19 Gusht 2026, 20:44
Liderët e dy partive, Albin Kurti e Lumir Abdixhiku nuk treguan emra konkret duke thënë që do t’i diskutojnë me partitë e tyre fillimisht, por profesori Ibrahim Berisha dhe nënkryetari i Kuvendit Krahinor në të 90-tat, Iljaz Ramajli u mësua se ishin dy emrat e përmendur në takim.
Vetë Berisha refuzoi të përfshihej në diskutimet për president duke thënë që fokus i tij mbeten kultura, letërsia dhe komunikimi, ndërkohë që familja e Ramajlit thanë se ai nuk do të pranojë të jetë kandidat. Sipas njohësve, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk do të jetë sfiduese për Albin Kurtin.
“Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është le të themi jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”, tha Arnbor Sadiku, analist.
Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkret për president, por njohësit nuk janë optimist se do të ketë zgjidhje çështja e presidentit.
“Mund të themi që është e vërtetë e ka pak shpresë që mund të gjendet një opsion për faktin që partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi vërehet që ka synim që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga përfundimi i mandatit të Vjosa Osmanit. Për shkak të mos zgjedhjes së presidentit të ri, vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor. Që nga ajo kohë, Kosova nuk ka institucione funksionale, pasi as Kuvendi nuk është konstituar siç parashihej brenda afatit kushtetues.
19 Gusht 2026, 20:39
Francis Clifford Smith, i burgosuri më i vjetër amerikan vdiq më 25 qershor 2026, në moshën 101 vjeçare, por jeta e tij mund të kishte qenë shumë më e shkurtër nëse ekzekutimi i tij nuk do të ishte shtyrë tetë herë.
Precedenti i tij penal daton që nga mosha 13 vjeç. Ai ishte dënuar në vitin 1950, kur ishte 25 vjeç, për vrasjen e një roje nate. Ai ishte arrestuar me një burrë tjetër që dëshmoi kundër Smith dhe kështu mori një dënim të reduktuar.
Ai gjithmonë shpallte pafajësinë e tij, veçanërisht pasi dëshmitarët kishin tërhequr deklaratat e tyre fillestare dhe një person tjetër kishte pranuar vrasjen e rojes së natës. Është shumë e mundur, në fakt, që ai të mos ishte as i pranishëm në kohën e vrasjes.
Për shkak të dyshimeve, ekzekutimi i Smith u shty çdo herë, deri në vitin 1954, kur dënimi u ndryshua në burgim të përjetshëm.
Por pavarësisht të gjithave këtyre, Smith kaloi rreth 70 vjet në burg, shkruan BBC. Ai ishte i burgosuri që kaloi më shumë vite se çdo tjetër në Shtetet e Bashkuara.
Ai u lirua vetëm për pak kohë nga burgu tre herë. Në vitin 1967, ai iku për 12 ditë para se të kapej përsëri, në vitin 1974, ai e kaloi natën e Krishtlindjeve në shtëpi para se të kthehej në burg po atë ditë, dhe në vitin 1975, ai u lirua me kusht, por u arrestua përsëri brenda 10 muajsh për posedim arme.
Ndërsa ishte në burgun Osborne në Connecticut, ai ushqente zogjtë.
“Ai fshihte sa më shumë bukë që mundte në rrobat e tij, dhe të gjithë mbyllnin sytë ndaj saj sepse e dinin se ishte për zogjtë”, thanë ata që e njihnin.
Gjatë gjithë kohës së tij në burg, Smith refuzoi shumë oferta për lirim me kusht, deri në vitin 2020, kur, në moshën 95 vjeç, u lirua dhe u vendos nën mbikëqyrje në një azil pleqsh.
Të burgosurit e moshuar nuk janë vetëm një fenomen amerikan, megjithëse në SHBA, për shkak të popullsisë proporcionalisht të madhe të burgjeve, është më i mprehtë se në vendet e tjera.
Hulumtimet kanë treguar madje se nga viti 1991 deri në vitin 2021, numri i të burgosurve mbi moshën 55 vjeç është pesëfishuar. Gjithashtu vlerësohet se deri në vitin 2030, një e treta e të burgosurve do të jenë mbi moshën 50 vjeç.
Për këtë problem social në rritje, ekspertët rekomandojnë lirimin për arsye shëndetësore ose pleqërie të personave që, për shkak të shëndetit të tyre të dobët, nuk mund të përballojnë jetën e ashpër të burgjeve. Nga ana tjetër, megjithatë, ka pak struktura që pranojnë ish-të burgosur të moshuar.
19 Gusht 2026, 20:37
Një skandal i ri korrupsioni po e trondit Ukrainën dhe po godet në zemër të presidencës. Presidenti Volodymyr Zelensky (jo i përfshirë drejtpërdrejt) ndërhyri menjëherë duke shkarkuar zëvendësshefen e tij të stafit, Iryna Moudra, e cila ishte përfshirë në hetim.
Disa orë pas bastisjes nga agjencia antikorrupsion NABU, ajo u vu në pranga.
Njoftimi u bë nga deputeti ukrainas Alexey Goncharenko në Telegram dhe u raportua nga media ukrainase RBC .
Këtë mëngjes, agjencia antikorrupsion NABU dhe zyra e prokurorit të specializuar SAP njoftuan një “operacion special për të shpërbërë një organizatë kriminale” të dyshuar për pastrim parash, e cila dyshohet se vepronte nën drejtimin e një deputeti në detyrë dhe një ish-deputeti, “me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të presidencës ukrainase dhe individëve të tjerë”.
Hetimi i ri vjen në mes të një periudhe tensioni të fortë politik, pas thirrjes së ish-ministrit të Mbrojtjes Mykhailo Fedorov për një kthim në zgjedhje pavarësisht luftës.
19 Gusht 2026, 20:31
Për ditën e Shën Marisë jam i ftuar në Pater Walter Happel në Schalders/Scaleres të Tirolit të Jugut, Itali.
Makina ngjitet në shpatin e thiktë alpin të malit, duke lënë poshtë vapën përvëluese të gushtit, e cila ende nuk guxon të prekë shenjtërinë e bjeshkës. Sapo ndaloj në qendrën e vogël të fshatit piktoresk, nga ballkoni plot lule i një shtëpie aty më përshëndet Pater Happel. Më duket se ka mbetur i njëjti që kur e kam njohur para më shumë se 15 vjetësh, gjatë një vizite në Gjimnazin Loyola të Prizrenit.
Pasi sistemohem shpejt në shtëpinë 300-vjeçare, ulemi në ballkonin e saj plot lule të varura, prej nga duken malet e larta dhe lugina poshtë tyre, ku shtrihen Vahrn/Varna dhe Brixen/Bressanone. Pamja mahnitëse që shpaloset nga ballkoni duket sikur më kthen pas në kohë, në dritaret e kullës sime në Mirditë, kur, si fëmijë, admiroja mrekullinë e maleve plot gjelbërim e hijeshi. Kërcitja e lehtë e shkallëve të drunjta të shtëpisë së vjetër, oshtima e thellë e lumit malor në këmbë të malit dhe aroma e bredhave që vallëzojnë prej erës më çojnë në kohë të vjetra.

Mbrëmja nuk vonon dhe një gotë verë i shtohet tryezës sonë të thjeshtë, por pa arritur të dominojë mbi magjinë që ofrojnë malet e mbuluara me bredha, teksa humbin dalëngadalë në muzg, ndërkohë që dritat poshtë në luginë, për një çast, duken si yje të largët, a thua se bota është përmbysur dhe yjet janë ulur në tokë.
Pater Happel jeton në Gjermani, por vjen këtu çdo muaj gusht prej më shumë se 25 vjetësh për të zëvendësuar famullitarin që gjen disa ditë për pushim. Teksa më flet për famullinë, tokat dhe livadhet e saj, unë e pyes për pronat e kishës.
“Përse ka kaq shumë prona kisha?” – pyes unë.
“Pronat e kishës kanë shumë burime”, – thotë Pater Happel, – “por njëri nga më të rëndësishmit janë trashëgimitë familjare të murgeshave dhe të klerikëve të tjerë, që përgjatë historisë së gjatë të kishës i kanë kaluar asaj trashëgimitë e tyre personale.”
“Po si funksionon kjo?” – e ngas unë më tej bisedën.
“Murgeshat dhe shumë klerikë të tjerë nuk mund të krijojnë pasuri personale, kështu që ato pasuri që ata trashëgojnë nga familjet e tyre i kalojnë kishës”, – është përgjigjja e Pater Happel.
“Po ju, a keni trashëguar gjë?” – pyes unë.
“Edhe unë kam trashëguar një shtëpi në qytetin tim në Gjermani, së bashku me vëllain, kur ndërroi jetë nëna ime”, – thotë Pater Happel. “Sigurisht që vëllai mund të vendoste vetë për gjysmën e tij, ndërsa gjysma ime i përkiste urdhrit jezuit, pjesë e të cilit unë jam prej një gjysmë shekulli”, – vazhdon ai.
“Por asokohe unë isha rrugëve duke kërkuar mbështetje për projektin tim për themelimin e një gjimnazi në Prizren. Ndaj i kërkova eprorit tim që pasurinë e trashëguar nga familja t’ia kaloja gjimnazit Loyola. Ai e miratoi dhe kështu edhe unë u bëra njëfarë donatori modest ndër shumë e shumë të tjerë që kontribuan për ngritjen e gjimnazit”, – thotë Pater Happel, i cili duket sikur pendohet për këtë detaj që më rrëfeu dhe nxiton të ndërrojë temë.
1
Ndërsa ai pendohet, unë habitem. Habitem, pasi gjatë viteve të shumta të njohjes, ai më ka folur me plot respekt për donatorët e shumtë që e kanë mbështetur përpjekjen e tij për të ngritur një institucion të rrallë të dijes në Kosovën e sapodalë nga tmerret e luftës, por asnjëherë për pjesën e tij. Dhe sot duket sikur ai nuk ndihet mirë që, kureshtjes sime për të kuptuar më thellë origjinën e pronave të shumta të kishës, iu përgjigj me një shembull konkret nga jeta e tij.
Megjithatë, është pikërisht ky episod i vogël, që ai nxiton të harrojë, që mua më mbetet në mendje. Më duket sikur ndër veshë më oshëtijnë thirrjet e denatyruara të shumë shqiptarëve që grinden për të marrë pronat e tyre dhe të të tjerëve, për të marrë, për të marrë, vetëm për të marrë… A thua kemi diçka për të mësuar nga ky episod i thjeshtë që Pater Happel e përmendi pa dashje?
Gjimnazi Loyola është pa dyshim njëri ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit në Kosovë, një shkollë që rrezaton kudo ku mbërrijnë nxënësit e saj, në Kosovë e jashtë saj. Loyola është një pasqyrë e mirë ku të gjitha shkollat shqiptare mund të shihen një herë për të parë se si janë. Jo vetëm hapësirat, infrastruktura apo programet, por më së pari nxënësit e tij janë shprehja e një institucioni të mirëfilltë dijeje dhe edukimi. Kur për herë të parë e pata vizituar këtë gjimnaz në vitin 2010, në një ditë të dyerve të hapura, pata mbetur i mahnitur nga performanca e nxënësve të tij.
Atë ditë ata prezantonin shkollën e tyre. Pater Happel, që ishte themeluesi dhe drejtori i gjimnazit, mësuesit dhe stafi tjetër i shkollës ishin thjesht vizitorë, ndërsa nxënësit, plot pavarësi dhe kompetencë, tregonin se çfarë dinin. Disa kryenin eksperimente kimie apo fizike, të tjerë flisnin latinisht, dy skuadra futbolli vajzash luanin në fushën e madhe të blertë, në amfiteatrin e shkollës të tjerë nxënës vinin në skenë Kopracin e Molierit, në një skenë tjetër një grup shpërthyes rroku me vajza dhe djem elektrizonin atmosferën me energjinë e tyre, e diku më tej një tjetër grup i veshur me kostumet e bukura të Kosovës vallëzonte plot hijeshi nën tingujt e këngëve popullore.
Edhe sot, pas më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh, i kam para sysh ato skena të mrekullueshme të një rinie të shëndetshme dhe të edukuar mirë. Kur Pater Happel më pyeti se çfarë mendoja për shkollën asokohe, unë i pata thënë se kjo është vetëm gjysma e një mrekullie. Për t’u plotësuar ajo, do të duhej që gjysma tjetër të ndërtohej në Tiranë.
Megjithë gatishmërinë e tij dhe të miqve të tij të shumtë për të ngritur një shkollë të këtij niveli dhe profili si Loyola e Prizrenit edhe në Tiranë, deri tani ka rezultuar se kushtet për këtë ende nuk janë pjekur ndër ne. Ethet ende të pashuara vetëm për të marrë, por pa dhënë, duket se e bëjnë të vështirë udhën e Loyolës për në Tiranë, edhe pse ajo që kërkohet nuk janë paratë, por vetëm trualli i përshtatshëm e vullneti pa fjalë.
Por po kthehem përsëri tek Pater Happel. Ai sot është në një moshë të madhe, të cilën megjithatë nuk mund ta shquash kur je me të. Gjermania i ka dhënë urdhrin më të lartë që ky shtet jep për qytetarët që kanë merita të veçanta. Nderime i ka bërë edhe Kosova. Njëzet vjet të jetës së tij ai i ka lënë në qendra të dijes: ndër to dhjetë si drejtor në Kolegjin Sankt Blasien në Gjermani dhe dhjetë në Gjimnazin Loyola në Prizren, për të cilat duket se fjalët për të treguar ua ka lënë nxënësve të tij të shumtë e për vete ka mbajtur heshtjen.
Edhe kur ngjitet në Alpet e Tirolit të Jugut, më shumë preferon të reflektojë në heshtje, këtu ku duket se është më afër Zotit të tij, të cilit i ka shërbyer pa bujë për një jetë të tërë. Teksa rrijmë në muzgun e mbrëmjes në ballkon, nga larg vijnë tingujt e orkestrës frymore të fshatit që bën prova për procesionin e nesërm me rastin e ditës së Shën Marisë.
“Në përgjithësi, unë nuk përzihem shumë në përgatitjet për nesër”, – më thotë, – “njerëzit e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë.”
Dhe e nesërmja nuk vonon. Kisha e vogël në qendër të fshatit nuk ka më vend, ndaj shumica qëndrojnë jashtë saj. Pas meshës vijon procesioni i gjatë. Vetëm treqind banorë ka i gjithë fshati, por orkestra ka më shumë se dyzet muzikantë. Pastaj kori, zjarrfikësit, shoqatat e gjuetarëve, fëmijët, bartësit e shenjtorëve, banorë të tjerë të hijeshuar me kostumet e tyre kombëtare… Sa i madh duket sot ky fshat i vogël ndër Alpe. Ndërsa Pater Happel vijon udhën i zhytur në vetvete, a thua se nuk e sheh procesionin, të cilin duket sikur e drejton në mënyrë të mrekullueshme një tjetër dorë e padukshme.
Pas procesionit është festa. Aty pamja ndryshon plotësisht. Banorët këtu marrin role të tjera. Drejtuesi i orkestrës tashmë ka veshur përparësen e kamarierit, të tjerë gatuajnë, të tjerë shërbejnë. Shërbejnë edhe fëmijët e vegjël bashkë me prindërit. Muzikën tashmë e bëjnë muzikantë të një fshati fqinj që kanë ardhur për ndihmë, pasi vendasit shërbejnë. Të gjithë njerëzit janë në një rol. Një mësues më thotë se turni i tij si pjatalarës fillon nga darka dhe vazhdon deri pas mesnate, kur do të zëvendësohet nga i biri që merr turnin e radhës. Kështu, me turne, vazhdon angazhimi në të gjitha frontet i të gjithëve, edhe pas festës, edhe ditën tjetër, deri kur gjithçka të shkojë në vendin e vet. Të gjithë janë vullnetarë. Të gjithë blejnë ushqimet që kanë përgatitur vetë dhe paratë shkojnë në favor të shoqatave të fshatit, ku ata vetë janë anëtarë. Dhe të gjithë janë të lumtur e krenarë për atë që arrijnë të bëjnë krejtësisht vetë dhe për vete.
Dje u ndava nga Pater Happel. E lashë atje ndër Alpe, teksa lutet, mediton dhe reflekton, aty më afër Zotit. U largova i mbushur me përshtypje të rralla, por edhe me njëfarë brenge e borxhi, të një borxhi që mua më duket se ne i kemi këtij njeriu, prej të cilit, vetëm pas pesëmbëdhjetë vjetësh njohjeje, krejt rastësisht, mora vesh që edhe shtëpinë që ka trashëguar nga e ëma e ka dhuruar në heshtje për një shkollë shqipe në Kosovë.
Tiroli i Jugut, 17 gusht 2026
19 Gusht 2026, 20:27
Në protestën madhështore qytetare, në rrugët dhe sheshet e Tiranës këto ditë po ushtojnë fuqishëm brohoritjet “Ndryshim sistemi dhe Avni Rustemi”! Çka ngjall pyetje dhe hamendësime të ndryshme, sidomos nga kundërshtarët e protestës dhe ata që hezitojnë t’i bashkohen kësaj Proteste model dhe unikale në gjithë Europën.
Por, le t’i qetësojmë skeptikët e pakurueshëm duke shpjeguar se kur mijërat e protestuesve kërkojnë çdo mbrëmje dhe me zë të lartë “ndryshim sistemi” ata duan shembjen e praktikave dhe dukurive të shëmtuara të 36 viteve të fundit, kur pa mohuar disa arritje, demokracia edhe në 13 vitet e fundit i ngjan një fasadë që fsheh kalbëzimin e sistemit, kur pluralizmi është kthyer në pluhuralizëm dhe në vello propagandistike me plot dështime dhe zhgënjime. Ndaj, ajo çka po kërkohet është të nxirren mësime nga pësimet, të rivendoset shteti ligjor, duke shembur Partinë Shtet të dikurshëm dhe tani Ramashtetin. Ku qeverisja dhe përgjegjësia politike janë dy të munguarat më të mëdha me pasoja për vendin dhe të ardhmen. Ku procesi i rregullt ligjor po zëvendësohet me prezumimin e pafajësisë; ky i fundit selektiv, ku njeri trajtohet “ si i nënës dhe tjetri si i njerkës”! Balluku” është si dëshmia më ulëritëse, por as e para dhe as e fundit e kësaj dukurie endemike.
Thënë më shqip, protesta dhe shoqëria përparimtare shqiptare të cilën ajo përfaqëson kërkon reformimin dhe modernizimin e shoqërisë; ama jo vetëm me letra, ligje, llogje dhe retorikë por me reforma, me frymë, me krijimin e kushteve bazë për një jetë normale, me paga dhe pensione dinjitoze, mbrojtjen e shtresave në rrezik dhe ngushtimin e hendeqeve të mëdha ekzistuese; se në BE nuk do të hyjmë thjesht me hapje/mbyllje grupkapitujsh, por me rezultate të prekshme në radhë të parë në Tiranë për këdo dhe jo vetëm për negociatorët në Tiranë/Bruksel.
Dhe këtu evokimi i Avni Rustemit është i gjetur dhe bindës; se ai ishte mbi të gjitha lider i shquar i djalërisë dhe ardhmërisë shqiptare. Avniu synonte dhe bëri gjithçka për ndryshimin dhe modernizimin e shoqërisë së atëhershme gjysmëfeudale për drejtësi dhe barazi shoqërore, pa shtypje feudale dhe diskriminim social. Këtë e tregoi kur iu përgjigj thirjes së Atdheut duke ndërprerë studimet në Zvicër, Romë dhe Kalabri, në diskutimet e zjarrta në Parlament, në veprimtarinë dhe qëndrimin stoik deri sa dha frymën e fundit me amanetin për t’u prehur pranë Ismail Qemalit.
Më konkretisht, si nismëtar dhe protagonist i shquar reformator, Avniu ka propozuar disa nisma jetike në fushën e arsimit, bujqësisë, kulturës, zhvillimin e shoqërisë, etj. Dhe, me qëllim që zërat për ndryshim dhe reforma përparimtare të mos mbeteshin vetëm retorikë, Avniu krijoi dhe udhëhoqi Shoqatën patriotike rinore “ Bashkimi” me djem të rinj idealistë, flamurmbajtës të përparimit të shoqërisë së prapambetur shqiptare, dukuri e re dhe premtuese për atë periudhë. Ndonëse jo për faj të tij, ai nuk arriti t’i zbatonte projektet modernizuese, sepse plumbi i pabesë ia ndërpreu jetën më 22 Prill 1924, pa mbushur ende 29 vjeç!.
Mirëpo, pavarësisht nga faktet e mësipërme të pakundërshtueshme, ka ende ndonjë analist nihilist që figurën e ndritur të Avni Rustemit e identifikon dhe e demonizon vetëm me atentatin ndaj Esat Pashës, ndoshta duke nënkuptuar edhe një përsëritje të mundshme të aktit të tij në Tiranë. Kursesi! Kush i ka ndjekur të 80 Protestat dhe marshimet emblematike në rrugët e Tiranës e kupton se fjala është që të vritet dukuria, dmth e keqja e madhe që ka pllakosur këtë vend. Padyshim që vrasja e kundërshtarëve politikë as dje dhe sidomos sot nuk është e lejueshme. Por Avniu në Paris nuk vrau një politikan, ca më pak opozitar të ndershëm dhe të pafajshëm, por një kryetradhtar me damkë, për të këqiat e mëdha që ai i kishte bërë dhe do t’i bënte vendit. Avniu e kreu atë akt të guximshëm vetëm në emër të Atdheut, se ndryshe nga sot, atëhere nuk kishte alternativë tjetër ndaj Esatit; që ishte strehuar në Paris me plane ogurzeza për t’ia shitur krejt vendin Serbisë! Mirëpo, përvoja e gjatë tregon se kur “ia bën borxh vendit” dhe kur nuk ka mundësi të tjera, atëhere, “ e ke hak plumbin ballit!”
Ja pse ai atentat, që përbën vetëm një aspekt të veprimtarisë së tij revolucionare, nuk mund të trajtohet “bardh e zi” dhe ca më keq të etiketohet « vrasje me pagesë”
Këtë e konfirmoi edhe gjyqi 6 mujor në Paris, të cilin Avniu e fitoi pa asnjë ndikim dhe ndërhyrje prej dikushi “ nga lart”. Ishte mbrojtja e shkëlqyer, Avniu me qëndrimin e tij stoik dhe të mençur, me fakte dhe argumenta bindëse dhe në frënëgjisht të cilat krijuan bindjen te gjykatësit se ai nuk ishte vrasës ordiner apo me pagesë, por një djalë 25 vjeçar, trim dhe atdhetar 24 karat!
Dëshmia tjetër bindëse e atij akti heroik është jehona dhe reagimet e fuqishme të medias së huaj dhe asaj shqiptare deri në Amerikë dhe sidomos të bashkëatdhetarët tanë pas atentatit në Paris, gjatë dhe pas përfundimit të gjyqit ndaj tij dhe mikpritjes në Atdhe. Të gjithë kërkonin pafajësinë dhe nderimin e tij për atë vepër patriotike, duke ofruar edhe ndihma financiare për gjyqin. Dhe nuk ishin një e dy apo disa turma, por me mijra shqiptarë nga e gjithë bota.
Pastaj fotot frymëzuese të pritjes madhështore pas kthimit të tij në Atdhe, nderimet nga patriotët tanë të shquar si Mihal Grameno, zgjedhja si deputet i Kosovës dhe deklarata e tij me atë rast, “jam krenar që jam dhe Kosovar” dhe ngjarje të tjera. Këtu vlen të përmendim kontrastin e madh domethënës të vlerësimit popullor të këtyre dy figurave antagoniste. Për Esatin, me përjashtim të liderëve serbë, nuk u kujtua njeri tjetër të thoshte një fjalë, le më t’i ngrihej një këngë apo ceremoni por vetëm heshtje varri; madje edhe kufomën e tij lanë për 14 muaj rresht në morg derisa më në fund e varrosën atje te ushtarët e vrarë serbë në Paris!
Ndërsa për birin e tij, Avniun, populli në jug e veri, brenda dhe jashtë vendit i kushtoi këngë të bukura si: “Në Paris vajte qëndrove, Esat Pashën e qëllove, të shtatat ja numërove”! Apo «Libohova shumë e mirë, vet e kishte bukurinë, se kishte djalë Avninë” dhe krijime të tjera përpara vitit 1945 dhe pa ndikim politik! Në vitin 1978 dhe me ribotime në vijim, shkëlqeu romani befasues i shkrimtarit dhe publicistit tonë të mirënjohur, ikonës së televizionit tonë, Skifter Këlliçi “ Atentat në Paris”; i shkruar edhe mbi bazën e kujtimeve të xhaxhait të tij, Reshat Këlliçi, atdhetar dhe shoku më i ngushtë i Avniut, që u ndodh në krah të tij ditën kur dora e pabesë shtiu mbi të. Mbi bazën e romanit, pasoi shfaqja e bujshme e Teatrit Bylis “ Dy të shtëna në Paris” e P.Kullës dhe Sh. Mitës dhe botime të tjera. Dhe shkollat në Libohovë, Vlorë, Tiranë dhe gjetkë, bustet dhe sheshi ku u vra që mbajnë emrin e tij lavdiplotë.
Më tej, fakti që i nxjerr zbuluar pseudopatriotët tanë është se përmendin 8.000 frangat që kishte me vehte Avniu kur shkoi në Paris por nuk thonë asnjë fjalë për pagesat e majme të qeverisë serbe për Esat Pashë Toptanin përpara dhe pas 13 Qershorit 1920. Ka dokumenta arkivore serbe të botuara dhe në median tonë që tregojnë shqetësimin e madh serb ditën e vrasjes dhe në vazhdim, kur me vendime të posaçme Toptanit, gruas dhe shoqëruesve të tij iu sigurua pension me 30.000 Franga ari, veç 120.000 franga ari të tjera si pagesa dhe për shlyerjen e borxheve.
Vetë liderët serbë të asaj kohe kishin konfirmuar se pagesat ishin shpërblimi për veprimtarinë e tij në shërbim të Serbisë. Madje, disa javë përpara se të vritej, delegacioni serb bëri çmos që Esati të fliste në Konferencën e Paqes në Paris. Kryeministri Nikolla Pashiq me homologun e tij francez u interesuan për « shërbimet « e Esatit ndaj Serbisë, sepse ai ishte vasal i saj.
]Në disa raste të tjera citohet Eqerem Bej Vlora që dihet se kishte alergji pathologjike ndaj Avniut. Edhe pse për intelektin e tij, atij nuk i lejohej të shprehej në një nivel aq të ulët për të denigruar dhe mohuar rolin, jehonën dhe simpatinë mbarëpopullore për Avniun. Mirëpo, siç kanë treguar familjarët e tyre, antipatinë ndaj Avniut atij ia hidhte poshtë edhe bazhanaku i tij, Ali Bej Këlcyra, intelektuali dhe shtetari i shquar, i cili mbajti një fjalim emocionues në funeralin e Avniut.
Këtu po bëj një analogji duke iu referuar hollivudianit të famshëm Tom Cruise, i cili në filmin” Valküre” (emri i operacionit të fshehtë për asgjënsimin e Hitlerit) luan rolin e Kolonelit 37 vjeçar Claus von Stauffenberg, atentatorit të madh por të dështuar ndaj Hitlerit më 20 Korrik 1944; në intervistën dhënë me atë rast prestigjiozes “Bild” më 9 Janar 2009 ai thotë: »Stauffenbergu më ndryshoi jetën. Edhe unë po të isha në vend të tij do doja ta vrisja Hitlerin, ndaj më vjen shumë keq që ai nuk u vra”.
Dëshmia më bindëse e popullaritetit të Avniut u pa edhe pas vdekjes së tij burrërore, kur varrimi madhështor u kthye në kryengritje që çoi në Revolucionin demokratik të Qershorit 1924. Pra edhe i vdekur, siç thonë, ai e mundi Zogun dhe oligarkinë. E pra nuk ishin disa turma radikale siç thotë Eqerem bej Vlora, por pothuajse gjithë populli i zemëruar nga vrasja e pabesë e heroit të vet që u ngrit në këmbë. Se vrasja e Avniut ishte sinjali politik për asgjësimin fizik të opozitës së atëhershme. Ndryshe, mirë Avniu, por pse u vranë një vit më vonë Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe demokratë të tjerë të shquar?
Veç sa sipër, kritizerët dhe kukuvajkat vajtuese nuk i japin dot përgjigje pyetjes asgjënsuese për ta se si shpjegohet që në varrimin e Avniut në Vlorë më 1 Maj 1924 ishin të pranishëm dhe folën 300 personalitetet më të shquara intelektuale, fetare dhe shpirtërore të vendit? Midis tyre ishin Baba Ali Tomorri, udhëheqësi shpirtëror emblematik i Bektashinjve, Ali Bej Këlcyra dhe emblematiku i Lahutës, Imzot At Gjergj Fishta, i cili mbajti një prej fjalimeve të tij më të zjarrta. Me oratorinë e tij proverbiale, Fishta i thuri homazh të ndjerë dhe i ngriti monumentin atje në Vlorë Avni Rustemit, mishërim i atdhedashurisë, idealit dhe përkushtimit të tij të paepur.
Mirëpo, pas vdekjes heroike të Avniut, pas viteve 45 dhe atyre 90 e deri tani, për fatin tonë të keq, megjithë shpresat dhe premtimet, as Noli, as Zogu, as Enveri me diktaturën e tij, as Berisha dhe as Rama nuk u kthyen dot në liderë dhe reformatorë të vërtetë për të krijuar një shoqëri fisnike dhe dinjitoze, të cilës mund t’i referohemi për sot dhe për nesër.
Ndaj, Avni Rustemi mbetet pikë madhe ndriçuese dhe referuese dhe me të drejtë shembulli i tij po brohoritet fort kudo në Shqipëri bashkë me këngën që populli i ngriti e që rezonon aq bukur me momentet e tanishme « mos kujto se u harrove, lule o Avni Rustemi!»
Së fundi, askush nuk ka pse trembet nga « plumba » si ato të Avniut për Esatin. Sistemi demokratik sot ka krijuar shumë mundësi dhe alternativa për ndëshkimin e mekatarëve dhe tradhtarëve të Atdheut pa atentate të tilla vdekjeprurëse. Por, këta të fundit, kushdoqofshin, edhe liderët duhet t’i tremben «plumbit » të zemërimit, zhgënjimit dhe protestave popullore, votës së lirë dhe të ndershme, rrënimit të besueshmërisë dhe i rrëzimit me vullnetin e lirë të zgjedhësve. Kështu do lexuar, si në frymë ashtu edhe në gërma mesazhi shumë i drejtë dhe me vend i Protestës së tanishme «Ndryshim sistemi dhe Avni Rustemi»!