mësohet me të keqen, një ditë mund të mos trembet më.
Aty nis rënia e vërtetë.

Musiala pëson sërish kolaps në fushë, talenti i Bayern zbulon gjendjen shëndetësore

Musiala pëson sërish kolaps në fushë, talenti i Bayern zbulon gjendjen shëndetësore

Jamal Musiala ka përjetuar sërish një moment shqetësues në fushë, vetëm pak ditë pasi u shtri në tokë gjatë miqësores ndaj Leipzig.

Talenti i Bayern Munich u aktivizua në minutën e 61-të në sfidën ndaj Heidenheim, por vetëm tetë minuta më vonë pësoi një tjetër kolaps. Musiala qëndroi për disa minuta në tokë, ndërsa mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, përpara se të largohej nga fusha.

Pas shqetësimit të krijuar te tifozët dhe stafi i Bayern, Musiala ka reaguar vetë përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.

“Jam mirë. Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është se jam mirë. Jam diagnostikuar me humbje të përkohshme të vetëdijes, e cila vjen si pasojë e një mosfunksionimi neurologjik, por është diçka që mund të trajtohet. E di që mund të duket e frikshme, por nuk paraqet rrezik shtesë për shëndetin tim”, shkroi Musiala.

Ai shtoi se po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se, pas konsultimeve me specialistët, ka marrë miratimin për të vijuar të luajë futboll.

“Ndihem mirë dhe jam në rrugën e duhur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, përfundoi 23-vjeçari.

Situata mbetet në vëmendje të Bayern Munich dhe të stafit të kombëtares gjermane, pasi Musiala konsiderohet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të brezit të ri të Gjermanisë.

“Arrest në burg” për Ylli Zallën, mbrojtja kundërshton: Nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore

“Arrest në burg” për Ylli Zallën, mbrojtja kundërshton: Nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për një masë më të lehtë.

Avokati Dritan Gila kundërshtoi pretendimin se Zalla paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas tij, armët dhe municionet janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave dhe pa masa të veçanta ruajtjeje.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa kapsolla detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk ishin të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim.

Sa i përket armëve, avokati deklaroi se ato janë të vjetra, të prodhimit kinez, të viteve ’80. Edhe kanabisi i sekuestruar, sipas tij, ishte i ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë, çka tregon mungesë kujdesi për ruajtjen e tij.

Gila theksoi se Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe nuk ka prova që materialet e sekuestruara të jenë përdorur në krime apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e drogës.

Një tjetër argument i mbrojtjes ishte dorëzimi i tij. Avokati tha se, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve, Zalla nuk u kap, por u dorëzua vetë, duke thirrur një efektiv pranë banesës dhe duke u prezantuar.

Për këto arsye, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, por gjykata vendosi “arrest në burg”.

Ylli Zalla u arrestua pas operacionit të policisë, ku në ambientet pranë banesës së tij u sekuestruan armë, municione, materiale shpërthyese dhe një sasi kanabisi. Për këto dyshime, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ylli Zalla është i dyshuar për përfshirje në atentatin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe më pas humbi jetën edhe Muçi Shaljani. Konkretisht, autoritetet dyshojnë se ai ka ndihmuar autorët e atentatit, duke u siguruar armë dhe mjete të përdorura në përgatitjen e ngjarjes.

KE: Prokurimet dhe problemet me pronat  e tokës vonojnë investimet në shqipëri

KE: Prokurimet dhe problemet me pronat e tokës vonojnë investimet në shqipëri

Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të përballet me vonesa për shkak të procedurave të prokurimit, mungesës së koordinimit institucional dhe problemeve me sigurimin e tokës.

Përfundimet dalin nga misioni monitorues i Komisionit Europian për investimet e financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i zhvilluar në Shqipëri gjatë muajit maj.

Që prej vitit 2009, në Shqipëri janë investuar mbi 600 milionë euro në projekte publike në transport, energji, mjedis dhe teknologji digjitale. Një nga projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare, një investim që synon të përfshijë më shumë se 190 mijë nxënës. Sipas vlerësimit, përgatitja dhe hapja e tenderit vijon të jetë një proces kompleks.

Në sektorin energjetik, misioni u fokusua te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te interkonjeksioni energjetik Shqipëri–Maqedoni e Veriut. Komisioni evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit.

BE kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve, si dhe shmangien e ndryshimeve të shpeshta në objektivat dhe mënyrën e zbatimit të projekteve.

Një tjetër shqetësim lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht në sektorin hekurudhor, ku kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara financimit.

Misioni nënvizoi nevojën për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë dhe procedura më të thjeshta për zbatimin e investimeve.