Home > SHQIPËRIA

Vrasja e Sabrina Bengajt/ Një mesazh në celularin e Elton Metajt solli sherrin mes çiftit! Autori përpara gjykatës: E vrava pasi…

Vrasja e Sabrina Bengajt/  Një mesazh në celularin e Elton Metajt

Gjykata e Fierit ka lënë në burg 31- vjeçarin Elton Metaj, i cili vrau ish-bashkëshorten e tij, Sabrina Bengaj, mbrëmjen së premtes së javës së shkuar.

Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri ka pranuar krimin e rëndë. I riu është shfaqur i rënduar nga ana psikologjike në sallën e gjyqit. Gjyqtare për këtë çështje ishte Olkeda Liçe, prokurore Eglantina Shehu ndërsa avokati i caktuar kryesisht nga gjykata është Dritan Dema. Gjatë seancës autori ka pranuar që e ka bërë ai vrasjen, duke pretenduar se është ndjerë i kërcënuar nga ish-vjehrri.

I braktisur nga familjarët në sallën e gjyqit, 31-vjeçari ka shpërthyer në lot në një moment për krimin e rëndë që kreu në fshatin Zhupan të Fierit, ku i mori jetën nënës së vajzës së tij 3-vjeçare. Pavarësisht pranimit të autorësisë, ai ka një alibi edhe për armën kallashnikov me të cilën kreu vrasjen pas shpine të 23- vjeçares, me të cilën kishte pasur disa vite martesë dhe ishte divorcuar zyrtarisht gjatë periudhës që ishte në Burgun e Zaharisë në Krujë.

Elton Metaj thotë se kallashnikovin e kishte blerë për vetëmbrojtje pikërisht sepse ishte kërcënuar nga ish-vjehrri. “Nuk doja ta vrisja, por ndihesha i kërcënuar. Unë e doja dhe nuk doja që të ndërhynin familjarët në marrëdhënien tonë. Doja ta zgjidhnim vetë, unë e ajo, por vjehrri me kërcënoi t’i qëndroja larg vajzës. Armën e bleva”, mësohet se ka thënë Elton Metaj brenda gjykatës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier pas arrestimit ngritën akuzën për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” ndaj Elton Metajt. 31-vjeçari, banues në Peshtan, ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë” dhe “Dhunë në familje”.

Çifti Metaj-Bengaj kishin qenë të martuar prej 8 vjetësh dhe nga kjo martesë kishte ardhur në jetë një vajzë, e cila aktualisht është në moshën 8- vjeçare. Ajo që ishte bërë shkak për krisjen përfundimtare të martesës së tyre ishte një mesazh në celularin e autorit të dyshuar të krimit, ku i ka ardhur një foto me një femër tjetër. Këtë foto e ka parë e ndjera Sabrina Bengaj. Në dosjen e Prokurorisë së Fierit, me firmën e prokurorit Çlirim Sino, thuhet midis të tjerash: “Më datë 17.09.2020 në telefonin celular të shtetasit Elton Bengaj kanë ardhur disa mesazhe nga një adresë femre, ku në këto mesazhe ishin fotografitë e shtetasit Elton Bengaj me një femër.

Mesazhet janë konstatuar nga bashkëshortja e tij, Sabrina Bengaj dhe që në këto momente kanë filluar debatet midis tyre në fazën e një tronditjeje të fortë të marrëdhënieve bashkëshortore. Për këto debate të forta palët janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, pasi Eltoni kishte njoftuar Policinë se do të vriste veten”. Tri ditë më vonë Elton Metaj ka shkuar në banesën e ish-gruas së tij ku ka kërcënuar me vetëvrasje, duke u arrestuar më pas nga Policia.

Pas rreth 10 muajsh në qeli, Elton Metaj u lirua nga Gjykata e Fierit, duke vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje një herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore, si dhe paraqitjen pranë Poliklinikës në Fier për t’u kuruar nga psikiatri. Pavarësisht se në Burgun e Zaharisë, ku ishte dërguar më herët, mjekët neuropsikiatër nuk kanë konstatuar çrregullime mendore nga Metaj, ky i fundit është liruar pikërisht për këtë çështje.

AUTORI I VRASJES, ME DY MBIEMRA 

Në dosjen gjyqësore të Prokurorisë dhe Gjykatës së Fierit, emri i Elton Metajt shoqërohet edhe me mbiemrin Bengaj. Gjatë martesës me Sabrina Bengajn, të cilën e kishte marrë që në moshën 14-vjeçare, Eltoni kishte preferuar sipas burimeve të mbante edhe mbiemrin e gruas. Babai i tij thotë se mbajtja e këtij mbiemri është imponuar nga vjehrri i Eltonit. “Nuk e mori djali im Sabrinën. Unë i kam dhënë gruas time leje sa i takon, por zot shtëpie jam unë. Sabrina nuk është rrahur asnjëherë. Gruaja ime nuk kishte të drejtë të edukonte 14-vjeçaren. Zoti Partizan nuk donte që djali im as të mbante mbiemrin tonë. I vendosi mbiemrin e vet”, thotë Bashkim Metaj.

Babai i Sabrina Metajt: Nuk e kam kërcënuar asnjëherë ish-dhëndrin. Kam prova 

Krimi i rëndë mbrëmjen e së premtes në Fier ishte paralajmëruar. Elton Metaj kishte shkuar me kallashnikov pranë banesës së ish-gruas së tij 23-vjeçare, Sabrinës, duke e qëlluar pas shpine. Sipas “News 24”, ai e kishte mbështjellë armën e zjarrit me një peshqir të madh, në mënyrë që të eliminonte së më shumë zhurmat. Gjurmët e plumbave janë të përhapur gjithandej në banesën e familjes Bengaj.

Pasi ka dalë fillimisht ish-vjehrra dhe nusja e djalit të saj, Metaj ka kërkuar ish-bashkëshorten. Kjo e fundit pas një bisede fare të shkurtër me të është qëlluar me disa plumba, duke u rrokullisur nga shkallët. Ndërkohë, vajza e vogël e tyre, e cila do të rritet pa të ëmën dhe babain, ishte në katin e dytë të ndërtesës duke fjetur. Deklaratave në gjykatë të Elton Metajt se ishte kërcënuar nga ish-vjehrri i tij dhe për këtë arsye mbante armë, janë hedhur poshtë nga babai i viktimës. Partizan Bengaj tha se nuk e kishte kërcënuar asnjëherë ish-dhëndrin e tij.

“Gjëja e parë, familja Metaj, para se të flisja unë këtu, s’duhet të dilte fare në televizor. Zonja Sabire, që është mashtruese, intrigante, pohoi se ishte gënjeshtare, s’duhet të dilte në Tv. Ato që përmend Eltoni i kam të dokumentuara. Në datën 1 kam qenë para Prefekturës, s’kam kërcënuar njeri. Ku do të vetëmbrohej ai? Në shtëpinë time. Ata janë bukëshkelur, plehra të shoqërisë. Kundër grave nuk qëllohet. Unë bëra divorcin e vajzës dhe nuk më interesonte më se çfarë bënte. Me një pis të tillë se donin më as qentë e rrugës dhe jo më ime bije. Si dhëndër i kam dhënë bukë dhe e kam ndihmuar. Edhe i ati e di shumë mirë. Mos të dalin më në televizor. Kush kanë qenë këta policë që kanë firmosur. Deri sa më iku ime bijë, do t’i marr para të gjitha gjërat. Me këta plehra nuk dua asnjë komunikim. S’e kam kërcënuar. I kam dhënë urdhër familjes që ai të takonte vajzën, se kishte të drejtë”, tha ai.

Babai i vrau nënën, miratohet pensioni i posaçëm për 3-vjeçaren 

Pas krimit të rëndë në familjen Bengaj në Zhupan të Fierit, ku shtetasi Elton Metaj vrau me kallashnikov bashkëshorten e tij, Sabrina Bengaj, duke lënë jetime vajzën e tyre 3-vjeçare, pa nënë dhe baba, Këshilli Bashkiak i Fierit është mbledhur gjatë ditës së djeshme, ku ka miratuar dhënien e një pensioni të veçantë për të miturën për 15 vitet e ardhshme. “Ndihmën ekonomike për 3 fëmijë jetimë; dy nga Mbrostari dhe 3-vjeçarja nga Zhupani, e mbetur jetime pas ekzekutimit të nënës së saj nga bashkëshorti (babai i fëmijës)”, thuhet në një nga pikat e vendimit të miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Fierit. Pensioni i posaçëm do të merret çdo muaj nga vajza deri në moshën 18-vjeçare. Aktualisht, ajo jeton me gjyshërit e saj, ku kishte edhe qëndruar vitin e fundit pas divorcit të prindërve.

News24 Livestream